Albspirit

Media/News/Publishing

Koreja e Veriut kryen një provë të re me raketë

Koreja e Jugut tha se Koreja e Veriut lëshoi një raketë, që mendohet të jetë balistike. Sipas ushtrisë koreanojugore raketa është hedhur sot pasdite nga provinca e Pjonganit Jugor, ka përshkruar një distancë prej 500 kilometrash dhe pastaj ka rënë në det.

Në deklaratën e Koresë së Jugut thuhej se “ushtria është duke ndjekur me kujdes situatën, në gatishmëri të plotë ushtarake, për një provokim të mundshëm nga ushtria koreanoveriore”.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara janë në dijeni të plotë për hedhjen e raketave të Koresë së Veriut, të cilat që nga viti i kaluar janë shtuar së tepërmi.

Javën e kaluar Koreja e Veriut lëshoi një raketë me një trajektore me lartësi të pazakontë nga sipërfaqja e tokës, që dëshmon se mjeti i vënë në provë mund të ketë qenë raketë e re me dy etapa lëshimi që mund të arrijë distanca deri në 4500 km.

Shtëpia e Bardhë nxori një deklaratë ku e cilësonte provën si “një thirrje ndaj të gjitha vendeve për të vënë në zbatim sanksione më të forta kundër Koresë së Veriut”.

Please follow and like us: