Albspirit

Media/News/Publishing

Tarifa e manisë së madhështisë

 

 

Sadik Bejko

Po i filloj këto radhë me dy citate të B. Russell, sjellë nga Fatos Tarifa në shkrimin e datës 14 prill:  “Ndoshta njerëzimi ka arritur sot në kufijtë e një epoke të artë dhe, nëse është kështu, do të jetë e domosdoshme që, së pari, të heqim qafe dragoin që ruan portën, dhe ky dragua është feja”.

“Unë e them fare hapur se feja e krishterë, e organizuar në kishat e saj, ka qenë dhe mbetet armiku kryesor i progresit moral të njerëzimit.”

Janë irrituese këto citime në shkrimin polemizues të Tarifës me Redi Shehun dhe me Daut Gumenin. Madje citime të tilla tingëllojnë ndjellakeqe në një vend ku bateritë e sulmeve ndaj kishave dhe klerikëve nuk kanë qenë vetëm propagandistike. Në ditët kur sapo u lajmërua zyrtarisht nga Papa Françesku martirizimi i klerikëve dhe i civilëve vetëm se e donin kishën, vetëm se mbronin besimin e tyre, kjo mënyrë të menduari e Tarifës është tronditëse. Martirizimi i njerëzve ende nuk është shpëlarë nga gjaku dhe nga balta që u hodhën mbi ta për 50 vjet.

Jashtë emocioneve e përballjes direkte, pa referenca, pa citime, pa ia përmendur emrin Tarifës, bëra një shkrim ku shtjelloja argumentet e mia të kundërta me pikëpamjet e “armiqve” të fesë. Ishte një debat i shpallur me pro dhe kundër fesë në shkolla.

Shkrimit tim Tarifa iu përgjigj me etiketime fyese e përçmuese personale, duke e shndërruar substancën e sqimën e debatit të shkencëtarit në karikaturime tabloidësh e fejtonesh.

Për interesin e publikut, e lashë mënjanë anën etike, lëndimin personal, dhe iu përgjigja atij racionalisht me një shkrim të datës 29 prill në ‘DITA’. Prapë Tarifa kundërpërgjigjet me një shkrim me gjashtë kolona në gazetë, ku argumentet errësoheshin nga fyerjet e shfrimet e urrejtjes.

Me kë të merren tani me njeriun Tarifa, a me shkencëtarin Fatos Tarifa? Me cilin? Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë?

Shkencëtari Fatos Tarifa, përmbytur nga emocione negative, nga helme, harron të komunikojë logjikisht, zbrazet vetëm emocionalisht. Natyrisht gazeta nuk ka pse të shërbejë si një sahan, a si një poçe ku Fatos Tarifa vjell vreret e tij. Por kjo është punë tjetër. Degradimi në një shkallë të tillë të ulët i debatit, bëhet nga ata që e quajnë veten shkencëtarë të mëdhenj, të shumëditur, me shumë libra, të shumëshkolluar etj.

Do të ishte mirë që vetëmburrjet të liheshin anash, t’i mburrte dikush tjetër që ua ka lexuar librat, t’u referohej dikush tjetër. Personat që vetëlavdërohen, njëherësh dhe etiketojnë, përçmojnë, përulin personalisht atë me të cilin replikojnë. Është metodë e njohur. Merresh me personin, jo me argumentet e tij.

Me shkencëtarin Tarifa nuk merrem. Nuk dika të komunikojë me të tjerët. Madje as me vetveten. Harron ç’ka thënë. Në njërin nga ato citatet që i kam vënë në krye të këtij shkrimi thuhet se “kisha është armike e progresit”, por në shkrimin e fundit të datës 30 prill ai mohon ta ketë shkruar.

Dr. Xhonson thotë: “Pastroje mendjen nga klishetë”. Këtë i kam sugjeruar Fatosit. Në të mirë të debatit.

Emersoni thotë: “Studiuesi është qiriu që do të ndizet përherë nga dashuria dhe dëshirat e njerëzimit”. Në se nuk ke dashuri e fisnikëri si studiues do të shkruash për të na thënë sa i ditur je, njëherësh sa përçmues e përjashtues i helmuar je ndaj atyre që nuk ua pëlqen argumentet.

Këto simptoma të çojnë te mania e madhështisë, sindromë që sipas mjekut shkrimtar, Anton Çehov, prekte inteligjencën e universiteteve. Te tregimi “Murgu i zi” profesorit çehovian i shfaqej fantazma e murgut dhe i thoshte: sa i madh je, sa i lavdishëm je, sa i hyjnueshëm je.

Ky është një komunikim narcist, komunikim fantazmash. Dmth t’i flasësh alteregos, fantazmës, hijes së vetes, unit… t’i thuash: oh, ti më i miri, ti, më i mençuri, ti, i madhërishmi i hijeve përmbi dhe.

Kështu ndodh me ca profesorë që janë plot me veteveten, që pak si shumë u pëlqen vetja, nga që nuk i lexon tjetërkush, nuk u referohet askush, as ish – të dashurat… studentët. As kolegët.

Please follow and like us: