Albspirit

Media/News/Publishing

Ruzhdi Gole: ETHE, REGËTIMA…

-1-

Shpëtoje tjetrin, por mos humb veten.

Koha e njeriut ecën përpara, vrapon
rrëmujshëm, herë-herë pendohet
hepon më ngadalë
qetohet puhizë,

Njeriu i njeh më mirë kryet e veta
këtu atje bashkë të shpërndara
u flet syve veshëve buzëve
më i kthjellët nër të gjallë
jeton pa gjysm’ shtizë.

Vrapimi njeriut ia çon më përpara
përhera kokën se këmbët,
aty ku ai mbërrin
ndin së pari
rrahjet e shpejta të tëmthit bregdetar
ethet e velierës të sfinksit
shputa plasaritur
gisht them’ër.

O Jetë, shpëtoje njeriun!
Ai jeton trazirave
pisk edhe me plis,
O njeri,
kalofsh burrnisht mes grave,
mes grave turpërohu burrnisht!

Urtë dhe qetë.

U mërzite prej tyre?
Kridhe kokën
në miell ose
në det!

Det s’ka askund?

Një valë ere
të fëshfërin
në trup.

Qetohu prej saj!

Shpëtoje njeriun
nga njeriu i reve,

Zemërimi s’ka skaj!

Ti, o zë,
zë që vjen nga honi : kë thërret?
Të rrëzuan ata që s’të deshën
u rrëzove vet?

Si mund të jetë honi?

Mund të zbres njeriu aty,
mund të zhytet ?
Honi është i gurtë
por edhe ujor,

honi mund të jetë
i cekët dy gisht, qahet e lutet
honi edhe thellomë.

Dy gisht hon Fjala pranë Fjalës,
midis peshkut dhe halës,
perit e gjilpërës,
gjethes dhe degës,
brumit e ëndrrës…

Thellomë honi, aq thellomë,
pëllëmba shuplakë kris
mbi çdo të pafajshëm
nga heshtja jonë.

-2-

Koha e njeriut ecën
vrapon edhe pas…
në zgjim ëndërr,
hovje e plasë.

Prindërit tanë
në sjellje e në bindje

shumë kohëra morën peng,
brezi i tim biri do ta shpëtojë atdheun

Shpëtoje natyrën nga njeriu, o bletë!

Ta shpëtojmë një pemë
gjersa të zgjohet,

mos ta çukisin sqepat e laraskave roje.

Dallga, kur afrohet tek brigjet
ta shpëtojmë nga tymrat,
plehrat dhe shpifjet.

Koka e njeriut sheh edhe tëposhtë,
thonjtë i ka në sy dhe në gjoks.

Ta shpëtojmë njeriun
me gurin var në qafë,
laku u tij brengë fatziu
na ndjek pas.

Mund të na rrëmbejë dufi i tij.
Ta shpëtojmë njeriun
nga hija përbri.

Hija e tij jeton gjatë, më gjatë,
frymori ikën, hija.
kthehet prapë.

Guri i qafës që bie në humnerë
s’vret një njeri…v ret peisazhet
ujëvarat lëndinat- motra
me vëllanë diell.

Murrana e njeriut
murrëton prej uje urdhëri,
Kë do vrasin sonte
me plumb, me teh?

Ne jemi këtu, atje – këtu
me petka vale
dhe pluhuri

afër plagosemi
edhe ne.

Përlotja fëmijë lind. Vdes prind.

Shpëtoje njeriun nga murrana e njeriut,
mos humb pamjet nga zbrite dhe do
ngjitesh ti përsëri vet i dytë,

Tinëzia të rri afër
në krahë,
në grykë.

Shpëtoje njeriun, jo hajdutin njeri!

Ah, shpëtoje edhe atë vetëm
një çast nga grabitja e tij.

Përpara se ai të rrëmbej të tjerët…
atë e rrëmbejnë lojërat e Fatit,
atë e rrëmben terri
këmbëbjerrës
në sy të ditës
prapthi.

Përpjetë koha e çdo njeriu
sheh atë që ia hovi vrullin,
sheh atë që e përpiu?!

Shpëtoje fëmijën gjer në sakrificë!
Për hir të tij mund të luash
me zjarrin

ndoshta ti do luash
edhe me të këqinjtë.

Shpëtoji gjithë xixat e mëngjesit
gjithandejmi mbaji ndezur!
Njeri – tjetrin shpëtojmë
edhe kur tretemi
pa u tretur.

O njeri, shpëtoje
nga tep’rimet dhe tepricat
frymorin plot rreze plot ngrica.

Aty unë gëzohem,
aty, më gëzon
edhe trembja!

Njeri,
shpëtoje
njeriun tënd vetes brenda!

Gjithkund
veten mos e humb!