Arta Arifi: I vdekuri qe e shihja veç unë
“Një natë të vonë, kur të gjithë ishin në gjumë, mora qerren me kalin, mblodha çka munda dhe u
largova larg fshatit tim, diku ku askush nuk do të më njihte, aty ku fantazmat e njerëzve të gjallë nuk
do të më vinin pas”, tha gjyshja ime, pastaj mbylli derën e dollapit të vjetër në të cilin hyn ditëve kur
kujtesa i kthehet si dënim.
“Në fillim mora rrobat e t’vdekurit e i futa n’thes, pastaj mblodha kujtime të shtëpisë së vjetër. Mbi
kujtimet e vjetra, hodha edhe disa t’idhëta, të cilat i mbështolla mirë e u’a lidha grykën e thesit. Krejt
n’fund i zgjova djemtë e mi nga gjumi”, me tha, pastaj ma hodhi një arrë para kambëve.
Arra mban erë myshku.
Erë myshku vjen edhe nga dollapi.
E di, në këto çaste gjyshja ime po i shpalos rrobat e të vdekurit.
Sa kohë mban kjo arrë brenda dollapit, mendoj me vete, por këto mendime m’i ndal zani i saj që
vjen si një za altoparlanti, i largët, por shumë i trishtē.
“Rruazat e bardha rrumbullake më ranë nga dora nëpër shkallët e shtëpisë një nga një. Nga frika se
dikush do të më dëgjojë, i lashë aty.
Gjarpri i shtëpisë u soll e u mbështoll në pragun e derës. Ktheva kokën veq edhe njëherë. Doja ta
dija nëse po vinte pas nesh apo po rrinte aty, mbi bi prag, roje e një shtëpie të zbrazët
Pas qerres me kali na vinte veq i vdekuri të cilin e shihja veq unë, thotë gjyshja dhe përhumbet diku!
Në njërën anë është ajo e përhumbur në kujtime e në anën tjetër jam unë që marr nga thesi i
kujtimeve të saj dhe i fus në thesin e kujtimeve të mia.
Na ndan veq një fije pluhuri që hyn e del nga vrima e dollapit. Edhe rrezet e para të diellit sapo kanë
hy në dhomë.
Ishte viti 1664 kur Gjjyshi i Gjyshit tim për herë të parë kishte parë trungun e një arre të madhe.
Edhe frutin e arres e kishte provuar për herë të parë, teksa po puthte një persiane të bukur, të cilën
e kujtoi deri në çastet e fundit të jetës së tij.
“Këta trupa do t’na bajnë hije ditëve të gjata të verës për nëntëmbëdhjetë shpirtat e gjallë të
shtëpisë time”, kishte menduar.
Pastaj kokrrat e saj i kishte fut në një thes të cilin e mbante në qerren me mushka e kuaj në
udhëtimin e tij të gjatë nga Persia në Anadoll, nga Anadolli në Konstandinopojë, e nga aty në shtëpi.
Nga nëntëmbëdhjetë frutat e arrës, ishte vetëm njëra që zuri rranjë në tokën tonë, “Arra që pret
tërmetin”.
Era e portokallit më vjen nëpër hundë.
E di, në këto çaste gjyshja ime po ha një portokall.
“A po më sheh?”, më pyet si pa të keq.
“Vetëm po të dëgjoj”, i’a kthej edhe unë si pa të keq, pastaj syrin tim e afroj pranë syrit t’saj.
Sytë tanë puthen në një formë të çuditshme.
E ndiej, këtë shikim nuk do ta harroj kurrë.
“Një sy i lodhur, i rrudhur dhe plot mister ky syri i gjyshes time”.
“Kali kishte ngjyrën e arrës që ta dhashë pak ma parë”, më thotë, pastaj nis e përtypet lehtë.
Nga e di gjyshja që unë në këto çaste po mendoj për kreshnikun mbi kali?
Veq kjo re pluhuri në mes të dhomës më jep shpresa që përtej këtyre formave mitike ka diçka ma të
madhe se ky tregim.
Bashkë me rrobat e të vdekurit edhe aromën e portokallit nisemi diku. Secila në udhën e tregimit të
saj.
Unë ulem në trungun e madh të arrës dhe pushoj nën hijen e saj!
Pastaj mbledh nëntëmbëdhjetë kokrrat, i fus në thes, i marr me vete dhe nisem në udhën e
mëndafshit.
Mbërrij në Anadoll.
Nga Anadolli në Konstandinopojë, nga Konstandinopoja nisem te Sarajet e Gavazit.
Ulem nën hijen e një blini e pushoj pak.
I lë mushkat dhe kuajt me pushu njëlloj si unë.
Mua më vjen një gjumë i randë. Gjarpri më kthehet në një burrë të pashëm. Ai më puth në gushë, si
Gjyshi i Gjyshit tim persianen e Persisë.
“Forcat e padukshme të janë vënë pas. Sonte në mesnatë do ta ndërrojmë emrin”, më thotë.
Frymëmarrja ime shpejton ritëm.
Edhe gjyshja në këto çaste merr frymë thellë.
Përmes kësaj frymëmarrjeje, ajo brenda e unë jashtë dollapit shohim të ardhmen që do të ndodhë
sonte n’mesnatë.
“Sonte do të bëj një marrëveshje me shpirtrat e dy botëve, dhe këtë e bëj vetëm për ty, ta dish!”, më
thotë.
Këtë herë na kaplon një pauzë e gjatë…
…
“Do të duhej të ishte një ditë e zakonshme dhe e bukur kjo ditë, sikur në derën e shtëpisë tonë të
mos ishte shfaqur fare Mrika e Frymës.”
Unë një ditë më përpara kisha parë në andërr vdekjen.
Një ditë para kësaj, pardje, kisha parë në andërr përsëri vdekjen.
Edhe disa ditë të tjera me radhë kisha parë andrra të ngjashme për vdekjen.
Se gjyshja po udhëton sikur unë drejt udhës së mëndafshit bashkë me kreshnikun e saj prej
fantazme mbi kalin ngjyrë arre si “Arra që pret Tërmetin”, tek të parët e mi, e kisha gabim.
Sot, në orët e hershme të mëngjesit, në shtëpinë tonë u shfaq Mrika e Frymës.
“Nëse vajza nuk bëhet më mirë, duhet ta çoni në një udhëkryq. Aty duhet t’ia ndërroni edhe emrin”, i
tha nanës time. Pastaj mori paratë, i futi n’gjoks dhe u largu nga shpia jonë.
Në mesnatë, gjyshja dhe babai më futën në veturë dhe u nisëm drejt një udhëkryqi.
Unë baj veq një pyetje nga e cila heshtin dy njerëzit e tregimeve të mia.
Pse bash larg fantazmave të njerëzve të gjallë, gjyshe?
Aroma e portokallit e përshkon edhe këtë udhëtim.
Persianja e bukur e vret gjyshin.
Djaloshi i pashëm më kthehet në gjarpër.
Mushkat e kuajt ngordhin nga etja. Udha e mëndafshit më kthehet në një tunel të gjatë. Arrën e qan
tërmeti.
Te gjithe lutemi.