Mexhid Mehmeti, shkrimtar, pedagog e publicist, muajin e kaluar u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, me titullin “Naim Frashëri”.
Në motivacionin e dekoratës thuhet: “Në vlerësim të figurës së tij të shquar si një mësimdhënës, poet, prozator e gazetar që, me personalitetin e veprën e tij, ka frymëzuar e frymëzon brezat e rinj jo vetëm në Luginën e Preshevës, por edhe në mbarë trojet shqiptare”.
Në një intervistë rasti për gazetën “Illyria”, z. Mehmeti e konsideron si një nder të veçantë akordimin e titullit me emrin e poetit tonë kombëtar dhe si një vlerësim për punën e tij 50-vjeçare në fushë të letërsisë, të arsimit e të kulturës, në Luginë të Preshevës dhe në Kosovë.
Illyria: – Para ca kohësh, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, jua akordoi Titullin “Naim Frashëri”. Cili është motivacioni i kësaj dekorate?
Mehmeti: – Vitin që shkoi shënova 50-vjetorin e krijimtarisë sime letrare, sepse pikërisht 50 vjet më parë, pra më 1965, botova poezinë e parë dhe që atëherë e deri tash për 50 vjet me radhë isha i pranishëm me shkrimet e mia nëpër shumicën e revistave e gazetave që dilnin e dalin në gjuhën shqipe në Kosovë, në Shqipëri e në trevat e tjera të banuara me shqiptarë. Kam botuar edhe në ca revista në gjuhë të tjera në Sarajevë, Podgoricë, Amerikë etj. Deri tash kam botuar rreth 40 vepra të zhanreve e gjinive të ndryshme për të rritur e për fëmijë. Jam prezantuar në disa antologji, almanahe, tekste shkollore, leksikone etj. në shqip e gjuhë të tjera dhe kam të botuara libra me poezi në boshnjakisht, anglisht, rumanisht, italisht, frëngjisht e kinezisht.
Mendoj se ky është motivacioni i dekorimit tim nga presidenti Bujar Nishani me Titullin “Naim Frashëri” të cilit i jam mirënjohës për jetë, sepse Titulli me emrin e kolosit të letrave shqipe, më të madhit poet kombëtar që e kemi, më jep nder e më bën të lumtur. Ky titull, në njëfarë mënyre është meritë e punës sime 50-vjeçare në fushën e krijimtarisë letrare, po edhe në atë arsimore, publicistike e kombëtare. Është kurorëzim i përpjekjeve të mia për të arritur majat.
Ndaj, këtë titull kaq me vlerë e konsideroj jo vetëm meritë të punës sime, por edhe të sakrificës së shkrimtarëve e intelektualëve të Republikës së Kosovës, të Kosovës Lindore (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë). Ndjehem shumë i nderuar edhe për shkakun se ky titull më jepet nga Presidenti i shtetit amë, që për ne shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë londineze ka qenë ëndërr dhe dëshirë e përhershme, ashtu siç ka qenë dhe është ëndrra e të gjithë shqiptarëve për një Shqipëri të bashkuar në trojet e tyre etnike.
Illyria: – Çka do të thotë për ju kjo dekoratë?
Mehmeti: – Megjithëse deri tash kam marrë ca mirënjohje e shpërblime për vepra të caktuara e për punën time krijuese, në mesin e të cilave spikasin çmime tepër të rëndësishme, dekorata që më akordoi Ekselenca e tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani, është më e rëndësishmja për mua dhe do të thotë shumë. Ndaj edhe falënderimi im për këtë titull është shumë i madh dhe kuptimplotë.
Illyria: – Ju jeni dekoruar për veprën tuaj letrare, publicistike dhe për kontributin tuaj në fushën e arsimit. Si i vështroni këto veprimtari tuajat nga distanca e sotme kohore?
Mehmeti: – Në të tri këto fusha që i përmendët është i rëndësishëm kontributi i intelektualëve. Në këtë kontekst, për aq sa më kanë lejuar mundësitë, mendoj se e kam dhënë kontributin tim modest. Dihet, puna në arsim e në publicistikë është bërë me pagesë, për të siguruar ekzistencën fizike, personale e familjare, kurse puna në fushën e letërsisë është bërë vullnetarisht, pa përfitime materiale. Mirëpo, në të dy rastet, angazhimi im ka qenë i sinqertë e i ndershëm, ashtu siç i takon të jetë një intelektua me ndjenja atdhetarie.
Illyria: – Dekorimi juaj u bë me propozime nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe nga Amerika. Çfarë kuptimi kanë për ju këto propozime?
Mehmeti: – Saktë, dekorimi im nga Presidenti Nishani është bërë me propozimin Vehbi Bajramit, botues i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” që del në New York, të cilit më vonë iu bashkangjitën edhe Shoqata e Shkrimtarëve “Naim Frashëri” e Fushë – Kosovës, ku aktualisht jetoj e veproj dhe ku vitin e kaluar Asambleja Komunale më shpalli Qytetar Nderi, pastaj Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Luginë të Preshevës si dhe Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” në Preshevë, ku e kam dhënë kontributin tim gjatë kohës sa jetoja në Preshevë.
Të gjitha këto propozime për mua kanë kuptim shumë domethënës, sepse në to vlerësohet puna ime shumëvjeçare. si në fushën e letërsisë, ashtu edhe në atë arsimore e publicistike, përfshirë këtu edhe aktivitetet dhe kontributin tim në këto shoqata. Duke u bazuar në këto vlerësime edhe Presidenti Nishani më jep Titullin “Naim Frashëri” me dekretin numër 9519 të datës 18.04.2016, me arsyetimin: “Në vlerësim të figurës së tij të shquar si një mësimdhënës, poet, prozator e gazetar që, me personalitetin e veprën e tij, ka frymëzuar e frymëzon brezat e rinj jo vetëm në Luginën e Preshevës, por edhe në mbarë trojet shqiptare”.
Ndaj, unë i jam mirënjohës si presidentit Bujar Nishani që më akordoi këtë titull, ashtu edhe propozuesve që i përmenda më lartë.
Illyria: – Vitin e kaluar jeni nderuar me çmimin “Ymer Elshani” të manifestimit “Karvani Poetik i Fëmijëve”. Duket se ky çmim ju ka inkurajuar dhe më shumë. Cili është prodhimi juaj gjatë këtij viti?
Mehmeti: – Keni të drejtë, megjithëse vite më parë Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës më pati nderuar me çmimin “Hivzi Sulejmani” për romanin “Shtatë ditë pas vdekjes” që jepet për veprën më të mirë të vitit në prozë, vitin e kaluar u nderova edhe me çmimin “Ymer Elshani” që e ndanë Karvani Poetik i Fëmijëve “Agim Deva”. Ky çmim mu dha për romanin tim të parë për fëmijë, pra për romanion trevëllimësh “Çamarrokët”. Është e vërtetë se jam inkurajuar me këtë çmim, sepse vonë kam filluar të shkruaj edhe vepra për fëmijë. Nuk e dij arësyen, por deri në moshën 60 – vjeçare kam pasur të botuar vetëm një poemë për fëmijë që e pata titulluar “Pallati me yje”.
Ndërkaq, sa i përket rezultateve të vitit që shkoi, mendoj se ishte mjaft i begatshëm sepse botova shtatë vepra të gjinive të ndryshme që kapin gjithësejt 1.220 faqe libri. Pra, veç romanit trevëllimësh për fëmijë “Çamarrokët”, botova një vëllim me vështrime që e titullova “Vlerësime veprash e autorësh” si dhe trilogjinë “Zhumhurimë” (dy vëllime me poezi dhe një me proza poetike), me të cilën shënova 50-vjetorin e krijimtarisë sime letrare.
Illyria: – Cilët janë preokupimet Tuaja letrare aktualisht?
Mehmeti: – Rëndom krijuesit nuk flasin me dëshirë për preokupimet e tyre aktuale. Nuk i di arsyet e krijuesve të tjerë, por për mua kjo nuk qëndron. T’ua them të vërtetën, mezi pres t’ua kumtoj lajmin se posa kam përfunduar së shkruari një roman shtatë vëllimësh për fëmijë, të cilin e kam titulluar “Ecejaket e Hero Lindit”. Romani ndahet në shtatë libra dhe secili prej tyre paraqet një botë më vete. Pra, heroi i romanit, Hero Lindi, gjezdis nëpër shtatë botë të ndryshme dhe përjeton peripeci e avantura nga më të ndryshmet, të cilat kujtoj që do të jenë interesante dhe do t’u pëlqejnë jo vetëm lexuesve të vegjël, por edhe të tjerëve. Është një roman voluminoz që kap më shumë se 1.000 faqe dhe ndjehem i lumtur që arrita ta përfundoj me sukses. Aq më tepër kur jam i vetëdijshëm se në letërsinë shqipe deri tash nuk është botuar ndonjë roman kaq i vëllimshëm.
Tash e tutje, fati i këtij romani nuk varet më nga unë, por nga botuesit dhe donatorët, të cilët shpresoj nuk do të hezitojnë ta japin ndihmën e tyre që vepra të shohë dritën e botimit.
Illyria: – Cili është vlerësimi juaj për letërsinë shqipe sot?
Mehmeti: – Vlerësimi im për letërsinë sot? Ah, është vështirë të jepet gjykimi dhe përgjigja e drejtë në këtë pyetje. Kjo, jo vetëm për shkak se është e pamundur të përcillet krejt ajo që botohet në këtë katrahurë krijuese, por edhe nga shija specifike e çdo lexuesi. Është fakt se në Shqipëri e Kosovë, por edhe në trevat e tjera ku jetojnë shqiptarët si dhe në diasporë kanë vërshuar botimet e llojeve të ndryshme, ku botohet gjithçka e vlefshme dhe e pavlerë. Mirëpo, megjithëse si sasi dominojnë antivlerat, kujtoj që ka edhe autorë dhe vepra cilësore që herdokur do të mbeten vlera të mirëfillta e që do të shënojnë periudhën kohore të cilën po e jetojmë.
Kemi bërë pak në integrimin tonë kulturor dhe kjo ka të bëjë edhe me letërsinë, ndërkaq për këtë më së paku janë fajtorë shkrimtarët! Shkaqet i njohim të gjithë, ndaj edhe nuk do të zgjatem shumë në përgjigjen e kësaj pyetjeje.
Intervistoi: Ramadan Muçolli, “Illyria”, New York