Albspirit

Media/News/Publishing

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë kërkon mbështetjen e shqipërisë dhe të Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Fatmir Hasani, ka kërkuar mbështetjen e dy shteteve shqiptare për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Ai ka thënë se një interesim i shtetit amë do të rriste presionin mbi Beogradin për më shumë të drejta për shqiparët.

Problemet dhe zvarritjet institucionale në dy shtetet shqiptare, qoftë në Republikën e Shqipërisë por edhe në atë të Kosovës, sipas deputetit të vetëm shqiptar, Fatmir Hasani, po reflektohen mjaft edhe në Luginën e Preshevës, duke pamundësuar realizimin e kërkesave themelore të shqiptarëve të kësaj zone nga autoritetet shtetërore serbe në Beograd.

“Është e vërtetë se të gjitha problemet, zvarritjet që ndodhin si në Kosovë si në Shqipëri reflektohen te ne mjaft për shkak se ne jemi një pakicë në Serbi shumë pak e përkujdesur nga pjesa amë”, tha Hasani për RTK-në.

Ai është optimist në formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së Kosovës dhe në reflektimin e saj karshi shqiptarëve në Luginë.

“Ne shpresojmë se nuk do të ndodh ajo e kaluara lidhur me çështjet e marrjes së mandatit”, tha ai.

Në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë aktualisht jetojnë rreth 80 mijë shqiptarë. Ndërkohë që si rezultat i rrethanave të ndryshme nga këtu janë larguar më se 30 mijë shqiptarë gjatë dy dekadave të fundit.

Edhe pas vizitës së kryeministrit Rama në Begrad duket se gjendja nuk ka ndryshuar aspak, shqiptarët e Luginës së Preshëvës janë pjesa më e diskriminuar e Kombit.

Please follow and like us: