Delo Isufi: Shqiponja Pazaj-Veshaj dhe poezia “Çarshia e ëndrrave”
Pjesa e dytë
“Çarshia e ëndrrave” e poetes Shqiponja Pazaj-Veshaj është një nga ato krijime lirike që nuk mbështetet vetëm mbi rrëfimin e një historie dashurie, por ndërton një univers të tërë poetik, ku ndjenja, kujtesa, ëndrra dhe hapësira gjeografike shkrihen në një organizëm të vetëm artistik. Ajo është një poezi që lexohet fillimisht me emocion, por sa më shumë rikthehesh tek vargjet e saj, aq më tepër zbulon shtresat e fshehta të kuptimit, ku secili prej lexuesve gjenë grimca nga jeta e tij.
Në letërsinë bashkëkohore shqiptare janë të pakta poezitë që arrijnë ta përdorin qytetin jo vetëm si vend ngjarjeje, por si një qenie poetike. Pikërisht këtë realizon autorja. Stambolli nuk është vetëm një sfond romantik. Ai bëhet pjesë e ndjenjës, bashkëbisedues i shpirtit dhe dëshmitar i një dashurie që endet mes reales dhe ëndrrës.
Krijimi ndërtohet mbi një atmosferë orientale, ku minaret, çarshia, Bosfori, Deti Marmara, nata dhe hëna nuk shfaqen si elemente dekorative. Secili prej tyre fiton një funksion simbolik dhe bëhet pjesë e arkitekturës shpirtërore të poezisë. Në këtë mënyrë autorja krijon një hapësirë artistike ku lexuesi nuk ndjek vetëm ngjarjen, por e përjeton atë.
Ka qytete që vizitohen me këmbë, ka syresh që njihen përmes historisë dhe ka të tjerë që mund të përshkohen vetëm me zemër. Stambolli është njëri prej tyre. Ai nuk është vetëm një hapësirë gjeografike, as vetëm një urë mes dy kontinenteve; ai është një qytet ku legjendat ecin pranë njerëzve, ku minaret flasin me qiellin, ku hëna zbret çdo mbrëmje për t’u larë në ujërat e Bosforit dhe ku çdo gur i kalldrëmeve mban brenda një histori dashurie.
Ky qytet, që prej shekujsh ka frymëzuar poetë, piktorë dhe udhëtarë. Poetja vlonjate, Shqiponja Pazaj-Veshaj e vendos ngjarjen poetike të krijimit të saj “Çarshia e ëndrrave” në këtë qytet. Ajo nuk shkruan thjesht për Stambollin. Ajo e shndërron atë në një hapësirë shpirtërore, ku realiteti dhe ëndrra ecin dorë për dore, ku dashuria nuk matet me kohën, por me intensitetin e pritjes.
Titulli i poezisë “Çarshia e ëndrrave” është një gjetje tepër interesante, është çelësi interpretues i gjithë poezisë.
Në kuptimin e parë, fjala “çarshi” të sjell ndër mend tregun e vjetër oriental, rrugicat me kalldrëm, dyqanet e vogla, aromat e erëzave, zërat e njerëzve dhe gjallërinë e një qyteti të lashtë. Në gjurmët e këtij tregu dëgjohen të rrahurat e kudhrës së kovaçit, dëgjohet zëri i tellallit që thërret për një djalë që ka humbur udhën. Më tutje shikon një han ku udhëtarët që vijnë nga larg për pazar gjejnë strehë dhe ushqim bashkë me kuajtë e tyre të djersitur nga rruga. Pranë një byrektoreje, në një bar të mbuluar me dërrasa, burra të moshuar gjerbin kafen turke dhe thithin duhanin me nargjile. Në këtë çarshi ruhen edhe gjurmët e sulltanëve të veshur si udhëtarë që pyesin tregëtarët e zanatçinjtë se si qeveris sulltanati.
Por autorja nuk flet për një treg të zakonshëm. Ajo e shndërron çarshinë në një hapësirë metafizike, ku nuk tregtohen mallra, nuk dëgjohen zëra e thirrje për produkte e relikte, por kujtime, pritje, mall, shpresa dhe ëndrra. Kjo është metafora themelore mbi të cilën mbështetet i gjithë krijimi dhe çarshia simbolizon jetën.
Në jetën njerëzore secili kërkon diçka. Dikush kërkon lumturinë, dikush paqen, dikush veten, një tjetër rend pas parasë, dukush pas pushtetit dhe lavdisë, ndërsa këtu subjekti lirik kërkon dashurinë ideale. Prandaj çarshia nuk është më një vend fizik; ajo bëhet simbol i kërkimit të përhershëm njerëzor.
Edhe fjala “ëndrra” nuk përdoret vetëm në kuptimin e gjumit. Në poezi ajo merr kuptimin filozofik të idealit: Ëndrra është ajo që e mban njeriun gjallë, që e shtyn të ecë përpara edhe kur realiteti e zhgënjen.
Bashkimi i këtyre dy fjalëve krijon një titull me ngarkesë të jashtëzakonshme poetike. Ky bashkim paralajmëron lexuesin se do të hyjë në një botë ku kufiri midis reales dhe imagjinares, midis të njohurës e të panjohur, është pothuajse i padukshëm.
Tema qendrore e poezisë është kërkimi i dashurisë ideale. Por kjo temë nuk trajtohet në mënyrën tradicionale. Nuk kemi një histori të zakonshme dashurie. Kemi një udhëtim të shpirtit drejt një figure që herë duket reale, herë merr trajtat e vegimit. Brenda kësaj teme gërshetohen disa motive të rëndësishme: motivi i pritjes, i kërkimit, i ëndrrës, i mallit, i shpresës dhe motivi i udhëtimit shpirtëror.
Këto motive nuk zhvillohen veçmas. Ato ndërthuren vazhdimisht, duke krijuar një rrjedhë emocionale që e mban lexuesin të lidhur me poezinë deri në vargun e fundit. Ideja themelore është se dashuria e vërtetë jeton njëkohësisht në zemër dhe në ëndërr. Njeriu mund ta prekë për një çast, mund ta zotërojë përgjithmonë ose edhe një herë të vetme, por ajo mbetet gjithnjë një horizont drejt të cilit ecim, një ndjenjë-prush që ruhet gjithë jetën në zemër.
Nga pikëpamja kompozicionale, poezia është ndërtuar me një logjikë të brendshme shumë të harmonishme. Ajo mund të ndahet në disa pjesë ku secila të trajtojë karakteret dhe botën shpirtërore të çdo vargu e strofe dhe e tëra së bashku të jetë një buqetë me lule aromë mali, fushe e deti.
Pjesa e parë krijon atmosferën poetike. Lexuesi futet menjëherë në një Stamboll të mbështjellë nga nata, ku hëna, minaret dhe deti krijojnë një peizazh që të kujton përrallat orientale.
Pjesa e dytë përqendrohet tek kërkimi. Personazhi lirik lëviz, kërkon, pret dhe shpreson, pse jo njëmijë e një netët e Ebu Navasit.
Pjesa e tretë është kulmi emocional. Këtu ndodh takimi me djalin e ëndrrave. Dashuria materializohet për disa çaste dhe merr përmasa pothuajse mitike.
Ndërsa pjesa e fundit shënon kthimin në realitet. Dashuria buzëqesh dhe ëndrrat lëkunden mbi Bosforin e zhurmshëm,
E gjithë poezia është e qendisur me figura letrare ku qarkohen nga një ylber që bashkon dy kontinente e, në kuptimin figurative, dy zemra.
Ky ndërtim është shumë domethënës.
Poetja ndjek ciklin psikologjik të ndjenjës njerëzore: pritje–kërkim- takim–lumturi- ndjenjë, por jo zhgënjim. Ky është edhe cikli i shumë dashurive të mëdha në letërsi.
Vargjet hyrëse janë ndër më të realizuarat artistikisht:
“Në Stamboll, nata luan
Me hënën e artë mbi minare…”.
Që në dy vargjet e para bie në sy përdorimi mjeshtëror i personifikimit.
Nata nuk qëndron e heshtur.
Ajo “luan”.
Kjo folje i jep dinamizëm gjithë peizazhit. Lexuesi nuk sheh një natë të zakonshme. Ai sheh një natë që lëviz, vallëzon dhe merr pjesë në jetën e qytetit. Edhe hëna nuk është një trup qiellor pa jetë. Ajo afrohet mbi minaret e Stambollit si një mbretëreshë e heshtur, duke derdhur dritën e saj mbi qytetin. Epiteti “e artë” nuk është zgjedhur rastësisht. Ngjyra e arit është simbol i fisnikërisë, i dritës, i përjetësisë dhe së shenjtës. Hëna nuk ndriçon vetëm qytetin; ajo ndriçon edhe botën e brendshme të subjektit lirik. Në këto dy vargje krijohet një kontrast i bukur ndërmjet tokës dhe qiellit. Poshtë qëndron qyteti. Lart është hëna.
