Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. dr. Bardhosh Gaçe: DUKURI TRONDITËSE NË UDËHEQJEN E LARTË KOMUNISTE

Rreth librit “Shërbimi inteligjent i Udhëheqjes së Shtetit (1978-1991)”,   

i autorit Ing. Luan Pogaçi

Libri “shërbimi inteligjent i Udhëheqjes së Shtetit 1978-1991” me një nëntitull domethënës: “dukuri dhe të vërteta, shumica e tyre të panjohura për publikun”, mbetet një dokumentim interesant i punës së autorit në shërbimin inteligjent shqiptar të kësaj periudhe. Në këtë shërbim Luan Pogaçi është thirrur thjesht si profesionist dhe nëpërmjet profesionit, duke dhënë ndihmën e tij korrekte, ai i bën një skaner udhëheqjes komuniste të kohës gjatë këtyre viteve dhe, sot pas sa kohësh, kuptohet mirë se si ka funksionuar ky shërbim, rregullat, frikërat, ankthi dhe të papriturat që e sillnin atë, por edhe dyshimet për ata që quheshin “besnikë të udhëheqësit” dhe një varg shkaqesh e pasojash, të cilat shpjegohen sot përmes syrit të mprehtë të autorit.

Një telefonatë për telefonin e “përgjuar” të Enver Hoxhës e thërret atë në detyrë- dhe inxhinieri Luan Pogaçi zbulon një defekt teknik. Ndërlidhja dhe ruajtja e sekretit shtetëror kishte mjaft rëndësi asaj kohe dhe këtu teknika kishte fjalën e saj dhe kush tjetër mund të thirrej në këtë shërbim, përveçse teknicienët më të mirë, kuptohet, edhe të besuar, me një intelektualitet të spikatur.

Duke hyrë në këtë shërbim si inxhinier i talentuar dhe specialist mjaft i zoti, Luan Pogaçi nuk mund të kufizohej brenda profesionit dhe të mos i hidhte sytë rreth e rrotull apo të mos kishte kontakte me drejtuesin e Grupit të Sigurimit të udhëheqësit të lartë, që ishte Sulo Gradeci. Po kështu, me faqe të tëra, ai përshkruan këtë sistem ndërlidhjeje i përgatitur për kohë paqeje e në rast lufte. Edhe më tej, në rrëfimin e tij, autori e tërheq lexuesin në kuriozitet maksimal, sot pas kaq vjetësh, në përshkrimin e tuneleve që do të shërbenin për strehimin e udhëheqjes, për shtëpitë e pritjes, sistemin e ndërlidhjes në to, mënyrën e organizimit të shërbimit të rojeve etj, etj, fakte domethënëse që na japin si në pëllëmbë të dorës një realitet. Atëherë populli nuk e njihte dhe ata që e njihnin nuk duhej ta propagandonin, sepse kjo mbahej sekret, dhe sot, ndërsa e njeh, mendon se sa shumë ka shpenzuar udhëheqja atë kohë për mbrojtjen e saj, se si ajo e mbajti këtë distancim të mbuluar me një vello terri informative, ndërsa propagandonte me të madhe “shkrirjen me masën”.

Është pikërisht tipologjia e diktaturave që i trembet informacionit të hapur, duke krijuar kështu mitin e njerëzve të paprekshëm dhe të pazëvendësueshëm, e njëjta tipologji që vijon edhe sot tek udhëheqës autokratë- figura reminishente të dobësuara të udhëheqësve të dikurshëm. Autori bën një përshkrim të detajuar të atyre që ka parë ose ka dëgjuar. Përshkrimi, i shkruar në vetën e parë, është bindës me fakte e detaje, që plotësojnë dhe qepin pëlhurën narrative të të gjithë librit dhe bie dëshmi kohore interesante, duke i bërë një skaner të pjesshëm jetës së udhëheqjes së lartë komuniste.

Themi skaner të pjesshëm, sepse ajo ishte shumë më e gjerë dhe më komplekse, ku udhëheqësit frikësoheshin për hiçgjë, ruheshin nga njëri-tjetri, ose prisnin lojën dhe grackën e papritur të atij që ishte më i fortë. Ngjarjet e caktuara dhe teknika që vihet në shërbim të kërkesave për sigurim e mbarëvajtjen e qetë të këtyre klaneve, e bëjnë autorin të dyshojë e të konkludojë e të nxjerrë ide reale e të supozuara, të cilat në atë kohë i ka mbajtur si dyshime të kyçura në mendjen e tij. Me kalimin e kohës, gradualisht, këto dyshime u kristalizuan deri në njëfarë bindje, duke mbetur sërish të mjegullta.

Për shembull, kur përshkruan rrethimin e Xhevdet Mustafës në një shtëpi në një kodër në Zhamë të Lushnjes, Kadri Hazbiu (ish-ministër i Mbrojtjes në atë kohë) çohet në këmbë, del haptas dhe i thotë Xhevdet Mustafës së rrethuar: “Dorëzohu Xhevdet Mustafa!”, por Xhevdet Mustafa nuk e vret. Po kështu hije dyshimi hedh ai edhe për Hekuran Isain, i cili në kohën e ardhjes së bandës së Xhevdet Mustafës ishte në pyllin e Divjakës dhe s’dihet pse vajti aty e për këtë ardhje të paralajmëruar nuk u mor asnjë masë apo për vajtjen e ambasadorit italian në Fier e pas kapjes së Xhevdet Mustafës ai nuk vajti më atje…

Gjërat nuk kanë qenë aq të thjeshta sa ç’mund të mendoheshin, ato krijonin krisje dhe çarje të papritura dhe eleminimi i “armiqve” bëhej pasi u “mbushej kupa”. Por gjërat që diheshin më parë për “armiqtë” e brendshëm (dhe këta ishin figura të rëndësishme të drejtimit të lartë), thuheshin pasi ata eleminoheshin. Kështu që, metoda e mbushjes së kupës ishte një strategji e rafinuar e partisë për të treguar se sa e drejtë dhe parimore ishte ajo dhe Udhëheqësi, dhe kështu përforcohej edhe më shumë besimi tek ai.

Disa pjesë mjaft interesante shkruar me një ritëm ankthi në raportin midis së njohurës dhe së panjohurës, i kushtohen në këtë libër, kryeministrit Mehmet Shehu, përgjimit të telefonit të tij, fundit të tij të ditur. Autori, duke shkruar nga përvoja e tij teknike, por edhe me kontaktet që i mundësoheshin për shkak të profesionit, në punët teknike që kryente me ndërgjegje profesionisti, nëpërmjet parabolës, duke kapur detajet, ai hedh tezën se agjenturat e huaja vepronin dhe punonin atëherë në Shqipëri, megjithëse Sigurimi i Shtetit Shqiptar ishte i fortë.

Këtë autori e nuhat në atë kohë dhe krijon mendimin shumë vite më pas. Koha ca gjëra ose i gropos në heshtje dhe ato mbeten të pazbuluara përgjithmonë, ose i zbulon gradualisht megjithëse mjegullën e saj nuk e heq nga to. Sipas autorit, edhe mjekimi i Enver Hoxhës nga diabeti ka qenë gabim dhe këshillat e mjekëve të gabuara, me qëllim të caktuar dhe dyshimin e tij e përforcon me marrjen e një posti në OKB nga mjeku personal i Enver Hoxhës pas viteve ’90.

Autori Luan Pogaçi, nga hipoteza shkon te teza dhe anasjelltas. Të ngjan se po lexon një dramë shekspiriane, ku akti i fundit nuk dihet si do të përfundojë, sepse brenda këtij rrëfimi ndihet tensioni i kohës, i shfaqur nëpërmjet tendencave karrieriste të fshehura. Kështu nuk mund të harrohet një detaj, kur Ramiz Alia i thotë Mehmet Shehut me “shaka”: “Duart lart” dhe ndeshet me qëndrimin e rreptë të këtij të fundit.

Nëpërmjet detajeve të ndryshme, autori e përcjell këtë atmosferë të nderë, e cila në sipërfaqe dukej e qetë si një shtresë akulli që mbulon një liqen të thellë. “Më ra menjëherë në sy se në pikat e lidhjes së telefonit që shkonte te shtëpia e Mehmet Shehut kishte një si zgjerim poshtë, që lidhej me linjën telefonike të një numri tjetër pranë saj”. E gjitha kjo ngjan si një dramë absurdi, ku kryeministri i kohës ashtu si Jozef K te romani “Procesi” i Kafkës është i survejuar dhe pastaj ashtu siç ndodh me Jozef K dihet se çfarë fundi e pret në atë vit fund-dhjetor 1981.

Hilerat, frikërat, dyshimet, survejimet, kujdesi i tepruar për shkak të tyre, janë disa sythe kuptimore që buisin pa zë e gëlojnë heshturazi në atë atmosferë ankthi. Autori sjell mjaft fakte nga përgjimi që i bëhej telefonit të Mehmet Shehut, por edhe gruas së tij, Fiqiretit, dhe konkludon: “Besoj se kjo ishte qëllimi i zbulimeve të huaja, kryesisht UDB-së Jugosllave, pra, metoda e krisjes, përplasja e udhëheqësve me njëri-tjetrin po funksiononte”.

Libri i Luan Pogaçit nuk është thjesht një libër kujtese as shënimesh që jepen në mënyrë kronologjike për një kohë të caktuar gjatë periudhës së gjatë që ai shërbeu pranë udhëheqjes së lartë si inxhinier elektrik dhe i rrymave të dobëta. Më së shumti, duke sjell çdo rast apo detaj me vërtetësi autentike, ai mbetet një libër analitik, ndërsa autori shfaq mendimet dhe konkluzionet e tij, duke i veçuar dhe duke i harmonizuar situatat në kohë e duke nxjerrë si rezultant, etjen për karrierë, si dhe ndërhyrjen e fshehur të agjenturave të huaja. Ashtu si në dramat e Shekspirit, kjo etje arrin në dyshime dhe eleminime të ndryshme për të kapur fronin e mbretit.

I ndodhur në këtë situatë, edhe autori tregon me sinqeritet qëndrimet e tij të kujdesshme teksa shprehet: “Dukej se kryeministri kishte rënë në fatkeqësi dhe s’i dihej si do të vazhdonte më tej. Me intuitë unë vendosa se duhej të rrija disi i distancuar”. Përshkrimi i portreteve të udhëheqësve të lartë, Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, bëhet nga autori nga njohjet e tij, por edhe me çfarë ka dëgjuar, duke i sjellë këto portrete në sfondin kohor dhe në dramën e luajtur në heshtje pas skenave në Bllok. Ajo që doli në skenë për këta dy figura, ishte vetëvrasja e njërit dhe vrasja e tjetrit dhe një propagandë e strukturuar mirë, e përgatitur me kujdes, duke e përmbysur imazhin pozitiv që kishin pasur, gjer në çastin që shokët e tij do t’i mallkonin e do kërkonin dënimin e tyre.

Edhe pse nuk ka një ndarje formale në pjesë, mendojmë se pjesa e dytë e këtij libri fillon pas vdekjes së Enver Hoxhës. Duhet thënë se pas Enver Hoxhës sistemi dhe shteti po shfaqte simptomat e rënies së tij. U mendua që të merreshin kamera në Itali për t’i vendosur ato në pika të ndryshme të Bllokut. Autori përshkruan dy udhëtime në Itali për t’i blerë ato, si dhe “incidente” të ndryshme me oficerët dhe rojet e Gardës, si dhe mjaft fakte të tjera, që japin premisat e një çorganizmi në jetën e udhëheqjes së lartë.

Në kapitullin “Përgatitje për përmbysjen e madhe”, si dhe “Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës”, rrëfimtari shpreh shenjat dhe epilogun e kësaj përmbysjeje. Interesant është kapitulli “Shkruaj për kohën”, ku autori rrëfen për shkollimin e tij dhe “incidentet” në shkollë që kishin të bënin me botëkuptimin e lirë dhe një mendim disi të pavarur të një të riu.

Në disa faqe medituese autori nënvizon vlerat e Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut, që, sipas tij, ndërtuan shtetin, ndërsa nuk rri pa shprehur keqardhjen për shkatërrimin e gjithçkaje që u ndërtua në atë periudhë. Edhe pse autori nuk bën ndonjë analizë ekonomike dhe politike të shtetit shqiptar, por merret përmes kujtimeve çfarë ka parë e dëgjuar për kastën e lartë drejtuese të këtij shteti, gjithsesi ky perceptim dhe ky mendim shpjegon diçka që duhet përfillur sot pas sa kohësh.

Shteti në kuptimin e institucioneve si organizim profesional, si perfeksionim të teknikës dhe teknologjisë, si prirje për të zhvilluar ekonominë, duke sjellë teknicienët, mban gjithnjë natyrën e tij, pavarësisht nga sistemet, kastat politike drejtuese. Shteti është trashëgimi edhe pse shumë ligje nuk përshtaten me kohërat e reja-por ato zëvendësohen me të tjera. Këtë duhej të kishte kuptuar kasta politike e kohës, e cila fatkeqësisht nuk e kuptoi dhe nuk e ribëri shtetin e ri, duke përfillur si akt trashëgimie të shtetit të vjetër vlerat më të mira që ai kishte. Prandaj konkludimet e inxhinierit të talentuar dhe profesionistit të spikatur mbeten si një mësim i vonuar, e një brengë e madhe që natyrshëm e ka çdo intelektual.

Libri i Luan Pogaçit “Shërbimi inteligjent i udhëheqjes së shtetit (1978-1991)”, zotëron një shumësi informacioni bindës, sepse autori ka punuar në një sektor të vështirë, atë të ndërlidhjes. Ai ka punuar me përkushtim si profesionist dhe në bindjen e tij kohore ka besuar në parimet e veta profesionale dhe morale se, ndërsa i shërben udhëheqjes, i shërben shtetit tënd dhe ky shërbim nuk është dosido, por profesionist. Dhe në shumë aspekte, ai shtet qëndron në profesionalizmin. Në ngritjen e disa sektorëve që funksionuan në këtë ritëm.

Edhe pse autori ka punuar në një sektor të rëndësishëm e ka përfituar aty, më tepër prej profesionalizmit të tij, ai tregon çfarë ka parë dhe sot mbas kaq vitesh, teksa ka hedhur shënimet e tij, i bën një shërbim mendimit e memories kolektive për t’i korrigjuar disa gjëra më mirë, por edhe historisë politike të shekullit XX, duke pasqyruar me metodën e parashtrimit dhe klasifikimit të fakteve, të ndodhurat reale.

Shumë gjëra mund të kenë ndodhur jashtë vështrimit të tij, por kjo është plotësuar nga libra të tjerë, nga dosierë të botuar nëpër gazeta- megjithatë, ky libër i Luan Pogaçit plotëson një kuadrat historiko-politik të rëndësishëm, dhe duhet lexuar me kujdes, duke vënë re pasazhet përshkruese, narrative-dialoguese, si dhe reflektive, si pjesë të një kohe që tregojnë tërësinë e saj por thelbin dramatik ia shprehin mirë.

Libri i tij është shkruar me një gjuhë të thjeshtë, si një rrëfim i lirë midis trajtës së eses-rrëfimit- kujtimeve, por nëpër të nuk mungon erudicioni i autorit, madje ndihmon shumë, teksa përmend autorë të ndryshëm, shkrimtarë, politologë, figura të tjera të politikës, njëkohësisht edhe një përshkrim artistik, ku shumë detaje ngërthejnë një tonalitet dramatik, ndërsa autori vizaton mjedise të Bllokut, por edhe përmend sot me kujtesë të freskët edhe mjedisin profesional me terminologjinë e tij. Të gjitha këto i japin librit në rrëfimtarinë e tij një frymëmarrje më të gjerë perceptimi, fleksibilitet situatash, duke e bërë interesant dhe plot gjallëri.

Si një libër me ngjarje interesante, ku vizatohen portrete politike figurash të njohura me një dramacitet të thekur dhe dritëhijet e tyre, vepra e Luan Pogaçit lexohet me një frymë dhe mëson shumë gjëra prej tij, të cilat ai t’i bie afër dhe të bind për autenticitetin e tyre, ku fshehtësia dënon dhe paraqitja e hapur e së ndodhurës zhytet në ankth ekzistencial.

Tiranë-Vlorë, shkurt 202

Ky liber, botimi i trete i plotesuar, ka dale ne qarkullim dhe mund te kerkohet ne librarine   “ Agolli”; librarine “Tirana  re”, ne telefonin 0682229860 ne Tirane si dhe ne numerin O677287300 ne Vlore .