Albspirit

Media/News/Publishing

Kandidatët për deputetë kalojnë në sitë për lidhje me Sigurimin e Shtetit

Kandidatët për deputetë të partive politike, të cilat kanë shprehur vullnetin për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 Qershorit, para se të pranohen zyrtarisht me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duhet të kalojnë në një skaner të dyfishtë. Kandidatët do t’i nënshtrohen verifikimit nëse janë subjekte të veprimit të ligjit të dekriminalizimit si dhe nëse kanë qenë bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit.

Krahas verifikimit të formularëve të vetëdeklarimit të kandidatëve për deputetë, KQZ kërkon t’i hapë rrugë një procesi shumë më delikat, për verifikimin e të kaluarës së kandidatëve në raport me ish-Sigurimin e Shtetit. Nëse disa nga kandidatët për deputetë rezultojnë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit, ligji nuk parashikon ndalimin e tyre, por presioni i opinionit publik, do t’i detyronte ata të largoheshin. Megjithatë, për këtë çështje kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve z. Denar Biba, Zv/kryetari z. Hysen Osmanaj dhe anëtarët, z. Klement Zguri dhe Bledar Skënderi, pritën dje në një takim zj. Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, e cila shoqërohej nga Anëtarë të AIDSSH.

Qëllimi i takimit
Në fokus të takimit ishte mundësia e verifikimit të pastërtisë së figurës së kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 18 qershorit 2017, nga ana e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit. “Integriteti i kandidatëve duhet të kalojë edhe testin e verifikimit të pastërtisë së figurës së kandidatëve, ashtu siç verifikohen edhe në zbatim të ligjit të dekriminalizimit dhe se, partitë politike kanë një rol shumë të rëndësishëm në këtë moment për të garantuar të shkuarën “e pastër”, të kandidatëve të tyre për këto zgjedhje parlamentare”, tha kryetarja e AIDSSH, zj. Gentiana Sula. Ndërkaq, kryetari i KQZ-së z. Denar Biba vlerësoi qasjen e AIDSSH për të krijuar transparencë mbi të shkuarën e kandidatëve për deputet, si faktor i lidhur ngushtë edhe me krijimin e besimit të zgjedhësve dhe opinionin publik tek ligjvënësit e ardhshëm. Z. Denar Biba tha se, aktualisht kuadri ligjor në fuqi nuk parashikon mundësinë e realizimit të hapave të mëtejshëm për kërkimin e një verifikimi të tillë nga ana e KQZ-së. Komisionerët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve shprehën gatishmërinë e tyre për të bërë verifikimin e pastërtisë së figurës së tyre, si një mesazh për të gjithë funksionarët që zgjidhen, emërohen apo ushtrojnë funksione publike, për të garantuar të shkuarën “e pastër”.

Legjislacioni
Pika 2 e nenit 19 të ligjit për hapjen e dosjeve parashikon që autoriteti i përgjigjet institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike për zyrtarin që emërohet ose ngrihet në detyrë, përkatësisht nëse ka qenë ose jo person në ndjekje për spiunazh apo terrorizëm, ka qenë ose jo bashkëpunëtor aktiv i ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe nëse figuron ose jo në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Por, deputetët, në ligj kanë parashikuar një masë mbrojtëse për veten. Ligji parashikon se për verifikimin e kandidatëve për t’u zgjedhur, kërkesa duhet të bëhet nga vetë kandidatët për qëllime të transparencës së figurës, gjatë fushatave elektorale. Megjithatë, mbetet për t’u parë se me çfarë mekanizimi do të operojnë autoriteti dhe komisioni për të mundësuar verifikimin e kandidatëve për deputetë.

Ligji për hapjen e dosjeve, ja si verifikohen kandidatët
1. Autoriteti ka detyrimin t’i përgjigjet, sipas pikave 2 dhe 3, të nenit 29, të këtij ligji, çdo kërkese të paraqitur nga kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetarë bashkish dhe kryetarë këshilli qarku, në lidhje me ekzistencën për ta të informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet prej tyre për qëllime të transparencës së figurës, gjatë fushatave elektorale.
2. Kur kjo kërkohet nga subjektet dhe për qëllimin e parashikuar në pikën 1, të këtij neni, Autoriteti i informon ato, sipas pikës 2, të nenit 29, të këtij ligji, për personat që në periudhën e përcaktuar në nenin 2, të këtij ligji, figurojnë si:
a) Anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese posaçme politike, apo punonjës i nivelit të lartë i ish-Sigurimit të Shtetit;
b) Bashkëpunëtor aktiv i ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, apo
denoncues ose dëshmitar i akuzës në proceset të posaçme, pas mbushjes së moshës 18 vjeç;
c) Persona me të dhëna nga ish-Sigurimi i Shtetit për spiunazh dhe terrorizëm.
3. Kur dokumentet përmbajnë të dhëna personale mbi të prekur të tjerë apo palë të treta,
zbatohen pikat4 dhe 5, të nenit 20, të këtij ligji.

Dorëzimi i dosjeve, fshihen emrat e spiunëve
Në zbatim të një vendimi qeverie, Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe disa autoritete të tjera publike i kanë dorëzuar Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i quajtur ndryshe komisioni për hapjen e dosjeve, të gjithë materialin arkivor të krijuar nga ish-Sigurimi i Shtetit nga data 29 nëntor 1944 deri më 2 korrik 1991. Për shkak se mjediset e autoritetit nuk janë përgatitur ende për të zhvendosur dosjet, autoriteti do të ketë akses në arkivat e institucioneve të lartpërmendura, për të mundësuar zbatimin e ligjit. Burime pranë komisionit thanë për Shqiptarja.com se, menjëherë pas marrjes së materialit arkivor, ka nisur puna me hapjen e dosjeve të para, për t’ju përgjigjur fluksit të kresave për informim mbi bashkëpunëtorët dhe të shënjestruarit e ish-Sigurimit të Shtetit. Gjatë hapjes së dosjeve të para, komisioni ka konstatuar dëmtime të dosjeve, por kryesisht ndërhyrjet konsistojnë në fshirjen e emrave të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Dëshmia, ja si janë zhdukur dosjet e UDB
Një ish-punonjës i SHIK-ut, i punësuar më pas në ambasadën shqiptare në Belgjikë, me lidhje të forta me Partinë Demokratike, ka rrëmbyer dhe zhdukur dosjet e politikanëve dhe pushtetarëve shqiptarë, bashkëpunëtor të UDB së ish-Jugosllavisë dhe të agjenturave të tjera.

Dëshmia ka ardhur nga Viron Bezhani, biri i Nazif Bezhanit, kryetarit të komisionit të famshëm për verifikimin e zyrtarëve të lartë për lidhjet me ish-Sigurimin e Shtetit. Kohë më parë, për Shqiptarja.com Bezhani ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur gjatë qeverisjes së parë të Partisë Demokratike. Siç dihet, SHIK-u i atëhershëm ka qenë një kamxhik në duart e Sali Berishës.

“Janë zhdukur në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike. Personi ka qenë punonjës i Shërbimit Informativ Kombëtar. Kur nisi punën komisioni, u kërkua dokumentacioni. U mblodh i gjithë SHIK-u për të kërkuar disqet. Punonjësi u arratis. Më pas është punësuar në ambasadën shqiptare në Bruksel. Sa i takon datës, duhet të shikoj dokumentet, për të qenë i saktë. Por, disqet janë zhdukur gjatë kohës së qeverisjes së PD”, ka theksuar ai.

Please follow and like us: