Albspirit

Media/News/Publishing

Sadk Bejko: Hija e dhelprës së kuqe

HIJA E DHELPRËS SË KUQE

Një frikë përherë përtej edhe pranë nesh,
ngjitur shtëpive te fillon dheu në skaj,
dredh ajrin, dredhëz në mushkëri, në tru:
Shsht, vjen gogoli në xham,
Katallani zemërohet, na ha, na bluan
ne njerëz e shtëpi, hekura, mur e dru.

Herët botën popullojmë me hije:
natën nën shtrat përgjon një merimangë,
pret pas dere një njeri i zi me çomangë,
një fushë me skelete nga e padukshmja çohen
territ sa dëgjojnë një drung – drang.

Tmerri im i hershëm: një dhelpër e kuqe.
Përherë ngjitur te muri i shtëpisë a diku në vresht
me gojën, me sytë, me gjarpërimet e bishtit:
është aty, ndaj hesht, hesht.

Një ditë po ta zbonim nga bota frikën… dhelprën,
ditën tjetër mes nesh do ta ftonim sërish:
me frikë dhelpërojmë vetveten,
dhelpërojmë të tjerët dyfish.

Fantazma e dhelprës së kuqe
endet prapë te kopshti i fëmijërisë,
dhe ende nuk e kam parë asnjëherë.
Çarqet e ashpër për të më kapnin vetëm mua,

Sipër tokës gjurmët e saj shkelin në dy gisht erë.

Nga libri “Leter Hamurabit”, 1997

Please follow and like us: