Albspirit

Media/News/Publishing

Riza SADIKU: HASAN KALESHI, PERSONALITET ME FAMË BOTËRORE, POR I MARGJINALIZUAR NGA INSTITUCIONET SHKENCORE

 

Me rastin e 40- vjetorit të vdekjes të  prof. dr. Hasan Kaleshit

 

Për herë të parë pas 40 vjetësh të vdekjes së Hasan Kaleshit, me iniciativen e Katedrës së Orientalistikës dhe Institutit ‘Junus Emre’ nga Turqia, më 6 tetor 2016, në Prishtinë u organizua  një  simpozium shkencor kushtuar Prof. Dr. Hasan Kaleshit, në të cilin morën pjesë disa itelektualë dhe shkencëtarë nga Kosova, Maqedonia, Kosova Lindore dhe nga Franca, Turqia, Siria dhe Jordani, por mjerisht edhe kesaj radhe nuk morën pjesë as fizikisht, disa  ish- asistentë të Dr. Hasan Kaleshit,  të cilëve ua hapi rrugën dhe perspektivën jetësore.

 

Hasan Kaleshi i takon  gjeneratës se parë të kuadrove të shkolluara në mesin e shqiptarëve pas  Luftës se Dytë  Botërore, personalitet që la gjurmë të thella në shumë fusha të  shkencës dhe dijes, la emër në shume institucione të vendit me të cilat ka bashkëpunuar në ish- Jugosllavi, në Evropë dhe botë; me emrin e tij është identifikuar mbarë shkenca shqiptare.

 

 

Prof.Dr.Hasan Kaleshi

1922- 1976

 

Hasan Kaleshi lindi më 7 mars të vitit 1922, në  fshatin Serbicë të Kërcovës. Mësimet e para në gjuhën arabe i mori nga babai qysh në moshën 6 vjeçare, i cili në atë kohë ka punuar si hoxhë në  fshatin Serbicë dhe ka gëzuar autoritet dhe respekt në gjithë rrethin e Kërçovës, kurse në moshën 10 vjeçare  Hasani e ka ditur përmendsh Kuranin. Shkollën fillore e kreu ne vendlindje, gjashtë klasë në Medresenë e Madhe “Kral Aleksandër” në Shkup, kurse dy vjet të shkollës së mesme  i kreu ne Gjimnazin “Sami Frasheri” në Prishtinë, në gjuhën shqipe.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas mbarimit të gjimnazit, Hasan Kaleshi punësohet si përkthyes, pasi në atë kohë ka njeh disa gjuhë të huaja, sidomos gjermanishten dhe  italishten. Hasani si ri, ka qenë përkrahës dhe simpatizant i  ideve të platformës  të çlirimit dhe bashkimit kombëtar, si i tillë mbeti gjatë tërë jetës së tij, kur nuk pranoi të bëhet  anëtar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, edhe pse ka pasur oferta të tilla me privilegje të veçanta.

Në shtator të vitit 1946, regjistrohet ne Fakultetin Filologjik, në Degën e Orientalistikës dhe në atë të Romanistikës. Diplomohet në vitin 1951 në Orientalistikë, me sukses te shkëlqyeshëm me notë mesatare 9 (nënte), kurse në Romanistikë i jep të gjitha provimet, por nuk diplomohet.

Hasan Kaleshi, për shkak të kushteve të vështira ekonomike, gjatë studimeve  ka qenë i detyruar të punojë  punë të ndryshme fizike, kurse prej vitit 1947-1950, punoi si përkthyes e lektor në Redaksinë e gjuhës shqipe në Radio Beograd, në shkurt të vitit 1952, emërohet profesor i shkollës së mesme në Katedrën e Filologjisë orientale në Beograd, kurse në vitin 1955 zgjidhet asistent. Më 26 shkurt të vitit 1960, mbron  disertacionin e doktoratës me titull: “Najtariji vakufski dokumenti iz Makedonije na arapskom jetiku” ( Dokumentet më ta vjetra  të vakëfeve në gjuhën arabe  në Maqedoni), në Fakultetin  Filozofik në Beograd. Po atë vit Profesor Hasani, në katedrën e Orientalistikës do te konkurrojë për docent, edhe pse  për të  shkruhet referat pozitiv, zgjedhja e tij pezullohet deri në vitin 1965. Duke  qenë i demoralizuar për këtë  zgjatje  të mosemërimit pa përgjigje, ai e lëshon punën në fakultet. Gjatë kësaj kohe ka qenë disa herë në  Dedinje  si përkthyes  i disa delegacioneve zyrtare arabe, si dhe ka marrë pjesë  në disa kongrese shkencore ndërkombëtare.

Punimet e publikuara të Dr. Hasan Kaleshit, deri në këtë kohe, sidomos nga fusha e turkologjisë, do t’u bien në sy dhe do të përcillen me simpati nga  shkencëtarët  eminentë, për çka edhe i ndahet  bursa shtetërore gjermane përmes Shoqatës së Studimeve Uralo-Altaike të Universitetit të Hamburgut për vitin 1965. Këtu qëndron dy vjet specializon turkologjinë, te profesorë të shquar me famë botërore, siç ishte Dr. Annemarie von Gabain etj.  Nga mesi i marsit i vitit 1967, me ftesën e qeverise së Egjiptit Dr. Hasan Kaleshi qëndron tre muaj si mysafir në institucionet  shkencore të Kajros. Gjatë kësaj kohe së bashku me Kamil El Buhajin përgatisin për shtyp Fjalorin e madh serbo-kroatisht-arabisht, të vetmin të këtij lloji aso kohe në Jugosllavi, por për shkak të shpërthimit  të luftës arabo-izraelite, në qershor të vitit 1967, fjalori mbetet i papërfunduar. Fjalori e sheh dritën e botimit në vitet 1980, pasi Prof. H. Kaleshi kishte ndërruar jetë.

Në shtator të vitit 1967, Hasan Kaleshi zgjidhet  Bashkëpunëtor i Lartë Shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, dhe është njëri nga themeluesit e këtij institucioni.  Tre vjet me vonë, Dr. Hasan Kaleshi zgjidhet profesor i rregullt në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Në Katedrën e Historisë,në fillim, Dr. H. Kaleshi do të ligjërojë dy lëndë, Gjuhën Osmane dhe Shkencat Ndihmëse të Historisë. Gjatë vitit 1973/1974, me iniciativën e Dr. Hasan Kaleshit, hapet për herë të parë Katedra e Orientalistikës në Universitetin e Prishtinës.

Dr. Hasan Kaleshi me punë shkencore filloi të merret mjaft herët, punimet e tij të para i hasim prej vitit 1949. Dr. Kaleshin për t’u marre me punë shkencore e shquante prirja, talenti dhe stili, sepse ai posedonte dituri të gjera enciklopedike, ishte një erudit i madh  dhe poliglot i vërtet. Pos  gjuhës  amtare – shqipes, ai  shkëlqyeshëm e njihte serbo-kroatishten dhe maqedonishten, kurse nga gjuhet  orientale dhe botërore,  me të cilat komunikonte, i shkruante  dhe i lexonte për  mrekulli këto gjuhë:  Turqishten, Osmanishten, Arabishten, Frëngjishten, Gjermanishten, Italishten,  Latinishten, kurse Anglishten  e ka shkruar dhe lexuar. Dr. Kaleshi nuk ishte vetëm njohës i mirë këtyre gjuhëve, por edhe njohës i shkëlqyer i atyre kulturave të gjuhëfolësve të atyre popujve. Si tillë ai i kishte të gjitha parakushtet të merrej me veprimtari  shkencore në shumë disiplina. Çështjet dhe problemet që i shtronte Dr. Kaleshi, nuk i trajtonte në mënyre sipërfaqësore, por në mënyrë të argumentuar shkencore, duke u ballafaquar me çështjet thelbësore, në bazë të të cilave  depërton thellë  në ndriçimin  dhe studimin e tyre, jo vetëm për çështjet e pastudiuara  e të pazbuluara, por edhe për çështjet e keqinterpretuara, si nga fusha e orientalistikës, turkologjisë, albanologjisë, etnologjisë, si dhe  historisë kombëtare gjatë periudhës osmane. Prof. Hasan Kaleshi me punën e tij shkencore nuk shquhet vetëm si orientalist i njohur dhe i pranuar në botë, por kontributi i tij shkencor aspak nuk është i vogël as në fushën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, por edhe në historinë  tonë kombëtare.

Opusi i bibliografisë së punimeve shkencore të Dr. Prof. Hasan Kaleshit është shumëdimensional, pasi ai ka njohur disa gjuhë të huaja, është marrë edhe me disa fusha të ndryshme shkencore, si me: onomastikë, arabistikë,  albanologji, turkologji, filologji, historinë e popullit shqiptar gjatë periudhës osmane, me përkthime fusha shkencore.  Dr. Hasan Kaleshi kontribut të veçantë ka dhënë edhe  në zbulimin e shkrimeve më të vjetra arabe në Maqedoni dhe Jugosllavi, përkthimin e librave te ndryshëm, botimin e artikujve të ndryshëm,  kritikave, recensioneve, përgatitjen e  fjalorit, tekstin universitar  për Katedrën e Orientalistikës, (i cili tekst deri më sot nuk e ka parë dritën), përgatitjen e studimeve të veçanta të veprimtarisë politike dhe kombëtare të Faik Konicës, në atë kohë kur nuk përmendej në asnjë nivel shkollor emri i F. Konicës as në Shqipëri e as në Kosovë,  në kohën e regjimit komunist, Dr. Kaleshi publikonte artikuj të veçantë për personalitetet të tilla, siç ishte F. Konica, Ibrahim Temo, Midhat Frashri (e kishte në dorëshkrim biografinë e tij kombëtare) e  shumë personalitete të tjera. Dr. Kaleshi, edhe pse ndërroj jetë në kohën kur arriti kulmin e njohurive shkencore, si dhe  afirmimin e veprimtarisë së tij shkencore në Ballkan, Evropë dhe botë, ai në moshën 54- vjeçare ndërroi jetë, pas veti la  afër 400 njësi bibliografike. Punimet e tij janë botuar në shumë revista shkencore të vendit dhe të huaja, përmes të cilave ka hapur vizione të reja shkencore të pa trajtuara e të pa ndriçuara më parë, jo vetëm në mesin tonë, por edhe në Ballkan, Evropë, por edhe më gjerë. Dr. Kaleshi,  përmes veprimtarisë shkencore të hulumtuar me fakte dhe argumente, është përpjekur të  zgjerojë  fushën e kërkimeve, te hapë horizonte dhe opsione të reja, të zbulojë  figura, personalitete dhe ngjarje të panjohura deri atëherë nga fusha të ndryshme shkencore.

Publikimet e Dr. Hasan Kaleshit shquhen për rreptësinë shkencore, objektivitetin, paanshmërinë dhe paluhatshmërinë, virtyte të rralla  të cilat i posedojnë vetëm shkencëtaret me famë botërore,  pra i tille ka qene dhe ka mbetur edhe Prof. Dr. Hasan Kaleshi.

Derisa punoi në Prishtinë, Hasan Kaleshi u  angazhua në përgatitjen  e disa revistave shkencore, të cilat në atë kohë botoheshin në Prishtinë dhe  jashtë saj: Ishte anëtar  i redaksisë në “Gjurmimet Albanologjike”,  anëtar dhe kryeredaktor i “Studimeve Historike dhe Filologjike”, anëtar i redaksisë te “Vjetarit” të Arkivit të Kosovës, anëtar i redaksisë të Buletinit të Muzeut të Kosovës, anëtar i revistës “Balkanica”, organi i Institutit  Ballkanologjik ne Beograd,  anëtar i redaksisë të revistës “Jugoslovenski Istoriski Časopis”, me seli në Beograd, anëtar i redaksisë “Prilog za orijentalnu filologiju”, organ i Institutit Oriental të Sarajevës, kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës i revistës “Studio Humanistika”, anëtar i redaksisë së revistës “Antikitetet e Kosovës”, e tjera revistave  shkencore.

Dr. Hasan Kaleshi i cili në vitet e shatëdhjeta, me publikimet e tij shkencore dhe pjesëmarrjen në kongrese të ndryshme ndërkombëtare, krijoi emër dhe  famë botërore, andaj është zgjedhur edhe anëtar i disa redaksive të revistave shkencore ndërkombëtare si në: Der Islam” e cila botohej në Berlin, në revistën “Uralo-Altaischen Jahrbuch” me seli në Hamburg,  revistën Sudost Forschungen, me seli në Munih,  anëtar nderi  i Institutit të Studimeve Shqiptare në Minhen dhe anëtar i redaksisë të Edicionit “Albansche Forchungen”. Dr. Hasan Kaleshi ka qenë anëtar nderi, anëtar me korrespondencë dhe bashkëpunëtor i disa shoqatave shkencore, institucioneve dhe akademive botërore:  Anëtar me korrespondencë i Akademisë  së Gjuhës Arabe të Kajros (i vetmi anëtar nga ish- Jugosllavia), anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare shkencore “Uralo-Altaike” me qendër në Hamburg,  anëtar i konferencës Altaistike te Blomingtonit në SHBA, bashkëpunëtor i Akademisë të Shkencave të Bullgarisë në Sofje, bashkëpunëtor profesional i Institutit të Filmave Shkencore dhe Dokumentar, me seli në Getyngen. Dr. Kaleshi, përmes këtij Instituti ka realizuar një seri filmash shkencorë, të cilët kanë të  bëjnë me folklorin shqiptar, turk, lidhur me etnologjinë,  zanatet të cilat vdesin, si dhe kanë bërë incizime lidhur me ritualet fetare nga territori i Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore, shumica e kopjeve të këtyre  filmave sot gjenden në Bibliotekën Kombëtarë të Kosovës.

Dr. Hasan Kaleshi ishte  bashkëpunëtor edhe i disa  enciklopedive me karakter botëror: Enciklopedisë Islame me seli në Stamboll,  Enciklopedisë Arabe, me  seli në Frankfurt, Enciklopedisë Kinematografike për filma shkencorë me seli në Getyngen të Gjermanisë,  Leksikonit Zyr Geshihte  Sudosteurapas me seli në Minhen, në të cilin Dr. H. Kaleshi ka botuar mbi 28 artikuj për personalitetet e lëvizjes kombëtare gjatë periudhës osmane për:  Sami Frasherin, Abdul Frasherin, Naim Frashrin, Pashko Vasen, Eqrem Bejë Vlorën, Syryja Bejë Vlorën, Ali Pashë Gucinë, Dervish Himën, Faik Konicën, Ismail Qemalin, Fan Nolin, Haxhi Zekën, Hasan Prishtinën, Shahin Kolonjën, Kristo Luarasin, Ibrahim Temon, Turhan Pashë Përmetin etj.

Punimet e Dr. Hasan Kaleshit, për shkak se mbështeteshin në fakte dhe dokumente origjinale, me kohë krijuan besim  dhe interesim te lexuesit dhe kolegët e tij, prandaj edhe si të tilla ishin të mirëseardhura  për publikim.  Punimet e dr. Kaleshit sot i hasim në shumë  revista shkencore dhe qendra të ndryshme universitare si në: Prishtinë, Shkup, Beograd, Sarajevë, Titograd, Zagreb, Stamboll, Athinë, Ankara, Kajro, Kuvajt, Damask, Paris, Berlin, Napoli,  Strasburg, Grac, Munih, Visbaden,  Hamburg, Getyngen, Nju Jork etj.

Nga e gjithë kjo që u theksua me lart, shihet se opusi i veprimtarisë shkencore të Dr. Hasan Kaleshit është shumë e gjerë dhe shumëdimensional, këtë e dëshmon  edhe pjesëmarrja e tij në më se 40 kongrese  e simpoziume ndërkombëtare dhe të vendit, gjithmonë me referate, të cilët  çdo herë  kanë zgjuar një interesim të veçantë te kolegët e tij, si për mënyrën e interpretimit të problemeve shkencore ashtu edhe për idetë origjinale. Për këtë arsye kudo që merrte pjesë krijonte  emër, autoritet dhe respekt, sidomos në arenën ndërkombëtare, për këto arsye edhe  është ftuar në shumë  Kongrese dhe Konferenca ndërkombëtare si në:  Munih,  Hamburg,  Paris, Athinë, Sofje, Bukuresht, Stamboll,  Ankara, Berlin, Romë,  Grac,  Tiranë, Kajro, Aleksandri, Çikago, Nju York e të tjera qytete.

Njohja e shkëlqyeshme e shumë gjuhëve të huaja dhe  botërore, Dr. Hasan Kaleshit do t’i mundësonte hulumtimin në arkivat  më të pasura dhe më bashkëkohore të Evropës, si në: Vjenë, Stamboll, Ankara, Berlin,  Munih, Romë, Sofje, Paris, Bukuresht, Kajro  etj.

Vlen të theksohet se Dr. Hasan Kaleshi, duke qene shumë i rreptë në shkencë, ai ka zhvilluar edhe polemika të ashpra si nëpër Kongreset Ndërkombëtare dhe vendore ku ka marrë pjesë, ashtu edhe në mjetet e informimit të kohës.

Dr. Hasan Kaleshi punoi pa ndërprerje dhe gjithmonë i preokupuar me shkencë  dhe me fushën e paskajshme te dijes, duke  mos  u kujdesur sa duhet as për shëndetin e tij, e cila moskujdesje do t’i kushtonte me jetë. Vdes nga sulmi në zemër në moshën 54 vjeçare, më 19 korrik 1976,  në shkallët e ndërtesës të Entit për Mbrojtjen e Përmendoreve të Kosovës në Prishtinë. Vdekja e gjeti në detyrën e shefit të Katedrës të Orientalistikës. Dr. Hasan Kaleshi ndërroi jetë në zenitin e  dijes,  në kulmin e autoritetit  shkencor,  në kohën kur mund të kontribuonte edhe më tepër për shkencën tonë, për ndriçimin e personalieve të anatemuara dhe te pa zbuluara kombëtare.

Vdekja e papritur e Prof. Dr. Hasan Kaleshit, nuk pikëlloi vetëm  familjen e tij, por edhe miqtë dhe dashamirët në Prishtine e gjetiu, sidomos vendësit e tij në Kërçovë, të cilët bënë përpjekje maksimale për varrosjen e Dr. Hasan Kaleshit në  vendlindje,  por një gjë te tillë nuk ua  mundësonte Ligji i kohës në fuqi, andaj varrimi i tij u bë më 23 korrik 1976 në varrezat e myslimanëve në Beograd.

Nga këto pak shënime të shkurta biografike të Prof. Dr.  Hasan Kaleshit, shihet se veprimtaria e tij shkencore është shumëdimensionale, temat e ndryshme të cilat  i ka trajtuar Dr. Hasan Kaleshi sot citohen jo vetëm nga punonjësit shkencorë  në trojet etnike shqiptare, por edhe nga punonjësit  e tjerë shkencorë të Ballkanit dhe  Evropës, dhe më gjerë. Një personalitet  me një diapazon të tillë shkencor lakmojnë ta kenë shumë shtete të Ballkanit apo Evropës, kurse ne që e kemi, deri më sot për 40 vjet,  vetëm Katedra e Orientalistikës në bashkëpunim me Institutin Jonuz Emre nga Turqia në Prishtinë, më 6 tetor 2016 organizuan  një simpozium shkencor, ashtu siç e meriton Prof. Dr. Hasan Kaleshi  dhe dy manifestimeve të organizuara me karakter lokal të financuara privatisht nga bashkëvendësit e tij të Kërçovës, njëri u organizua me rastin e 20- vjetorit të ndërrimit të jetës së tij ( 1996), kurse tjetri manifestim u organizua me rastin e 90- vjetorit të lindjes të Prof. Dr. Hasan Kaleshit, në vitin 2012, të dy janë mbajtur në Kërçovë.

Deri më sot, me emrin e këtij shkencëtari të madh nuk është  pagëzuar asnjë institucion shkencor, shkolle apo rruge. Do të ishte një privilegj i veçantë për  institucionin, shkollën apo rrugën sot ta  mbante emrin e Prof. Dr. Hasan Kaleshit.

Shpresoj, dhe jam thellë i bindur, se gjeneratat e reja të cilat do te merren me veprimtarie shkencore të Dr. Hasan Kaleshit do te dinë më mirë se ne, ta çmojnë dhe vlerësojnë  kontributin e tij shkencor dhe me emrin e tij jo vetëm që do të stolisin shumë institucione shkencore, shkolla dhe rrugë, por edhe veprimtaria e tije kombëtare, do të zërë vendin e merituar në Historinë e popullit shqiptar.

 

 

Kontributi shkencor i Kaleshit për trashëgiminë dhe historinë kombëtare

 

Prof. Dr. Hasan Kaleshi, si njohës i shkëlqyer i disa gjuhëve orientale dhe botërore, të cilat i kanë mundësuar të merret me hulumtime dhe disa disiplina shkencore, në mesin e të cilave, pa dyshim gjurmë të thella ka lënë edhe në fushën e Historisë sonë Kombëtare. Duhet theksuar se çështjet të cilat shtrohen në publikimet shkencore të Prof. Dr. Hasan Kaleshit nuk janë stolisje  shkencore, por ai depërton thellë në  problematikën dhe ndriçimin e tyre. Në publikimet e tij shpesh objekt trajtimi do të jenë tema të paprekura, personalitete të ndryshme nga historia e popullit shqiptar, paraqitja e tezave të reja,  trajtimi i çështjeve deri atëherë të panjohura, të padefinuara, të pasqaruara ose gabimisht të interpretuara nga fusha e orientalistikës, turkologjisë, albanologjisë, etnologjisë dhe historisë sonë kombëtare, nga periudha osmane.

Dr. Hasan Kaleshi, në punimin e publikuar në Sarajevë  në vitin 1961, të titulluar “Vakefnamja më e vjetër në Jugosllavi”, përmes të cilit me fakte dhe  argumente e ka dëshmuar se vakefnamja më vjetër e shkruar në gjuhën arabe është ajo e Sungur Çaush beut nga Manastiri, e cila daton nga pjesa e dytë e shek. XIV, në bazë të të cilit dokument shihet se Sungur Çaush beu ka ndërtuar xhaminë e parë në Jugosllavi, që është njëra ndër më të vjetrat edhe në Ballkan, e cila është ndërtuar në Manastir në vitin 1435, e cila ka ekzistuar deri në vitin 1946 në rrugën “Ivan Milutinoviq”, në vendin e të cilës xhami tani është ngritur një kompleks banesash. Dr. Kaleshi, me këtë publikim e hedh poshtë  tezën e Glisha Elezoviqit, se Allaxha Xhamia e Shkupit është xhamia më e vjetër në Jugosllavi, e cila daton  nga viti 1444.

Kontribut të veçantë në fushën e trashëgimisë të historisë të popullit shqiptar,  Dr. Hasan Kaleshi ka dhënë në heqjen dilemave se kush e ka ndërtuar  xhamin e Sinan Pashës në Prizren dhe të Sinan Pashës në Kaçanik, përmes punimit “Veziri i madh Koxha Sinan Pasha dhe vakefnamja e tij.”  Në Kosovë ekzistojnë dy xhami të rëndësishme të cilat e mbajnë emrin e Sinan Pashës, njëra gjendet në Prizren, tjetra në Kaçanik. Për ndërtuesit e këtyre xhamive, është shkruar mjaft si përmes shtypit, ashtu edhe në historiografi, mirëpo këto shkrime kanë krijuar shumë dilema dhe paqartësi për ndërtuesit e  këtyre dy xhamive. Në shumë raste është thënë se këto dy xhami i ka ndërtuar Koxha Sinan Pasha, ose të kundërtën, atë në Prizren  Koxha Sinan Pasha, kurse atë tjetrën në Kaçanik Sofi Sinan Pasha. Përmes punimit të lartcekur, Dr. Kaleshi i heq të gjitha dilemat dhe në mënyrë  faktografike  dëshmon  se xhaminë e Sinan Pashës në Prizren e ka ndërtuar SOFI SINAN PASHA, Bejlerbe i Budimit, me prejardhje shqiptare, i lindur në katundin Vili të Lumës në Shqipëri, kurse xhaminë në Kaçanik, e cila po ashtu e mban të njëjtin emër, e ka ndërtuar KOXHA SINAN PASHA, vezir i lartë në hierarkinë e Perandorisë Osmane, pushtues i Jemenit, Tunizit dhe Gjeorgjisë, si dhe udhëheqës  i shumë ekspeditave ushtarake, përndryshe me prejardhje shqiptare i lindur në Topojan të Lumës në Shqipëri.

Dr. Hasan Kaleshi me punimin “Kush dhe kur është ndërtuar Kurshumli Hani në Shkup” të botuar në vitin 1971, në revistën “GLASNIK” të Institutit të Historisë Nacionale në Shkup, në bazë të dëshmive autentike, i ka hequr  dilemat edhe për ndërtimin e Kurshumli Hanit në Shkup, për ndërtuesin e të cilit kanë ekzistuar  disa mendime dhe teza të ndryshme. Disa kanë menduar se hanin e ka ndërtuar Perandori Konstantin, disa kanë menduar se e ka ndërtuar Perandori Justinian, kurse disa shkencëtarë serbë kanë përhapur tezën se atë e ka ndërtuar Car Dushani. Të gjitha këto dilema dhe teza  i ka hedhur poshtë Dr. Hasan Kaleshi, në bazë të një dokumenti origjinal në arabisht, përmes të cilit vërteton se Kurshumli Hanin në Shkup e ka ndërtuar MUSLIHUDDIN al MADINI në vitin 1550, përveç këtij hani, ka ndërtuar  një xhami në Trepçe dhe një në Novi Pazar.

Vlen të theksohet se Dr. Hasan Kaleshi kontribut të veçantë për historinë kombëtare ka dhënë edhe me punimin: Çfarë të dhënash na japin kronikat osmane mbi luftërat shqiptaro-turke në shek. e XV”.  Në këtë punim Dr. Kaleshi bën fjalë për rëndësinë e kronikave turke, për njohjen me të kaluarën e historisë të trevave shqiptare. Në punimin në fjalë, autori ka trajtuar tri kronika më të vjetra turke, të Shukurzllahut, ASHIK-PASHAZADES dhe HOXHA SADUDDINIT. Rëndësia e kronikës së parë qëndron në faktin se në të përmenden shqiptarët për herë të parë lidhur me pjesëmarrjen e tyre në Betejën e Kosovës. Në kronikën e dytë (të Ashikpashzades), përmenden për herë të parë tokat shqiptare, kurse në kronikën e tretë (të Hoxha Saduddinit) shqiptarët përmendën  lidhur me plaçkitjen e plotë të  territoreve shqiptare.

Dr. Hasan Kaleshi kontribut të rëndësishëm për historinë tonë kombëtare ka dhënë edhe me punimin: “Një burim turk mbi kryengritjen e shqiptarëve në vitin 1909-1912”.  Në punimin në fjalë, autori jep shënime interesante për situatën politike në territoret shqiptare gjatë periudhës së kryengritjeve shqiptare kundër  regjimit të osmanlinjve në vitet 1909-1912. Dr. Kaleshi, përmes këtij artikulli thekson se nuk do të kemi vlerësim real për kryengritjet shqiptare në këtë periudhë nëse  nuk shfrytëzohen burimet osmane dhe literatura e autorëve pjesëmarrës të kohës, udhëheqësve të ekspeditave turke për shuarjen e kryengritjeve shqiptare. Rëndësia historike e këtij burimi turk qëndron në faktin se në të përveç shënimeve të detajuara që jep për ngjarjet që janë zhvilluar në atë kohë, konstatohet se kryengritjet shqiptare kanë qenë shkaktarët kryesor që Perandoria Osmane  të humbë Rumelinë. Punimi i lartcekur ka rëndësi të madhe jo vetëm  për historinë e popullit shqiptar, por edhe për Historinë e Ballkanit në tërësi.

Kontribut të veçantë Dr. Kaleshi ka dhënë edhe në nxjerrjen në dritë të veprimtarisë shkencore  të leksikografit dhe enciklopedistit Sami Frasheri, me punimin e thellë studimor : “Sami Frasheri në letërsinë dhe filologjinë turke”, botuar në  Gjurmime Albanologjike në vitin 1968, në Prishtinë. Në këtë punim Dr. Kaleshi nxjerr në dritë në mënyrë më të plotë  veprimtarinë shkencore të Sami Frasherit dhe veprat e tij,  të shkruara në gjuhën turke, arabe dhe atë shqipe. Dr. Kaleshi  ka arritur që  veprimtarinë e Sami Frasherit ta afirmojë edhe jashtë kufijve të Turqisë dhe Shqipërisë dhe ta radhisë në vargun e shkencëtarëve  dhe enciklopedistëve botërorë. Dr. Hasan Kaleshi për Sami  Frasherin ka shkruar edhe disa punime në revista të ndryshme  evropiane. Për historinë tonë kombëtare, rëndësi të veçantë ka punimi: “Mendimet e Sami Frasherit për “Megali Idea”, botuar ne revistën “Belgeler Turk Tarih Dergisi” në vitin 1971. Në këtë  punim trajtohen polemikat e Sami Frasherit kundër Shoqatës Shkencore Greke e cila gjatë dhe pas Kongresit te Berlinit ka ekzistuar në Stamboll, përmes Megali Idea, Shoqata në fjalë  ka propaganduar  aneksimin e territoreve te Shqipërisë së Jugut. Këtë propagandë greke, Sami Frasheri e ka kundërshtuar ashpër me fakte dhe argumente, në gjuhen greke, të cilën e ka njohur shkëlqyeshëm, përmes  gazetës Terxhimani Shark, i cili në atë kohë ka qenë Kryeredaktor i saj.

Në punimin me titull: “Depërtimi turk në Ballkan dhe islamizimi-faktorë të ekzistencës etnike dhe kombëtare të popullit shqiptar”, botuar në vitin 1975 në gjuhën gjermane, Prof. Dr. Hasan Kaleshi paraqet këtë tezë të tij të re, e cila tezë sot është standardizuar, edhe pse  pas rënies të sistemit monist, ka pasur shumë raste që këtë tezë kanë dashur të  përvetësojnë disa shkencëtarë shqiptarë si të veten, duke tentuar të tregojnë se ato janë të parët të cilët e përhapin një tezë të tillë.

Në kundërshtim me historiografinë bashkëkohore shqiptare të kohës, e cila në depërtimin e Perandorisë Osmane në Ballkan dhe në islamizimin e shqiptarëve gjen vetëm elemente negative, Dr. Hasan Kaleshi  në këtë studim paraqet një tezë krejtësisht tjetër, duke  theksuar dhe argumentuar se në kohën kur shqiptarët ishin pa shtet, pa kishë të tyre, pa tradita kulturore, pa kler, pa shkolla, të rrethuar nga Bizanti në njërën anë, nga shteti serb në anën tjetër, nga Venediku në anën  bregdetare, në këto rrethana nuk ka pasur kurrfarë  gjasash të ekzistonin si komb. Me depërtimin turk në Ballkan, me shkatërrimin e Bizantit dhe të shtetit serb, me deziorentimin e kishave të tyre i hapet rrugë ekspansionit shqiptar nga veriu, në këtë mënyrë njëkohësisht  pengohet  asimilimi i shqiptarëve nga elementet e lartcekura.

Kontributi shkencor i Prof. Dr. Hasan Kaleshit, në fushën e historisë kombëtare, nuk është i vogël, edhe në ndriçimin e veprimtarive kombëtare të një vargu të personaliteteve shqiptare të cilët vepruan në kohën e Perandorisë Osmane. Për disa prej tyre, për herë të parë shkroi  pikërisht Dr. Hasan Kaleshi, siç është rasti për  Dr. Ibrahim Temon, i cili është themelues i komitetit Xhonturk, ‘Bashkim e Përparim”, organizator i Revolucionit Xhonturk, i cili rezultoi me heqjen e Sulltan Hamitit nga  froni. I. Temo, shqiptar nga Struga, qe i angazhuar me tërë qenien shpirtërore në lëvizjen kombëtare shqiptare, bashkë me N. Naçon ka punuar në Bukuresht, ka qenë një nga udhëheqësit e kolonisë shqiptare në Konstancë, ka marrë pjesë në Konferencën e Paqes në Paris,  si delegat i shqiptarëve të Rumanisë, ka qenë bashkëpunëtor i revistës ”Albania” të F. Konices, etj. Mirëpo deri ne atë kohë as në historiografinë shqiptare,   as ne atë turke nuk i është dhënë  vend i merituar dhe nuk është shkruar asnjë artikull për personalitetin  dhe   veprimtarinë e tij politike dhe kombëtare, kurse disave në bazë të fakteve dhe dokumenteve do t’ua begatojë veprimtarinë  e tyre  kombëtare, kurse disa nga ato do t’i ngrejë  në piedestalin më të lartë shkencor, duke i radhitur në mesin e enciklopedistëve dhe shkrimtarëve  më të mëdhenj të rangut botëror, siç është rasti me Sami Frashërin.

Dr. Kaleshi, jo vetëm që ka pasur prirje dhe talent të veçantë për t’u marrë me punë shkencore, por ai ka pasur edhe  guxim, sepse ai ka  publikuar veprimtarinë kombëtare të disa personaliteteve, që kolegët e tij të kohës nuk kanë guxuar t’ua përmendin as emrat, siç është rasti me Mid’hat Bej Frashërin, për të cilin më së miri na flet dorëshkrimi i cili është gjetur mbi tavolinën e punës, duke e përgatitë artikullin për leksikonin biografik cili botohej në Munih, por mjerisht, dorëshkrimi ka mbetur i papërfunduar dhe pa u botuar, jo vetëm për Mid’hatin Frashërin, por edhe për shumë personalitete të tjera kombëtare të cilët kanë qenë  të paraparë të botohen në atë leksikon, për shkak të vdekjes së pa pritur të Dr. Hasan Kaleshit. Për të shkruar në atë kohë për Mid’hat Frashërin, themeluesin e Ballit Kombëtar, nuk është dashur të kihet vetëm dituri, por edhe guxim, të cilat virtyte nuk i kanë munguar Prof. Dr. Hasan Kaleshit.  Në këtë kontekst duhet cekur se  Dr. Kaleshi shkroi në atë kohë artikuj edhe  për disa personalitete kombëtare, për të cilët në kohën e komunizmit nuk flitej as që shkruhej  në të dy anët e kufirit si për: Faik Konicën, Eqrem e Syreja Bej Vlorën, Ibrahim Temon  e shumë të tjerë. Kur është fjala për Faik Konicën Dr. Kaleshi me rastin e shënimit të 100- vjetorit të lindjes së Konicës, të cilin përvjetor e shënon Federata  Panshqiptare “VATRA” në vitin 1976 në Nju Jork, paraqet temën: “Faik Konica dhe marrëdhëniet e tij me Austro-Hungarinë”, të cilin referat, për shkak të ndërrimit të papritur të jetës së tij, e ka lexuar në simpozium me lot në sy, Z. Edvard Lico. Profesor Kaleshi, përmes punimit në fjalë, jep një kontribut të veçantë të lëvizjes kombëtare, politike dhe letrare të Faik Konicës. Po ashtu përmes këtij artikulli, autori nxjerr në pah aktivitetin politik dhe kombëtar të Konicës, në përhapjen e ndjenjave kombëtare shqiptare dhe popullarizimin e tyre te intelektualët e kolonive shqiptare në vende të ndryshme të botës, në ngritjen  dhe afirmimin e problemit shqiptar në Evropë dhe Amerikë, luftën e tij diplomatike dhe intelektuale kundër copëtimit të territoreve shqiptare, si dhe pjesëmarrjen e tij në konferencat ndërkombëtare lidhur me caktimin e  kufijve të shtetit shqiptar.

Vlen të theksohet së në Biographische Lexikon zur Geschchte Sudosteuropas, (Leksikon për historinë e Evropës Juglindore), me qendër në Munih, Dr. Hasan Kaleshi ka botuar 28 artikuj të personaliteteve të lëvizjes kombëtare shqiptare gjatë periudhës osmane, si për : Abdyl Frashërin, Pashko Vasën, Eqrem Bej Vlorën, Syrija Bej Vlorën Ali Pashë Gucinë, Sami Frashërin,  Haxhi Zekën, Hasan Prishtinën, Abedin Pashë  Prevezën, Dervish Himën, Shahinë Kolonjën, Faik Konicën, Kristo Luarasin, Turhan Pashë Përmetin, Ibrahim Temon, Fan Nolin, Ismail Qemalin e shumë të tjerë, veprimtaria kombëtare e të cilëve ka qenë kryesisht zgjedhja e çështjes shqiptare, krijimi i një shteti të natyrshëm shqiptarë. Artikujt e lartcekur për personalitetet në fjalë, për mendimin tim,  nuk janë botuar rastësisht  në atë kohë  në gjermanisht nga Dr. Hasan Kaleshi,  por, per qëllime të caktuara, duke dashur përmes tyre, ta njohi opinionin më të gjerë intelektual shkencor evropian, lidhur me kërkesat dhe angazhimet e rilindësve tanë, për zgjedhjen e çështjes kombëtare.

Siç kemi theksuar  më lartë, punimet shkencore të Prof. Dr. Hasan  Kaleshit, nga fusha e historisë, nuk janë të qëndisura me korniza romantike, por duke qenë të mbështetura në dokumentet autentike, kanë vlera të veçanta  për historinë tonë kombëtare, sepse  përmes tyre ai hap shtigje të reja në fushën e historisë, zbulon personalitete të mirëfillta kombëtare, jep teza të reja, heq konfuzione dhe dilema  deri atëherë  të pasqaruara. Dr. Hasan Kaleshi me veprimtarinë e tij parimore dhe principet shkencore, ka mbetur i pavdekshëm për botën shkencore dhe ka pasuruar të gjitha ato disiplina shkencore me të cilat është marrë, ka pasuruar edhe Historinë e tonë Kombëtare, andaj si i tillë do të zërë vendin meritor në Historinë e Popullit Shqiptar.

 

 

Studime Albanologjike, Shkup 2016

Please follow and like us: