Albspirit

Media/News/Publishing

Anri Sala prezanton në Sidnei, si mesazh në shishe veprën e Mozartit

Anri Sala prezanton në edicionin e 33-të të “Kaldor Public Art Project” premierën e instilacionit “The last resort” (Resorti i fundit” (datë 13 tetor). Instalacioni do të ekspozohet në kodrën “Observatory Hill” Sidnei të Australisë. “Kam dashur ta imagjinoj se si një udhëtim nëpër erë, valë, dhe ujë do të mundë të afektonte një kryevepër muzikore të periudhës së iluminizmit”, rrëfen Anri Sala teksa shpjegon instilacionin “The Last Resort” për mediet e huaja. Ai ngre pyetjet: “Çfarë do të bëhej me ‘Koncertin për klarinetë’ të Mozartit nëse do të fluturonte apo të dilte si një mesazh në shishe, derisa të lahej në breg pas një udhëtimi të gjatë”.

Por, si është konceptuar “The last Resort”? Është konceptuar si një instalim i posaçëm për Projektet e Arteve Kaldor në një pavijon në natyrë, për një hapësirë me pamje nga porti i Sidneit. Kjo strukturë e hapur përmban 38 bateri të posaçme, që qëndrojnë pezull nga tavani në një pozicion të kthyera përmbys. Ansambli i baterive është një skulpturë që luan vetë. Secila nga bateritë është e krijuar enkas dhe përmban në brendësi dy altoparlantë: një altoparlant me shtrirje të ulët frekuencat e së cilës shkaktojnë dridhje në lëkurën e daulleve, duke nxitur një reagim tek shkopinjtë e daulleve, që krijojnë “rat-a-tat” karakteristike, dhe një altoparlantë me shtrirje të lartë dhe mesatare që luan fragmente muzikore. Bateritë që qëndrojnë pezull funksionojnë gjithashtu si shënjues i dukshëm i tingullit të këtij instalacioni. Pika fillestare muzikore e “The last resort” është koncerti “Klarinetë” në A maxhor, K.622, i kompozuar nga Wolfgang Amadeus Mozart në 1791, pak para vdekjes së tij. Vetëm disa vite më parë “Flota e Parë” kishte zbarkuar në Australi dhe në 18 Janar, 1788 mbërriti në Botany Bay. Zona ku do të vendoset instalacioni është një hapësirë rrethore në një kopsht publik në kodrën më të lartë me pamje nga Sidnei. Kjo zonë i përkiste Fort Phillip-it, e ndërtuar në vitin 1800 dhe emëruar pas Guvernatorit të parë të kolonisë.

Mendohet të këtë qenë një vend vëzhgimi për populli Aborigjen. Për këtë arsye është e lidhur me kontaktin e parë të dy kulturave, të cilat më parë nuk kanë qenë në dijeni për njëra-tjetrën. Bateritë e varura janë të animuara nga koncerti Klarinet i Mozartit, në një regjistrim që Sala e përshtatë sipas kushteve specifike. Secila nga tri lëvizjet e koncertit është alternuar në bazë të një rregulli të vetëvendosur nga artisti: nga tonalitetet e para qendrore (A, C e mprehta, dhe E) të cilat janë hequr, në të dytën të gjitha indikacionet origjinale të kohës u zëvendësuan nga përshkrimi ditor i erës nga Gazeta e James Bell e vitit 1839 , për kalimin e detit nga Londra në Australi, ndërsa në lëvizjen e tretë rendi kronologjik i të gjitha pjesëve ‘solo’ dhe ‘tutti’ u ndryshua. Muzikantët që luajnë pjesë individuale në rezultatet e riorganizuara janë regjistruar njëkohësisht me mikrofon të ndryshëm. Shpërndarja e pjesëve të regjistruara në bateri bazohet në formimin e një orkestre klasike tipike. Kështu asambleja e baterive do të vendoset në përputhje me formimin tipik të një orkestre.

Pjesët individuale në rezultatin e riorganizuar të Mozartit do të caktohen në bateritë përkatëse.  “The Last Resort” transformon punën e famshme të Mozartit, duke përdorur strategji të vendosura nga Sala për të demonstruar ndryshimin, që mund të ketë pësuar gjatë rrugëtimit për në Australi. Duke përmbysur tiparet kryesore të koncertit, ndjenjën e gravitetit dhe ritmin, puna e artistit krijon perceptimin e një koncerti që ka udhëtuar në një distancë të gjatë, duke duruar valët e larta të detit, që sipas fjalëve të artistit e kanë “gërryer atë”, shkruan “Estherschipper”. Bateritë e varura pezull nga tavani personifikojnë vetë Australinë, duke kujtuar njëkohësisht edhe dhelprat indigjene të fluturimit të varur me kokë poshtë nga degët e shtrira të pemëve.  “The Last Resort” trajton karakteristikat historike dhe kulturore të objekteve të kulturës (ndër të cilat Sala konsideron edhe veprat muzikore), duke u fokusuar në një periudhë kritike të ngjarjeve dhe arritjeve gjatë të cilave iluminizmi që përfshin idetë e progresit, blerjes racionale si dhe organizimin e dijeve ndërvepron në thelb me kolonializmin.

Biografi

Anri Sala (1974, Tiranë) i përket brezit të fundit të artistëve të rritur në regjimin komunist në Shqipëri, edhe brezit të parë, që hyri në kontakt me botën e artit ndërkombëtar. Filmat e tij të parë, në fund të viteve ’90-të, i referohen ideologjisë së imponuar në vendin e tij dhe rolit utopik të artit në gjetjen e një vizioni të ri social. Pasi kreu studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë (1992-1996), shkoi në Francë ku frekuentoi Ecole Nationale Supérieure des Arts Décoratifs, në Paris (1996-1998) dhe studioi Le Fresnoy, në Tourcoing (1998-2000). I njohur në skenën ndërkombëtare, që prej 20 vitesh, është përzgjedhur për bienale të shumta, si ajo e Berlinit (2001, 2006), Moskës (2007), San Paolos (2002, 2010), Sidneit (2006) dhe e Venecias (1999, 2001, 2003). Ndër ekspozitat e tij individuale mund të përmendim Kunsthalle Wein (2003), Musée d’art moderne de la Ville de Paris (2004), si dhe Museum of Contemporary Art (North Miami) dhe Contemporary Arts Center (Cincinnati 2008-2009), pastaj Serpentine Gallery (Londër), në NMAO (Osaka, Japoni) dhe në Musée d’art contemporain (Montrealit) në vitin 2011. Është vlerësuar me çmimin e artistit të ri në Bienalen e Venecias në vitin 2001. Veprat e tij janë pjesë e koleksioneve shumë të njohura, si në Art Institute of Chicago, në Pinakothek der Moderne (Mynih), në MoMA (Nju Jork), në Centre Pompidou (Paris) dhe MUSAC (Leon). Në vitin 2011 u vlerësua me Absolut Art Award.Anri Sala ka përfaqësuar Francën në ekspozitën e 55-të Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Bienalen e Venecias, në vitin 2013. Jeton dhe punon mes Parisit, Berlinit dhe Nju Jorkut.

Please follow and like us: