Albspirit

Media/News/Publishing

Nelson R.ÇABEJ: KOMBI SHQIPTAR DHE FANTAZMA E “KOMBIT KOSOVAR”

 

 

 

Sot Europa dhe shumë vende të tjera të botës përjetojnë ngritjen historike të një vale të re nacionalizmi, me gjithë trysninë e fortë të liberalizmit mbikombëtar dhe doktrinës së globalizmit, e madje si reaksion ndaj tyre. Kjo dhe ideja e hedhur kohët e fundit për ekzistencën e një kombi “të ri” kosovar, na shtyn të rikujtojmë prejardhjen dhe natyrën e kombit shqiptar në veçanti.

Kombi shqiptar, si çdo komb tjetër, karakterizohet nga një gjuhë kombëtare që është shqipja. Kosovarët si çdo krahinë tjetër e trojeve shqiptare, flasin një dialekt/nëndialekt të shqipes. Duke lënë mënjanë absurditetet jashtëshkencore të shprehura në ndonjë vend fqinj, në më se 3 shekuj të studimit të gjuhës shqipe, asnjë gjuhëtari nuk i ka shkuar ndërmend se mund të ekzistojë një gjuhë e veçantë kosovare.

 

 

Prejardhja dhe natyra e kombit

 

Kombet e sotme i përkasin dy tipave themelore, kombit etnik dhe atij civil.

Kombi etnik, është bashkësi njerëzish që lidhen midis tyre nga gjuha, historia, territori, kultura e përbashkët dhe ndjenja e përkatësisë në këtë bashkësi, kundrejt çdo bashkësie tjetër njerëzore.

Ndryshe nga kombet etnike, kombet civile janë krijesa politike, të formuara të shumtën e herëve me forcën e një shteti të centralizuar, shumë herë të kontrolluar nga një etni qendrore. Kështu, p.sh., Rusia, është një komb civil multietnik me një ideologji federative, por me rusët si etni sunduese. Britania e Madhe, gjithashtu, është komb multietnik me gjuhë të përbashkët anglishten, ndërsa Franca përbëhet nga bashkësi me prejardhje dhe gjuhë të ndryshme, me frëngjishten si gjuhë e shumicës së popullsisë, por pa një grup etnik sundues. Jugosllavia dhe Çekosllovakia gjithashtu ishin kombe civile, krijesa politike të mbështetura në kushtetutën dhe pushtetin shtetëror, prej të cilave e para me serbët si etni sunduese. Shtetet e Bashkuara, po ashtu si dhe Kanadaja, Australia, vendet e Amerikës Latine, etj., si vende imigrimi dhe “enë të shkrirjes” së etnive të ndryshme, janë gjithashtu kombe civile, pa grupe etnike sunduese. Kombe multietnike si Greqia e lidhin kombin e kombësinë jo me prejardhjen dhe historinë e përbashkët, por me përbashkësinë e fesë ortodokse të banorëve të atij vendi.

Për këtë arsye, nuk mund të jepet një përkufizim gjithësor i kombit. Përkufizimet që i jepen kombit në vende të ndryshme janë të ndryshme, sepse synojnë të përputhen me natyrën e kombit në të cilin bën pjesë përkufizuesi.

Duke pasur një themel më solid e homogjen kulturor, gjuhësor e të traditës, kombet etnike janë më të qëndrueshme se sa kombet multietnike me etni sunduese, të cilat, në kushte demokracie dhe të zbatimit të së drejtës së popujve për vetëvendosje, mund të shpërbëhen, siç ndodhi me Rusinë sovjetike dhe Jugosllavinë pas përmbysjes së sistemeve diktatoriale.

Çdo komb, në mënyrë të natyrshme, zhvillon ndjenjën dhe ideologjinë e tij kombëtare. Koha ka hedhur poshtë përfundimisht konceptin e Marksit rreth kombëtarizmit (nacionalizmit) si një ideologji e gënjeshtërt, që i shërben vetëm klasave sunduese. Thelbërisht, ky shpjegim u ringjall nga studiuesit modernistë e postmodernistë të kombit dhe kombëtarizmit pas luftës së dytë botërore. Por sot, 150 vjet pas parashikimit marksist, kombëtarizmi është i gjallë e në rritje, siç shihet nga shpërbërja e shteteve shumëkombëshe (Rusia sovjetike, Jugosllavia, Çekosllovakia), që u kanë lënë vëndin mbi 20 shteteve kombëtare të pavarura. Prirje të forta nacionaliste për pavarësi ose autonomi sot vihen re dhe në pjesë të tjera të Europës (Spanjë, Britani e Madhe, pa folur për lëvizjet e forta autonomiste dhe federaliste në vende të tjera të Europës).

Kombi shqiptar është produkt objektiv dhe mishërim i historisë së shqiptarëve. Ai është një komb tipik etnik. Ashtu si të parët tanë, ne e njëjtësojmë veten si shqiptarë, e quajmë veten shqiptar dhe shprehim solidaritet me shqiptarët e tjerë. Nga historia e sotme e shqiptarëve shprehje monumentale e këtij solidariteti është pritja vëllazërore që shqiptarët e Republikës së Shqipërisë u bënë shqiptarëve të Kosovës gjatë pas pastrimit etnik dhe gjenocidit serb të viteve 1998-1999.

 

 

Rrënjët historike të kombit shqiptar 

 

Si shumica e kombeve etnike, kombi shqiptar rrjedh nga një etni (një bashkësi që ka shumë karakteristika të kombit, por i mungon lidhja e brendshme e tij dhe synimi për një shtet të përbashkët) paraardhëse. Të parët tanë ilirë ishin një etni, që njihej si e tillë edhe nga fqinjët e tyre grekë e romakë, e më vonë edhe sllavët.

Ne mund të flasim për një komb arbëror mesjetar në kuptimin që arbërit, si një grup fisesh të Ilirisë së jugut, në Mesjetë filluan ta diferencojnë veten nga ajo pjesë e etnisë ilire, që kishte humbur gjuhën dhe një pjesë të traditave të tyre origjinale në një proces të gjatë të romanizimit dhe, pas shekullit VII, sllavizimit përfundimtar. Ky diferencim nxori për ta edhe nevojën e rinjëjtësimit (riidentifikimit) si një popull i veçantë nga ilirët e sllavizuar. Ata e quajtën veten arbanë/arbër, duke përgjithësuar emrin e një fisi të veçantë të Ilirisë se jugut, të albanëve (Albanoi), që përmendet për herë të parë nga gjeografi aleksandrin Ptolemeu (100-170 të erës sonë).

Përhapja e emrit të një fisi të veçantë për të përshkruar tërësinë e fiseve të një populli është një dukuri e mirënjohur në histori. Kështu emri i helenëve të lashtë doli nga emri i një një fisi të vogël në Thesali, kurse nga emri i fisit të lashtë grek graikoi, ilirët mesapë përhapën në Europë emrin grek; nga emri i fisit gjerman të frankëve doli emri i francezëve; nga emri i një grupi emigrantësh suedezë doli emri i rusëve, nga fisi gjerman i anglëve – emri i popullit anglez, etj.

Qysh në shekullin X të erës sonë arbërit përmënden nga perandori bizantin Konstantin Porfirogeneti si një etni e veçantë me një princ të tyre dhe në shekullin XI ata dalin si një forcë e vecantë dhe e tërësuar ushtarake në kuadrin e perandorisë bizantine. Krijimi i Shtetit të Arbrit nga fundi i shekullit XII tregonte se arbrit tanimë kishin kaluar nga një etni në një komb arbëror, ndonëse shteti i tyre përfshinte vetëm një pjesë të vogël të trojeve të banuara nga arbërit. Por, në dallim të qartë nga shtetet ilire (dardane, epirote, ardiane, taulante, të enkelejve, etj.), që lidheshin me identitetin fisnor e mbifisnor, por jo me tërë etninë iliriane, Shteti i Arbrit dilte me një emër që përfaqësonte tërë popullin arbëror. Edhe krijimi nga Anzhuinët i Mbretërisë së Arbërisë (Regnum Albaniae) në shekullin XIII, tregon se në atë kohë në Europën perëndimore njihej ekzistenca e kombit arbëror.

Pas një sundimi thuajse 10-shekullor bizantin, nga fillimi i shekullit XV mbretëria (despotati) arbëror i Epirit dhe principata e pavarur e Gjin Zenebishit, si dhe principatat e pavarura anembanë trojeve arbërore, ranë nën sundimin osman. Nga mesi i atij shekulli shqiptarët, nën udhëheqjen e heroit të tyre kombëtar, filluan luftën legjendare, që shpuri në krijimin e shtetit të parë kombëtar arbëror/shqiptar, që për një çerek-shekulli ia doli të prapsë sulmet e vazhdueshme të Perandorisë Osmane, superfuqisë ushtarake të kohës. Shteti i Skënderbeut ishte një shtet etnikisht i pastër arbëror.

Krijimi i një shteti komb, përveç bashkimit të një populli bazuar në gjuhën, historinë dhe kulturën e përbashkët, kërkon detyrimisht edhe krijimin e një miti kombëtar. Pikërisht ky ishte ingredienti madhor që shtoi Skënderbeu në kompleksin e faktorëve shpirtërorë të kombit shqiptar. Me këtë “mit të të parëve”, ai krijoi forcën shpirtërore të nevojshme për të thyer ideologjinë partikulariste feudale, për të farkëtuar bashkimin e shqiptarëve dhe për të krijuar të parin shtet kombëtar shqiptar në histori.

Skënderbeu, siç del nga fjalimet e tij në veprën e historianit shqiptar Marin Barleti, shfrytëzoi (nëqoftëse nuk krijoi për herë të parë në histori) mitin kombëtar shqiptar për të forcuar vetëdijen kombëtare arbërore. Ai glorifikoi historinë e lavdishme të Piros së Epirit, për t’u kujtuar bashkëatdhetarëve prejardhjen e tyre të lashtë epirote: “Nëqoftëse kronikat tona nuk na gënjejnë – i shkruante ai princit të Tarantos – ne quhemi epirotë” (Se le nostre cronache non mentono, noi ci chiamiamo Epiroti). Ai e quante veten “Princ i epirotëve”, titull me të cilin e njohu dhe Europa perëndimore.

Pa hyrë në revoltat e paprera të popullit tonë gjatë tërë periudhës së sundimit osman, idea e formimit të një shteti kombëtar, autonom/të pavarur, u vu në qendër të programit politik të Rilindjes Kombëtare shqiptare në gjysmen e dytë të shekullit XIX. Falë luftës së armatosur dhe përpjekjeve diplomatike të shqiptarëve kjo ide u bë realitet në vitin 1912 me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar.

Ashtu siç ndodhi kudo në Europë, edhe rilindasit tanë e ruajtën dhe pasuruan mitin kombëtar shqiptar të zhvilluar nga Skënderbeu, duke përfshirë në të edhe historinë e tij të lavdishme. Ata krijuan fenë civile të shqiptarëve, “Shqiptarinë” e Vaso Pashës, që qëndronte mbi dhe ishte e pavarur nga fetë e institucionalizuara monoteiste. Sot kjo fe e shqiptarëve përfshin shumë simbole si flamuri kombëtar, himni kombëtar, festat kombëtare dhe festat patriotike lokale, monumentet e kulturës dhe historisë kombëtare, varrezat e deshmorëve, ceremonitë përkujtimore për luftëtarët, dëshmorët, heronjtë dhe martirët e kombit, mitet kombëtare, praktikat e besimit popullor pagan, mitet, legjendat, vëndet e shënjta pagane lokale dhe kombëtare, etj.

 

Kombi shqiptar është i pandashëm

 

Fjala komb (sinonim i fjalës nyje), është një neologjizmë e rilindasve tanë. Ajo fjalë nuk është thjesht një kalk, d.m.th. përkthim nga ndonjë gjuhë e huaj, por një krijim shumë i goditur. Nga ana kuptimore kjo fjalë është eprore ndaj fjalëve të gjuhëve të tjera, duke përfshirë fjalën nacion (nation), që nga latinishtja ka hyrë thuajse në të gjitha gjuhët e Europës. Ndërsa fjala nacion rrjedh nga emri latin natio “lindje, prodhim” (e kjo nga protoindoeuropianishtja *gene“prodhon, lind”), fjala shqip komb, shpreh përsosurisht thelbin e konceptit të kombësisë që është lidhja shpirtërore e pjesëtarëve të një kombi.

Kombi, si strukturë shoqërore, lind nga etnia, si një stad më i lartë i evolucionit  të saj. Një popull ruan kombësinë dhe ndjenjën e tij kombëtare edhe nën sundimet e huaja, sa kohë që ai vazhdon të flasë gjuhën e tij. Vetë ekzistenca e kombit shqiptar pas 20 shekujsh sundimesh të huaja (romake, bizantine, bullgare, serbe e osmane) është një shëmbull par excellence i këtij pohimi.

Ndarja e një populli në dy ose dhe më shumë shtete nuk shpie në formimin e ndonjë kombi tjetër, sa kohë që ai popull ruan gjuhën e tij. Ka mjaft shëmbuj të tjerë etnish dhe kombesh që kanë mbijetuar si kombe të pandarë për shekuj e mijëvjeçarë nën sundime të huaja, pa pasur shtetin e tyre kombëtar. Kështu, p.sh., sot ka 20 deri 30 milion njerëz që flasin gjuhën kurde, të ndarë në katër shtete të ndryshme (Turqi, Irak, Iran e Siri), që i përkasin kombësisë kurde dhe ndjehen kurdë edhe pse gjatë mijra vjetëve të historisë së tyre nuk kanë patur ndonjë shtet plotësisht të pavarur. Vetëm çereku i 2.5 milion baskëve, që jetojnë sot në Spanjë dhe Francë flasin gjuhën e tyre, por ata si komb vazhdojnë përpjekjen e tyre dyshekullore për pavarësi. Ndarja e popullit kurd dhe bask në shtete nuk ka prodhuar e as mund të prodhojë kombe të reja.

Ndarja e Gjermanisë pas luftës së dytë Botërore u bë me një vendim të aleatëve të Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, as ndarja shtetërore (ekonomiko-shoqërore, politike e ushtarake) as sistemet e ndryshme armiqësore, që u vendosën në dy pjesët e Gjermanisë, nuk prodhuan dy kombe. Kombi gjerman mbeti një e i pandarë, siç provoi ribashkimi pa trauma e madje i lehtë i tyre në fillim te viteve 90-të. Për më se 70 vjet kombi korean vazhdon të mbetet i ndarë në dy shtete të pavarura dhe armiqësore, por të dy shtetet koreanë mëtojnë bashkimin e tyre kombëtar.

Kosova banohet nga shqiptarë, të cilëve edhe regjimet diktatoriale të midis dy luftrave botërore, si dhe të Titos e të Millosheviçit, u kanë njohur zyrtarisht kombësinë shqiptare. Banorët e Kosovës, si dhe ata të Shqipërisë, i përkasin kombit shqiptar qysh nga formimi i tij në Mesjetë.

Deklaratat për ekzistencën e një “kombi kosovar” në rastin më të mirë janë të paarsyeshme. Por edhe sikur t’i merrnim seriozisht mëtimet e disa publicistëve për ”ekzistencën e një kombi kosovar”, pyetja e parë që na vjen në mënd është: nga doli ky komb kosovar? Një komb lind nga një etni, por jo nga një komb. Meqë historia nuk njeh ndonjë etni kosovare nga e cila mund të evoluonte një komb kosovar dhe ndarja natyrale e një kombi në dy kombe të veçanta është e panjohur në historinë e Europës, ideja befasuese e “kombit kosovar” mbetet në mbretërinë e absurditeteve.

Kombi shqiptar, si çdo komb tjetër, karakterizohet nga një gjuhë kombëtare që është shqipja. Kosovarët si çdo krahinë tjetër e trojeve shqiptare, flasin një dialekt/nëndialekt të shqipes. Duke lënë mënjanë absurditetet jashtëshkencore të shprehura në ndonjë vënd fqinj, në më se 3 shekuj të studimit të gjuhës shqipe, asnjë gjuhëtari nuk i ka shkuar ndërmend se mund të ekzistojë një gjuhë e veçantë kosovare. Jo sot, por edhe një shekull më parë, kur ndryshimet dialektore midis shqiptarëve ishin më të theksuara, një nga studiuesit më të mëdhenj të gjuhës shqipe, indoeuropianisti i madh danez Holger Pedersen (1867-1953) theksonte:

Ndryshimet midis dy dialekteve të shqipes janë shumë më të vogla se sa ndryshimet dialektore brenda shumicës së gjuhëve të tjera dhe, nga pikëpamja praktike, ato ndryshime janë krejtësisht të papërfillshme”.

Në këto rrethana, përkrahësve të idesë së një kombi kosovar u duhet të stisin një mekanizëm sui generis të panjohur deri sot të komb-formimit, ose të shpikin një Deus ex machina që do të “mbarste” kombin shqiptar për të prodhuar një komb tjetër.

Please follow and like us: