Albspirit

Media/News/Publishing

Sulejman Mato: NJERIU I PASVDEKJES

Tregim
Ai kishte kaq kohë që jetonte në botën e pasvdekjes. Nuk kishte më trup. Ishte shdërruar i tëri në ndiesi. Trupin e kishte lënë në tokë, ashtu siç i lënë trupat të gjithë, kur nisen drejt rrugës së moskthimit. Kishte ndiesinë që shikonte, ndiente nuhaste… Vetëm trup nuk kishte…
Në atë gjendje sic ishte ai nuk kishte nevojë as të hante, as të pinte, as të vishej as të punonte as të kujdesej për rritjen e fëmijëve të tij. Të tilla këto gjëra nuk njiheshin në botën e pasvdekjes. Atje, në botën e pasvdekjes ai e ndiente veten të lehtë e të lirë, të çliruar nga pesha dhe shqetësimet jetësore. Kur pyeti se ku ndodhej, -i thanë se je në zonën e ‘Hapësirës gri”.
Ai, edhe pse e ndiente veten të lirë dhe të pa peshë, pa atë peshën e trupit tetëdhjetë e dy kilogram, kuptonte që i mungonte diçka… E mundonte malli për botën që kishte lënë… Ashtu siç ndodh shpesh në ëndrra, kur na shfaqen turbull-turbull të dashurit tanë, ashtu kishin nisur t’i shfaqeshin dhe atij… gruaja, fëmijët dhe të dashurit e tij, flurorë… në një ëndërr.
Dua të them dhe diçka, në botën e pasvdekjes nuk flihet… Arsyeja pse në botën e pasvdekjes nuk ka gjumë është fare e thjeshtë. Atje nuk punohet, atje nuk hahet, atje nuk pihet, atje nuk ka lodhje mendore dhe fizike, ndaj atje gjumi nuk ka asnjë funksion. Atje dhe liria është e pakufizuar dhe koha është e pakohë. Dua t’jua kumtoj mirë disa gjëra që dhe ju t’i kini parasysh e të jini të përgatitur për çdo rast.
Ajo që i ndodhi mikut tim dhe që e shqetësonte gjithmonë e më shumë, nëpër ditë, ishte dashuria dhe nostlagjia që i kishte mbetur për jetën e tokës dhe për njerëzit e dashur, sidomos dashuria për fëmijët. Nguleni mirë në tru, në botën e pasvdekjes të gjitha harrohen, vetëm dashuria dhe nostalgjia për fëmijtë dhe të afëmit, me kalimin e kohës nuk zhduket, përkundrazi rritet e rritet… Pra, dua t’iu them, miqtë e mi, që dhe ju të mos shqetësoheni aq, atje ndjesitë janë dyfish e trefish më të mëdha se ai juaji.
Kështu dhe miku ynë, edhe pse nuk e dinte as vetë sa kohë kishte që gjendej në botën e pasvdekjes, nuk ishte ambientuar dot me atë mënyrë jetese. Të tjerë shpirtra që e rrethonin me përkujdesje dashuri, e kishin kuptuar shqetdashuria dhe nostlagjiasimin e tij, mirëpo,askush nuk guxonte ta shqetësonte duke menduar se në botën e pasvdekjes kështu u kishte ndodhur fillimisht dhe atyre e që me kohë, sigurisht do të mësohej dhe ai.
Dua t’iu them dhe një detaj jo të parëndësishëm, ai kishte vdekur brnda pak castesh, në cast, një aksident automoblistik, gjatë një udhëtimi të shkurtër Durrës-Tiranë, në autostradë, duke dalë nga Vora, vetura e tij ishte përplasur me një kamion… Vdekja e tij në moshë të re kishte bërë që ai të mos ishte i përgatitur për një jetë tjetër, ku jetohej në formë shpirti dhe në një hapësirë gri, të cilën njerëzit e kësaj bote nuk mund ta kuptojnë dot, edhe për shkak se gjer më sot nuk na ka mundur të na vijë asnjë informacion. Askush nga ata që kanë ikur nga kjo botë nuk ka mundur të kthehet mbrapsht në kohë, për të na treguar ndonjë imtësi. Kthimi mbrapsht në kohë, mbetet ende një enigmë… një ligj universal i pashpjegueshëm.
Si gjithë të tjerët dhe miku ynë atije ku jetonte, në Hapësirën gri… kishte nisur të jetësohej me imazhet e botës që kishte lënë përfundimisht dhe përjetësisht. I vërtiteshin në mendje njerëzit e dashur: gruaja, fëmijët, miqtë e shokët, kujtime të fëmijërisë, shtëpia, kopshti, ullishtat… rrugët me baltë qeni, macja e shtëpisë…
Të gjitha këto mbresa dhe ndjesi që nuk kishte mundur t’i linte në tokë i kishte bartur me vete në castin e largimit .
Më duhet t’ju rrëfej dhe dicka tjetër, në botën e pavdekjes ka shumë lehtësira. Lëvizin të lirë, në ajër dhe nuk hanë, ndërkohë që problemi më i madh i tokës është ushqimi. Në botën e pasvdekjes edhe pse të gjithë flasin të njëjtën gjuhë, ka fjalë që nuk ekzistojnë, si për shembull: ushqim, veshmbathje, varr… vdekje… lindje, shtet, demokraci, ligje, korrupsion, kushtetutë, parlament, qytet, fshat, llogore, luftë, kufij, politikë, seks, uri, rracë, mirëqenie, ujë, bukë, det, mal, pyll, ligj, mbretëri, republikë, tranzicion, veting, kompromis, diplomë, doktor i shkencave, e të tjera e të tjera.
Në zonën e “Hapësirës gri” nuk ka të pasur dhe të varfër, nuk ka fshatarë e qytetarë, nuk ka luftra, nuk ka cmirë,nuk ka egoizëm, thashetheme, xhelozi, urrejtje…
Le të kthehemi sërish te personi që për shkak të atij aksidenti kaloi në jetën e përtejme e që nuk po mund të ambientohej dot me atë botë… Këtë gjë e vunë re dhe autoritetet e botës së pasvdekjes dhe e diskutuan midis tyre, si një shqesim që i kanosej botës së tyre.Pati mendime që kjo gjë atij duhet t’i kishte ndodhur pasi ai kishte vdekur i ri dhe si i tillë, nuk kishte plotësuar dot ciklin e plotë të jetës. Psikologët e “Hapësirës gri” që e kishin studiuar këtë problem kishin mbërritur në përfundimin se duhej bërë diçka për të, edhe për shkak të rritjes progresive të këtij fenomeni.
* * *
Në një cast kur dritat e universit nisën të zbeheshin mikut tonë iu afruan tri dritëza, të cilat ndalën në një distancë të afërt. Ishin tri dritëza të zbehta në formë ylli… Një e kuqe, një e verdhë, një blu…
-Ke bërë kërkesë të kthehesh në tokë? – zëri i parë erdhi i vrazhdë dhe i ngadaltë.
-.Kur u ndava nga ajo botë nuk mora vesh asgjë, – tha ai duke dashur të shfajësohej para tyre. – Mbaj mend vetëm çastin kur e ndieva veten duke fluturuar në ajër…
-Përse doni të ktheheni?
-Dua të takoj trupin tim.
-Trupin tënd s’mund ta takosh. Ai tashmë është vetëm një grumbull kockash, futur në një arkivol prej druri….- zëri i dytë iu duk më miqësor e që sikur i vinte nga drita blu…
-Po fëmijët?… – deshi të shtonte dhe diçka tjetër ai, por zëri që i erdhi nga drita blu ia preu ligjërimin ashpërsisht.
– Jo. Ndarja është e përjetshme!
-Atëherë… A mund t’u shfaqem fëmijëve si hije?,- vijoi të insistonte ai.
-Kjo gjë është zgjidhur prej kohësh. Si hije u shfaqemi vetëm në ëndrra…- zëri i parë tashmë iu duk më i ngrohtë dhe sikur i jipte pak shpresë.
-Po në vendlindjen time mund të shkoj?
– Jo. Janë qentë që me nuhatjen e tyre kuptojnë gjithçka, – zëri kësaj radhe i erdhi nga drita e verdhë.
-Ju kush jini?- guxoi të bëjë një pyetje të fundit ai.
-Unë jam Burimi, -iu përgjigj një zë autoritar i cili vinte nga një largësi tepër e madhe.
Në atë çast papritur dritat u shuan, sic na shuhen shpesh ne njerëzve të tokës… Nuk i dhanë asnjë mundësi të pyeste më tepër: kush ishte ky, Burimi dhe a ekzistonte mundësia e kthimit mbrapsht, në kohë.
Kishte dëgjuar për disa astronautë, që ishin nisur nga Toka në drejtim të planeteve të tjerë dhe pas miljona viteve ishin kthyer me ripërtëritjen e rracës njerëzore mbi tokë. Kishte dëgjuar të flitej dhe për ca jashtëtokësorë që kishin mbërritur në tokë në kohëra të ndryshme nga planete të huaj, ndërsa ky udhëtimi mbrapsht në kohë, qoftë dhe për disa çaste, nga “Hapësira gri” në Tokë nuk ishte realizuar ende ose kishte mundur të realizohej vetëm në ëndrra…Kush është ky Burimi? Mendoi me vete.-Të jetë Burimi i dritës? Apo Burimi i errësirës…? Burimi i inteligjencës…? Apo është vetë Zoti i universit…?
