Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Rexhvelaj: Kujt i shërben ky reciprocitet midis Shqipërisë dhe Serbisë?

Nëse raportimet që po qarkullojnë janë të sakta dhe Shqipëria është në bisedime për hapjen e një Konsullate të Serbisë në Shkodër, atëherë ky është një vendim që meriton një shpjegim të qartë, publik dhe bindës.

Pyetja është e thjeshtë: kujt i shërben dhe pse duhet?

Ky diskutim vjen në një moment të pazakontë. Pikërisht kur Serbia ndodhet nën presion të shtuar ndërkombëtar dhe përballet me kritika nga Bashkimi Europian. Pikërisht kur qeveria e Aleksandar Vuçiçit po kalon një nga periudhat më të vështira për shkak të protestave të brendshme. Pikërisht kur vazhdojnë të ngrihen shqetësime për deklarata të papranueshme nga zyrtarë serbë dhe për situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku pasivizimi i adresave është denoncuar prej vitesh si një praktikë që dobëson praninë e tyre në trojet ku kanë jetuar historikisht.

Në këtë kontekst, lind natyrshëm pyetja: pse Shkodra?

Argumenti se kjo lidhet me komunitetin në zonën e Vrakës nuk duket bindës. Realiteti demografik ka ndryshuar prej më shumë se një çerek shekulli. Një pjesë e madhe e banorëve me origjinë malazeze u larguan drejt Malit të Zi dhe sot numri i tyre në qarkun e Shkodrës është shumë i vogël.

Nga ana tjetër, nuk mund të vendosen paralele me shqiptarët në Mal të Zi. Ata janë një komunitet autokton që prej dekadash përballet me sfida për ruajtjen e identitetit të vet.

Po ashtu në Luginën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës jetojnë dhjetëra mijëra shqiptarë, ndërsa Shqipëria nuk ka një përfaqësi konsullore atje që t’u shërbejë atyre më nga afër.

Po aq legjitime është edhe një pyetje tjetër. Nëse nevoja lidhet me qytetarët me origjinë malazeze, pse bëhet fjalë për një konsullatë serbe dhe jo për një konsullatë të Malit të Zi?

Mali i Zi është një shtet sovran, partner dhe aleat i Shqipërisë, ndërsa Shkodra ka lidhje të përditshme ekonomike, turistike dhe njerëzore me Podgoricën dhe qytetet e tjera malazeze. Për këtë arsye, një nismë e tillë mund të ngjallë pyetje edhe mbi logjikën diplomatike që e motivon.

Pas afrimit politik mes Tiranës dhe Beogradit në vitet e fundit, përfshirë edhe artikullin e përbashkët të Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiçit në Frankfurter Allgemeine Zeitung, një zhvillim i tillë do të kërkonte edhe më shumë transparencë për të gjithë.

Marrëdhëniet e mira mes shteteve ndërtohen mbi reciprocitet, respekt dhe interes të ndërsjellë. Pikërisht për këtë arsye, çdo vendim me peshë diplomatike duhet t’u shpjegohet qytetarëve me argumente të qarta.

-Çfarë mesazhi diplomatik po jep Shqipëria?

-Kujt i shërben ky vendim?