Albspirit

Media/News/Publishing

Clinton kundër Trump: Bota në pritje…

 

Sot amerikanët do të përballen mbase me zgjedhjen më të vështirë të të gjitha kohërave. Dy kandidatët aspak popullorë janë vënë në garë se kush do të ulë më shumë figurën e tjetrit, duke sjellë dhe një ndryshim në mënyrën e zhvillimit të fushatave në Amerikë. Nën zhurmën e skandaleve dhe debateve të forta për çështjet tepër të nxehta si marrëdhëniet me jashtë, taksimi, mbrojtja e kufijve dhe emigracioni, amerikanët do të duhet të zgjedhin të keqen më të vogël nga të dy. Midis Trump-it të papërmbajtshëm dhe znj. Clinton më finoke, sondazhet tregojnë për një avantazh të kësaj të fundit, ndonëse të ngushtuar ditët e fundit, pas nisjes së hetimeve nga FBI për email-et e znj.Clinton.
Donald Trump dhe Hillary Clinton i kanë paraqitur tashmë vizionet e tyre ekonomike dhe nuk është e çuditshme që ato janë të ndryshme. Z. Trump fokusohet në uljen e taksave, eliminimin e rregulloreve dhe dhënien fund të marrëveshjeve tregtare. Znj Clinton, nga ana tjetër, do të rrisë taksat për të pasurit, do të rrisë shpenzimet për trajnime dhe do të ulë taksat për kompanitë që punësojnë më shumë amerikanë.
Cilido që do të fitojë, do të ketë një detyrë shumë të vështirë përpara, të çojë përpara një Amerikë të lodhur nga kriza financiare, dhe të merret me një mjedis ndërkombëtar, që sa vjen e po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm. Presidentit të ri do t’i duhet të udhëheqë një vend të ndarë thellësisht politikisht, gjeografikisht, si dhe nga ana sociale dhe strukturore. Madje dhe fitorja e Clinton nuk pritet të jetë një recetë për qetësinë.

Çfarë do të ndodhë nëse fiton Hillary

Hillary Clinton dhe Donald Trump kanë plane ekonomike shumë të ndryshme dhe është e sigurt mund të mos jemi dakord me asnjë prej tyre. Dilema e vërtetë nuk ka të bëjë me përmbajtjen e këtyre planeve, por me realizimin e tyre pas zhvillimit të zgjedhjeve më 8 nëntor.
Kjo do të varet, sigurisht, në atë çfarë do të ndodhë në Kongres. Sondazhet dhe bastet tashmë parashikojnë se votuesit do të zgjedhin kandidaten demokrate, Hillary Clinton, si presidente në ditën e zgjedhjeve.
Shanset që demokratët të fitojnë Senatin nga republikanët janë 50 me 50 duke lëvizur me shumë pak në favorin e tyre, por shansi që demokratët të marrin Shtëpinë janë rreth 20%. Kështu që republikanët do të kenë gjasa që të kontrollojnë të paktën njërën nga dhomat e Kongresit për dy vitet e ardhshme, që do të thotë qeveri e ndarë sikurse kemi parë këto gjashtë vjet.
Clinton favorizon politika të cilat janë të ngjashme me ato të presidentit Obama, i cili ka luftuar për të marrë ndonjë gjë kuptimplotë nga Kongresi që nga 2011, vit në të cilën republikanët morën kontrollin e Shtëpisë. Kështu që Clinton mund të ndeshet me të njëjtin bllokim. Por, disa prej gjërave do të jenë ndryshe gjatë presidencës së saj. Së pari, Clinton konsiderohet një negociuese më e mirë se Obama, dhe më e hapur për të bashkëpunuar me republikanët. Së dyti, republikanët mund të braktisin strategjinë penguese të viteve të fundit dhe të vendosin se është koha për t’u treguar votuesve se mund të bëjnë diçka.
Nëse kjo do të jetë çështja, disa copëza të legjislacionit do të kalojnë në Kongres. Ja çfarë do të shikoni:

Reformën e taksimit të korporatave. Clinton ka qenë gojëkyçur në lidhje më këtë çështje, edhe pse demokratë dhe republikanë gjerësisht thonë se norma e taksimit të korporatave, në 35%, është shumë e lartë, por është 10 deri 20% më e ulët se në shumë vende të tjera të zhvilluara. Ky hendek është arsyeja kryesore pse shumëkombëshet amerikane mbajnë rreth 2 trilionë të ardhura jashtë, para të cilat do të ndihmonin ekonominë amerikane.
Një marrëveshje mbi reformën e taksimit të korporatave do të ulte normën e taksimit, do të mbyllte hapësirat që përdorin disa kompani për të shmangur pagesat e tyre, si dhe të ofrojë disa lloje taksash për të nxitur shumëkombëshet që të sjellin fitimet e tyre në vend, për t’u taksuar me një normë të ulët prej 15%. Provizionimi i interesave të mbartur lejon disa firma investimi që të deklarojnë fitimet si shtim në kapital dhe është subjekt i një norme më të ulët taksimi se sa të ardhurat e zakonshme, të cilin demokratët e urrejnë, ndërsa republikanët e gjejnë të vështirë për ta mbrojtur. Një marrëveshje mbi reformën e taksimit mund të përfshijë kufizime të reja në blerjet dhe shkrirjet e korporatave amerikane me kompani të huaja me qëllim uljen e taksave.

Rritje të pagës minimale. Paga minimale, tani është 7.25$/orë, nuk është rritur që nga 2009. Clinton favorizon një pagë minimale prej 12$/orë, që duket se nuk ka gjasa. Një rritje deri në 9% mund të ndodhë, sidomos nëse ekonomia vazhdon të forcohet, duke kufizuar goditjen që mund të ndiejë biznesi nëse do të detyrohen që ta paguajnë. Në ndihmë të kësaj është fakti se disa shtete tashmë kanë një pagë minimum më të lartë se e niveli federal, që do të thotë se nuk do të preken nga kjo rritje.

Reformën e emigracionit. Kongresi pothuajse ka kaluar ligje gjithëpërfshirëse mbi emigracionin në 2014, por disa prej republikanëve i kanë bllokuar. Nëse republikanët bëjnë figurë edhe më të keqe tek hispanikët, do të jetë një alarm për të bërë diçka më produktive në emigracion. Fillimisht duhen mënyra të reja për të siguruar kufirin në jug, më pas duhet të vendoset një rrugë ligjore për të pajisur me dokumente rreth 11 milionë emigrantë dhe në fund të krijojnë shtigje të reja për të huajt që mund të japin një kontribut në ekonominë amerikane (si p.sh. emigrantët, sipërmarrësit apo emigrantët e arsimuar).
Emigracioni është një çështje e rëndësishme ekonomike sepse plakja e fuqisë punëtore amerikane do të thotë se rritja në ofertë në tregun e punës do të zvogëlohet. Kjo, gjithmonë shoqërohet me ngadalësim të ekonomisë. Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për punëtorë të rinj për të ndihmuar në pagesën e kontributeve të siguracioneve shoqërore dhe shëndetësore.

Harrojeni Brexit – çfarë do t’i ndodhë ekonomisë botërore nëse Donald Trump-i fiton zgjedhjet

Ndonëse Hillary Clinton pritet që të fitojë zgjedhjet presidenciale, por siç e dimë dhe nga Brexit, më mirë të jemi të përgatitur për ndonjë surprizë, shkruan The Indipendent.
Tregu i vetëm që kënaqet prej mundësisë së fitores së Trump për shkak të nxitjes që do të pësonte pesosi është ai meksikan.
Nëse njerëzit nuk janë të përgatitur për një surprizë politike, ata do të jenë të detyruar që të reagojnë dhunshëm nëse do të ndodhë. Ne kemi parë diçka të ngjashme në katër muajt e fundit. Pra, çfarë mund të thuhet, nga një perspektivë ekonomike, nën udhëheqjen presidenciale amerikane të radhës?

Ja dhjetë mendime.
I pari, kjo është një ekonomi që është rritur në mënyrë solide që nga Recesioni i Madh. Në termat ciklikë, në horizont duhet të shfaqet një ngadalësim ekonomik, megjithëse ashpërsia e rënies së fundit ekonomike tregon se recesioni ka më pak gjasa të ndodhë se në ciklet e mëparshëm.
I dyti, pavarësisht se vendi është pranë kapacitetit të plotë, ShBA-ja ende ka një deficit fiskal prej 3.2% të PBB-së.
I treti, planet e të dy kandidatëve janë krejtësisht të ndryshme: shkurtime të mëdha në taksim nga Donald Trump dhe një rritje modeste në taksat e shtresës së lartë nën udhëheqjen e Clinton-it. Por, të gjithë e dimë se presidenti propozon dhe kongresi nuk miraton, politika fiskale do të vendoset gjerësisht nga legjislativi, dhe jo nga administrata.
Pika katër, është e sigurt të mendoni se deficiti amerikan do të qëndrojë i lartë, mbase dhe do të rritet pak, gjatë katër viteve.
Pesë, tregjet financiare nuk duhet ta kenë problem këtë, ndoshta për shkak të ofrimit të normave të interesit më të larta si rezultat. Nëse kjo është e drejtë, epoka aktuale e parasë së lehtë po i afrohet fundit. Nëse normat në afatgjatë do të rriten, Rezerva Federale do të vendosë normat në afat të shkurtër. Tashmë tregu e pret këtë dhe debati është se kur dhe sa do të rriten normat, dhe jo nëse do të ndodhë. Kjo do të prekë pjesën tjetër të botës.
Gjashtë, në terma afatshkurtër dollari do të forcohet. Nëse ke ndarë veç disa para, më mirë të fitosh ndonjë të ardhur nga interesat në dollarë, se sa të mos fitosh asgjë duke i mbajtur në euro apo në jen. Në afat të gjatë interesat në pjesën tjetër të botës do të ngrihen gjithashtu.
Shtatë, ka një rrezik të shtuar më tepër nën udhëheqjen Trump-it se sa të Clinton, se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për tregtinë e lirë do të dobësohet. Globalizimi është parë kundër interesave të punëtorëve të thjeshtë amerikanë.
Tetë, prishja e tregtisë së ShBA-së me Kinën është thuajse e mundur, mbase jo një luftë tregtare, por një marrëdhënie më e ftohtë që do të ngadalësojë rritjen ekonomike në të gjithë botën.
Nëntë, kushdo që do të fitojë, do t’i duhet të udhëheqë një vend të përçarë, jo vetëm nga ana sociale, politike dhe gjeografike, të gjithë jemi në dijeni të kësaj, por edhe strukturore. Ajo çfarë po ndodh me industritë e teknologjisë së lartë të Bregut Perëndimor është plotësisht e ndryshme nga çdo gjë tjetër. Këto të çara strukturore ka gjasa që do të zgjerohen përgjatë katër viteve.
Dhjetë, vende të tjera, sidomos Kina dhe Rusia, do të duan të testojnë presidentin e ri. Cilido që do të fitojë, do të shikohet si një mundësi për të avancuar interesat e tyre kundrejt atyre të ShBA-së. 2017 do të jetë një vit me pengesa.
Këto pengesa do të jenë shumë më të mëdha nën presidencën e Trump-it se sa të Clinton-it. Por, edhe fitorja e Clinton-it nuk do të jetë domosdoshëmrisht e qetë. Ekonomia amerikane do të ketë tensione.

Krahasim i planeve ekonomike

Taksat, shkurtimet dhe shpenzimet
Trump-i është në favor të uljes së taksave për të gjithë dhe reduktimin e niveleve të taksimit nga shtatë në tre. Ai do të ulë normën e lartë të taksimit në 33% nga 39.6%.
Clinton do të mbajë të njëjtat taksa për pjesën më të madhe të amerikanëve, por do të shtojë një nivel të ri për ata me të ardhura më të larta. Të ardhurat prej saj do të shkojnë për të financuar programet e edukimit falas për studentë që vijnë nga familje të shtresës së mesme dhe të varfër.
Fushata e saj po bën thirrje për taksa më të larta mbi të pasurit, për njerëzit që fitojnë më shumë së 5 milionë dollarë.
Të dy kandidatët kanë propozuar që të mbyllen shtigjet tatimore që favorizojnë kryesisht të pasurit.
Trump-i propozon përjashtim të ndihmës ndaj përkujdesjes së fëmijëve që mbulon kostot mesatare, ndërsa Clinton propozon kufizimin e numrit të taksapaguesve që pretendojnë përjashtim deri në 28%.
Përjashtimi nga taksat lejon që njerëzit të zbresin disa nga të ardhurat e tatueshme, duke ulur nivelin (fashën) në të cilën bëjnë pjesë. Në mënyrë tipike favorizojnë të pasurit që marrin më shumë, ndërkohë që 43% e amerikanëve, të cilët aktualisht nuk paguajnë mbi të ardhurat, nuk do të preken nga ndryshimi.
Trump gjithashtu propozoi eliminimin e taksës mbi pronën apo “taksën e vdekjes” plotësisht. Taksa aplikohet kur një pjesëtar i familjes e kalon vlerën prej 5.45 milionë dollarësh si individ ose 10.9 milionë dollarë si një çift i martuar.
Kandidati republikan tha se ai do të reduktojë normën e taksës mbi korporatat në 15% nga norma aktuale prej 35%, një nga më të lartat në botë.
Fushata e Trump-it tha se plani do të pakësojë sasinë e të ardhurave që qeveria mbledh me 4.4 trilionë dollarë në një dekadë. Ndërsa programi i zonjës Clinton do t’i shtonte të ardhurat me 1.1 trilion dollarë në dhjetëvjeçarin e ardhshëm.
Asnjë prej kandidatëve nuk ka propozuar ulje të rëndësishme për shpenzimet në programet e pensionit dhe kujdesit shëndetësor. Ky financim i nevojshëm është i pritshëm në dekadën që do të vijë, por mbetet ende e paqartë se nga do të vijnë paratë pa u rritur taksat.

fashat e taksimit

 

Marrëveshje të reja tregtare
Trump-i ka bërë më të mirën për të theksuar pakënaqësitë rreth marrëveshjeve tregtare.
Propozimet e tij ekonomike sugjerojnë rinegocimin, duke përdorur negociatorë që do të kenë për qëllim “të fitojë për Amerikën”. Ai nuk është shprehur se çfarë nënkupton “me fitore”, por ka premtuar se do të qëndrojë larg marrëveshjeve, siç është marrëveshja e tregtisë së lirë të vendeve të Amerikës së Veriut (NAFTA), nëse nuk arrihet një marrëveshje e mirë.
Ai gjithashtu ka premtuar se do të jetë i ashpër me vendet që dhunojnë marrëveshjet e tregtisë, duke aplikuar tarifa të reja dhe se do t’i ndjekë këto çështje në OBT. Veçanërisht ka thënë se do të etiketojë Kinën si “një manipulator të monedhës”.

Tarifat

Trump-i ka kërkuar tarifim 35% për të mirat nga Meksika dhe 45% për ato që vijnë nga Kina.
Kjo do të thotë se një televizor 100 dollarë nga Meksika do të kushtojë 135 dollarë.
Kjo do t’i nxisë konsumatorët amerikanë që të blejnë më shumë produkte të prodhuara në Amerikë, por do të nxisë edhe Meksikën që të vendosë një taksë importi te të mirat amerikane, duke e bërë të vështirë për kompanitë amerikane që t’i shesin mallrat e tyre jashtë. Meksika blen 267.2 miliardë dollarë në të mirat e prodhuara në Amerikë, duke qenë vendi i dytë më i madh i eksporteve për Shtetet e Bashkuara.
Clinton tha se këto tarifa do të çojnë në një luftë tregtare duke e bërë të vështirë për Shtetet e Bashkuara që të konkurrojnë në rang global. Ajo ka qenë e luhatur në deklaratat e saj. Fillimisht ajo e mbështeti Partneritetin Trans-Paqësor, por më vonë tha gjatë fushatës së saj se nuk mendonte se ishte marrëveshja e duhur për Amerikën.
Plani i saj fokusohet më shumë në rritjen e prodhimit në SHBA duke ofruar stimuj fiskalë për kompanitë që ndërtojnë në vend. Ndërsa ka kritikuar disa nga marrëveshjet tregtare, ajo nuk e ka përjashtuar mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve të reja nëse do të zgjidhet.

Trump mbi tregtinë

  • Do të rinegociojë marrëveshjet në favor të SHBA-së
  • Do t’i zgjidhë ato në rast se nuk arrihet një marrëveshje e mirë
  • Do të shtojë tarifa mbi disa prej partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Amerikës, përfshirë Meksikën dhe Kinën

Clinton mbi tregtinë

  • Ndryshoi mendim mbi TPP, për të cilën ka ndihmuar në negocim.
  • Në 2007, kritikoi marrëveshjet e tregtisë me Korenë e Jugut, më pas e mbështeti si sekretare e Shtetit
  • Ka mbështetur NAFTA-n, por herë pas here ka qenë kritike ndaj saj

Kush po punëson?

Të dy kandidatët kanë premtuar se mundësojnë hapjen e më shumë vendeve të punës, edhe pse papunësia është në shifra shumë të ulëta prej 4.9% që nga fillimi i vitit.
Plani i punësimit i Trump fokusohet tek inkurajimi i hapjes së bizneseve në SHBA. Ai sugjeron se investimet në infrastrukturë, zvogëlimi i deficitit tregtar, ulja e taksave dhe heqja e rregullave (ligjeve) do ta bëjnë më të lehtë për kompanitë që të punësojnë.
Trump është fokusuar më shumë në rritjen e vendeve të punës në industrinë përpunuese, numri i së cilës ka rënë me 5 milionë që nga viti 2000. Një pjesë e kësaj rënieje ka ndodhur për shkak të përmirësimeve në teknologji dhe jo prej nënkontraktimeve.
Ai ka premtuar se do të krijojë 25 milionë vende pune në 10 vjet dhe se do të arrijë një rritje ekonomike me 3.5%. Rritja e PBB-së ishte 2.4% në 2015.
Politika e Clinton në lidhje me rritjen e numrit të vendeve të punës është pak më shumë specifike. Ajo ka bërë fushatë për të shtuar trajnimet, që pjesërisht janë të paguara nga të ardhurat nga taksat e amerikanëve të pasur. Ajo ka deklaruar rritje të shpenzimeve në infrastrukturë dhe investime në energjetikë për të rritur numrin e të punësuarve në këto sektor.

Çfarë ndodh nëse fiton:
 Hillary Clinton
– Znj. Clinton, nga ana tjetër, do të rrisë taksat për të pasurit, do të rrisë shpenzimet për trajnime dhe do të ulë taksat për kompanitë që punësojnë më shumë amerikanë
-një marrëveshje mbi reformën e taksimit të korporatave do të ulte normën e taksimit, do të mbyllte hapësirat që përdorin disa kompani për të shmangur pagesat e tyre, si dhe do të ofrojë disa lloje të taksash për të nxitur shumëkombëshet që të sjellin fitimet e tyre në vend, për t’u taksuar me një normë të ulët prej 15%.
-rritje e pagës minimale. Një rritje deri në 9% mund të ndodhë
-reforma emigracionit. Kongresi pothuajse ka kaluar ligje gjithëpërfshirëse mbi emigracionin në vitin 2014, por disa prej republikanëve i kanë bllokuar. Nëse republikanët bëjnë figurë edhe më të keqe te hispanikët, do të jetë një alarm për të bërë diçka më produktive në emigracion.
Donald Trump
-shkurtime të mëdha në taksim
-deficiti amerikan do të qëndrojë i lartë, mbase dhe do të rritet pak, gjatë katër viteve.
-në terma afatshkurtër, dollari do të forcohet. Nëse ke ndarë veç disa para, më mirë të fitosh ndonjë të ardhur nga interesat në dollarë, se sa të mos fitosh asgjë duke i mbajtur në euro apo në jen. Në afat të gjatë, interesat në pjesën tjetër të botës do të ngrihen gjithashtu.
– ka një rrezik të shtuar më tepër nën udhëheqjen Trump-it se sa të Clinton, se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për tregtinë e lirë do të dobësohet

Përgatiti: Ledina Loga

Please follow and like us: