Albspirit

Media/News/Publishing

Ankaraja kritikon Uashingtonin për armët kurde

Vendimi i Uashingtonit për të armatosur milicinë e kurdeve siriane, YPG, ka provokuar zemërimin e disa zyrtarëve në Turqi.

Nuk do ta pranojmë këtë vendim të Shteteve të Bashkuara,” tha kryeministri Binali Yildirim, përpara një vizite në Londër. “Shtetet e Bashkuara e dinë mirë se kurdët sirianë janë një organizatë terroriste“, tha ai.

Milicia “YPG” njihet gjerësisht si grupi më i efektshëm në Siri në luftën ndaj Shtetit Islamik.

Por Ankaraja e konsideron atë si një degë të PKK-së (Partia e Punëtorëve të Kurdistanit), që lufton kundër shtetit turk dhe që Uashingtoni e ka në listën e organizatave terroriste.

Çdo armë e siguruar nga Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG) përbën një kërcënim për Turqinë“, deklaroi Ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu.

Në një koment për shtypin zëvendëskryeministri Nurettin Canikli, kundërshtoi Shtetet e Bashkura, aleatin e tij në NATO: “Shpresojmë që administrata amerikane do të ndalë këtë veprim të gabuar dhe do të heqë dorë prej tij“.

Vendimi i presidentit amerikan Donald Trump vjen pavarësisht muaj përpjekjesh lobimi të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe paralajmërimesh për pasoja të rënda në mardhëniet mes dy vendeve. Por presidenti turk Erdogan ka heshtur lidhur me këtë çështje.

Reagimi është shumë më i butë, krahasuar me deklaratat e mëparshme nga nivelet më të lartë, që nga presidenti“, sipas ish diplomatit turk Aydin Selcen, i cili ka shërbyer në Uashington dhe në Irak.

Fakti që nuk ka reagim të nivelit të lartë dhe se vizita në Uashington do të ndodhë, për mua tregon se ky vendim nuk do të ketë ndikim të madh tek marrëdhëniet“, tha ai.

Presidenti turk Erdogan pritet të vizitojë Uashington javën e ardhshme për një takim me presidentin Donald Trump.

Please follow and like us: