Nexhat Halimi: Zjarri apo vetmia
I
Zemra e ndarë shtatë copë në kornizë
të njëjtës udhë mësynë për ujë në krua
ndoshta në fund pylli me takon mua
unë kaherë vdekur në pritje te `i drizë.
Kohë ka ikur e s`të kam parë në sy
kaq vjet ndërsa të nis letër pa përgjigje
me ag i nis delet në kullosë në brigje
e të njëjtën shkrim prapë e latoj për ty.
S’është ky shkrim është gjakshkrim
zjarr i pashuar veç dritë e vetme ylli
e çdo gjë ik në pritje të kotë pa kthim
e fund ëndrrës zë flakë e ridigjet pylli
unë krye sonetit të parë vdes kaq vjet
jeta mes dy stacionesh gjakut rrëshqet.
II
Jeta mes dy stacionesh gjakut rrëshqet
e diçka ashpër te unë lëviz prej gurit
e shkoj e trok i zemrës ec urës së drurit
zjarr shfaqet në frëngji kaq vjet pëlcet.
Pëlcet etja për ty me shtambë në dorë
unë radhis gjakshkrimin deri në vrasje
tashmë as ti as unë në hi s’kemi qasje
ëndrrës vijmë e ikim me zjarr arbëror.
Ah koha në asnjë mënyrë s`ndalet dot
ora trokon dhe zemra natyrisht e vrarë
ti fshin lotët të të mos hetoj se ke qarë
mbështjellë kokën me natë e pres kot
i vetmuar pikas yllin nga shfaqet lehtë
a ka tjetër zjarr a çarja pasqyrës zbret.
III
A ka tjetër zjarr a çarja pasqyrës zbret
shfaqet hija e prapë ti humb në lumë
kot e shtrij dorën të të prek në gjumë
veç zbrazësi bie vërdallë e gjë s`ngjet.
Ndoshta hija kaq kohë të kthen hirit
ndoshta dhembja e vret etjen e vjetër
bie vetëtimë e verdhë ëndrrës tjetër
fryn ashpër e i vërtit gjethet e ullirit.
A të kujtohet vdisnim ndez në ëndërr
a të kujtohet na kapte flakë me prekje
a të kujtohet pse çdo gjë qe veç etje
trungu ende me degë var` në zgjëndërr
ende jallisë ik kali gjok e bie puhizë
rrënja i jep dritë pemës e gjethi lëviz.
IV
Rrënja i jep dritë pemës e gjethi lëviz
rrënjës pik uji i kroit e zgjohet veriu
në zgërbonjë ik të mos më prek shiu
në trung e vizatuar zemra me shtizë.
Kujtimi s’vdes le të bjerë shi e borë
le të digjet gjithësia e mbetur në dorë
të zgjohet ndërmjet etja me kurorë
ti e unë në pikturën e gjakut Fedorë.
Ja unë vij e shkoj ende ndër asfodele
poezisë një poete zgjohet në kangjele
agu bie kuqërremtë gjithnjë në jalli
ç’ka ngjarë ngel sado të bie vetmia
sado të ec tashmë krejt `i hije tjetër
i zgjidh nyjat e zgjohet malli i vjetër.
V
I zgjidh nyjat e zgjohet malli i vjetër
krejt e irnosur lakuriqe shfaqet jeta
kopshtit të Edenit ha mollë e shëtit Eva
mua më ndjek kaq kohë etja e fjetur.
Në shkrep guri zgjoi fyellin me mall
befas pëlcet zjarr i dashurisë më vret
në zemër të bie hija e gjallë me vjet
i vdekur ndjej sesi më qan e më kall`
Rizai e zgjoi nga prita vrasjen e vjetër
vrasësi i vogël i dashurisë së tretur
ti kot pret ta dëgjosh fyellin në jalli
veç në legjenda përmendesh fedorë
mua m`kanë harruar varrit bie borë
ajo që shihet s`është e njëjtë gjithnjë,
VI
Ajo që shihet s`është e njëjtë gjithnjë
etja është etje malli mall e zjarri zjarr
kot kërkon ta gjesh koha ç` ka marrë
e vetmja e njëjta ajo s.vjen përsëri.
Vragat ia kujton e lotët të pikin në sy
të dhemb e kot shpella e shpirtit bosh
e kaq kryeneç ndizesh kaq kodosh
veç hi i kujtimit e tregon zjarrin aty
nis gjakshkrimin pse zemra të thërret
s`ndalet rrota në asnjë mënyrë kaq vjet
e ngjet udhëtimi ja dhe ura ndërmjet.
Ka diçka magjike diçka mistike në hi
poezitë i mat me trok kohe në vetmi
pena xinë thyer pikë gjak e ilaç për ty.
VII
Pena xinë thyer pikë gjak ilaç për ty
e fusha me asfodela të shfaqet në natë
apo engjëlli të prek mes yjesh gjatë
e pret të vijë fajkoi zemrës në frëngji.
Me sy të hapur gjithnjë në Dumnicë
flokët gjatë m’i shpupuritë nëna hatë
ylli në frëngji shfaqet befas për fat
unë pi me vrull qumësht në Kalanicë.
Jeta s’është veç ç’shihet ka kthesa
kot qaj gjakshkrimit për ty e mua esa
ndër ecje pritje bërrylash e shtresa
ndoshta s’pajtohesh me kaq vonesa
rrëfim i dhembjes është ky gur i fjetur
ora e zallit rrjedh rinis kohën tjetër.
VIII
Ora e zallit rrjedh rinis kohën tjetër
a ka kohë të verbër gjysmë të etur
a ka dashuri të harxhuar hi të tretur
zjarr gjak të shuar kuptim i vjetër.
A do ta arrij të vdes për ty vallë
t`i ndaj përmes fushat me trëndafila
kroi rrëzë kodrës rrjedh me currila
e në mua ende zjarri për ty gjallë.
Befas shkruaj letër një ty një mua
shkrimit ti ende zbret për ujë në krua
me shtambë të shkruar me gjarpër
rrëzon kokë në ujë hije me drapër
e vetëtima më degëzon për fytyrë
vetmia çel vinjeta flakë në pasqyrë.
IX
Vetmia çel vinjeta flakë në pasqyrë
larg diku humbur dikush luan në shi
natyrisht zjarri nis e shuhet në vetmi
mbi kotësinë e ëndrrës jehon `i lirë.
E lexoj prapë e prapë letrën e vjetër
ndoshta kurrgjë s’kam lënë sekret
çdo fjalë çdo mendim egër më vret
gjaku degëzon kurmit etjes i fjetur
më rizgjon molla mbetur në parvaz
heq syzet fërkoj sytë mbushur maraz
të qartësoj nga vjen me lule në jalli.
S’vjen më zotIm te kasollja e drurit
s’ke faj ka ngelur veç pragu i gurit
era e sjell rreth ëndrrës mallin në hi.
X
Era e sjell rreth ëndrrës mallin në hi
gjithçka merre me mend në rrënjë fle
jallisë ka vjet i njëjti gjok vjen pa fre
Dumnicës gjithmonë bie i njëjtit shi
për jalli gjithnjë rrjedh i njëjti lumë
mendimit fluror ik kokës i ndrit plisi
hapësira me kaq lule me yll narcisi
tek uji plaku as zgjuar e as në gjumë.
Si ta kalojë lumin me varën e vjetër
ç’do të bëj me lakrën ujkun e dhinë
t’i bart një e një të ngelin të paprekur
qe ky prej zoti besimi më i vështirë
qe zgjidhja më e përkryer për lirinë
tjetër dritëz bie tjetër shi e tjetër lirë.
XI
Tjetër tis tymi bie tjetër shi e tjetër lirë
buzë uji hija yte mbush shportën mollë
përhihet kujtimit në këmishë të hollë
e zjarri i largët vjen e bie për pasqyrë.
Kaq vraga e rrudha lëvizin në fytyrë
tjetër udhë ec tjetër vetmi bie tjetër shi
s’je tashmë e çdo gjë ende është veç ti
zogu vjen detit e s’sjell asgjë të mirë.
A të ka arritur letra ime e fundit Fedorë
këtu tashmë pandërprerë bie dëborë
gjithnjë më përhihet kthimi i ushtarit
kujtoj vrasjet e fshatit e tufat e zjarrit
pres të shfaqesh e më dhemb në gji
metafora e pafundësisë gjithnjë ngel ti.
XII
Metafora e pafundësisë gjithnjë ngel ti
e nisur udhës në flakë etur mes pyllit
ndërmjet gurit të zotit zjarr në ujë e yllit
shfaqet dhe zogu mitik i zgjuar në hi.
E jeta përplaset kohës e shkruar stralli
ndërmjet dy gurësh të kullot buallica
e shtrirë të fle me ty në varre dumnica
të vij dhe unë aty i djegur prej malli.
Zbrazësia ka sy mungesa ka gojë s`flet
veshët s’dëgjojnë dot kot më thërret
ja pse jeta ka veç dy stacione nën borë
një ardhje e shkuarje lëvizje me dorë
veç një udhëtim veç një frymë të mujit
iluzion i flatrimit apo e valës së ujit.
XIII
Iluzion i flatrimit apo e valës së ujit
apo zjarr etje e trëndafilit e gjithnjë yll
shpirtit ndërsa zgjohet prapë në prill
e drita e kuqërremtë i takon gjithkujt.
Ti tashmë më kërkon ndërmjet hirit
gur i harruar frymës së rrezes në gjak
zgjim i liqenit të oso kukës në flakë
e s’më gjen dot në asnjë fryt të ullirit
e kalaja fle në tre mijë vjetët e valës
e shtrihem në pikën e gjakut të fjalës
e për breg të bunës del në shëti ora.
Ndoshta ka thyer mendje dhe Fedora
besimi vjen e më ik gjithnjë kunjit
art i zgjuar në unaza frymës së Mujit,
XIV
Art i zgjuar në unaza frymës së Mujit
vjen për zemër e çan etjen e ngrirë
tjetër udhë ec tjetër shi bie e tjetër lirë
e prapë nuk rrjedh te kroi pikë e ujit.
Paepur ik dhe vjen me plagë Arbërisë
të shpon për zemër vdekja e Toplicës
të rikthen në vetvete ëndrra e Konicës
me `i thes letra me gjak të dashurisë.
Ja vetëm me dhembje për ty unë vdes
veç i përgjakur ende te kroi të pres
në asnjë mënyrë tjetër kurrë s’të dua
kaq egër vetmia nga të shpon shtizë
në asnjë mënyrë të mos jepesh grua
zemra e ndarë shtatë copë në kornizë.
Magjistrali
Zemra e ndarë shtatë copë në kornizë
jeta mes dy stacionesh gjakut rrëshqet
a ka tjetër zjarr a e çara pasqyrës tret`
rrënja i jep dritë pemës e gjethi lëviz
i zgjidh nyjat e rizgjohet malli i vjetër
ajo që shihet s’është e njëjtë gjithnjë
pena xinë thyer pikë gjak e ilaç për ty
ora e zallit rrjedh e rinis kohën tjetër.
Vetmia riçel vinjeta flakës në pasqyrë
era e sjell rreth ëndrrës mallin në hi
tjetër udhë ec tjetër shi bie e tjetër lirë
metafora e pafundësisë gjithnjë ngel ti
iluzion i flatrimit apo e valës së ujit
art i zgjuar në unaza frymës së Mujit.