Nevila Sokoli Xhindi: Mendje të ftohta për zgjedhje të nxehta
Paskësh qënë thënë që zgjedhjet do jenë thembra e Akilit këtë verë të nxehtë, e nxehtë nga dielli, e nxehur nga adrenalina e fitores, e përvëluar nga trishtimi i humbjes. Zgjedhjet, ato që të japin mundësinë të përpaqësosh të paktët a të shumtët, ndjekësit politikë apo jo, simpatizantët, besnikët, hileqarët e servilët…zgjedhjet parlamentare…dhe jo vetëm ato, e “dogjën” këtë verë.
Të përvëluar nga trishtimi i humbjes, të inatosur nga ngjarjet që po ndodhin me shpejtësi të parashikuar për shumëkënd, ca të mërzitur dhe ca të inatosur, ca që shajnë, ca që lëvdojnë, ca servil e ca tradhëtar…e gjitha kjo një përplasje brezash, meritash, ofiqesh, grupimesh, pakënaqësish e dashurish …kjo është pak a shumë siç e shoh PD-në time sot.
Sot e dje, dje e pardje, pardje e parsidje kam marrë e vazhdoj të marr mesazhe nga dhjetra miq, kolegë nga shoqëria civile, të njohur, partiakë e jo partiakë, të ditur, të lexuar, të ndershëm, ca dashamirës e ca kritizerë, ca konstruktive e ca mendojnë mes llafeve…pra shumë, shumë. Të gjithë të interesuar për fatin e PDs, për opozitën e fortë që na pret dhe secili më kaloi një mesazh të rëndësishëm, shpesh i njëjti, disa herë i ndryshëm e disa herë i paqartë, por gjithnjë një mesazh që vlen në përpjekje të zgjidhjeve. Në dëshirën për të mbajtur mend çdo mesazh, truri bëri selektimin e vet dhe mbizotëruan fjalët : bashkim-meritokraci -garë- ringritje- opozitë të fortë Edi Ramës.
Çdo betejë ka humbës e fitues, por nga çdo betejë mendjet hapura e të ndritura kurrë nuk dalin humbëse: ose fitojnë, ose mësojnë. Mendoj që për Partinë Demokratike fitoret dhe mësimet në këto 27 vjet kanë qenë një shkollë e madhe demokracie, qëndrueshmërie, fisnikërie, shkollë për të elaboruar e praktikuar idetë e djathta, por kemi mësuar edhe nga konfuzioni me praktikat e majta, shkollë që na ka ndihmuar si të vlerësojmë njëri tjetrin, demokratët e thjeshtë, mbështetës pa pretendime të çdo kohe, të cilët janë vlerë, ato që na kanë mbështetur hapur e pa kushte ofiqesh, shkollë ku janë pranuar e vlerësuar mendjet inovatorët, intelektualet…e kush më shumë e më mirë se PD.
Sigurisht në politikë asgjë nuk ndodh rastësisht, por ndodh me arsye, që i po nuk i analizove me kujdes, pa emocion dhe në kohën e duhur, rrezikon të mos mësosh, të mos reflektosh dhe u jepet terren servilëve e inatçorëve, më shumë nga idealistëve e parimorëve.
Këto zgjedhje për PD-në ishin një goditje, nga ato që të hutojnë dhe që kanë nevojë për kohë që të të ftohet koka e të analizosh, të gjesh arsyet, faktorët, aktorët, figurantët etj etj…dhe të reflektosh!
Ama shumë shpejt mendja e nxehtë nxjerr të parin përgjegjës Lulzim Bashën.
Po, e drejtë, Basha duhet te gjykohet, por i tëri ama jo me copëza dhe jo i vetëm. Shumë prej nesh flasin nisur nga momentumi, i cili është humbës dhe jo nga analiza dhe faktet e opozitës së tij 4-vjeçare.
A arriti Basha dhe ne demokratët të bënim në PD një reformë të thellë politike për bashkim ndaj kauzave të djathta? Them se përpjekjet serioze u bënë, pat arritje…por dhe dështime.
A nuk ju kujtohet sa i trishtë dhe i pashpresë ishte post qershori i 2013s? Por ne ditëm të ngrihemi, të jepnim shpresë për demokratët. Në pak kohë PD do rregjistronte dhe të shtonte anëtarësinë, të zgjidhte strukturat, të bënte zgjedhje për organet e saj të larta politike, të zgjidhte këshillin kombëtar e kryesinë e saj, të formonte dhe të mblidhte rreth departamenteve politikanë të rinj e të karrierës, përfaqësues të ish pronarëve, të ish të përndjekurve politikë, profesionistë të fushave zhvillimore, artistë, sportiste, të rinj të mirëshkolluar, akademikë, intelektualë, njerëz të ndershëm e me integritet, gati për një PD të fortë, pa pasë axhendë republikash të reja a të vjetra, por të bashkuar për një opozitë Blu!
Në 4 vite PD bëri opozitë kundër drogës dhe krimit, u përball fuqishëm politikisht në parlament nën presionin dhe egërsinë e krimit, oligarkëve, numrave e vendimmarrjeve me efekte kombëtare të mazhorancën Rama- Meta.
Në këto 4 vite opozitë Basha dhe demokratët arritën shumë në sferën e politikës me ligjin e dekriminalizimit, me perpjekjet dhe luftën kundër drogës, me luftën për zgjedhje të lira.
Në 4 vite u krijuan plot rrethana kundër opozitës së Lulzim Bashës, për të cilat të gjithë ne kemi debatuar, shkruar e dëgjuar, që ai nuk i kontrollonte.
Edhe pse ne sot flasim sikur këto 4 vite të kishin qenë një situate normale, them se Basha objektivisht e ka pasë të veshtirë, opozitë e vështirë, sulme ndaj PD dhe ndaj tij personalisht, sulmi i pushtetit për të gjunjëzuar opozitën dhe kreun e saj.
E Pra ishim të gjithë bashkë dhe arritëm shumë!
Basha duhet të gjykohet nga tani e tutje për atë që po bën e do bëjë në vijim për të siguruar garë të ndershme. Tani do të duket vullneti dhe aftësia e tij politike. Padyshim që ka bërë gabime apo gjykime të diskutueshme, për arsyen e shumë faktorëve dhe rrethanave, shpjegimin e të cilave ua ka borxh çdo demokrati, deri në shpjegim shterrues.
PD-ja ka nevojë për të gjithë ne; sot më shumë se kurrë. Një parti si kjo e jona, me kaq shumë kontribues politik që nga themelimi i saj e deri sot tek betejat e forta për demokraci, duhet të dijë të debatojë, të krijojë, të vlerësojë, ti japë ajër mendimit ndryshe, të ketë garë, pa mendje e inate të nxehta( pamvarësisht vapës).
Ne të gjithë duam PD-në, kjo është që na bashkon!