Albspirit

Media/News/Publishing

Saga e vilave të Bllokut në Pogradec/Historia e njeriut që paguhej më shumë se Enver Hoxha dhe takimi i papritur (7)

Image may contain: 1 person, suit

Bardhyl Berberi

 

Mëngjes herët. Nga një shtëpi dy katëshe në lagjen “Vullnetari” del një burrë i moshur që sapo i ka kaluar të 80-at. Ai ecën qetësisht me një hap çap ngadaltë në drejtim të shëtitores buzë liqenit. Me vështrim të qetë dhe me pamjen e tij serioze ai përshëndet bashkëqytetarët e tij. Vazhdon të  eci buzë liqenit mes mes kujtimesh të largëta nga ky qytet ku ai ka lindur dhe është plakur.

Më pas qëndron pranë një kafeneje në breg të liqenit. U ulëm në kafe  në një tavolinë me Lytfi Mançellarin (ose Lutin siç e njohin të gjithë). Ai buzëqesh dhe e kupton qëllimin tonë të një interviste me atë mbi një ngjarje të bujshme të asaj kohe midis atij dhe vetë Enver Hoxhës në qytetin e Pogradecit, i cili çau rrethimin e shoqëruesve dhe takoi Enver Hoxhën kur ai ishte duke vizituar kampin e pionierëve në Pogradec.

Lytfiu tret vështrimin përtej qelqeve të dritares së kafenesë në breg të liqenit. Avujt e kafesë së ngrohtë i japin atij një tis ëndërrimtar rrëfimit që e detyron atë të baresë në një kohë tjetër.

-Luti do jetë me interes për lexuesin të dijë së pari kush është Luti Mançellari?

-Jam 81 vjeç momentalisht, jam babi i 13 fëmijëve, njëri prej tyre më ka vdekur, me arsim fillor, babi më ka vdekur që kur isha tre vjeç, më ka rritur gjyshja, kam filluar që të punoj që në moshën 12 vjeç, punoja tokën tonë që na kishte lënë babi.

– Kur fillat të punoni në shtet?

– Në vitin 1965 fillova të punoj në Gjoelogji dhe në vitin 1967 u futa në Përpunim Druri tek fabrika e karrikeve.

– Çfarë pune bënit?

– Punoja në punën më të vështirë, pastroja me letër zmerile me makineri pjesët e karrikeve, ishte punë e rëndë, punoja gati tre turne pa pushuar, flija vetëm dy orë.

– Sa lekë merrnit që punonit tre turne?

– Merrja 25 mijë lekë në 15 ditësh (por që ta kuptosh më mirë një punëtor atëherë merrte në një muaj 4 mijë lekë) dhe në muaj merrja 50 mijë lekë.

– T’i jepnin lekët të gjitha për punën që bëje?

– Po disa muaj m’i dhanë, por një ditë në mëngjes më thonë se duhej të shkoja tek zyra e sekretarit të parë Stavri Angjeli. Sapo mbërrita më ngjitën menjëherë në zyrën e Sekretarit të Parë. U futa brenda dhe aty, përveç Sekretarit të Parë, ishte Kryetari i Komitetit Ekzekutiv Avni Vërçuni dhe Kryetari i Degës së Brendshme Kadri Ismailati. Sapo hyra brenda po më prisnin si cjapi tek kasapi.

– Çfarë të thanë ata?

Sapo u ula, ata të tre më qëndronin përballë meje.

– Hë more bukurosh ti na qënke ai që merr çdo muaj një mal me pare…

– I marr me djersën e ballit, iu përgjigja unë, nuk ia vjedh njeriu.

– A e di ti sa rrogë merr shoku Enver? – më pyeti Sekretari i Parë Stavri Angjeli.

– Jo , i thashë, ku ta di unë rrogën e shokut Enver.

– Ja po ta themi ne, tha ai, shoku Enver merr vetëm 16 mijë e 500 lekë në muaj.

– Po ju çfarë i thatë, Luti?

Unë shtanga.

– Mirë, tha kryetari i Komitetit Ekzekutiv Avni Vërçuni, – ju do t’ua u ulim rrogën të mos dali mbi këto kufij.

– Po unë i kam me djersë, ju thashë.

– Ore do marrish vesh ti apo do të futim në burg, – më tha kryetari i Degës së Punëve të Brendshme Kadri Ismailati.

– Po ju çfarë bëtë?

– Unë vazhdova punën si më përpara, por gjatë punës më monitoronin kohën, qëndronin ca revizorë me kronometër dhe më matnin punën, nuk kishin se çfarë të më bënin ishte gjithçka e saktë.

– A e mernit rrogën e plotë në bazë të punës që kryenit?

– Jo, filluan të më mbajnë 25 % të rrogës pa asnjë arsye.

– A ju favorizonte drejtoria e ndërmarrjes, ju jepte ndonjë shpërblim?

– Po, kur ishte Astrit Çollaku, drejtor i ndërmarrjes më jepte fshehurazi ndonjë fletë kampi dhe ma paguante ai nga ndërmarrja. I vinte keq. Më thoshte “ti Luti je hero i vërtetë i Punës Socialiste”!

– Më pas ju transferuan nga Përpunim-Druri?

– Po më çuan në Bishinicë, në një stabiliment të thellë sharrash për të nxjerrë qymyr druri?

– Sa rrogë merrnit atje?

– Merrja 50 mijë lekë në 15 ditësh aq sa merrte një punëtor atëherë në një vit pune.

– Të thirrën prapë.

– Jo nuk më thirrën më drejtuesit e rrethit, por më kishin bërë një akuzë në prokurori nga revizorët e ndërmarrjes sikur unë prodhoja qymyr më lagështirë dhe e kisha rregulluar me laboratorin dhe fitoja lekë në mënyrë të pandershme.

– Ju burgosën?

– Jo midis të këqinjëve ka patur edhe në atë kohë njerëz të ndershëm. Ka qënë kryetar gjykate atëherë në Pogradec Abdi Baleta, i cili jo vetëm që nuk mori vendim kundra meje por e ktheu këtë gjyq në akuzë ndaj atyre që deshën të më burgosin .Mbaj mend që ju tha se “është turp për një njeri që punon natë e ditë dhe paratë i merr me djersë me bordero që ju vetë i firmosni dhe të tentoni ta futni në burg…”. Kështu shpëtova por telashet nuk kishin të sosur.

– Pse?

– Ishte marrë një vendim që unë të punoja në bujqësi me kazmë e lopatë, kështu nuk mund të merrja këtë sasi lekësh?

– Si ja bëre?

– Rastësisht pashë para kampit të pionierëve një grumbull njerish, më pas zbriti nga vetura Enver Hoxha dhe Hysni Kapua dhe po futeshin tek kampi i pionierëve. Më lindi një ide që të kapërxeja gardhin dhe të takoja Enver Hoxhën  dhe t`ia qaja hallin.

– E takuat?

– Po kalova gardhin si rrufe, por më mbërthyen oficertë e Sigurimit. Atëhere thirra sa kisha në kokë: “Shoku Enver më ndihmo se duan të më futin në burg se kam rrogën më të madhe se tënden”. Lereni të vijë këtu, iu tha Enveri shoqëruesve. Më zgajti dorën e më tha: “Si e ke hallin, more mavri”? “Ja, i thashë unë, duan të më futin në burg se më thonë e ke rrogën më të madhe se shoku Enver”.

– Ku e di ti sa e kam rrogën? – më pyeti Enveri tepër serioz.

– Ma tha Sekretari i Parë, Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme dhe Kryetari i Komitetit Egzekutiv që shoku Ever merr 16 mijë e 500 lekë në muaj.

(Hë…, qeshi me ironi Enveri).

– Po ti sa merr?

– Unë marr 50 mijë lekë në 15 ditë, shoku Enver, punoj natë e ditë se kam 12 fëmijë për të ushqyer?

– Sa djem e vajza ke?

– Kam 9 djem dhe tre vajza, – i thashë unë.

– Hë më të lumtë, – tha ai, – po të kanë dhënë ndonjë dekoratë këta të rrethit?

– Jo, ata më mbajnë 25% të rrogës dhe më kanë prerë kompesimin e fëmijëve.

– Mirë, tha Enveri, do ta rregullojnë këta të rrethit atë punë, puno sa të kesh fuqi, puno nga jugu në veri të Shqipërisë se kjo është partia e punës që nderon njerzit e punës…Më ra supeve dhe unë u largova.

– Mbaruan telashet?

– E për hir të së vërtetës nuk më ngacmoj më njeri…

– Luti e mban mend sa nipër e mbesa ke?

– Po kam 25 nipër e mbesa, por emrat mos kërko të t’i rrjeshtoj se mund t`i ngatërroj.

Luti u nda nga jeta para disa kohësh duke na lënë këtë ngjarje që në atë kohë ka bërë bujë dhe Luti shikohej me sy tjetër.

 

 

 

Në vijim: Sfidat dhe skandalet e panjohura të anëtarëve të Byrosë Politike.

 

Please follow and like us: