Albspirit

Media/News/Publishing

KRISTIAN PRENGA BËRI QË EMRI I SHQIPËRISË TË JEHONTE NË BOTË

Nga Gani Vila

Drejtor i Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës (ALBTVUSA)

Pas ndeshjes së Kristian Prengës me Anthony Joshua-n, siç ndodh pas çdo ngjarjeje të madhe sportive, pati mendime, analiza dhe vlerësime të ndryshme. Disa u ndalën vetëm te rezultati, të tjerë te disa momente të ndeshjes, ndërsa shumë njerëz, të pushtuar nga emocionet, harruan të shikonin rrugëtimin e gjatë që e solli Kristianin deri në një nga ringjet më të rëndësishme të boksit botëror.

Çdo mendim meriton respekt. Megjithatë, figura dhe karriera e Kristian Prengës nuk mund të gjykohen vetëm nga rezultati i një ndeshjeje. Për ta vlerësuar drejt atë që ai ka arritur, duhet të shikojmë afro 20 vjet jetë në emigracion, stërvitje, punë, investime, sakrifica dhe privime të vazhdueshme.

Kristiani arriti në majat e boksit botëror kryesisht me forcat e veta. Ai nuk pati pas vetes një federatë të fuqishme që ta financonte, ta promovonte dhe ta shoqëronte në çdo hap të karrierës. Nuk pati mbështetjen që sportistët e këtij niveli marrin zakonisht nga shtetet dhe institucionet e tyre.

Në shumë vende të botës, talentet sportive zbulohen që në moshë të re. Federatat dhe institucionet investojnë për trajnerët, palestrat, udhëtimet, ushqimin, kontrollet mjekësore dhe përgatitjen profesionale. Kristian Prenga një pjesë të madhe të kësaj barre e përballoi vetë, me ndihmën e familjes, stafit, miqve dhe sponsorëve që besuan në aftësitë e tij.

Atë që duhej ta kishte bërë Federata Shqiptare e Boksit dhe institucionet shqiptare, Kristiani u detyrua ta bënte vetë. Mungesën e mbështetjes e mbuloi me mund, djersë, disiplinë dhe një vullnet të jashtëzakonshëm.Nuk priti që dikush t’ia hapte rrugën. Ai e hapi vetë.

Nuk kërkoi justifikime. Vazhdoi të stërvitej, të ndeshej dhe të investonte në karrierën e tij, edhe atëherë kur rruga ishte e vështirë dhe ndihma institucionale mungonte.

Boksi profesionist nuk ndërtohet vetëm mbi talentin dhe forcën fizike. Ai kërkon palestër, trajnerë, partnerë stërvitorë, pajisje, kontrolle shëndetësore, ushqim të përcaktuar, udhëtime, menaxhim dhe përgatitje psikologjike. Pas disa minutave në ring qëndrojnë muaj të tërë pune dhe shpenzime të mëdha.

Kristiani e përballoi këtë rrugëtim me disiplinë. Është shumë punëtor në profesionin e tij dhe nuk ngopet së stërvituri. Nuk abuzon me jetën, kujdeset për ushqimin dhe shëndetin dhe jeton brenda rregullave të sportit. Për vite të tëra ka hequr dorë nga shumë kënaqësi të zakonshme, sepse e ka ditur se çdo pakujdesi mund ta largonte nga ëndrra e tij.

Jashtë ringut është një njeri i qetë, i thjeshtë dhe i komunikueshëm. Është djalë i mirë për prindërit, shok i mirë dhe një bashkatdhetar që të kënaq në bisedë. E do zhvillimin dhe përparimin e kombit të vet dhe gëzohet për sukseset e shqiptarëve.

Në ring, Kristiani ndryshon. Bëhet i fuqishëm, i vendosur dhe i frikshëm për kundërshtarin. Shumicën e fitoreve të tij i ka arritur me nokaut, shpesh që në raundin e parë ose të dytë. Me 20 fitore dhe dy humbje, ai arriti të renditej në elitën e boksit botëror dhe të fitojë të drejtën për t’u përballur me emrat më të njohur të këtij sporti.

Gjatë karrierës së tij, Kristiani ka pasur mundësi të përfaqësonte federata të shteteve të tjera, përfshirë edhe atë amerikane, pasi jeton dhe e ka zhvilluar një pjesë të rëndësishme të karrierës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,por ai zgjodhi Shqipërinë.

Kjo mund të mos ketë qenë zgjedhja më e lehtë apo më e favorshme nga ana financiare dhe profesionale, por ishte zgjedhja e zemrës. Përfaqësimi i Shqipërisë, siç është shprehur edhe vetë, ia bënte grushtin më të fortë.

Sa herë hynte në ring, Kristiani nuk hynte vetëm për veten. Ai mbante me vete familjen, origjinën, flamurin dhe krenarinë e të qenit shqiptar. Pas fitoreve, mbi supet dhe shpatullat e tij prej gjiganti vendoste flamurin tonë kombëtar. Në ato çaste, shqiponja dykrenare dukej sikur merrte krahë dhe fluturonte nëpër arenë.

Ndërkohë që po stërvitej dhe kishte planifikuar ndeshjen e radhës, mbërriti papritur lajmi i madh: oferta për t’u përballur me Anthony Joshua-n, dy herë kampion bote dhe një nga figurat më të njohura të boksit ndërkombëtar.

Kjo ofertë nuk ishte një privilegj i rastësishëm. Ishte vlerësim për punën, rezultatet, forcën dhe investimin shumëvjeçar të Kristian Prengës. Në një ndeshje të atij niveli nuk ftohet një boksier pa rezultate dhe pa aftësi të provuara. Kristiani ishte aty sepse e kishte fituar me meritë vendin e tij.

Ai e pranoi sfidën dhe vazhdoi përgatitjen intensive. Privoi veten nga gjithçka që mund ta largonte nga objektivi. Çdo ditë iu kushtua stërvitjes, përgatitjes fizike dhe strategjisë së ndeshjes.

E dinte se përballë kishte një emër të madh, por nuk hyri në ring për të plotësuar programin. Nuk hyri vetëm për të qëndruar disa raunde. Hyri për të luftuar dhe për të kërkuar fitoren.

Në mbrëmjen e ndeshjes pati tri momente që, sipas meje, treguan më shumë se mijëra fjalë se çfarë përfaqëson Kristian Prenga.Kur hyri në ring, bëri shenjën e kryqit.Ishte një gjest i thjeshtë, por me kuptim të madh. Në ato çaste u shfaq besimi i tij, edukata familjare dhe respekti për Zotin. Përpara forcës fizike qëndronte forca shpirtërore. Përpara grushteve qëndronte besimi. Para një sfide kaq të madhe, Kristiani tregoi se nuk kishte harruar vlerat me të cilat ishte rritur.

Më pas në arenë jehoi Himni Kombëtar Shqiptar.

Në atë moment Kristiani nuk përfaqësonte vetëm veten. Me të ishin Shqipëria, Kosova, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Luginës së Preshevës, Evropës, Amerikës dhe diaspora shqiptare kudo në botë.

Kur Himni Kombëtar Shqiptar dëgjohet në një arenë të tillë, ai nuk i përket vetëm sportistit që ndodhet në ring. Ai u përket të gjithë shqiptarëve.

Miliona njerëz panë flamurin kuqezi. Dëgjuan himnin tonë dhe mësuan se boksieri që po përballej me Anthony Joshua-n ishte shqiptar. Shumë të rinj panë se një shqiptar, i rritur dhe i stërvitur me sakrifica, mund të arrijë në skenat më të mëdha të botës.

Momenti tjetër i rëndësishëm ishin dy nokdaunet që Kristiani i shkaktoi kundërshtarit.

Dy herë një ish-kampion bote u rrëzua në tapet nga goditjet e boksierit shqiptar. Ato dy rrëzime nuk ishin rastësi. Ishin rezultat i viteve të stërvitjes, disiplinës, punës dhe përkushtimit.

Ato treguan se Kristian Prenga nuk kishte shkuar në Arabinë Saudite për të qenë thjesht pjesëmarrës. Nuk kishte hyrë në ring vetëm për të mbijetuar. Ai kishte hyrë për t’u përballur si i barabartë dhe për të fituar.

Të rrëzosh dy herë një ish-kampion bote është një arritje që nuk mund të kalojë si një hollësi e vogël e ndeshjes. Ajo tregoi forcën dhe nivelin sportiv të Kristian Prengës dhe vërtetoi se ai e kishte merituar plotësisht vendin në atë ring.

Kryqi, Himni Kombëtar dhe dy nokdaunet do të mbeten ndër pamjet më të fuqishme të asaj mbrëmjeje.Kryqi tregoi besimin e tij.Himni tregoi dashurinë për atdheun.Dy nokdaunet treguan forcën, përgatitjen dhe guximin e tij.

Rezultati përfundimtar nuk ishte ai që të gjithë dëshironim, por rezultati i një ndeshjeje nuk mund të fshijë një rrugëtim të tërë. Një humbje nuk i fshin 20 fitoret. Nuk i fshin vitet e stërvitjes, investimet dhe privimet. Nuk i fshin dy nokdaunet dhe nuk e zbeh jehonën që Kristiani krijoi për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

Edhe sikur Kristiani ta kishte fituar ndeshjen, fitorja do të kishte qenë një moment i jashtëzakonshëm. Por jehona e disa muajve, gjatë të cilëve emri i tij dhe emri i Shqipërisë u përmendën në mediat sportive, televizionet dhe rrjetet sociale, ishte një arritje me vlerë të madhe.

Në ditët përpara ndeshjes dhe veçanërisht në ditën kur ajo u zhvillua, interesimi i shqiptarëve ishte i jashtëzakonshëm. Kudo flitej për Kristian Prengën. Shqiptarët kërkonin orën e ndeshjes, kanalin ku mund ta shikonin dhe çdo lajm që lidhej me përgatitjen e tij.

Në Shqipëri, Kosovë, Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera, njerëzit prisnin me emocion hyrjen e Kristianit në ring.

Për disa orë u harruan dallimet politike, krahinore dhe fetare. Shqiptarët u bashkuan rreth një flamuri dhe rreth një sportisti që kishte arritur me forcat e veta në një nga skenat më të mëdha të boksit botëror.

Kristian Prenga e ngriti në këmbë botën shqiptare.

Kjo jehonë nuk matet vetëm me rezultatin e një nate. Ajo matet me emocionin, bashkimin dhe krenarinë që ai u dha shqiptarëve kudo që jetojnë.

Në këtë rrugëtim një rol shumë të rëndësishëm kanë pasur familja, trajnerët, stafi, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur Kristianin. Asnjë sportist, sado i talentuar dhe punëtor të jetë, nuk arrin në majë krejtësisht i vetëm.

Pas çdo minute në ring qëndrojnë qindra orë pune në palestër. Qëndrojnë trajnerët që kanë ndërtuar përgatitjen fizike dhe teknike, njerëzit që kanë punuar për strategjinë, ushqimin, peshën, shëndetin dhe rikuperimin e tij.

Një mirënjohje e veçantë u takon të gjithë shqiptarëve që e kanë mbështetur Kristian Prengën gjatë karrierës së tij. Mbështetja e tyre morale, prania në ndeshje, flamujt, mesazhet dhe përkrahja publike i kanë dhënë atij forcë për të vazhduar.

Mirënjohje meritojnë veçanërisht sponsorët dhe bizneset shqiptare nga Michigani dhe nga pjesë të tjera të Shteteve të Bashkuara, të cilët kanë besuar në aftësitë e Kristianit dhe e kanë ndihmuar në rrugëtimin e tij.

Sponsorët nuk kanë ndihmuar vetëm një boksier. Ata kanë mbështetur një sportist që mbante flamurin shqiptar dhe që po e çonte emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Kontributi i tyre i ka dhënë mundësi Kristianit të stërvitej, të udhëtonte, të përgatitej dhe të përballonte shpenzimet e mëdha të sportit profesionist.

Një falënderim i veçantë i takon Prendi Il Caffè, me pronar Visi Prendi, për mbështetjen dhe besimin e treguar ndaj Kristian Prengës. Visi Prendi dhe biznesi i tij janë bërë pjesë e atij grupi shqiptarësh që nuk mjaftohen vetëm me fjalë, por ndihmojnë konkretisht sportistët dhe talentet shqiptare.

Një mirënjohje e veçantë i takon gjithashtu biznesmenit Gerti Lumani, i cili ka qenë ndër mbështetësit e Kristianit dhe që, përveç kontributit të tij, i mundësoi ALBTVUSA-s pamje të drejtpërdrejta nga Arabia Saudite.

Falë kësaj ndihme, ALBTVUSA mundi t’u sillte shikuesve shqiptarë momente dhe pamje të drejtpërdrejta nga atmosfera e ndeshjes, duke i afruar shqiptarët në Amerikë dhe në mbarë botën me ngjarjen e madhe sportive.

Ky ishte një kontribut me vlerë, jo vetëm për televizionin tonë, por edhe për mijëra shikues që dëshironin të shikonin nga afër atmosferën, flamujt shqiptarë dhe mbështetjen për Kristianin në Arabinë Saudite.

Prendi Il Caffè, Visi Prendi dhe Gerti Lumani meritojnë respekt për kontributin e tyre. Ata treguan se bizneset shqiptare mund dhe duhet të jenë pranë sportistëve, artistëve dhe talenteve tona, jo vetëm pasi arrijnë suksesin, por gjatë gjithë rrugëtimit të tyre.

Natyrisht, mirënjohja shkon për të gjithë sponsorët, biznesmenët, kompanitë, miqtë dhe individët që kanë ndihmuar Kristianin. Çdo kontribut, i madh apo i vogël, ka pasur rëndësi. Mbështetja më e vlefshme është ajo që jepet në kohën kur sportisti përgatitet, punon dhe sakrifikon, pa e ditur ende se cili do të jetë rezultati përfundimtar.

Po aq mirënjohje meritojnë shqiptarët që udhëtuan deri në Arabinë Saudite për të qenë pranë Kristian Prengës.

Ata përshkuan mijëra kilometra, shpenzuan kohë dhe para, lanë punën dhe familjet dhe shkuan në arenë me flamujt kuqezi. Udhëtuan që Kristian Prenga të mos ndihej vetëm dhe që Shqipëria të kishte praninë e saj në tribunat e asaj ndeshjeje.

Kur Kristiani shikonte flamujt shqiptarë dhe dëgjonte zërat e bashkatdhetarëve, e dinte se pas tij qëndronte një popull. Ata nuk ishin vetëm spektatorë. Ishin pjesë e atmosferës, e emocionit dhe e historisë së asaj mbrëmjeje.

Prania e tyre tregoi edhe një herë se, kur një shqiptar arrin në një skenë të madhe dhe përfaqëson kombin me dinjitet, shqiptarët dinë të bashkohen dhe ta mbështesin.

Respekt dhe mirënjohje meritojnë gjithashtu të gjithë shqiptarët që e ndoqën ndeshjen nga Shqipëria, Kosova, Evropa, Amerika dhe nga çdo vend tjetër i botës. Ata e përjetuan ndeshjen me emocione dhe shpresë, duke e mbështetur Kristianin nga larg.

Atë natë, pavarësisht distancës, zemrat e shqiptarëve rrihnin në të njëjtin ritëm.

Rrugëtimi i Kristian Prengës duhet të shërbejë edhe si një thirrje për shtetin dhe institucionet shqiptare. Sportistët nuk duhet të kujtohen vetëm kur arrijnë në majë. Nuk mjafton që pas suksesit të dërgohen urime, të bëhen deklarata apo fotografi.

Mbështetja duhet të fillojë shumë më herët, në vitet kur sportisti stërvitet larg kamerave, kur ka nevojë për trajnerë, financime, udhëtime dhe mundësi për të konkurruar.

Kristiani arriti vetë atje ku institucionet shqiptare duhej ta kishin ndihmuar të arrinte. Për vite me radhë u stërvit, investoi dhe vazhdoi pa u dorëzuar. E ngriti emrin e Shqipërisë në një ring botëror pa pasur pas vetes organizimin dhe investimet që sportistët e vendeve të tjera i kanë si pjesë të sistemit të tyre.

Ai nuk kishte nevojë për tituj të mëdhenj dhe as për emërtime zyrtare. Kristian Prenga ishte një shqiptar që, me punën, rezultatet dhe dinjitetin e tij, e përfaqësoi kombin denjësisht.

Ai e bëri Shqipërinë të dëgjohej jo me fjalime, por me punë, sakrificë dhe prani në arenën botërore.

Nëpër botë ka edhe shqiptarë të tjerë që përpiqen të arrijnë në sporte të ndryshme pa mbështetjen e duhur institucionale. Shpesh ata rriten si “jetimë sportivë”, të mbështetur vetëm nga familjet, miqtë dhe sponsorët privatë.

Për këta sportistë dhe për brezat që do të vijnë, Kristian Prenga do të mbetet një shembull. Historia e tij tregon se suksesi nuk vjen brenda natës. Ai ndërtohet me vite pune, disipline, durimi dhe sakrifice.

Ai u tregon të rinjve se duhet të punojnë edhe kur askush nuk i sheh, të vazhdojnë edhe kur ndihen të lodhur dhe të mos dorëzohen kur mbështetja mungon.

U tregon se dashuria për vendin nuk dëshmohet vetëm me fjalë, por edhe me mënyrën se si e përfaqëson atë në botë.

Prandaj, pas kësaj ndeshjeje, më shumë se te rezultati duhet të ndalemi te rrugëtimi dhe arritja.

Kristian Prenga hyri në ring duke bërë kryqin. Në arenë jehoi Himni Kombëtar Shqiptar. Ai rrëzoi dy herë një ish-kampion bote. Mbi shpatulla mbajti flamurin kuqezi dhe bëri që për muaj të tërë emri i Shqipërisë të përmendej në botën e boksit.

Për këtë rrugëtim, për këtë përfaqësim dhe për emocionin që u dha shqiptarëve, Kristian Prenga meriton respektin dhe mirënjohjen tonë.

Mirënjohje meritojnë familja dhe stafi i tij, të gjithë sponsorët dhe shqiptarët që e mbështetën, veçanërisht Prendi Il Caffè me pronar Visi Prendi dhe biznesmeni Gerti Lumani, i cili na mundësoi pamje të drejtpërdrejta nga Arabia Saudite për ALBTVUSA.

Mirënjohje meritojnë shqiptarët që udhëtuan deri në Arabinë Saudite dhe të gjithë ata që e ndoqën dhe e mbështetën nga çdo cep i botës.

Një rezultat nuk i fshin 20 fitoret.Nuk i fshin vitet e sakrificës.Nuk i fshin dy nokdaunet.Nuk e fshin Himnin Kombëtar.Nuk e fshin flamurin kuqezi.

Dhe, mbi të gjitha, nuk e zbeh jehonën dhe krenarinë që Kristian Prenga u dha shqiptarëve.

Kristian Prenga mbetet shqiptari që, me punë, sakrificë dhe dinjitet, bëri që emri i Shqipërisë të jehonte në botë dhe ngriti në këmbë botën shqiptare.