Mes tyre ngrihen minaret, të cilat duken si ura shpirtërore që bashkojnë njeriun me përjetësinë. Ky është një ndër imazhet më të bukura të poezisë. Në pak fjalë autorja arrin të ndërtojë një tablo me ngjyra, dritë, lëvizje dhe muzikë të brendshme. Pikërisht këtu fillon magjia e “Çarshisë së ëndrrave”.
Këtu nata nuk është një pjesë e ditës që kalon mekanikisht. Ajo është personazh. Ajo luan. Ajo ka jetë, ka ritëm, ka shpirt. Ndërsa hëna nuk qëndron larg, e ftohtë dhe e heshtur. Ajo afrohet mbi minaret e qytetit, sikur dëshiron të dëgjojë lutjet, ëndrrat dhe psherëtimat e njerëzve. Është një personifikim i ndërtuar me shumë finesë, ku elementët e natyrës marrin frymë si qenie të gjalla.
Pra, këtu kemi një imazh vertikal shumë interesant. Poshtë është qyteti, në mes ngrihen minaret dhe sipër ndriçon hëna. Kjo lëvizje nga toka drejt qiellit krijon një ndjenjë ngritjeje shpirtërore. Është sikur poezia, që në fillim, e fton lexuesin të largohet nga përditshmëria dhe të hyjë në një dimension më të lartë estetik.
Më pas autorja e zhvendos vëmendjen nga peizazhi drejt vetes.
“Veç meraku im i rri zgjuar,
Teksa shëtit sokakëve plot hare”.
Këtu shfaqet kontrasti i parë i madh psikologjik.
Nga njëra anë kemi sokakët “plot hare”, ku jeta vazhdon normalisht dhe nga ana tjetër kemi “merakun” e subjektit lirik, që nuk gjen qetësi. Kjo përballje mes gëzimit të botës dhe trishtimit të individit është një motiv i njohur në poezinë lirike, por autorja e shpreh me një thjeshtësi që e bën shumë bindës.
Vlen të ndalemi te fjala “merak”.
Në gjuhën shqipe kjo fjalë ka një ngarkesë emocionale shumë më të gjerë sesa shqetësimi. Ajo përmbledh mallin, dëshirën, ankthin dhe pritjen. Pikërisht kjo e bën zgjedhjen leksikore shumë të goditur. Një fjalë e vetme mbart një univers ndjenjash.
Mjafton të mbyllësh sytë dhe ta imagjinosh atë natë. Bosfori është shtrirë si një pasqyrë e pafund. Yjet bien mbi sipërfaqen e tij si mijëra petale argjendi, ndërsa dallgët i mbledhin e i shpërndajnë sërish. Diku larg dëgjohet një sirenë anijeje që përzihet me ezanin e mbrëmjes. Minaret ngrihen drejt qiellit si gishta lutjeje dhe hëna, e rrumbullakët e plot dritë, duket sikur ka zgjedhur pikërisht këtë qytet për të derdhur gjithë hijeshinë e saj.
Në këtë peizazh përrallor shfaqet edhe figura lirike e poezisë. Ajo nuk ecën. Ajo vrapon.
“Unë vrapoj përmes erës
Anës detit nëpër gur…”.
Këto vargje përmbajnë një energji të jashtëzakonshme. Era bëhet rrugë, gurët bëhen dëshmitarë, ndërsa deti shndërrohet në bashkëudhëtar të kërkimit të saj. Nuk është një vrapim fizik. Është një rendje drejt ëndrrës, drejt asaj figure ideale që zemra e ka ndërtuar prej kohësh.
Por poezia nuk flet për lëvizjen fizike. Këtu “vrapimi” është metaforë e kërkimit të pandërprerë të lumturisë. Personazhi lirik nuk ecën ngadalë. Ai vrapon. Kjo tregon padurim, etje dhe forcë të brendshme.
Edhe era nuk është zgjedhur rastësisht. Në letërsi era shpesh simbolizon kohën, fatin ose ndryshimin. Të vraposh “përmes erës” do të thotë të sfidosh kohën, pengesat dhe pasiguritë.
Ndërsa shprehja “anës detit nëpër gur” krijon një figurë tjetër me vlera simbolike. Gurët janë pengesat e jetës. Deti është pafundësia e dëshirave. Subjekti lirik ecën pikërisht në kufirin ndërmjet tyre. Kjo është arsyeja pse këto dy vargje fitojnë një kuptim filozofik. Njeriu gjithmonë ecën midis ëndrrës dhe realitetit. Midis detit të dëshirave dhe gurëve të vështirësive.