Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: Kronikë e gjerë e krimit serb në Kosovë

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe

(Shënime mbi librin “Krime serbe në Kosovë”, përgatitur nga Agim Neza dhe Çerçiz Loloçi)

 

Nën sytë e Evropës, veçanërisht pas viteve 1878, viti i vili daton Lidhjen e Prizrenit si një nyjë e rëndësishme e kontaktit politik, që Shqipëria ka pasur me vendet e perëndimit (Fuqitë e Mëdha) kur në dritë dolën shtetet e para të Ballkanit, të cilat kishin të drejtën për të imponuar vullnet dhe për të marrë vendime për vendet dhe popujt nën sundimin otoman dhe në konflikte të natyrës nacionale, dhe gjatë një shekulli e gjysmë, deri në vitin 1999, tokat e Kosovës janë mbjellë me varre, djemtë dhe njerëzit e Kosovës janë vrarë, pushtetet uzurpatore nacional- shoviniste  sllave kanë diktuar duke e lënë këtë popull të lashtë dhe etnik me një status të munguar politik.

Drama e popullsisë shqiptare të Kosovës, por dhe e gjithë shqiptarëve, të cilët pas caktimit të kufijve në vitin 1912-1913 u lanë jashtë kufijve të Shqipërisë zyrtare-shtet, jeta dramatike e të cilëve ka qenë e rëndë, e shumëfishtë dhe në të gjithë asketin jetësorë. Shqiptarët janë dhunuar nga shtetet nacional- shoviniste në statusin për të Drejtat e Njeriut, të jetuarit në tokën dhe shtëpitë e tyre, në të drejtën e gjuhësh dhe të shkollës shqipe, të punësimit, drejtimit, në të drejtën për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur, të drejtën e besimit, të ruajtjes dhe demonstrimit të simbolit të tyre kombëtar, siç është flamuri, demonstrimin e kulturës kombëtare shqiptare shpirtërore, përkujtimin dhe respektimin e heronjve të tyre historik, në të drejtën për të shkruar dhe referuar historinë e tyre, pra ata kanë qenë një popullsi e robëruar, të cilës nuk ia kanë njohur dhe respektuar identitetin e saj.

Në rrethanat e reja në të cilat sot gjendet Kosova, e cila pas ndërhyrjes së forcave të NATO-s në vitin 1999, arriti t’i mbijetojë masakrës dhe aksionit shfarosës së popullatës së pambrojtur nga ushtria e militarizmi serb, në situatën dhe në rrugën e konsolidimit të shtetit të Kosovës, zbulesa e asaj që ka ndodhur në kohë dhe mbi këtë popull është e rëndësishme dhe e nevojshme për shumë arsye kombëtare dhe ndërkombëtare, jo vetëm për historinë  e Kosovës dhe shqiptarëve, por për kujtesën ndërkombëtare dhe organizmat e saj.

Pavarësisht aktit legjitim të ndërhyrjes ushtarake të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), një akt i pranuar dhe dakordësuar nga aktorët më të mëdhenj të diplomacisë botërore, nacional- shovinizmi serbo- sllav nuk ka reshtur për asnjë moment dhe rast në luftën dhe përpjekjet diplomatike për ta suspenduar shtetin e ri të Kosovës në organizmat ndërkombëtare, të cilët kërkojnë një konsensus dhe dakordësi të cilësuar të shteteve anëtare.

Në nevojën dhe praktikën e kujtesës botërore, për të cilën OKB-ja dhe organizma të tjerë ndërkombëtare kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë apel njerëzimit, që fenomenet e dhunës nacional- shoviniste vijojnë të jenë një problem madhorë që po e trazon shoqërinë njerëzore herë pas here, çështja e popullsisë shqiptare të Kosovës vijon të përbëjë një fakt të rëndësishëm dhe reflektues, specifikisht i vështirë për t’i shkuar në fund, jo vetëm se ai është kompleks, por dhe të faktorëve të tjerë, të cilët shfaqen në forma dhe natyra të ndryshme. Në këtë pikëpamje apeli që përbën gjithë ajo që ka ndodhur jo në një ditë apo një vit, por në shekuj në Ballkan, vijon të përbëjë një kujtesë të rëndësishme për Rendin e Ri Botëror, i cili mbi “metaforën” e paqes dhe të Drejtave të Njeriut në botë që nga Akti i Kartës të të Drejtave të Njeriut është përpjekur për ta bërë shoqërinë njerëzore më paqësore dhe më bashkëpunuese.

Një krim i pa rrëfyer rrezikon të përsëritet, kështu që angazhimi i informimit nga shqiptarët dhe nga të huajt për atë që ka ndodhur në Kosovë, veçmas gjatë viteve 1998-1999 është i rëndësishëm dhe i nevojshëm t’i tregohet njerëzimit. Në këtë kontribut të çmuar, krahas dhjetëra dhe qindra libra, kronika, rrëfime dhe dëshmi vjen dhe libri i dy bashkautorëve Agim Neza (tashmë i ndjerë) dhe Çerçiz Loloçi, titulluar “Krime serbe në Kosovë”.

Libri në fjalë vjen si një dëshmi e plotë; së pari përgatitësit e tij kanë përdorur faktin dhe burimin  e parë të informacionit, të rrëfimit të krimit serb në Kosovë, pasi pjesën më të madhe të librit e zënë rrëfimet e njerëzve nga terreni që i kanë parë dhe prekur, përjetuar dhe provuar mbi trupin e tyre, pjesëtarët e familjes dhe të njohurve të tyre krimet; së dyti rrëfimet përveç natyrës së lajmit (koha, vendi dhe identifikimi i personave, viktimat apo të keqtrajtuarit qoftë), janë të natyrës ngjethëse, janë dramatike dhe tragjike me gjuhën e thjeshtë të njerëzve që i kanë treguar, tregojnë natyrën e krimit dhe të dhunës, presionit psikologjik të valorizuar në disa rrathë, që nga praktika e njohur historiko- tradicionale e politikës serbo- sllave, e cila në thelb përçon mjetet propagandistike që serbët kanë përdorur kundër shqiptarëve, tek praktikat  tjera të përçmimit dhe konceptimit të shqiptarëve në Ballkan si një popull i “dorës së dytë”; së treti, tabloja e trishtueshme e jetës dhe varfërisë së shqiptarëve ne qytete dhe në fshatrat e Kosovës , veçmas ku lufta qe e para që trokiti, është realiteti social në të cilin ish-Jugosllavia e ka lënë popullsinë shqiptare në federatën e drejtuar dhe udhëhequr nga sllavo- serbët; së katërti, propaganda e hapur dhe patetike e nacional- shovinizmit serb, i cili injoronte hapur dhe me dhunë të drejtat politike dhe ato elementare njerëzore në Kosovë, duke mohuar të drejtën shtet- formuese të popullit të Kosovës; së pesti, protagonizmi i dhunës përmes militarizmit dhe organeve të dhunës  pa shpërthyer lufta , të cilët akuzohen për krime makabre dhe monstruoze, pra një dëshmi vertikale dhe horizontale në pikëpamjen historike dhe ngjarjeve të viteve 1998-1999, të cilat u paraprinë për tu përfshirë në aksionin politiko- ushtarak të komunitetit ndërkombëtar , veçmas të SHBA-ve.

Libri “Krime serbe në Kosovë” mbart një dëshmi të rëndësishme jo vetëm për atë që historikisht ka ndodhur me shqiptarët në Ballkan, por me valoritet ndërkombëtar, dëshmi që sinjalizon komunitetin ndërkombëtar  dhe Rendin Botërorë, se çështjet e të Drejtave të Njeriut dhe shtet- kombeve akoma nëpërkëmben dhe përballen me praktika diktatoriale dhe me vazhdimësi zgjatimesh aktive të nacional- shovinizmave gjakderdhëse historike.

Çështja e parë e librit, e titulluar “Krime pa koment të rrëgjimit të Millosheviqit”, që zë dhe pjesën më të madhe dhe që përbën fondamentin  “material” të librit, është një kronikë e gjerë dëshmish dhe informacioni bazik përmes të të cilit komuniteti ndërkombëtar vendosi të ndërhyjë dhe të demonstrojë forcën ushtarake për të ndaluar krimin “spektakolarë’ serb në Kosovë dhe mbi popullatën e pambrojtur të Kosovës. Dëshmitë e kësaj natyre kanë të bëjnë me njoftime, rrëfime, tregime, intervista të shumta të njerëzve të thjeshtë të popullit të Kosovës, të cilat vijnë nga disa burime, nga mediat shqiptare, por dhe nga agjentët ndërkombëtarë të Të Drejtave të Njeriut dhe shtypi ndërkombëtar, të cilat tregojnë për masakra, vrasje dhe dhunë ekstreme  në Kosovë.

Libri “Maskra serbe në Kosovë” është ndërtuar si një dëshmi. Ai ka shtresime të njoftimeve dhe të dëshmive, të cilët në gjuhën e komunikimit me institucionet ndërkombëtare që merren me këto çështje ato përmbushin një dëshmi të rëndësishme jo vetëm për Kosovën dhe njerëzit e saj, por rendin social botërorë, organizmat dhe forumet ndërkombëtare, të cilët duhet ta mësojnë mirë atë që ka ngjarë në këtë vend ballkanik, pavarësisht kohës që ka kaluar. Vetëm gjykimit të krimit shtetërorë nuk i ikën kurrë koha.

Përmes dhjetëra rrëfime në një gjeografi të gjerë, fshatra, qytete, krahina, vende strategjike tregohet ashpërsia, strategjia militare serbe për të ushtruar terror, dhunë dhe frikë në masat popullore, për t’i detyruar ata të lënë shtëpitë dhe për t’u larguar, ashtu siç ka ndodhur historikisht me politikën, propagandën dhe mjetet e tjera shtetërore në shumë fshatra, qytete dhe krahina të Kosovës.

Në “komunikimin’” e parë që përcjell kjo manovër serbe, e cila përsëritet prej shumë kohësh, veçmas gjatë vitit 1998, kupton një praktikë dhe mekanizëm të mëhershëm, i cili është prezent në të gjithë projektet akademike serbe për shpopullimin dhe spastrimet etnike të tokave shqiptare nga shqiptarët. Tregimet e njerëzve që kanë parë me sytë e tyre çka ndodhur në vendin e tyre, janë të llahtarshme se si një shtet totalitar sillet me një popull të pambrojtur, pa ushtri dhe mjete të tjera mbrojtëse. Përgatitësit e librit kanë vepruar mjeshtërisht në komunikimin që ata kanë vendosur mes librit dhe lexuesit, ku pjesa më e madhe e këtij komunikimi është lënë në gojën e dëshmitarëve, shifrave dhe lajmeve që i ka përcjellë shtypi i kohës.

Në leximin vertikal të librit has njoftime të tilla si: “Shqiptarët vriten me armë dhe me thikë”, “Tiradë masakrash”, “Katër masakra në katër dëshmi”, “Copëza barbarish”, “Dhjetë mijë të vrarë në Rahovec”, “Të masakruarit në Krushë të Madhe”, “Të masakruarit në Drenicë dhe Ibicë”, “etj, përmes të të cilave shpaloset një kronikë  dhe një aksion i përgjakshëm krimi i shtetit serb. Pjesa më e madhe e njoftimeve dhe dëshmive vijnë përmes personave të identifikuar, ku nuk mungojnë dhe emrat e identifikimi i personave të masakruar, vrarë dhe dhunuar.

Regjimi totalitar dhe kriminal serb në Kosovë dhe kundër popullsisë etnike shqiptare atje  ka qenë dhe ka mbetur patologjik, i ethshëm, i egër, i ashpër dhe shfarosës. Në projektet e njohura të akademikëve dhe eksponentëve kriminal serb, të cilët jan projekte të kohëpaskohshme ka një emërues të përbashkët: atë të arsyetimit të pashmangshëm nacional- shovinist,- dhuna, krimi, përdorimi i çdo mjeti nga shteti serb për ta çrrënjosur nga Kosova popullsinë shqiptare, por dhe nëse kjo nuk arrihej, asaj t’i zhdukej identiteti.

Një tokë e lë të shkretë kur asaj i zhduk bimësinë. Këtë filozofi dhe praktikë të njohur serbët e kanë praktikuar që pas Betejës së Fushë- Kosovës  të vitit 1389 e gjatë gjithë kohës së më pastajme kundër shqiptarëve. Në kronikën e viteve 1998-1999 ka me qindra rrëfime dhe dëshmi që shteti diktatorialo- militar serb , në të cilat flitet për krime, barbari, vrasje dhe eliminimin e fëmijëve, foshnjave, të moshuarve, grave shtatzëna, krime monstruoze të cilët demonstrojnë dhe mbjellin terror dhe frikë që popullsia shqiptare të braktiste shtëpitë, vendin, që spastrimi etnik të kryhej me çdo kusht dhe me praktikën e terrorit dhe krimit njerëzorë,

Dëshmi të tilla si :”Një fëmijë masakrohet me hanxhar”, “Foshnjë e vrarë në gji”, “Serbët të rrëmbejnë fëmijët po nuk u dhe para”, “Plumba në gojët e foshnjave”, “Letra e togerit serb: Jam krenar që nxora sytë e 10 fëmijëve”, “Fëmijë trë vrarë e të varur në shtylla telefoni” etj, janë një kronikë jo e plotë, që serbët e demonstruan në Kosovë, përballë dhe në sytë e botës së qytetëruar.

“Marrëdhëniet” që shteti serb, i cili në raport me Kosovën ka vepruar si një strukturë krimi, ka vendosur me “qeverisin” e tij në një hapësirë të konsiderueshme kohore, ka qenë një “marrëdhënie” lufte dhe dhune. Në projektet qeverisëse strategjike serbe kurrë nuk ka patur qëllimin e një marrëdhënie të pranueshme të faktorit shqiptar, të cilët kanë jetuar në tokën e tyre, në pasuritë e tyre, në të ardhurat e tyre, pa kërkuar asgjë nga të tjetërt,

Historia dëshmoi atë që ka vërtetuar përvoja historike në bashkëjetesën me serbët, të cilët tradicionalisht i kanë thyer rregullat që ka një pushtim dhe pushtues, një gjendje lufte dhe paktet që zakonisht vendosen në këto raste. Në këtë “marrëdhënie” të gjatë me shqiptarët, shteti kriminal serb është shfaqur dhe ka qenë demonstrues i ekstremeve prej masakrash, dhunës, barbarizmave, prekja në thelb e ekzistencës së familjes shqiptare, të cilat kanë prekur gjithçka shqiptare me një valoritet të përsëritur.

Libri “Masakra serbe në Kosovë” e rikonfirmon këtë praktikë tradicionale, që siç kuptohet dhe mësohet dhe në këtë rast, e përdorin në çdo kohë, ku dhuna, terrori, masakrat pasohen nga një dhunë psikologjike, e cila demonstrohet mbi fëmijët e djepit, fëmijët e vegjël, nxënësit e shkollave, në përdhunimin dhe vrasjen e grave dhe vajzave shqiptaren përçudnosjen e kufomave, vrasjet dhe ekzekutimet e të moshuarve dhe të sëmurëve, pra në një pjesë të prekshme të shoqërisë njerëzore. Kjo përmasë kriminale zë një vend të konsiderueshëm në librin mbi krimet serbe në Kosovë vetëm gjatë viteve 1998-1999. N

Në një vështrim vertikal të dëshmisë që libri sjell për lexuesin dhe institucionet ndërkombëtare, shfaqet një numër i madh i llojeve dhe specifikave të torturave dhe barbarisë serbe, e cila është demonstruar praktikisht mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare në Kosovë, që nga torturat, djegiet e kufomave, varret masive dhe përdorimi i pengjeve (“Kamion i mbushur me kufoma shqiptarësh”, “Tetëdhjetë e nëntë shqiptarë të vrarë dhe të djegur”, “Kufomat bllokojnë rrjedhën e përroit”, “Digjen kufoma shqiptarësh”, “Serbët djegin të gjallë 15 shqiptarë”, “Varr masiv në Krushën e Madhe”, “Llapi e Turjaka, male të masakrave dhe dëbimit të mbi 100 mijë banorëve”, “Rrugët e Podujevës mbushen me kufoma”, “Serbët mbajnë pengje shqiptare kundër bombardimeve të NATO-s”, “Ushtarët serbë: Do t’iu djegim të gjallë”, “Mbi 100 varre masive në Kosovë” ) etj; terrori, dhuna psikologjike, granatimet (“Pesë kufoma të pavarrosura”, “Tre burra të varur në pemë”, “Njëzetë e gjashtë të vrarë në një ditë”, “Granatimi i Nagovecit”, “Zetorët mbushen me kufoma varrosen në gropa masive”, “Të rinjve u shpërthejnë fytin me kaçavidë”, “Kronikë krimesh”, “Krim serb ndaj pesë të rinjve”, “Qindra – mijëra banorë, nën goditjen e  artilerisë”) etj; gjeografia  madhe e demonstrimi të krimit dhe barbarive (të gjithë dëshmitë janë nga një hapësirë e madhe e fshatrave dhe qyteteve, ku përmenden emra malesh, vendesh, si Rahovec, Krushë e Madhe, Llapi, Turjaka, Nagoveci, Podijeva, Lezati, Drenica, Ibica, Malisheva) etj; përdorimi i shqiptarëve dhunshëm si kavie për të dhënë gjak për të plagosurit serbë, kryesisht ushtarët dhe militarët në luftë a gjetkë (“Djem dhe burra shqiptarë , rezerva gjaku për të plagosurit serbë”) etj; barbari mbi klerikët shqiptarë në të gjithë hapësirën e luftës dhe në vende të tjera të Kosovës (“Serbët ekzekutojnë dhe klerikët shqiptarë”) etj; krime të tjera të përmasave të llahtarshme, që plotësojnë mozaikun e barbarisë që ushtroi makina kriminale gjatë kësaj kohe, kryesisht mbi të rinjtë dhe adoleshentët shqiptarë (“Tre djem të vdekur në rezervuar”, “Masakrimi i njëzetë mësuesve”, “Gjymtime të adoleshentëve” ) etj; përdhunime të grave dhe vajzave shqiptare (“Mbi 200 gra të përdhunuara”, “Vrasje dhe përdhunime në Malishevë”, “BBC:Përdhunimi i vajzës në sytë e babait”) etj, të cilët bënë që komuniteti ndërkombëtarë të reagonte qoftë nga qeveria amerikane (“Krime monstruoze në Kosovë sipas burimeve të  qeverisë amerikane”, “”Reagime të ashpra të komunitetit ndërkombëtar”, “Fakte për gjenocidin serb në Kosovë të institucioneve ndërkombëtare”, “Raporti i Komisarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut  mbi situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë”) etj, përbëjnë një informacion të plotë për atë që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe të shkurtër në këtë vend dhe mbi këtë popullsi të pambrojtur .

Siç dhe dihet, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë, serbët dhe këtë skenë makabriteti të krimit dhe të dhunës u përpoqën ta manipulonin, madje të vetë-viktimizoheshin, duke mos hequr dorë asnjëherë nga miti i rremë i Kosovës së djepi i serbizimit në Ballkan dhe të qenësisë së tyre këtu. Përkundër kësaj në librin i “Krime serbe në Kosovë” bashkautorët e librit nuk kanë harruar të evidentojnë një listë të rëndësishme të eksponentëve serbë dhe bashkëpunëtorëve të tyre në Kosovë, të cilët kanë qenë ekzekutorë, bashkëpunëtorë dhe organizatorë të masakrave dhe të shndërrimit të shtëpive të shqiptarëve në varre të gjalla, ku gjetën vdekjen e dhunshme disa mijëra shqiptarë të pafajshëm. Në këtë listë njoftohen njerëz të klikës serbe në Reçak, Gjakovë, Krushë e Vogël, Ibicë, Drenicë, Sllatinë, Kishnicë, Klinë, pastaj nën një logo të titulluar “Toga e tmerrit”, e cila ekzekutonte në pleq, gra, fëmijë , Fushë- Kosovë, për të cilët në Raportin e Komisarit për të Drejtat e Njeriut shënohet se “Njëzetë e dy përqind e incidenteve të raportuara  kanë të bëjnë me fëmijët, ndërsa 17,5 % e rasteve kanë të bëjnë me dhunën e ushtruar ndaj grave”.

Libri “Krime serbe në Kosovë” është një kronikë e gjerësishme e krimit në Kosovë të cilin shteti militar dhe kriminal serb e demonstroi dhe gjatë kohës kur botës i qe njoftuar Rendi i Ri Botërorë, si rendi i paqes. Autorët nuk kanë lënë pa sjellë dhe copëza, inde të sterrshme të egërsisë patologjike serbe, një egërsi e injektuar jo vetëm tek ushtarët dhe militarët serbë (“Letra e togerit serb: Jam krenar që u nxora sytë dhjetë fëmijëve” (shqiptarë), por dhe tek gratë, veçmas nënat serbe, njëra prej të cilave deklaron :”Mos më eja gjallë , pa më sjellë një kokë shqiptari! (“Nëna serbe i shkruan djalit: Mos më eja gjallë, pa më sjellë një kokë shqiptari!”)

Gjatë gjithë historisë ballkanike, qoftë dhe kur Ballkanin, si pjesën më të madhe të Evropës, për problemet nacionale e trajtonin shtetet e mëdha evropiane (Fuqitë e Mëdha), veçmas kur u formuan dhe shtetet e para në Ballkan, si Greqia dhe Serbia, shqiptarët nuk e patën kurrë mbështetjen e sinqertë dhe të vërtetë prej tyre. Në ruajtjen e territoreve tokësore me statusin e shtetit shqiptar, që kemi sot, vendi i vetëm që ka dhënë ndihmesë dhe mbështetje që nga koha e Lidhjes së Prizrenit dhe në shpalljen e Pavarësisë ka qenë shteti dhe Perandoria Austro-Hungareze dhe asnjanësia e shtetit gjerman, ndryshe gjithë shtetet e tjera evropiane janë përfshirë në dakordësinë për t’i copëtuar trojet shqiptare për shtetet nacional- shoviniste ballkanike. Masakrat dhe krimi ballkanik që ndodhi mbi shqiptarët gjatë  viteve 1998-1999, dhe pse krimi ballkanik është i mëhershëm, e detyruan komunitetin ndërkombëtar të kthejë sytë nga Kosova dhe popullsia e pambrojtur shqiptare atje, për shkakun e një padrejtësie historike të lënë që para një shekulli aktive në Ballkan. Interesante gjatë kësaj ngjarjeje ngjethëse janë deklaratat e dy njerëzve të rëndësishëm të Izraelit, Perez, një nobelist i Paqes, i cili në një opinion të tij citohet të ketë thënë: “Detyra që shtrohet në Jugosllavi është që të ndalojë spastrimet etnike duke i paraprirë dhe ‘konfuzionit etnik’, që në thelb është i njëjtë me atë që jemi përballur në përpjekjet mes Izraelit e Palestinës”, ndërsa Beniamin Netanjahu shkruan: “Asgjë nuk është e krahasueshme dhe as nuk mund të krahasohet me Holokaustin e popullit tonë, por si hebrenj nuk mund të qëndrojmë duarkryq kur përballemi me imazhe të Kosovës: me mijëra refugjatë të dëbuar nga shtëpitë e tyre, me fytyra të frikshme që shikojnë nga trenat në hekurudha, nga fëmijët që kanë humbur prindërit e tyre…”.

Gati një shekull më pas çështja shqiptare u riaktivizua përsëri nën kujdesin e shtetit të madh amerikan, si dikurë, kur Uillsoni në Konferencën e Versajës mbronte aq sa kishte mundësi terrotret tokësore shqiptare nga copëtimi i mëtejshëm. Në libër ka një kapitull të rëndësishëm lidhur me raportin, dimensionin dhe angazhimin amerikan për t’i dalë në mbrojtje popullit shqiptar në Kosovë, aksion politik i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë i vazhdueshëm deri në ditët tona.

SHBA-të, diplomacia amerikane dhe institucionet e saj ishin ndër të parat që lëshuan alarmin e krimit serb në Kosovë, dhe pse kujdesi posaçërisht për Kosovën ishte i mëhershëm. Në kalendarin diplomatik ndërkombëtar lidhur me çështje e Kosovës nuk mund të anashkalohet aspak, përkundrazi mund të konsiderohet gurthemeli i zgjidhjes së çështjes, paralajmërimi i 25 dhjetorit të vitit 1992, kur Presidenti i SHBA-ve Xhorxh Bushi, i tha Millosheviqit:”Në rast të konfliktit në Kosovë, shkaktuar nga veprime të Serbisë, Shtetet e Bashkuara  do të jenë të gatshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”.

Masakra e Reçakut, shtatë vite më vonë, kur në krye të presidencës së SHBA-ve ishte Bill Klintoni , bëri që premtimi i Xhorxh Bushit të përmbushet plotësisht. Masakra e Reçakut krijonte precedentin e rrezikshëm global, të humbjes së ekuilibrit dhe të rrënimit të qytetarisë në botë. E konsideruar si masakër, termi më i rëndë dhe më i patolerueshëm, e bindi Shtëpinë  e Bardhë dhe Presidentin Klinton se ky zhvillim ishte i patolerueshëm. Klinton shkruan në kujtimet e tij ndër të tjera: “Kur erdhi koha për t’u kthyer, ne ishim duke hyrë në një luftë tjetër ballkanike. Këtë herë në Kosovë. Një vit më parë serbët kishin filluar një sulm kundër rebelëve shqiptarë kosovarë duke vrarë shumë njerëz të pafajshëm: kishte fëmijë dhe gra që i kishin djegur në shtëpitë  e tyre. Raundi i fundit i agresionit serb kishte ndezur shkëndijën e një eksodi të ri refugjatësh  dhe kishte shtyuar dëshirën e shqiptarëve kosovarë për pavarësi. Vrasjet ishin shumë të ngjashme me ditët e para të luftës në Bosnjë… Unë isha i vendosur për të mos lejuar që Kosova të bëhej një Bosnjë e dytë. Po kaq e vendosur ishte edhe Medlin...”.

Ndërsa Madlejn Ollbrajti, ish Sekretarja Amerikane e Shtetit gjatë kohës që NATO-ja u angazhua në çlirimin e Kosovës nhga ushtria dhe forcat militare serbe, si njeriu me dimensionet e gjera demokratike, me një koncept brilant për lirinë dhe përparimin e popujve, ka demonstruar një dashuri dhe mbështetje të rëndësishme për Kosovën. Ndër gjërat që ajo nuk harron kurrë kur ishte në postin e lartë në shtetin amerikan është dhe mbështetja që i dha Kosovës në këtë kohë të vështirë dhe të rëndësishme. Ajo deklaron:”Sa herë më pyesin se cila është arritja ime si Sekretare e Shtetit me të cilën krenohem më së shumti, them se është ndihma që i dhashë popullit të Kosovës. Gjatë këtyre 10 viteve kam qenë krenare për hapat që i ka ndërmarrë Kosova drejt stabilitetit m ëtë madh, përparimit dhe integrimit në bashkësinë euro-atlantike.”

Personazhe të rëndësishëm që i kontribuan paqes dhe lirisë në Kosovë, të cilët iu kundërvunë makinës kriminale të shtetit kriminal serb ishin dhe Uesli Klark, ushtaraku më i lartë amerikan, i cili drejtoi aksionin ushtarak të NATO-s dhe Havier Solana, drejtuesi politik i NATO-s, por dhe udhëheqës politikë të shteteve të rëndësishme të Evropës, të cilët u dakordësuar si mbrojtës të Rendit të Ri Botërorë, i projektuar si rendi i paqes dhe i lirive njerëzore. Gjatë 78 ditëve të bombardimeve të NATO-s mbi nyjet nevralgjike të ushtrisë dhe pikave të nxehta ku ushqehej ushtarakisht krimi serb kundër Kosovës, me ç’rast mbi një milion njerëz u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre për të mbrojtur jetën, komuniteti ndërkombëtar, organizma dhe organizata të njohura në botë, krijuan një dimension dhe një raport tjetër të Kosovës me botën, por dhe të historisë së saj me të vërtetën.

Bashkëautorët e librit specifik “Krime serbe në Kosovë” nuk kanë harruar të kenë një kapitull të veçantë në të, atë që lidhet me historinë manipulatore dhe të projekteve nacional- shoviniste serbe kundër shqiptarëve, që nga doktrina e vitit 1844 e Grashaninit me projektin e “Nacertanies”, në të cilin ka një alibi historike se Ballkani në thelb është me rrënjë serbe, përveç shqiptarëve si turq të Ballkanit, një projekt i cili ka zënë vend në të gjithë konferencat dhe marrëveshjet ndërkombëtare për copëtimin e trojeve shqiptare; projekti i Vaso Çubriloviçit, i vitit 1937, i ideuar për shpërnguljen e shqiptarëve, ku propozohen metodat dhe mënyrat për zgjidhjen e “problemit shqiptar”; projekti i Ivo Andriçit (nobelist në letërsi), i cili flet për ndarjen e Shqipërisë, kompensimet serbe; projekti i Dobrica Qosiçit, shkrimtar, i cili i konsideron shqiptarët barrë barbare dhe ka një projekt për Serbinë e Madhe; projekti praktik i Millosheviqit, i cili stimuloi krimin mbi shqiptarët në Kosovë, duke suspenduar atë pak autonomi të Kosovës në vitin 1990, i cili njihet për konceptin famëkeq, se “ku ka dhe një serb aty është Serbi”, por dhe për marrëveshjet turko- serbe- greke (1923) për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre, një marrëveshje e detajuar dhe që e shkatërronte historinë dhe faktorin shqiptar në trojet e tyre, në traditat, zakonet dhe historinë e tyre që ata kanë në Ballkan që në krye të herës.

Marrëveshja është e detajuar dhe e gjerësishme lidhur me këtë projekt, i cili është pas Konferencave ndërkombëtare atë të Londrës e vitit 1912-1913, atë të Versajës, ku projekti i copëtimit të trojeve shqiptare ishte aktiv dhe kishte mbështetje nga disa shtete evropiane përveç SHBA-ve, pra një projekt që bënte rrugën  e hershme që nga Marrëveshja e Shën Stefanit, në qendër të së cilës ishte Turqia dhe Rusia.

Libri “Krime serbe në Kosovë” është një dëshmi e rëndësishme dhe e plotë jo vetëm për krimin mbi shqiptarët, krimin në Ballkan, por dhe një vëmendje dhe kujdes që i bëhet botës së qytetëruar për fenomenet e nacional- shovinizmit në botë. Agim Neza (i ndjeri) dhe Çerçiz Loloçi kanë bërë një shërbim të vyer dhe qytetar jo vetëm ndaj shqiptarëve në Kosovë, Kosovës dhe shtetit të saj, por dhe shoqërisë njerëzore. Rendi i ri social global është i ndjeshëm ndaj fenomeneve të nacionalizmit të sëmurë, të cilët e rrezikojnë paqen dhe bashkëpunimin në botë.

Tiranë- Vlorë, janar 2021.

https://www.bksh.al/details/5368

Një kronikë e gjerë e krimit serb në Kosovë

 

 

 

 

 

 

Please follow and like us: