Albspirit

Media/News/Publishing

Kandidatët për deputetë; nga me 7 vjeçare, shofer maunesh dhe teknik pulti

Insituti i studimeve politike ka publikuar disa prej të dhënave të kadidatëve të rinj për deputetë. Ajo që bie në sy është CV e “pasur” me eksperienca pune dhe kualifikim arsimor e profesional.

“Në to gjenden “thesare”: – një radist, dy shoferë të tjerë, me dallimin se njëri është shofer mauneje ndërkombëtare, një punonjës i pastrimit, një punonjës në sallon bukurie, një teknik pulti, dy pa profesion dhe pa përvojë pune në jetë, dhe së fundi, edhe një kandidat me arsim 7 vjeçar bazë”-thuhet në publikimin e fundit të tyre.

Statusi i plotë:

Po prezantohen deputetët e rinj. Me ceremoni madhështore, me këngë dhe spektakel. Na thuhet se janë më të mirët, gjysma rilindas dhe gjysma tjetër atdhetarë e reformatorë. Në fakt, të dhënat e kandidatëve na tregojnë dicka tjetër: shikojini këto të dhëna, – janë vetëm disa prej mbi 2000 kandidatëve që janë regjistruar në zgjedhje. Janë rreth 10 raste nga disa parti (PDIU, ADK, PSD, PK, Sfida, LSI e PS), por të paktën në tri raste kemi të bëjmë me vende të sigurta në listën e kandidimit dhe të zgjedhjes deputet (PS& PDIU). Lexoni deklarimet e tyre: – njëri tregon se ka punuar gjysmën e jetës shofer, tjetri se është sponsor historik i partisë (në asnjë nga deklarimet vjetore të PS në KQZ nuk figuron emri i tij si sponsor..!), tjetri është biznesmen, me shkollë të mesme, thotë se ka pasur poste në firmën e tij private dhe kërkon mandat të dytë parlamentar.

Shikojini më tej edhe ca modele të tjera me CV, të evidentuara nga stafi i Institutit të Studimeve Politike, në përpjekjet për monitorimin e prurjeve të reja parlamentare. Në to gjenden “thesare”: – një radist, dy shoferë të tjerë, me dallimin se njëri është shofer mauneje ndërkombëtare, një punonjës i pastrimit, një punonjës në sallon bukurie, një teknik pulti, dy pa profesion dhe pa përvojë pune në jetë, dhe së fundi, edhe një kandidat me arsim 7 vjecar bazë!! Shumica e tyre thonë se nuk kanë përvojë politike, por të gjithë janë regjistruar për të shkuar jo në tregun elektrik në Tiranë, por në nivelin më të lartë të politikës, në parlament, – aty ku bëhet politikë, ku miratohen ligje, zgjidhet Presidenti dhe mund të ndryshohet Kushtetuta! Dhe nuk janë të vetëm: në listat e partive numri i tyre shkon më shumë se 30% e listës së kandidimit, madje shumë prej tyre i gjen edhe në krye të listës në qarqe.

Ju kujtohet koha kur në parlament cdo rreth duhet të kishte një komisar politik, një mjelëse të dalluar, një teknik, një minator, një sportist, një artist, dhe ndonjë rapsod? Me idenë, – se parlamenti përfaqëson gjithë popullin! Sot jemi në demokraci por mentaliteti mbetet i njëjtë. Partitë kanë shpikur rregulla e udhëzime për të shmangur nga kandidimi figurat më elitare politike, për të mos lejuar të hyjnë në politikë njerëzit e dijes dhe ata që politikën e kanë jo vetëm pasion por edhe profesion, dhe na kanë ofruar e po na ofrojnë deputetë – numra, pa gojë, pa CV, pa të shkuar dhe pa të ardhme, por ama të fortë nga muskujt, paratë dhe lidhjet me shefat e partive.

Tani këto gjëra kanë pak rëndësi sepse fushata de juro ka nisur. Ata janë emëruar, janë shpërblyer dhe me siguri, janë duke përgatitur kartvizitat, posterat e fletëpalosjet me premtime për na u dhuruar neve. Dikush duhet ti refuzojë, dikush duhet të mos lejojë të tallen kaq keq me ne dhe demokracinë, dikush duhet tu thotë atyre se politika nuk është as shah, as poker, as ultimatum, as pazare pushteti, por është ide, mision, alternativë, sens mase e sens përgjegjësie, akt shërbimi dhe kurajo e vizion për të ndryshuar për mirë jetët tona bashkë me jetën e shoqërisë.

Shumëkush mund të heshtë sepse kur cmendet gjithë fshati i cmendur duket vetëm ai që nuk është cmendur, por ju o turma qytetarësh që shkoni nëpër mbledhje partie, brohorisni e ulurini, që na shisni skandale të tilla si vlera, – nëse nuk keni standarde për veten dhe pranoni gjithcka u ofrohet, të paktën skuquni nga turpi dhe tregoni respekt për fëmijët tuaj: mos lejoni ta leni të ardhmen e tyre në dorën e këtyre kategorive aksidentale politike. Politika tek ne është e harbute, e ashpër, e pandershme, denigruese, korruptive, por gjithnjë gjithnjë ka një minimum standardesh etike që duhen njohur, menduar, respektuar e pasuruar.

1-23679

Please follow and like us: