Sonila Meço: Shqipëria nuk pasurohet prej burimeve të veta, por me çfarë shqiptarët djersisin në pasuritë e botës
‘Shqipëria është e varfër si vendet e rajonit, shqiptarët janë të varfër, por jo aq sa thonë shifrat, sepse ka para që vijnë nga emigracioni dhe ekonomia informale’-shprehet ndër të tjera kryeministri i vendit për Francë 24.
1. Pra vendi i detit, burimeve natyrore, diellit, mineraleve, tokave pjellore nuk mbahet me çfarë natyra i ka dhënë. Nuk pasurohet prej burimeve të veta, por me çfarë shqiptarët djersisin në pasuritë e botës.
2. Pasurohet ai që bën evazion, shqiptari i varfër paguan taksa edhe për atë që tregton e qarkullon jashtë kontrrollit të shtetit. Dhe ky është lajm i mirë për qeverinë, sepse sipas saj Prodhimi i Brendshëm në realitet është më i lartë se statistikat zyrtare, pavarësisht se punonjës të tërë shqiptarë janë të pambrojtur, të pasiguruar. Sado të argumentojnë për avantazhet e saj në ekonomi ku ka pabarazi e varfëri, një gjë është e sigurt, në kohë krize ekonomia informale nuk arrin të krijojë asnjë efekt. Përkundrazi, shqiptari djersin për pasurinë e atyre pak ‘trimave’ që ia hedhin shtetit, duke qënë i pasiguruar, pa kontratë, pa kushte të fiksuara pune, nuk paguhet rregullisht e s’ka ku plas kokën kur e trajtojnë si mos më keq.
3. Qeveria na thotë jeni të varfër, por nuk na thotë pse. Pse vende me natyrë si e jona nuk kanë individë kaq të varfër si ne? Nga ana tjetër kur themi ‘rajon’, si mund të krahasojmë pasuritë e visare natyrore tonat me ato të Maqedonisë, Kosovës, Serbisë, Bosnie-Hercegovinës që veç me turizëm, eksport fruta-perimesh, shfrytëzim pasurish nëntokësore i kalojmë disafish në potencial?
4. Shqiptarët janë të varfër thotë qeveria, por pse të pasurit e paktë të këtij vendi të varfër jane paturpësisht të pasur, të kalbur në biznese që nuk prodhojnë?
5. Pse në vitin 2017 Shqipëria nuk ka ekonomi prodhuese dhe si do t’ja bëjmë pasi emigracioni të integrohet me brez të tretë e ekonomia të na formalizohet sipas reformave te qeverisë? Megjithëse ky katërvjeçar u konsiderua beteja e fituar ndaj informalitetit. Si do të përgjgjet kryeministri pasi të mos mjaftojnë remitancat dhe evazioni?
Vërtetë nuk dinë gazetarët të pyesin? Apo do duhej t’i riformulonin pyetjet pasi është përgjigjur qeveria?