Albspirit

Media/News/Publishing

Pasqyra konfuze e zgjedhjeve në Francë

Ardiana Faja – Toska

Në muajt e ardhshëm më 23 prill dhe 7 maj 2017, Franca voton për presidentin e Republikës për pesëvjeçarin e ardhshëm. Zgjedhja pesidenciale konsiderohet si më e rëndësishmja në Francë, një votimi i drejpërdrejtë, i qartë, i ideuar nga gjenerali Dë Gol (De Gaulle) dhe i aprovuar në referendumin e 28 tetorit 1962. Zgjedhja e Presidentit supozon dy raunde, në të parin seleksionohen dy kandidatët që kanë marrë shumicen e votave por jo mazhorancën absolute, ndërsa raundi i dytë, 14 ditë më pas, jep kandidatin fitues të zgjedhur me mazhorancën absolute të votave. Fushata elektorale e këtij viti, si asnjë më parë, po jep përshtypjen e një fushate të tronditur në themele : e pasigurt, e pakuptueshme, e paidentifikueshme, kështu cilësohet ajo në të shumtën e rasteve në shtypin francez. Te papriturat e para destabilizuese filluan në zgjedhjet  për kandidatin presidencial brenda  partive kryesore të majta dhe të djathta , të cilat eliminuan nga gara elektorale të gjithë kandidatët e pritshëm :

  • ish presidentin Nikola Sarkozi (Nicolas Sarkozy) – i djathtë- rast pa precedencë. Perveç të metave të personalitetit të Sarkozisë – nevrik, kolerik, i vetëkënaqur, përçmues, egzigjent në ekstrem –   si shkak për humbjen citohet  fokusimi i ekzagjeruar në temën e imigracionit, jo thelbësore per elektoratin e tij të djathtë, si dhe gabimet e tij si president që elektorati nuk ia fali, megjithë keqardhjen « mea culpa » që Sarkozi shprehu para mediave franceze
  • ish kryemistrin Alan Zhypé (Alain Juppé) e djathta e moderuar ,aktualisht  kryetar bashkie i qytetit të Bordosë (Bordeaux)  shumë i privilegjuar në sondazhe, pagoi shtrenjtë pozicionin e tij të ekuilibruar duke humbur dinamikën e sulmit ndaj kundërshtarëve të tij politikë.
  • presidentit aktual Fransua Holande (François Hollande) -i majtë- refuzoi në dhjetor 2016, pesë muaj para fundit të mandatit të tij si president, të rihedhë kandidaturën për nje mandat të dytë, rast unik në historinë presidenciale të Francës prej vitit 1962. E ndjeu se bilanci i tij ishte aq negativ sa nuk kishte asnje shans për tu rizgjedhur si kandidat për president nga e majta franceze.
  • skualifikimi elektoral i  kryeministrit aktual Emmanuel Valls -i majtë-. E majta franceze sanksioni bilancin e tij si kryeministër.  « Kam ndryshuar » s’rreshti së thëni Emanuel Valls, e majta nuk e besoi duke e konsideruar ndryshimin si shumë të shpejtë e brutal për të qenë i sinqertë.

Pra që në fillim elektorati francez shfaqi dëshirën për t`i « bërë daljen » kandidatëve në pushtet. Kjo dukuri s’duhet parë si « veçanti franceze »,  sepse është e krahasueshme me atë fenomen politik që po ndodh sot në të gjitha vendet e Evropës ku energjia e shpenzuar nga kandidatët në pushtet pati për fat të keq si rezultat nje bilanc pak bindës. Mund të përmendim në Francë, thellimin e diferencave sociale, varfërimin e klasës së mesme e cila po zbret për nga niveli i jetesës drejt klasave popullore, vulnerabilitet i territorit nga sulmet terroriste të njê intensiteti dhe egërsie të veçantë, frikën nga flukset e refugjatëve sidmos atyre arabo-myslymanë, dobësimin e sistemit të mbrojtjes sociale.

Kontekst ideal për t`i hapur rrugën ekstremit të djathtë në Francë. Për herë të parë në historinë e Francës, kërcënimi i fitores së ekstremit të djathtë nuk i përket vetëm retorikës politike por edhe realitetit.

Kanditatja e Frontit Nacional, Mari Lë Pen (Marie Le Pen), 48 vjeçare, figuron sipas të gjitha sondazheve në raundin e dytë të zgjedhjes precidenciale. Pasi mori drejtimin e Frontit Nacional-FN- në 2011 duke skalifikuar të jatin  Zhan Mari Lë Pen (Jean-Marie Le Pen) drejtues autoritar, nacionalist e antiisemit i së djathtës ekstreme franceze , Mari Lê Pen  përdori nje strategji politike, efikase e cila pastroi Frontin Nacional nga reputacioni negativ i partisë së ekstremit të djathtë. Esenca e kësaj strategjie është kjo : zhvendosja e klasës punëtore nga e majta apo ekstremi i majtë drejt partisë së Mari Lë Pen. Në Francë, duke filluar nga 1990 klasa punëtore ndodhet në nje krizë të vërtetë sepse industritë franceze,  sidomos ato tradicionale si tekstili, siderurgjia, për të mbajtur produktivitetin e lartë në mënyrë që të përballonin konkurrencën botërore, delokalizuan masivisht prodhimin në Kinë e vende të tjera aziatike duke mbyllur uzinat në Francë e krijuar papunësi të lartë.

Në veri të Francës në qytetin e Lilles e përreth tij, të bien në sy ndërtesat gjigande me tulla të kuqe të uzinave tekstile të boshatisura, pa makina dhe  pa punëtore. Klasa punëtore u ndje e tradhtuar nga partitë e majta e të djathta në pushtet të cilat sipas saj nuk menduan asnjë strategji efikase për të mbrojtur industritë franceze që ato të qëndronin në Francë. Zhgënjimi i klasës punëtore u shfrytëzua nga Mari Lë Pen, e cila me demagogji, u premtoi se do të kthejeë industritë në Francë e do tu japë punë.

E joshur nga oferta, një pjesë jo e neglizhueshme e kësaj klase braktisi të majtën ekstreme për partinë e Mari Lë Pen.  Kjo është fitorja më e madhe politike e Mari Lë Pen dhe fatkeqsisht edhe rreziku më i madh për demokracine franceze  sepse e konvertoi Frontin Nacional në një lëvizje popullore masive, duke i siguruar nje bazë sociale klasore më të gjerë, elektorat më të shumtë në numër dhe më keq akoma ndihmoi Marin Lë Pen të  fshehë thelbin ekstremist të djathtë  të partisë së saj.  « Kundër së djathtës që i falet parasë dhe së majtës që i falet parasë,  une jam kandidatja e Francës që i përket popullit » deklaron Mari Lë Pen duke u pozicionuar në këtë fushatë elektorale si parti e pavarur as e majtë as e djathtë.

Por në programin elektoral të Mari Lë Pen figurojnë preferencat politike tipike të ekstremit të djathtë të kamuflura me zgjuarsi si masa ekonomike. Le të përmendim dy kryesoret :

– e para, nëse zgjidhet, Mari Lë Pen, do te vendosë në kushtetutën franceze principin thelbësor të ekstremit të djathtë francez atë të « preferencës nacionale » që Mari Lë Pen  e quan sot kriterin e « prioritettit nacional » per vënde pune, strehim, shkollë e shëndetësi. Kjo do të thote se Mari Lë Pen, kërkon të heqë barazinë sociale midis atyre që kanë nacionalitetin francez dhe rezidentëve të huaj duke i privuar kêta të fundit nga të drejtat ekonomoke e sociale më elementare.

– e dyta, Mari Lë Pen, nën preteksin se dëshiron « ti japë fjalën popullit », deklaron se nëse vjen në pushtet, do të dobësojë rolin e Parlamentit duke i dhënë prioritet votës popullore ma anë të Referndumit (praktike votimi e cila lejon konsultmin direkt me elektoratin mbi një pyetje apo projektligj që adoptohet nëse përgjigja është pozitive). Kjo përbën një atentat ndaj institucioneve demokratike

Shtojmë gjithashtu se Mari lë Pen nuk ka asnjë eksperiencë në pushtet, programi i saj është totalisht demagogjik, ajo thjesht akuzon dhe kërcënon : Franca jashte komunitetit evropian, Franca jashte euros, Franca me politikë ekonomike proteksioniste, ksenofobi dhe shtet autoritar. Te votosh për Mari Lë Pen do të thotë te bësh pakt me djallin. Do ta provojnë francezët ? Tundimi ështe i dukshëm dhe i fortë deri tani.

Por Mari Lë Pen është e fortë sepse kundërshtarët e saj janë të dobët :

  • E majta franceze e përçarë, nuk po arrin të bashkohet: dy kandidatët e saj kryesorë  Bënua Hamon (Benoît Hamon) 49 vjeç, ish minister i arsimit i Françua Holand dhe Zhan Lyk Melonshon (Jean-Luc Mélenchon) 65 vjeç, janë si « vëllezër armiq » me strategji elektorale të kundërta. I pari synon unitetin e së majtës, i dyti një unitet më të gjerë popullor duke tërhequr ata pjesë të poullsisë që zakonisht abstenon. Gjithashtu kultura politike e së majtës franceze nuk e sheh me sy të mirë individin, ajo që ka rëndësi është programi, ideja, jo shefi. Pikërisht nga ky handikap vuan kandidati socialist aktual Bënua Hamon (Benoît Hamon) : ai refuzon te luajë rolin e liderit, duke pohuar se nuk ka zgjidhje për të gjitha. Mirëpo elektoratit francez nuk ju pëlqen kjo gjë, ai ka nevoje per lider. Mos harrojmë se francezët, nuk e deshën mbretin dhe i  prenë kokën, Luigjit te XVI, por kanë ruajtur një nostalgji te çuditshme për të dhe  presidentit e kosiderojnë si  mbret të « bekuar » jo nga Zoti po nga populli. Sondazhet e fundit i japin 13% të votave Benua Hamon dhe 11% Zhan Lyk Melonshon.
  • Kandidati kryesor i së djathtës republikane, Françua Fijon (François Fillon), 62 vjeç, ish kryeministër i Nikola Sarkozi,nuk jep dorheqjen, « Mbetem kandidat dhe do shkoj deri në fitore », megjithëse êshtë në proçes gjyqsor që prej së martës 14 mars, me akuzën për abuzime të fondeve publike-  ka punësuar si asistentë parlamentarë bashkëshorten (1998-2007) dhe femijët (2005-2007) të cilët janë paguar në total respektivisht 831.440 dhe 84.000 euro brut. Pun¨semi i pjestarve të familjes nuk ndalohet nga ligji në Franve. Problemi në këtu qëndron nëse puna e tyre e ka justifikuar një shumë të tillë.  t Francezët, të zhgenjyer nga mungesa e koherencës mes fjalëve dhe akteve të kandidat bëjnë pyetjen : « si ka mundësi qe Fijon ka kurajon t`i kërkojë francezve të bëjnë sakrifica, ti thotë administratës « duhet të punoni » kur ai ka paguar për vite me rradhë të shoqen që ka bërë sikur ka punuar. Kaq poshtë ka rënë Franca ? Sondazhet parashikojnë për Fijon vetëm 18% të votave, por niveli i besueshmërisë së votës eshtë i lartë :  66% e atyre që janë pyetur thonë se janë te sigurt se do votojnë për të.

I vetmi kandidat që po konfirmohet deri tani si konkurues i Mari Lë Pen (Marie Le Pen) në raundin e dytë të zgjedhjeve, është kandidati i pavarur Emanyel Makron (Emmanuel Macron), më i riu në moshë, 38 vjeç, i dyti në sondazhe me 25% të votave.

Emanuel Makron, u propozua nga presidenti Fraçua Holland, si Ministër të ekonomisë në qeverinë e kryeminsitrit aktual Emanuel Valls, ku qëndroi dy vjet 2014 deri në 2016. Si ministër , Makron aplikoi nje politikë social –liberale  dhe liberalizoi me prioritet profesionet e transportit-taksitë, autobusët (shumë linja autobusi lidhin sot qytet në Franë me çmim bilete mjaft të lirë, duke i bërë konkurrencë trenit), në Francë ato quhen « autobusët Makron ».   Por ambicja e tij politike kryesore ishte kandidatura për president.  Jep dorheqjen si ministër në gusht të 2016 dhe udhton nëpër Francë për të diagnostikuar problemet e francezëve : troket  në 100.000 dyer, mbledhe 25.000 pyetësorë dhe sintetizon diagnostkën në programin  e tij ku i jep prioritet 6 sektorve : reformës së arsimit,  asaj të tregut të punës , modernizimit të ekonomisë , mbrojtjes,  strategjive internacionale dhe moralizimit  të politikanëve –mos të punësojë të afërmit e tyre, mos të ketë privilegje në pensione etj.

Pikat e forta të Makronit janë :

  • Formimi dhe karriera tepër e sukseshme për moshën . Cilësohet si teknokrat – sekretar shteti, ministër, si financier-ka punuar në bankën e mmiliarderve Rothchild ku e thërrisnin « Mozarti i financave », si filozof –ka qenë asisitenti (1999 -2001) i filozofit më prestigjioz në Francë , Pol Rikër (Paul Ricoeur), si letrar-pasion që e afishon me shumë kënaqësi. Madje ai është i martuar me mësuesen e tij te frengjishtes në shkollë të mesme, 20 vjet më madhe se ai.

Diskursi politik liberal dhe pro -europian i  Emanyel Makron i drejtohet kryesisht banorëve të qyteteve të rendësishme,  zonave  ekonomike të zhvilluara të Francës   të moderuarve të majtë dhe të djathtë, duke lënë  pas dore shtresat më të varfra . Kandidatura e Emanyel Makron po shkakton erozion si në elektoratin e së majtës ashtu edhe në atë të së djathtës. Së fundmi, personalitete të fuqishme franceze, mes të cilëve kryetari i Modem, parti e qendrës , Françua Bejru (François Beyrou) dhe ekonomisti Zhak Attali (Jacque Attali), kane zyrtarizuar përkrahjen e tyre ndaj kandidatit Makron (Macron). Thembra e vërtetë e Akilit për kandidatin Makron eshtë besueshmëria e ulët e votës së shprehur : 50% e atyre që kanë thënë se do të votojnë për të janë të sigurt në atë që thonë dhe 50% mendojnë se mund të ndryshojnë mendje, pra « fifty -fifty ».

Kujt të shenjti ti besojmë ? pyesin skeptikë francezët.

Elektorati shfaqet shumë i paqëndrueshëm, nje votues mbi dy nuk e di ende nëse do të votojë dhe për kë do të votojë.  Ka ende dy muaj fushtë elektorale në Francë dhe në një pejsazh elektoral ku partitë kryesore janë të përçara, të konsumuara nga pushtetti, në zbehje të influencës vetëm dy tendenca janë të qarta  për momentin :

  • Rreziku i fitores së Mari Lê Pen
  • Volatiliteti dhe çoroditja e elektoratit

Situatat në periudhë elektorale kanë risi e të paritura të shumta – aleanca, tradhti – prandaj komentet e bëra në artikull mund të pasurohen me të vërteta të tjera, barometri elektoral është gjithmonë në lëvizje, të shpresojme fort se ai do të ndjekë kahjen e paqes dhe të demokracisë.

Autorja është e certifikuar në Institutin e Studimeve politike Grënoble të  Francës.  Ajo njëherit është mësuese e frëngjishtes dhe historisë -gjeografisë në Francë.

Please follow and like us: