Albspirit

Media/News/Publishing

Donald Trump President: Koha për t’u bashkuar. Mirënjohje Clintonit

Donald Trump President: Koha për t'u bashkuar. Mirënjohje Clintonit

I mposhti të gjithë, fillimisht republikanët tradicionalë në garën brenda partisë së tyre, e më pas edhe demokratët në zgjedhjet presidenciale. Ky është Donald Trump, Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Manjati njujorkez i pasurive të paluajtshme ka befasuar me rezultatin e arritur duke siguruar ende pa u mbyllur numërimet 278 vota elektorale.

Vetë Hillary Clinton ka telefonuar presidentin e zgjedhur të SHBA dhe e ka uruar atë për fitoren.

“Sapo mora një telefonatë nga Hillary Clinton dhe ajo na përgëzoi të gjithëve për fitoren tonë. Unë e falenderova atë për fushatën elektorale të ashpër që zhvilluam bashkë. Hillary ka punuar gjatë dhe i shpreh mirënjohjen për atë që ka bërë për vendin tonë. Është koha që Amerika të shërojë plagët e përçarjes dhe republikanët dhe demokratët përgjatë vendit të bëhën bashkë si një komb i bashkuar”, nisi fjalën e tij Trump.

Ndryshe nga fushata, që u shoqërua me deklarata kontraverse të tij, në fjalimin e parë si President i zgjedhur, Trump përcolli mesazhe bashkimi.

“Unë do të jem President i gjithë amerikanëve dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. Premtoj të punoj edhe me ata që nuk më mbështetën për të bashkuar vendin tonë të madh. Fushata jonë ishte një lëvizje e madhe, nga njerëz që duan një vend më të mirë për veten, familjen. Është një lëvizje që përfshin të gjitha racat, gjinitë, fetë për ta bërë Amerikën të madhe sërish”, tha ai.

Me këtë zgjedhje, Trump theu edhe një rregull të pashkruar në zgjedhjet presidenciale amerikane; ai është Presidenti i parë që zgjidhet pa mbajtur më parë ndonjë post apo detyrë publike në administratë apo i zgjedhur senator a anëtar në Kongres.

Përveç marrjes së Shtëpisë së Bardhë, republikanët marrin kontrollin edhe të Senatit dhe të Kongresit në Amerikë. Donald Trump do të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë më 20 janar të vitit 2017 pas votimit në Kongres.

Kush është Donald Trump?

Për shumë kohë përpara se të kthehej në kandidatin aq të pagjasë presidencial të Partisë Republikane, Donald Trump ishte miliarderi më i famshëm e piktoresk i Amerikës.

Pakkush do ta mendonte atëherë se njeriun me gojën pa fre një ditë, shumë pak do ta ndante nga Shtëpia e Bardhë. Skepticizmi i madh që ka rrethuar kandidaturën e Trump si nga kundërshtarët, ashtu dhe nga vetë pjesëtarë të partisë së tij, nuk buron vetëm nga platforma e shumëdiskutuar e emigracionit, apo stili kaotik i fushatës.

Rrënjët e tij shtrihen deri në një të shkuar narcizizmi, grandomanie e papajtueshmërie. Më shumë edhe se vetë Ronald Reagan, Trump duket sikur është përgjatë gjithë kohës në aktrim: ai lëviz në rrjedhën e jetës me instinktet e dikujt që e di se vëzhgohet në çdo hap.

Nëse të gjitha qëniet njerëzore mund të quhen për nga vetë natyra e tyre aktorë socialë, Donald Trump në këtë drejtim i kapërcen të gjithë. Shumë pyetje janë ngritur mbi figurën e tij gjatë kësaj fushate. Mbi platformën që ka, mbi diturinë që duket se çalon, mbi gjuhën e përdorur që kthehet rëndom në temë diskutimesh të përflakura, apo edhe nivelin e rehatisë me dhunën politike. Po kush është në të vërtetë ky njeri? Si punon mendja e tij?

“Amerika është kthyer në vendgrumbullimi plehrash për problemet  e të gjithëve. Është e vërtetë, kur Meksika sjell njerëz këtej nuk dërgon më të mirët, nuk sjell njerëz si ju”, tha Trump në një prej tubimeve të tij elektorale. Personaliteti i Trump është sa ekstrem, aq edhe i rrallë për një kandidat presidencial. Shumë njerëzve që e kanë takuar nga afër, qoftë për intervista, në ndonjë sallë debati, apo atyre që e kanë ndjekur në përballjet televizive, u është dukur i shushatur disi.

Profili i jetës së tij nuk është ai që pritet nga një president i Shteteve të Bashkuara: kontroversialiteti është në maje, dakordësia në nivelin më të ulët. Ashtu si George Ë. Bush, Bill Clinton apo Teddy Roosevelt, Trump e interpreton rolin e tij jetësor në një mënyrë shpërthyese dhe në aspektin social, dominuese. Është i palodhur, gjithë kohën në lëvizje, i paaftë të qëndrojë në një vend dhe fle shumë pak. Në kohë fushate, kandidatët janë shumë më aktivë se në normalitetin e tyre, por rrallëkush e shijon fushatën aq shumë sa miliarderi me flokë të çuditshme.

Entuziazmin e 70-vjeçarit e dëshmojnë qartë disa prej mesazheve të tij në Twitter.

3:13 a.m., prill 12: “Uau, fantastik sondazhi i ri! New York, faleminderit shumë për mbështetjen tënde!”.

4.22 a.m., 9 prill: “Bernie Sanders thotë se Hillary Clinton nuk ka kualifikimin e duhur për të qenë presidente. Nisur nga aftësia e saj për të marrë vendime, pajtohem plotësisht!!”

“Jam shumë i lumtur që Hillary fjalimin e vet e mbajti pikërisht poshtë Kullës Trump!!!”, ishte një mesazh tjetër.

Trump po përjeton çdo moment të garës, megjithë kthesat e vështira të saj. Kur Barbara Ëalters e pat pyetur në 1987-n nëse do t’i pëlqente që ta caktonin president të Shteteve të Bashkuara dhe jo të luftonte për atë post, Donald u përgjigj: Është gjuetia ajo që më pëlqen. Pëlqyeshmëria, tipar i domosdoshëm për një president amerikan, tek Trump prek pikën më të ulët.

Prillin e këtij viti, gjashtë ish-konkurrentë të reality shoë-t të tij “The Apprentice” dolën hapur kundër kandidaturës së Trump e mbajtën një konferencë shtypi në Nju Jork për të denoncuar atë që e quajtën një “fushatë seksizmi, ksenofobie, dhune e racizmi”. Por qarkullon dhe një histori mbi manjatin kaq antipatik e takimin e tij  me një djalë të ri të sëmurë me kancer, adhurues i flaktë i “The Apprentice”.

Ai priste shprehjen e famshme të show-t, “je i pushuar”, por në këmbim mori një çek mijëradollarësh dhe shënimin: “Shko kënaqu siç nuk ke bërë kurrë më parë!!”. I suksesshëm si biznesmen, jo dhe aq si politikan, Donald ishte fëmija i katërt i manjatit të pasurive të patundshme Fred Trump.

Pavarësisht kamjes së madhe të familjes së tij, fillimisht i ishin rezervuar punët e nivelit më të ulët në kompaninë e të atit. Në moshën 13-vjeçare u dërgua në një akademi ushtarake ku filloi të sillej keq. Studimet i kreu në Universitetin e Pensilvanisë e u kthye në njeriun që dukej i destinuar të vazhdonte biznesin e të atit.

Vëllai i tij më i madh vdiq në moshën 43-vjeçare nga varësia prej alkoolit, çka e shtyu Donladin të shmangte pijet alkoolike dhe cigaret përgjatë gjithë jetës së vetë. Interesin për presidencën e shprehu që në 1987-n dhe në vitin 2.000 i hyri garës si kandidat i partisë reformatore. Pas 2008-s u kthye në anëtarin më të zëshëm të lëvizjes “Birther”, e cila vinte në pikëpyetje lindjen e Barack Obamës në Shtetet e Bashkuara. Zyrtarisht, vendimin për të garuar për Shtëpinë e Bardhë në këto presidenciale e shpalli qershorin e vitit 2015.

Please follow and like us: