Albspirit

Media/News/Publishing

Poetja shqiptare Irma Kurti botohet në SHBA

Përmbledhja poetike “Another Day is Coming” mban logon e Shtëpisë Botuese Prolific Pulse Press LLC me botuese Lisa Tomey-Zonneveld  

Poetja shqiptare Irma Kurti botohet në SHBA. Libri mban logon e Shtëpisë Botuese Prolific Pulse Press LLC në North Carolina, SHBA. Fotografia e kopertinës është e fotografit Biagio Fortini. Përmbledhja me poezi “Another Day Is Coming” (Një ditë tjetër po vjen) eksploron nuancat e shumta të dashurisë, e përjetuar si një udhëtim emocional që lëviz nga gëzimi dhe ëmbëlsia në momentet e mungesës dhe vetmisë. Shpesh, vetë natyra bëhet pasqyrë e emocioneve dhe e brishtësisë njerëzore. Dashuria dhe përzemërsia tregohen përmes lentes delikate të detajeve të jetës së përditshme: një fotografi e zverdhur sjell në mendje kujtime, mungesa e të dashurit materializohet në heshtjen e një parku, ku gjethet në stol bëhen dëshmi e një humbjeje ose e një pritjeje të gjatë.

Vargjet përcjellin gjithashtu dashurinë për prindërit e saj dhe nostalgjinë për shtëpinë, e kuptuar jo vetëm si një strehë kujtimesh, por edhe si atdhe. Këto janë kujtime të gjalla, të pashlyeshme që nuk veniten kurrë. Siç e përshkruan poetja në një nga poezitë e kësaj përmbledhjeje poetike titulluar “Udhëtimi”, rrënjët e saj e ndjekin në çdo hap që hedh, kudo që shkon në botë. Në udhëtimin e jetës, ato janë bërë pjesë integrale e qenies së saj, duke krijuar një lidhje të thellë dhe të qëndrueshme me origjinën e vet: “Ato e përshkojnë trupin dhe shpirtin tim /Janë transformuar në vena tani / Janë pjesë e imja.”

Poezitë e shoqërojnë lexuesin në një udhëtim që ngjall emocione dhe nostalgji. Zëri dallues i Irma Kurtit kombinon butësinë dhe ndershmërinë, duke krijuar poezi që qëndrojnë për shumë kohë në mendje edhe pasi është lexuar faqja e fundit.

Mendime nga lexues dhe recensentë

Një libër prekës, plot nostalgji, i cili shpreh ndjenja që shumë njerëz mund të provojnë në këto kohë të ftohta, të dominuara nga epoka digjitale, kur u mungon një përqafim i ngrohtë dhe njerëzor. Për shumë lexues, këto poezi të thella dhe të ndjeshme mund të jenë një ngushëllim, një korrent kundër rrymës.”

— Germain Droogenbroodt, Poet Ndërkombëtar, Spanjë

Zëri i thjeshtë dhe lirik i poetes shkrin në një natyrën me shpirtin njerëzor, duke përcjellë një ndjeshmëri emocionale të qetë, të brendshme dhe femërore të pasur me imazhe më tepër se me një mendim të thellë intelektual.”

— Dr. Barbaros Irdelmen

“Një Ditë Tjetër po Vjen” është një përqafim poetik i përzemërt që transformon ndjenjat e përditshme në reflektime që s’njohin kohë mbi jetën, dashurinë dhe brishtësinë njerëzore. Në faqet e librit, çdo poezi bëhet një udhëtim i qetë përmes mallit, ëndrrave dhe qëndrueshmërisë. Një përmbledhje e shkëlqyer e mbushur me ndjeshmëri dhe thellësi emocionale.”

Sofia Skleida, Filologe, Autore, Doktore e Pedagogjisë Krahasuese; Zëvendëspresidente, Shoqata Letrare Helenike

IRMA KURTI është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo është italiane e natyralizuar. Ka fituar shumë çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali, Zvicër, ShBA, Filipine, Greqi, Liban, Kinë dhe Kore. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.

Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë poetike. Në vitin 2022 iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Në 2023 u nderua me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Switzerland në Zvicër. Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë. Në vitin 2026, iu akordua Çmimi ‘Pena e Artë’ nga Shoqata Koreane e Letërsisë Botërore, në bashkëpunim me gazetën koreane ‘Culture & People’.

Irma Kurti ka botuar 120 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Poezitë e saj janë përkthyer në 40 gjuhë. Ajo është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 24 vende të botës.

VIDEO:

www.youtube.com/shorts/I-SkkPpmgLQ

DETAJET E LIBRIT:

Titulli: “Një Ditë Tjetër Po Vjen”

Autore: Irma Kurti

Zhanri: Poezi

Botues: Prolific Pulse Press LLC

Data e Publikimit: Korrik 2026

ISBN: 978-1-962374-96-5

Çmimi: 10.95 dollarë

Libri është i disponueshëm në Amazon, Barnes & Noble dhe në shpërndarësit kryesorë online.

Disa lidhje:

https://www.barnesandnoble.com/w/another-day-is-coming -irma-kurti/1150423225?ean=9781962374965

https://www.booksamillion.com/p/Another-Day-Coming/Irma-Kurti/9781962374965

https://www.walmart.com/ip/Another-Day-is-Coming-Poetry-Collection-Paperback-9781962374965/20432253107?classType=REGULAR&from=%2Fsearch&sid=1a33b70c-85c8-48d4-94fe-83f3f5ef27a4

Prolific Pulse Press LLC

Lisa Tomey-Zonneveld, Menaxhere

Kontakt:

Email: admin@prolificpulse.com

Faqja e internetit: www.ProlificPulse.com