Dilemat e një profesori jo-populist
” Shekulli, në të cilin kemi hyrë po shfaq në nivel global gjithnjë e më shumë interes për reformat arsimore dhe bëjnë që edhe ne, akademikët shqiptarë të jemi në kërkim të vazhdueshëm të mënyrave se si funksionojnë së brendshmi proceset e ndryshimit dhe përmirësimit në arsim. Autori i këtij libri, Prof. Asoc. Dr. Edi Puka, nëpërmjet ideve që jep, vizioneve që përpiqet të ndërtojë, kritikave konstruktive që bën, i kapërcen ndërlikimet që shfaqin aktorët kryesorë të edukimit në veprimet apo mosveprimet e tyre në realizimin e misionit programatik që kanë në shoqëri, shtrimin e një rruge që garanton cilësi, efektivitet dhe bashkëkohësi në reformat arsimore, si në nivelin parauniversitar, ashtu dhe atë universitar.” – shkruan ndër të tjera Prof.dr.
Erleta Mato në parathënien e këtij libri. Dilema e një profesori-jo populist është vetë cilësimi që i bën autori vetes. Faqe pas faqesh, lexuesi gjen analiza të shkruara me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme nga të gjithë, profesorë dhe studentë, prindër dhe të interesuar të tjerë të arsimit. Gjithashtu gjen reflektime, propozime dhe ndonjëherë pse jo, replika me kolegët në mbrojtje të tezave të parashtruara prej tij apo institucionit ku punon si mësimdhënës, kërkues dhe krijues. Howard Gardner, një ekspert amerikan i edukimit, shumë i njohur në mbarë botën shprehet: “ Qoftë kur jam duke udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose qoftë duke vizituar Evropën, Amerikën Latine apo Lindjen e Largët, kudo gjej një konsensus mahnitës: ky është besimi se cilësia e sistemit arsimor të një kombi është një nga përcaktuesit më kryesorë të zhvillimit gjatë shekullit të ardhshëm dhe më tej”. Por, në vendin e vogël ku jetojmë dhe punojmë, duket se politikanë, qeveritarë dhe drejtues institucionesh publike dhe private arsimore të kohëve të vështira të tranzicionit, nuk ndajnë të njëjtin mendim.
“Djalli i veshur si universitet privat” apo replikë me: “10 tezat jo-populiste ose humbëtira e elitës sonë intelektuale” nga Johannes Estrada janë artikuj që të tërheqin jo vetëm me tezat interesante që diskutojnë, por edhe me intelektualizmin shpotitës ndaj atyre që në mbrojtje të privilegjeve jo të merituara apo pasivitetit shterp, zbulojnë shkaktarë të rremë dhe jo realë të pengimit të ushtrimit të pozicioneve që kanë, por jo të punës që bëjnë. “Duke lexuar librin e Prof. Asoc. Dr. Edi Puka, kolegut tim të ri në moshë, por me kontribute të shumta jo vetëm në lëmin e arsimit, por edhe në atë të qytetarisë aktive, nuk mund të mos shpreh admirimin dhe kënaqësinë që ndjeva, që të jepja vlerësimin tim për një punë, të cilën autori e bën vullnetarisht duke kontribuar me shkrime që ndërgjegjësojnë publikun për vendimmarrje, politika dhe ide vizionare në lidhje me çështje të ndryshme të arsimit.
Është pothuaj një e vërtetë e pamohueshme që koha jonë nuk ka shumë heronj apo udhëheqës. Natyrisht ka mjaft njerëz, të cilët si rrjedhojë e përgatitjes dhe arritjeve të tyre akademike janë të aftë të udhëheqin dhe punojnë me standarde në disiplinat e tyre akademike. Por neve na mungojnë njerëz të aftë që flasin (dhe që dëgjohen), nga grupe me interesa të ndryshme, nga shoqëria dhe më gjerë”, shkruan Prof.dr. Erleta Mato. Libri është botuar nga UETPRESS.