Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Një mësim pikture…

—–

Jo rrallë entusiazmohemi nga filmat që shohim. Është jeta në lëvizje ku aktorët, njerëzit e të gjitha kohrave, na flasin për dramat dhe ngazëllimet e tyre, për tragjeditë. Jeta humane në ekran në të gjitha dimensionet: peizazhe, portrete, fytyra në plan të parë ku ndryshe nga teatri, ekrani, kamera, na bën të shohim dhe shndritjen e një pike loti. Shto këtu drithërimën e trupit, aktrimin, plastikën e lëvizjes, drithërimën e shpirtit, vetë koreografinë e turmës njerëzore.

Mbrëmë pashë një film që më entusiazmoi. Një film i nisur nga një tablo. Vite më parë më kishte ndodhur që të frymëzohesha nga një tablo siç ishte “Origjina e botës”, (l’Origine du Monde”) e Gustave Courbet që të shkruaja një roman (“Camera obscura – Origjina e botës”). Por filmi i regjisorit polak Lech Majewski, nisur nga tabloja e Pieter Brueghel (l’Ancien – I Vjetri) me titullin “Mbajtja e Kryqit” (1564) ishte një mrekulli e veçantë, një mësim kinematografie, ku mjeshtri i imazhit ka ditur ti afrojë shumë kinemanë me pikturën, madje gati ti bëjë të padallueshme, pasi në momente kyçe ai e stopon kameran dhe përpara kemi një tablo, por kësaj rradhe me aktorë që interpretojnë në film. Një Brueghel (1525-1565) i jashtëzakonshëm, aq i afërt me temën fshatare, ritualet, danset, lypësit, të marrët, lojrat adoleshente dhe fytyrat që janë vetë gjurma më e dukshme e kohës, i të gjitha epokave. Ky film, me titullin “Mulliri dhe Kryqi”, frymëzuar nga Bibla dhe kryqëzimi i Jezusë, ka bashkuar tradicionin flamand me temën biblike, ku rreth mullirit dhe kishës ndërtohej dikur jeta siç ndërtohej dhe në Shqipëri në kohëra të tilla. Herë-herë harron se je në film dhe vetja të duket sikur je në një galeri gjigande dhe ti shëtit duke parë nga një tablo e Brueghel në tjetrën të këtij piktori të famshëm të Rilindjes flamande dhe që bashkë me Jerome Bosch mbeten dy nga mjeshtrit më të mëdhenj të të gjitha kohrave të botës flamande.

Ky film referencë është një mësim i duhur për regjisorët e rinj nëse një ditë do të ndërmerrnin të realizonin një film nisur nga një tablo apo jeta e piktorëve si Onufri, Selenicasi, Shpataraku, Zografët apo të piktorëve anonim të shekujve XV- XVII, etj, por kjo dhe për formën e përkryer në tërësi që duhet të ketë ekrani filmik me dekorin që na tregon imazhet e jetës reale dhe fytyrën njerëzore. A është e mundur që nga një tablo, nga një pikturë të ngacmohemi dhe të rikrijojmë jetën rreth saj, kohën kur është krijuar, duke hyrën në jetën njerëzore të imagjinuar dhe të interpretuar në dekoret e epokës? Një mulli, një kishë dhe jeta që vërtitet rreth tyre, dramat që përjetohen, dashuritë e gëzuara dhe të helmuara, dasmat, vdekjet, varret dhe përsëri lindjet. Një talent i ri duhet ta tentojë ndoshta këtë…