Kur kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, deklaronte në Akademinë e Shkencave së Republikës së Shqipërisë se aradhës së “idiotëve të dobishëm” të politikanëve shqiptarë, që i shërbenin gjoja në mënyre naive orekseve dhe sulmeve fqinje, po i shtoheshin zërat që i shërbenin djallëzisht fshehjes së të vërtetës çame dhe amnistimit të vrasjeve shtetërore, askush nuk e mendonte që disa “idiotë të tjerë të dobishëm”, pothuajse anonimë për publikun përveç një ish-eksponenti të rinisë komuniste shqiptare dikur, do ndërmerrnin e do tentonin të krijonin një situatë groteske me një çështje që bart brenda vetes tradhëtinë, tragjedinë, masakrën, deportimin, vjedhjen, vrasjen e dhunimin e që për pasojë veç groteske e qesharake brenda vetes nuk ka.

Por stuhia në një gotë uji që disa personazhe të njohura fort mirë nga shërbimet sekrete fqinje mbollën në fundjavë, nuk di pse u duk si frymëzimi i ditës nga disa portale që transferuan padashje pamjet imagjinare nga lavdia historike e kombit në “shpalljen e pavarësisë së Çamërisë” në restorante me paçe e pilaf dite.

Tash, personalisht nuk do lodhesha të shkruaja asnjë gisht letër për to. Gjithmonë do gjenden aventurierë a shërbëtorë a “idiotë të dobishëm” që tentojnë të nëpërkëmbin e të godasin një çështje që sot është agjendën zyrtare të Tiranës, Brukselit, por edhe të Athinës. Por ne kemi një detyrim ndaj të gjithë shqiptarëve të Shqipërisë, Çamërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e Preshevës, të cilët mezi presin të shohin të vetmen kauzë kombëtare që nuk ka evoluar përgjatë viteve e që ende nuk po zgjidhet përfundimisht, tek të cilët skenare të tilla të dalldisura mund të krijojnë konfuzion.

Së pari, çështja e shqiptarëve të Çamërisë që janë vrarë, masakruar e dëbuar nga trojet e tyre është një masakër mbi të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerzor. Si e tillë ajo do trajtohet institucionalisht nga shteti shqiptar, institucionet e tjera të tij dhe qeveria greke. Rruga e vetme e zgjidhjes do jetë ajo politike dhe kjo zgjidhje do kalojë medoemos nga Brukseli dhe Uashingtoni. Kriteret që do pranohen do jenë respektimi i të drejtave të njeriut, konventave ndërkombëtare dhe parimi i reciprocitetit. Kjo është e vetmja rrugë.

Së dyti, aksioni politik që do kërkojë zbardhjen e kësaj masakre dhe rrethanat e fajësitë e shteteve të përfshira nuk do ndalet kurrë, megjithë fantazitë që shërbimet sekrete mund të jetësojnë për të ngadalësuar zbardhjen e së vërtetës. Nesër fillon procedura zyrtare për krijimin e komisionit të posaçëm të Parlamentit të Shqipërisë për krijimin e dosjes parlamentare me faktet e zbardhura nga kjo masakër mbi shqiptarët e Çamërisë.

Së treti, mirëpritet kontributi i çdo kolegu dhe shqiptari që ka në zemër zgjidhjen e Çështjes Kombëtare, të shqiptarëve të ndarë sot në 5 shtete,  ku padyshin Çështja Çame është prioritare. PDIU është krijuar dhe po rritet si partia e 7 milionë shqiptarëve dhe cilido problem i tyre është një çështje për t’u përkrahur dhe zgjidhur. Dëshirojmë një shtet shqiptar të fuqishëm e të zhvilluar, ku bashkimi kombëtar është realiteti i së nesërmes, për të cilin duhet të punojmë realisht e çdo ditë, e jo tollovia e aventurierëve e politikanëve që e shkëmbejnë atdheun për një grusht vota. Kjo është diviza jonë morale. Përtej kësaj nuk ka as pranim e as bashkëpunim. Kujt i duket cilido fqinj më i mirë se shqiptari i Ulqinit, Preshevës, Prishtinës, Filatit e Gostivarit, është përballë me ne dhe frymën që duam të rrisim e të zhvillojmë në këtë vend.

Më në fund po ju ripërsëris një frazë të njohur për ata që nisin një rrugë të vështirë: “Në fillim do ju injorojnë, pastaj do ju qeshin, më pas do ju godasin, e më në fund ju do fitoni”. Po na godasin? Shumë mirë, jemi drejt finishit. Palaçot nuk e ndërpresin dot rrugën drejt fitores.