Albspirit

Media/News/Publishing

Berati dhe 31 apostujt e tij

1 apostoloi 3

Tridhjetë e një ese/

 AMFITEATRI ANTIK NË BERAT – SHENJTORI I PARË/

Ese nga Xhevair Lleshi/

Ka ardhur koha e shenjtorëve të rinj. Vendimi u mor pasi qyteti i pa dy të rinj tek putheshin sy të gjithëve, sidomos nën qerpikët e Mangalemit, te shkallët e teatrit skenik në Berat. Vendim as i bujshëm dhe as i vështirë. Me sa duket i paskej ardhur ora. Edhe mjetet teknike me orë pune e kanë jetën. Kështu ky vend i pjerrët që mbartte mbi shpinë shtëpinë e kulturës, teatrin dhe estradën tani do të kthehet në një vend të shenjtë dhe do të shëtisë nëpër qytetin e lashtë si apostull, madje kështu si shenjtor do të jetë edhe në sytë e mijëra turistëve. Aty do të ngrihet një teatër antik, i jashtëzakonshëm. Prishja është vendosur kurse ndërtimi jo. Nuk di nëse u ha buza kulaç qeverisësve për një sipërmarrje të tillë, por që kinezët, njerëz që ndërtimin e kanë si filigran, pse të mos e bëjnë dhe amfiteatrin derisa do bëjnë ishullin, që mua personalisht nuk më pëlqen. Punë e madhe pse s’më pëlqen mua, por ama t’i pëlqente qytetit të shumëndritur, pikërisht ashtu si e quante Onufri i madh, ikona e ikonabërësve, në motin e tij të shqarthit. Do të jetë koha e spektakleve të bujshëm dhe e reklamave me amfiteatro të mermertë. I pëlqen edhe Tomorit t’i japë një dorë sepse gurët e tij të veçantë që kanë marrë prej koha udhët e botës, e pse të mos i shërbejnë kësaj ngrehine? Po le të shohim amfiteatrin antik të ri, amfiteatrin modern më të ri! Ai të lejon të punohet nën tokë, të krijon mundësi të fantazosh për një akustikë të jashtëzakonshme, të bën me shpresë dhe imagjinatë të skajshme që trupa nga e gjithë bota të vijnë për të luajtur në skenën e tij. Balet, cirk, koncert, dramë, tragjedi, variete, gjithfarëlloj! Amfiteatri i ri antik i Beratit të lë të shijosh Mangalemin, perlën ballkanike dhe evropiane, mesdhetare dhe botërore, pjesë e lagjeve të mbrojtura nga UNESKO, në të gjithë fushëpamjen, por me shpresën se autobusët dhe makinat nuk do lejohen të kalojnë sipër tij! Më e mira fare do të ishte një tunel që fillon te Kazermat e Zogut dhe del te kryqëzimi i rrugëve te shtëpia e dr. Llukës, aty ku dikur lavanteria e vetme lante njerëzit dhe rrobat e konvikteve, ushtarë dhe policëve, por jo rrobat e kalecëve. Një tunel metro, që sjell e merr qytetin dhe udhëtarët, ashtu sikundër rrezaton kulturën e re të harmonizuar me aq bryllësi me të vjetrën. Ëndrra në diell, thotë dikush. Jo, po ëndrra me TAP ! Po ku ka më të fisme se sa këto ëndrra që kush i sheh edhe ka të drejtë të këndellet pas tyre dhe, vetëkuptohet, s’ka pse të mos ua tregojë të tjerëve. E pra, kjo «ëndërr» e bukur le të bëhet pronë e të gjithëve. E di që askujt nuk i ka shkuar mendja për amfiteatrin e ri antik, e di sepse unë të paktën ia kam ndier lëngatën qytetit të madh teksa priste një ditë të lumtur dhe ky shenjtor do ta bekojë në jetë të jetëve, sepse aty pranë tij do të fillojë (përsëri ëndrra e madhe) të ndërtohet edhe Pazari i Misrit dhe Pazari i Gjalpit, Sahati i Vjetër, Shatërvani, dyqanet e mrekullueshme mesjetare, duke prishur (po nuk u prish asgjë nuk ndreqet!) pallatet katër, pesë e gjashtë katëshe të socializmit, të cilat janë ngritur në themelet e pazarit të Mesjetës, që përshkruajnë udhëtarët e mëdhenj, madje edhe Eqrem Bej Vlora në shënimet e tij «Nga Berati në Tomor». Hotele, kuzhina autentike, uji i shatërvaneve, gëlimi i zërave në Pazar, hapja dhe mbyllja e tij, ndërtesat e ulëta që nuk pengojnë fushëpamjen e magjisë «Mangalem», me një fushëpamje dhe elegance të pakrahasueshme. Madje edhe nga ai ishulli i piratëve në mes të Osumit. Dhe meqë shkak për shembjen e shtëpisë së kulturës, të teatrit dhe të estradës u bë çifti që po puthej pa pikën e turpit sy Mangalemit dhe shikuesve, i bie detyrë skulptorit të madh Nezir Ago që si bëri «Flautisten» të ngrejë edhe «Çiftin e dashuruar». A e merrni dot me mend se ç’pamje e lakmueshme e joshëse i paraqitet Mangalemit që do zgjohet dhe do ngryset nën ndriçimin e magjishëm duke përkëdhelur me sy këtë çift dhe vetë teatrin antik më të ri në botë.

Do të tunden mendjet njerëzore. Nuk e shtie dot në hatër se si nuk ia besojmë «Evropës Krijuese» ndërtimin e këtij projekti të madhërishëm, për ta zëvendësuar «Kullën e Babilonit» të vjetër sa një kohë çyryke, me një teatër të këtij lloji, rrethuar me trëndafila që të përfundojnë te shtëpia e Pashait, domethënë te pinjollët e rinj, ndonëse përgjysmë janë Vrionas, me shpresë se nuk do kthehen në vende ku shiten hamburger, apo të tjetërsohen në restorante të klasit të parë. Nga pjesa e sipërme e këtij amfiteatri do të duket sheshi me trëndafila i shkollës së Mangalemit, ndërtesa jugosllave e 1946ës, të ngritur me brohorima çlirimtare, paçka se shkatërroi pamjen e lagjes më të bukur në botë, të një qyteti antik. Aty ku do të jetë një shenjtor i ri, Pazari i Antikave! Më e bukur do të ishte që aty të ngrihej Kuvendi i Telelkave, një zgjatim i mbylljes së këndit nga Porta e Pashait dhe vija tjetër e shkallëve që të çojnë në Mangalem, aty ku Toshi (Kastriot Dervishi), të cilit si piktor i madh, edhe pse jeton në Montreal, nuk i ndahet shpirti nga Berati i tij, me hotel «Osumin» që «vringëllon» armët. Osumi do të jetë i ujit pa ujë dhe i shëtitjeve me rroba të kuqe e blu. Cirku pa u mbajtur në qiell do të dalë në rrugë. Klounë do të jenë oligarkët me Koço e kompani, pa Vipa në krahë, plot këngëtarë (do të vijë edhe Virgjini Mile me Hyrie Saraçin, Kujtim Babunjën apo ata që nuk jetojnë, se në vendet e shenjta vijnë edhe shpirtrat e atyre që kanë bërë emër të madh, nga Shyqyri Fuga e dhjetëra të tjerë, pa munguar edhe Zihni Berati; prezantues, regjisorë (bashkë me ta edhe Sheri Mita i paharruar, sundimtarë të «liqenit» të Oumit i cili për fat të keq do ta fshijë nga faqja e dheut (betonit, apo edhe gurit të skalitur, – kjo s’ka rëndësi), ishullin e Piratëve, nën hijen e malit të Goricës!… Shkrim­tarë, po edhe shkrimtarë do të ketë, pasi ata do të recitojnë vetë vargjet e tyre apo fragmentet e prozës në platenë e skenës së amfiteatrit magjik, mbase do të pinë një gotë verë «Çobo» apo «Luani», një teke raki «Skrapari» të qerasur në ndonjë mejhane aty pranë. Dikush më thoshte me të qeshur se aty do të ketë edhe boks dhe do të ringjallin Bujar Orizajn, mësuesin tim të fizkulturës në shkollën unike, pale që do rriheshin edhe me grushte, do të këndojnë ushtarakë të dalë në pension të parakohshëm, por ama të merituar, sepse në kohën e Hoxhës krenoheshim të paktën me fuqinë ushtarake, sa për emër ndoshta dhe sa për të kruar veshin prej antenave sogjetare të «ushtrisë sonë sypatrembur», aty do të shtrojmë pecetat primitive prej guri për të ngrënë drekën apo darkën në rrasa guri ndanë pluhurit të trotuarit që heq zvarrë këmbët e njerëzve të trazuar me energji të dystuar. Aty, or miq, shiten libra të vjetër, se kanë mbetur edhe ca libra të vjetër sa të ketë librari Avdyl Pilafi, me shakaxhinjtë e dovletit që qëndrojnë pranë Kuvendit të Telelkave. Sheri Mita më thoshte shpesh se mungonte edhe një Kuvend tjetër, ai i Ngjelkave, por kjo kishte të bënte më tepër me komedinë e tij të luajtur te «Migjeni». Mos harroni se buzë trotuarit të atyshëm do të tregtohen brava të shkulura nga shtëpitë e vyera të Mangalemit, madje do të shiten edhe shtëpitë, se tavanet i ka njoftuar Roland Gjoza që janë shitur prej kohe, pastaj e kanë radhën llambat ma gaz e me vajguri, apo llambat me energji diellore, sepse rreth e qark amfiteatrit do të jetë edhe harku i madh me panele diellore (që rrahin nga jugu i lavdishëm, me sytë nga Bilça e Droboniku!), do të shiten lugë, pirunë, piktura të Sotir Capos dhe miniatura bronzi të Dhimitër Budës, do të shiten e do të blihen arturina që do t’i ketë zili edhe antikuari më i madh në Bosfor, sepse antikat kanë ardhur me shumicë që andej, por jo si ato që kanë ardhur si skarcitete të shkëlqyera kohëve të reja. Aty do të zërë dora edhe ungjilloret e lakmueshme, se përndryshe pse do të kthehej në një vend të shenjtë? Aty do të jenë edhe shumë ikona madhështore, imitime, vogëlima nga më interesantet, se jo më kot thuhet se nga ferra e vogël del lepuri i madh. Të mjerët gjahtarë: a do të vijnë dot në amfiteatër, sigurisht jo për të gjuajtur, se këto kohë jemi në moratorium. Le t’u zërë dora të paktën librat që ka lënë pas Aleksudhi, ungjilloret e panumërta, në kërkim të botës së humbur me emrin Atlantidë dhe Pellazgjí, për të cilat rënkojnë edhe kohët moderne, modemet e gurit në Tomor. Aty do të jetë e shkruar mbi mermer lutësorja e madhe: «Ati ynë që je në qiell, bukën e përditshme falna sot…» E duam edhe këtë, sepse ndonjë poet i ri do ta shënojë në ballë të kohës, megjithëse poetët e rinj janë mjaft të drejtpërdrejtë, si të krimbur nga metafora e hallit.

Amfiteatri antik do ta ketë skenën poshtë, aty ku është rrafshi i shkallëve dhe harqet e shkallëve do të vihen radhë-radhë si një hapësirë që e ka mik të vjetër teatrin, kinemanë, rënduar e tallur nga gjuha e helmët e brezit të ri të shkrimtarëve të mbetur përgjysmë, të cilët vërtet vuajtën të tmerruar, rritur me çerdhe dhe edukuar pa kopsht, që s’kanë ditur kurrë se kur do të ishte koha për të shkruar, se çfarë do t’u shtrohej për darke në shtëpi, sepse s’guxonin të shtroheshin për dreka në Shtëpinë e Bardhë, apo në sallat e humbura të turizmit që gëlonte nga gjuhëlëpirja e spiunëve të flamosur. S’dinin kurrfarë gjëje spiunët veç t’u tregonin eprorëve të ushtarakëzuar dhe të vjedhur nga mendimet e torturuara, ndërsa llupnin festën e çlirimit e të pavarësisë, sepse vdisnin për hiçmosgjë, aty edhe për bukën me marmelatë molle apo fiku! Amfiteatri i ri antik i Beratit tonë ka për të xhiruar dokumentarë të Roland Gjozës, të Artan Minarollit, duke zhvilluar të folur skenik nga Foto Vongli e Liri Lushi, duke mbajtur kokën në tavanin qiellor Sokol Progni, Ilir Pipiria dhe Ardian Cerga, duke heshtur me vështrim të ngulmuar Uljana Protopapa. Këngët kini për t’i dëgjuar vetë. Dhimitër Dushi nuk mban inat me këngët, kurse Kozmai endet derë më derë me këngët e tij të mrekullueshme në mënyrë që t’i bëjë pronë të kësaj skene. Aty do të jenë të pranishëm heronjtë mitologjikë dhe do t’u ketë humbur vula heronjve të kohës sonë. Se kohët de­heroike vdesin për të dëgjuar legjenda e mitologji. Kult i ri ky! Sidoqoftë koha për t’u falur është aq pranë…

Do të shërbehet kafe dhe pije freskuese tek hollet anësore të Amfiteatrit tonë të ri dhe njëherit antik? Pamja do të jetë në Mangalemin lindor, xhaminë e Beqarëve, bregu i Osumit dhe, ah, këto pemët e larta! Na pengojnë! Na pengojnë të shohim mrekullinë e syve! E pse të mos i «edukojmë» pemët? Domethënë pse të mos i torturojmë, është fjala, se do t’i bëjmë cungje dhe degët anësore do t’i qethin kare, shkurt, siç kishte qejf t’i quante kur qeshte dr.Ymer Dishnica dhe Vehxhi Buharaja, duke u endur për të mësuar fjalë të reja nga fjalorët e vjetër nga gjuhët më të shkelura prej historisë dhe xhahilët e rinj pse jo. Aty, aty do të recitohen vargjet e urta të Sulejman Naibit dhe lirikat e Nezim Frakullës. Aty do të kenë edhe shenjat e pëllëmbëve të duarve njerëzit e shquar të qytetit, ashtu si aktorët në shëtitoren e bukur pranë tapetit të kuq në Kanë… Pra edhe vetë Kana do të jetë aty, bashkë me vendet ku lidhen fjalët, nën vështrimin e ngrohtë të «Çiftit të dashuruar» të Agos, jo të Ago Ymerit, as të Jagos siç do t’i thërriste me të qeshurën e ngrohtë e të zezë Roland Trebicka i madh, Cekja ynë i hollë dhe fin, vargëzimi i përkryer i Balil Gjinit që e mbulon duke hashëruar kohën e shkurtër të fjalëve të prera, apo duke shtrënguar dhëmbët me kudhrën e fjalës Simos Vrusho. Atëherë, miqtë e mi, kemi përse krenohemi me këtë magji të re, me këtë vend të shenjtëruar, përplot ikona dhe shenjtorë. Kjo kohë ka ardhur. Lum ata që e shohin…

Pimë një kafe më pas, pak më lart, aty ku dikur zhurmëronte Shkolla e Mangalemit, aty ku lodhej e çlodhej prej fjalëve në një ballkon të madh, në Selamllëk, si të qe fuajeja qiellore e muzeut të hapur, e tmerruar nga Kuvendi i Qelqët i Telelkave, ndërtuar me gurët e moçëm të Apolonisë, sjellë me mallkim dhe psherëtima të ënjtura qerreve të pritura keq dhe po aq të malulta. E në çast do dëgjohet ekspresi, pa ngritje ulje ashensorësh, por sigurisht nën madhërinë e hapave njerëzorë. Se këtij Amfiteatri nuk do t’i mungojnë statujat e vjetra (jo, jo ato të Apolonisë!) por njerëzit e vërtetë, kameramanët e televizioneve, fotoreporterë, gazetarë, shkrimtarë (ah, të uruarit, nuk i përfytyroj dot pa Llazar Verën!), paparacë, vajza të talentuara për modë dhe danc, futbollistë të mëdhenj endur nëpër botë, nëpunës të deputetëve, sekretare, këshilltarë presidentësh dhe kryeministrash, që natyrisht do të paguhen patjetër mirë po edhe nën dorë gjithashtu, sekrete që do të enden guximshëm nga Tabia (tjetër vend i shenjtë ky!) duke numëruar njerëz që hipin e zbresin nga ashensori që ngjitej me ngut prej Shën Mëhillit të vetmuar dhe që zotëron shënimin në një kënd vërtet të shenjtëruar (dy të tjera vende të shenjta), pastaj do të tregonin për homazhet në varrin e Babë Dudës, në Akropol, në Portën e Madhe, ku mbër­rinin gjithnjë vajza të reja, të çuditshme, që habitërisht reklamonin trupin në mënyrën më të paturpshme artistike. Eh, sikur të mos reklamonin intimo, këpucë, bizhu, orë, lodhje trupore dhe virgjëri të humbur (diçka që buron nga prehistoria, sidomos për një amfiteatër!) ku do të zbresin aktorë (po, po aktorë, që ecin nën hijen e dekorit të Agron Polovinës, sindozot njëherë e një kohë në skenografinë e Yzedin Shelegut! Ata që kishin emigruar prej kohësh dhe ishin kthyer përfundimisht në qytetin e zhurmshëm (sapo qenë futur në Kuvendin e Telelkave!) do të endnin një spe­ktakël të madh si në mëndafsh, sepse aty do të kalonte gazsjellësi TAP, ndoshta në tunelin paralel me atë të makinave, që ishte dhënë ndërkaq në buzë të shtrëngatës ekonomike. Kjo do të qe dita e fundit e hallit, se ne kështu e kemi: i numërojmë vitet sipas hallit, urisë dhe etjes, sajojmë gjysmë dite, gjysmë nate, gjysmë hënë e gjysmë diell dhe se pjesa më e madhe do të marrë rrogën për këtë sajim të vyshkur, ashtu si dhe do të marrin çmimet e Kultit të kulteve. Çmimet për herë parë në histori do të jepen në Amfiteatrin Antik më të ri në botë… Edhe në botën e artit. Libri i anekdotave të policëve në socializëm afishohet si ikonë në murin anësor të fuajesë së Amfiteatrit. Mos harroni se Bylisi e ka amfiteatrin e Vjetër. Edhe Apolonia. Do të ketë konkurrencë. Jo, mos u trembni, pa konkurrencë, sepse ky do të jetë amfiteatër ku do të luhen pjesë antike dhe moderne, kurse andej do të ketë vetëm sy dhe psherëtima vizitorësh dhe ndonjë gjarpër sa për të ngrirë gjakun e të tremburve…

Amfiteatri i ri antik do të jetojë në qiell të hapur, por fantazia e arkitektëve thotë se e sotmja di ta mbyllë kur duhet, mjaft që panelet diellore të prodhojnë energjinë e duhur, ndërsa paretet anësore zhurmërojnë si melodi pikante ngritjeje panelesh vertikalë dhe nga toka do të burojnë urat qiellore për ta mënjanuar lagien prej shiut të papritur dhe nga agjentët e tjerë atmosferikë. O të bëhet o të mos bëhet fare! Njerëzit do të çmenden nga kënaqësia. Tek e fundit lek i fukarasë do të jetë, se vetëm ai hidhet në tregun e zullumit, aty sy e vesh do të jenë lajkatarët e regjimit për të marrë ndonjë kockë… Në qiell do të fluturojë fama e këtij Amfiteatri. Bluja qiellore është e hatashme edhe për aktorët e këngëtarët. Nën dritën e kësaj bluje do të rënkojnë yjet, hapat e njerëzve, hallet e tyre, dëshpërimi njerëzor, uturima e lumit, gëzimi i bërë çakërrqejf pasi merr vesh se kinezët do të rivinin në punë kombinatin e tekstileve me mëndafsh! Mos more! Por rruga e mëndafshit nuk kalonte këtej. TAPi po, ai do të kalojë dhe bashkia do të përfitojë prej tij për të ndërtuar dy tunelet; një nën qafën e kalasë dhe tjetri nën Goricë. Dhe shëtitorja e qytetit muze do të formojë katrorin midis ishullit të Piratëve, dy urave (pasi edhe kjo tjetra të kthehej në një urë të dytë Gorice jo vetëm në shërbim të Ajkës dhe të dashnorëve që gjenin prehje në Parkun Natyror të Pishave (dikur, njëherë e një kohë të lisave që sulltani i preu me berat të veçantë për të ringritur katet e dyta të shtëpive prej guri tashmë me çatma, pas tërmetit të vitit famëkeq 1859 ! Edhe ndonjë shpendi që gjuhet, patjetër. Është fjala për shpendë të egër, bio, jo ata të rritur Brenda Natës, me OMGJ. Qorrsokaku i kohëve endet mbi amfiteatrin e ri…

Një hije rrëqethëse është mbërthyer në dysheme dhe në katakombet e amfiteatrit. Mund të presësh me orë të tëra për të parë bustet e aktorëve të mëdhenj: Sejfulla Myftari, Novruz Haznedari, Hysen Duro, Moisi Baballëku, Xheni Kadëna, Pavlina Roço, Ylli Mestani, Pranvera Veizi… Doni më të tjerë? Po mirë merrni edhe kompozitorë nga Sotir Konçi te Valentin Veizi. Ka pasur dhe do të ketë kalimtarë, patjetër. Por vlera është tek e qeshura. Mund të rrish aty me orë të tëra dhe katakombet e amfiteatrit nuk kanë të mbaruar. Shkrimtarë të vrenjtur, dramaturgë të lodhur nga epshi, kryqëzime duarsh si rrjetë merimangash, vesë përmbi trëndafila dhe pranë vargjeve Hysni Milloshi, Agim Mehqemeja duke mbledhur vargjet e këngëve popullore beratase, Ajet Nallbani, si të ketë ngritur një Atelje të re mbledh dokumentarë ditarësh historikë, etimologji dhe histori datash pa fund, duke ndenjur nën hijen e fjalëve dhe të dokumenteve, shumë të tjerë zbrazin thesarë kulture mbi internet dhe fb dhe gjuajnë shtriga e shtriganë paralajmërues fatkeqësish, plot e përplot fytyra të vrenjtura, hallexhinj të zemëruar, të pakënaqur të rastit, të dehur irrituar keq, gazmorë të paepur sikur t’ia kishin hedhur rastit të paraqitur. Të gjithë janë dhe bëhen operatorë, duke dihatur katakombeve që ngjan se po zbresin nga Kalaja për të mbushur ujë në Osum, nëpër kanalin e mbuluar, që shpejt mund të bëhet labirint elektrik për t’u ngjitur si vetëtimë në burgun e Kalasë, nën kafazin me hekura që zënë frymën e qiellit, por që me shkallë të ildisura rrethore të nxjerrin në sheshin e vendin ku ka fjetur për një kohë të gjatë në një gjumë të madh eshtëror Babë Duda i madh. Ti, vizitor, apo hallexhi, fshin ballin nga kënaqësia e çoroditur, sigurisht me shami të bardhë si bora. Dhe e qeshura të përfshin nga malli për të parë sa më shpejt Akropolin, tjetër vend i shenjtë, sternat, dyqanet dhe sheshin e mbushur me bar e guriçka: vend për të lozur si të vjetrit e dikurshëm që do të jenë edhe të ardhshmit e përndritur. Vend i shenjtë edhe «treni elektrik» i kanalit që zbret në Osum. Më kot zbulon dashurinë e humbur: të kanë parë prej kohe të gjithë!

Amfiteatri i ri antik i Beratit, ngritur në rrënojat e shtëpisë së kulturës, teatrit dhe estradës, mban në dorë një shkresë ku duhet vetëm një firmë. Ka afër arkitektë-këshilltarë që e kuptojnë hijen e shkathtësisë së artit dhe të fjalës, të mendimit dhe të lutjes për të shenjtëruar një vend të ri. Po edhe kryeministër me profesion artist ka. Po ndërkaq është vënë në rrugë qiellore dhe prej kësaj mund të acarohet e gjithë bota. Ç’bëhet, more, aman! Nuk jam unë që e prish ishullin e Piratëve, përkundrazi unë buroj nga nëndheu dhe sytë i kam në qiell, por do t’ju kërkoja me zell të tepruar: mos e humbni kot këtë vend! Dhe mos harroni: lulishtja do vetëm pemë dekorative, vepra arti, trëndafila, shumë lule, lule pa fund që asgjë të mos e pengojë të shijuarit e Mangalemit, perlë që humbet edhe për mua, për amfiteatrin pra! Vdes për këtë spektakël, që përditë të lë një kumt, një pranverë që ikën e një që vjen, që t’i përndrit dritaret e panumërta dhe muret e Kalasë me të qeshurën dhe këngën, duke e bërë të besueshme jetën, të ardhmen, spektaklet që të jehojnë më fort. Aty do të na bëjnë për të qe­shur e për të qarë, aty do të tronditet me shakullimë ndoshta edhe banaliteti që sikur na ka birë në gjak…

Mirëmbrëma qytetarë! Mendoj se bëra mirë që erdha!

Ky zë i lartë shfaqet si shenjtor dhe apostull. Një mrekulli. Ai që e bën nuk vdes kurrë…

 

 

Please follow and like us: