Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Dea Toçi

 
 
DASHURUAR ME DASHURINË
Dashuria nuk do dalë kurrë nga moda,
madje është aq fine sa nuk i bën dot kujtdo,
fjala bie, shpirti yt binjak të bën vetëm ty,
sado të përpiqen nuk mund ta veshë kushdo.
Mos vishni dashuri që ju rrinë të ngushta,
do përfundoni duke shkyer shpirtin si letër,
as mos hyni në dashuri që ju rrinë të mëdha,
jeni duke u sjellë në fatin e dikujt tjetër.
Ç’është juaja do t’ju rrijë fiks për trupi,
asnjë rregullim mbi të nuk do të vini.
E juaja do t’ju rrijë fiks për shpirti dhe…
Derisa ta gjeni? Më mirë lakuriq rrini.
MIDIS MËRZISË DHE GËZIMIT
Ndodhi të bardhën ditë,
ra mbi mua hije e zezë,
më kaploi një mërzi
dhe nuk di si ta përze.
Mu trondit gjithçka që kam,
frikë dyshim më mbuluan,
ra mbi zemër hije e zezë,
befas diçka mu kujtua:
Sprovat vijnë sipas vlerës
këshu ka thënë i madhi Zot,
gjersa vuan shpejt pastrohesh,
do largohet çdo pikë lot,
shpejt do qeshësh, lumturohesh,
gëzim për ty është përgatitur,
nëse sprovat s’mi dha jeta,
paqen si ta kem arritur?!
Hijet e zeza-ditët e bardha,
njëra-tjetrën do pasojnë,
drita kurrë s’do jetë e fortë
nëse errësirës s’i besojmë.
Ndaj do lutem edhe sot
nga trishtimi pa harruar,
i gëzohem çdo mërzie,
Zoti vlerën ma ka shtuar.
FOTOGRAFIA
Në foto mos më shih duke qeshur,
se foto është një sekond momental,
brenda shpirtit mund të jem e tretur
dhe në foto duke qeshur dal.
Ka mijëra gënjeshtra në foton time,
aq shumë sa ti dot nuk i kupton,
fiksoj momentin e bukur pa gabime,
çasti i shkrepur gjithë dhimbjen harron.
Dhe kështu gënjejmë njëri-tjetrin pa faj
se fajtori nuk jemi as unë e as ti,
është foto që kapi të bukurin detaj
dhe pas fshehu gjithë atë zymtësi.
Ti nuk do e dish sa e trishtë unë isha,
unë nuk do e di që t’më kuptoje nuk dije,
në shtigje të gabuara do humbim të dy
dhe faji do i mbetet një fotografie.
SIKUR TË ISHA DJALË…
Sikur të isha djalë me vajzën nuk do të luaja
që zemrën ma falte dhuratë të paçmim,
e nëse do më duhej doemos të paguaja,
do jepja symbyllur, pa frikë shpirtin tim.
Sikur të isha djalë me të s’do bëja shaka,
e lagu-s’e lagu, s’do kisha dykuptim,
dashuria e vajzës që pa kushte mu dha
do kthehej dhjetëfish, gjer në vetëmohim.
Sikur të isha djalë do më peshonte fjala,
çfarë me zë do thoja, me vepra shkelja kurrë.
Djalë sikur të isha do më thonin Zotëri Dea
dhe jo s’do isha djalë. Unë do isha Burrë!
SHI…
Pikat e shiut ranë mbi xham
dhe Kadareja se ç’mu kujtua,
për dikë ai ndjente mall,
siç për ty më merr mua.
Të dy jetonin në të njëjtin qytet,
me njëri-tjetrin shiheshin rrallë.
Unë me ty shihem çdo ditë
dhe aq më shumë për ty ndiej mall.
Ai nga ëndrra desh të zgjohej,
se kishte rënë në gjumë keq,
unë lus ëndrrën të të sjellë prapë,
njëjtë si dje, njëjtë si pardje…
Tek ti më sjell çdo poezi,
ca pika shiu ranë mbi qelq…
Të njëjtin shi po ndjen dhe ti,
kë po mendon s’e di për dreq…
Please follow and like us: