Apeli i ambasadorit Mal Berisha për bustin e Gjergj Kastriotit në Londër
Me shqetësim dhe keqardhje të thellë jam vënë në dijeni se busti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, është hequr nga vendi ku qëndronte prej 28 nëntorit 2012, në Lady Samuel’s Garden, pranë kryqëzimit të Inverness Terrace me Porchester Gardens, Bayswater, Londër.
Sipas informacionit që më është përcjellë, heqja është kryer nga një shoqëri ndërtimi, ndërsa Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Londër është informuar për këtë veprim vetëm pasi çështja është ngritur nga një veprimtare shqiptare nga Kosova.
Heqja e një monumenti me rëndësi të veçantë kombëtare, pa transparencë dhe pa informimin paraprak të institucioneve shqiptare, të autorit të veprës dhe të bashkësisë shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, përbën një ngjarje shumë serioze dhe të papranueshme.
Ky bust, vepër e skulptorit shqiptar Kreshnik Xhiku, u përurua më 28 nëntor 2012, në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në cilësinë e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar në atë periudhë, pata nderin dhe përgjegjësinë të drejtoja përpjekjet për realizimin e këtij projekti.
Busti nuk është thjesht një objekt zbukurimi urban. Ai është një shenjë e dukshme e historisë, identitetit dhe pranisë shqiptare në kryeqytetin britanik, si dhe një simbol i lidhjeve ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit britanik.
Për sigurimin e truallit ku u vendos monumenti u akordua një fond prej 30.000 paundësh britanikë. Trualli u mor me qira deri në vitin 2042, në bazë të një kontrate që parashikon edhe të drejtën e përsëritjes së saj.
Për realizimin e veprës ekziston edhe Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 697, datë 16.8.2012, “Për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2012, miratuar për Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për mbulimin e shpenzimeve për realizimin në bronz të bustit”.
Pavarësisht këtij vendimi, shteti shqiptar nuk e disbursoi asnjëherë shumën prej 8.000 eurosh për realizimin dhe derdhjen në bronz të bustit nga skulptori Kreshnik Xhiku. Për këtë arsye, koston e veprës e përballova personalisht, së bashku me familjen time.
Për këtë sakrificë jam krenar. Edhe pse një pagesë e tillë ishte e konsiderueshme për një familje me të ardhura të zakonshme, ajo mbetet shumë e vogël përpara rëndësisë së një vepre që përfaqëson Shqipërinë, historinë dhe identitetin tonë kombëtar në një kryeqytet të madh botëror si Londra.
Pas përurimit, pranë këtij busti kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule drejtues të lartë të shtetit shqiptar:
Dr. Sali Berisha, atëherë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, gjatë një vizite zyrtare;
Bujar Nishani, President i Republikës, gjatë vizitës zyrtare të dhjetorit 2014;
Jozefina Topalli, atëherë Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, gjatë një vizite zyrtare;
Alfred Moisiu, ish-President i Republikës, gjatë një udhëtimi privat;
Pandeli Majko, ish-Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, gjatë një udhëtimi privat.
Asnjë zyrtar i lartë i shtetit shqiptar, pas vitit 2014, nuk e ka vizituar atë bust dhe as ka bërë homazhe pranë tij. Kjo dëshmon mungesën e plotë të interesimit dhe të përkujdesjes së shtetit shqiptar ndaj këtij monumenti me rëndësi kombëtare.
Sipas dokumentacionit të administruar në dosjen e posaçme që kam lënë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Londër, për vendosjen dhe qëndrimin e bustit është lidhur një marrëveshje LIGJORE me Westminster City Council. Hapësira është siguruar për një periudhë 30-vjeçare, deri më 28 nëntor 2042, me të drejtë përsëritjeje.
Për këtë arsye, çdo ndërhyrje në vendndodhjen, bazamentin ose vetë bustin duhet të mbështetet në një akt të rregullt ligjor dhe administrativ, të shoqërohet me dokumentacion të plotë dhe t’u komunikohet paraprakisht institucioneve përgjegjëse shqiptare.
Duke pasur parasysh rëndësinë e jashtëzakonshme të kësaj çështjeje, kërkoj publikisht dhe zyrtarisht:
Të bëhet e ditur menjëherë se cili institucion, pronar, zhvillues ose subjekt ndërtimor e ka urdhëruar dhe realizuar heqjen e bustit.
Të publikohet baza ligjore dhe administrative mbi të cilën është ndërmarrë ky veprim.
Të sqarohet nëse heqja është e përkohshme, për shkak të punimeve ndërtimore, apo nëse synohet zhvendosja e përhershme e monumentit.
Të bëhet e ditur vendndodhja e tanishme e bustit, mënyra e transportimit të tij dhe kushtet në të cilat po ruhet.
Të kryhet menjëherë një inspektim profesional për të përcaktuar nëse busti, bazamenti dhe pllaka përkujtimore kanë pësuar dëmtime gjatë çmontimit ose transportimit.
Të vihet në dispozicion kopja e çdo lejeje, vendimi, procesverbali, marrëveshjeje ose korrespondence që lidhet me heqjen dhe zhvendosjen e bustit.
Të konfirmohet zyrtarisht vlefshmëria dhe statusi aktual i marrëveshjes së lidhur për përdorimin e hapësirës deri në vitin 2042.
Të hartohet dhe të bëhet publik një plan i qartë për rikthimin e bustit në vendndodhjen e tij menjëherë pas përfundimit të punimeve, duke përcaktuar afatin, institucionet përgjegjëse dhe garancitë për mbrojtjen e tij.
Asnjë vendim përfundimtar për zhvendosjen e monumentit të mos merret pa konsultim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, Westminster City Council, autorin e veprës, Anglo-Albanian Association dhe përfaqësuesit e bashkësisë shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Londër të informojnë publikisht qytetarët shqiptarë mbi të gjitha veprimet e ndërmarra për mbrojtjen dhe rikthimin e monumentit.
Shpreh protestën time të vendosur ndaj mungesës së njoftimit, transparencës dhe reagimit të menjëhershëm institucional. Është veçanërisht shqetësues fakti që institucionet shqiptare nuk e kanë konstatuar dhe komunikuar vetë heqjen e bustit, por janë vënë në dijeni nga një pjesëtare e bashkësisë shqiptare.
Me shqetësim të thellë dhe me kërkesën për veprim të menjëhershëm,
Mal Berisha, Ish-Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, 2012-2015