* * *
Mbërritja në tokë sipas porosisë së autoriteteve të ‘Hapësirës Gri’ u bë në mënyrë të beftë… siç ndodh në ëndrra. Papritur ai e ndieu veten në një park të gjelbëruar, i cili fillimisht iu duk pak a shumë si ai i parkut “Rinia”. Duhet të ishte e diel, ndryshe nuk mund të kishte aq shumë të rinj e të reja. Tavolinat ishin të zëna brenda dhe jashtë lokalit. Ndieu një kënaqësi të veçantë që ishte dhe ai sërish midis tyre e që ai i shihte të gjithë e atë nuk e shihte asnjeri, ndonëse nuk i erdhi mirë që rinia ende vazhdonte t’i kalonte ditët kafeneve. Kamarieri u vërtit disa herë rreth tij pa e vënë re… Nuk porositi asgjë, pasi, siç e dini, frymorët nuk pinë. Sikur kjo gjë të realizohej në tokë, do të quhej shpikje e madhe e njerëzimit. Iu kujtua zëri i Burimit, i cili në përcjellje i kishte thënë:”Çdo ide realizohet në kohën e vet“.
Një cift pranë tij tregonte një histori dashurie. I interesoi ta dëgjonte. Mungesa e dashurisë tek njerëzit do të ishte fatale, mendoi me vete… Më pas e humbi fillin e bisedës së tyre. U ngrit në ajër dhe nisi të vërtitej mbi qytet. U shty në periferi, ku gjelbëronin fushat. Ca liqene të vegjël shkëlqenin nën rrezet e diellit me vezullime të kristalta. U ngjit lart, lart, gjer ku ngjiten avionët. Përshkoi lugina, kaloi male… më pas i ngadalësoi lëvizjet kur e pa veten mbi një qytet bregdetar, në muzg… Sa i cuditshëm ky fluturim në ajër…, mendoi
Pa ca vetura që ngjanin si breshka të kuqe. Njerëzit poshtë tij dukeshin si milingona…Nuk i hiqej nga mendja Burimi…Kush të ishte ky Burimi?
Zbriti sërish disa metra mbi tokë duke qendruar pezull në ajër, sic qendrojnë zakonisht helikopterët. Pa një tavolinë të vetmuar, buzë detit. Vuri veshin… Dy të moshuar bisedonin me zëra të lartë, për politikë… I dëgjoi pa kureshtje, si një njeri i ardhur nga bota tjetër që nuk e kupton dot çfarë është politika. Sa mirë që nuk më shohin, mendoi. Po ta merrnin vesh se si, një frymor i ardhur nga “Hapësira gri” gjendej sipër tyre dhe i vëzhgonte qetësisht do të bëhej një zallamahi e madhe… Do të shqyheshin radiot dhe televizionet. Në çast iu kujtua vendlindja. Nuk i rezistoi dot mallit. Iu drithërua zemra kur pa shtëpitë e bardha të ngritura mbi një kodër… Dukeshin si shtëpi milingonash… Ndjeu një lumturi të patreguar, se, gjithsesi ndiesitë, siç e thamë dhe më lart, i kishte dyfish e trefish më të shumta se ato tonat.. Donte të qante. Mirëpo, frymorët, siç e dini dhe ju nuk qajnë.
Hodhi sytë poshtë… Në ca ara si rrypa të gjelbër toke vuri re ca gra shamibardha. Prashisnin tokën kokëulura, si dikur, kur ishin në kooperativë… Pati përshtypjen se ishin ngatërruar kohët. Pati përshtypjen se ato gra shamibardha duhet të ishin gra të fshatit të tij dhe se… duhet jetonin ende në socializëm… Ndërkohë ndieu lehje qensh. Iu kujtua zëri… dhe ndjeu të rrënqethura… Qentë… Gjatë mungesës së tij duhet të ishin shtuar shumë qentë. Iu kujtua porosia e Burmit dhe i tmerruar u ngjit sërish lart. Në atë çast i lindi një ide e rëndësishme, të cilën mendoi ta diskutonte me Burimin, sa të kthehej, në qoftë se ai do ta thërriste në raport.
Puna, puna, do t’i thoshte Burimit, -vetëm puna është “burim i të gjitha të mirave material në tokë”. Kjo frazë e Engelsit se si i kishte mbetur në kujtesë qysh nga koha e gjimnanzit…
Në një çast të vetëm, por vetëm në një cast të vetë, ai pati ndjesinë se e gjitha kjo duhet të ishte një trillim i mendjes së tij të sëmurë? Nuk e kishte të qartë, nëse ai në ato caste kishte udhëtuar vërtet drejt zonës së “Hapësirës gri” apo gjendej në një spital, në një repart reanimacioni.
Ashtu siç na vijnë njerëz e pamje në ëndrra, vegime realiteti, si sekuenca të shkëputura filmike, bardhë e zi, ashtu i kishin ardhur dhe atij vegimet e atij udhëtimit drejt një bote frymorësh, që gjendej në “Hapësirën gri” e që, e vetmja gjë që ai nuk mund të kuptonte ishte ajo; të dinte saktësisht se ku ndodhej në ato çaste.
Please follow and like us: