Albspirit

Media/News/Publishing

Pse Shqipëria duhet ta njohë Jeruzalemin?

Blendi Lami

Presidenti Trump e njohu Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe njoftoi se do të zhvendoste ambasadën amerikane nga Tel Avivi, duke bërë një kthesë të fortë në politikën e jashtme, e cila, sipas shumë analistëve, pritet të ndezë tensionet në Lindjen e Mesme, a thua se deri më sot ky rajon kishte patur paqe të qëndrueshme.

Në fakt, statusi përfundimtar i Jeruzalemit ka qenë prej kohësh një nga çështjet më të nxehta në konfliktin izraelit-palestinez. Për vite me radhë, politika amerikane e ka shmangur shpalljen e Jerusalemit si kryeqytet, pasi nuk po arrihej një marrëveshje paqeje, duke marrë parasysh se edhe palestinezët e konsiderojnë Jeruzalemin si kryeqytetin e tyre. Në këtë kontekst, mendohej se një vendim i njëanshëm amerikan do të hapte polemika për një çështje që duhej të zgjidhej nëpërmjet negociatave.

Në pamje të parë, Trump po vepron në dy nivele. Së pari, po përmbush një premtim të fushatës. Së dyti, po shpalos strategjinë e re amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme.

Presidenti Trump thjesht nuk dekretoi një pezullim tjetër të përkohshëm (6-mujor) të asaj çfarë ka vendosur Kongresi Amerikan që më 1995, kur u miratua që SHBA të zhvendosë ambasadën nga Tel Avivi në Jeruzalem. Që nga viti 1995, presidentët Klinton, Bush dhe Obama thjesht e kanë shtyrë këtë njohje.

Duhet theksuar se ky akt është thjesht vazhdim i politikës së Perëndimit në raport me Palestinën. Mund të përmenden vetëm disa pika kyçe historike për ta ilustruar këtë politikë.

Këtë vit bëhen 100 vjet nga viti kur lordi Balfour i dha të drejtën lëvizjes zioniste për një atdhe hebre në Palestinë. Në vitin 1917, deklarata e Balfour-it për një shtet hebre ishte fillimi i kolonializmit të Palestinës. Më 1947, OKB-ja krijoi një plan ndarjeje, sipas të cilit Jeruzalemi konsiderohej “qytet ndërkombëtar”. Por lufta e 1948-s, e lejuar nga fuqitë e mëdha, solli shpalljen e pavarësisë së Izraelit, dhe qyteti mbeti i ndarë. Me përfundimin e luftës (1949), Izraeli kontrollonte pjesën perëndimore. Gjatë Luftës Gjashtëditore të vitit 1967, Izraeli pushtoi edhe Jerusalemin Lindor. Që atëherë, i gjithë qyteti ka qenë nën autoritetin e Izraelit. Ndaj, vendimi i fundit i administratës amerikane thjesht është jehonë e politikës perëndimore – nuk është diçka e re.

Kështu, Trump thjesht ka njohur Jeruzalemin, pa iu frikësuar pasojave që penguan tre pararendësit e tij në detyrë. Ndërkohë, Izraeli e konsideron Jeruzalemin kryeqytet dhe dëshiron që të gjitha ambasadat të vendosen atje, pasi në Jeruzalem ndodhen edhe selitë e qeverisë, parlamentit, ministrive dhe institucioneve kryesore të shtetit izraelit.

Reagimet kanë qenë të shumta.

Palestinezët dhe udhëheqës të tjerë arabë duan që kryeqyteti i shtetit të pavarur palestinez të jetë në pjesën lindore të qytetit, të cilin Izraeli e pushtoi në luftën e vitit 1967. Madje, një përfaqësues i Autoriteti Palestinez theksoi se “ky vendim ishte një deklaratë lufte”. Në lojë, hyjnë si zakonisht Rusia dhe Kina, të cilat shprehin shqetësimin se mund të përkeqësohen armiqësitë në Lindjen e Mesme. Vende arabe – aleate të SHBA-së – kanë shprehur gjithashtu shqetësim për përshkallëzime të konflikteve. Turqia ka deklaruar se mund të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Izraelin. Një qeveritar turk deklaroi se rajoni mund të zhytet në një “zjarr të pashueshëm”.

Në fakt, të gjithë shqetësohen për reagimin që vjen brenda shteteve të tyre, për rolin më të madh që merr Amerika në rajon dhe forcimin e vazhdueshëm të Izraelit.

A nuk ka qenë në këtë linjë politika amerikane në Lindjen e Mesme, të paktën që pas vitit 2000. Për njohësit e problemeve të rajonit, kjo lëvizje është shumë e papërfillshme – për shembull – në krahasim me mosveprimin e shpejtë të presidentit Obama për të parandaluar krijimin e ISIS-it.

Në këtë gjullurdi disi artificiale, edhe Shqipëria duhet të shprehet. Duhet të tregojë se është një aleate e rëndësishme e SHBA-së. Shqipëria duhet të japë mbështetje – të paktën me deklarata politike – për “protektoren” e saj. Edhe Shqipëria të njohë Jeruzalemin, duke theksuar gjithashtu – siç bën edhe SHBA – nevojën për një shtet palestinez.

Shqipëria nuk mund të rreshtohet në krah të Turqisë apo botës myslimane, kur duhet të zgjedhë kamp.

Pengesës turke në rrugën për orientimin e Shqipërisë drejt Perëndimit, iu dha goditje që më 2012, kur Erdogan kuptoi se Shqipërinë nuk e kishte plotësisht në sferën e influencës. Shqipëria nuk votoi pro mocionit që do t’i jepte Palestinës pozicionin e një shteti vëzhgues jo-anëtar në OKB. Kryeministri i atëhershëm Erdogan nuk arriti ta bindte Shqipërinë dhe, i befasuar nga qeveria shqiptare e saj kohe, tha se “ka shumë frikacakë”, duke iu referuar Shqipërisë dhe se “kjo lëvizje e Shqipërisë do t’i zbehte marrëdhëniet bilaterale”. Sot Erdogan është më shumë se kurrë më parë kundër SHBA-së. Nga ana tjetër, shqiptarët vazhdimisht i referohen Amerikës si aleate kryesore.

Aleancat, në marrëdhëniet ndërkombëtare janë marrëveshje, në bazë të të cilave shtetet duhet të tregojnë mbështetje reciproke. Nuk po pretendohet që Shqipëria të tregohet – në peshoren gjeopolitike – e njëjtë me Amerikën, por, në situata të caktuara, të ofrojë mbështetjen që është në gjendje ta japë. Në njohjen e Jeruzalemit, Shqipëria do të tregonte se nuk ka lidhje me botën myslimane, duke zhbërë kështu një perceptim të gabuar të perëndimit, dhe do të fitonte mbështetje më të madhe nga superfuqia botërore.

Njohja – nga ana e Shqipërisë – nuk do të ndryshojë shumë gjëra në situatën në Jeruzalem apo në rajonin e Lindjes së Mesme, por ky veprim diplomatik do të kishte një peshë të madhe simbolike. Dhe simbolika në diplomaci ka shumë rëndësi.

Shqipëria nuk duhet të druhet nga qëndrimi i disa vendeve europiane, me influencë në BE. Nuk duhet harruar se këto vende më shumë i frikësohen reagimit të brendshëm të myslimanëve – shtetas dhe emigrantë në vendet e tyre, dhe marrin masa parandaluese nga sulme mbi civilët nga grupe terroriste.

Mbi të gjitha, shqiptarët kanë detyrime të mëdha ndaj SHBA-së: mbështetja amerikane për anëtare e NATO-s, lufta për çlirimin e Kosovës, e më pas pavarësia e saj, ndihmesa e vazhdueshme amerikane për të gjithë hapësirën shqiptare, dhe për më tepër garancia që jep Amerika për ruajtjen e kësaj hapësire.

Ia vlen të përmendim raportin e fundit të Këshillit të Atlantikut, një sugjerim për Departamentin Amerikan të Shtetit, në të cilin theksohet se SHBA, në rajonin e Ballkanit, ku normalisht ka theks të veçantë për hapësirën shqiptare, duhet të vendosë një prani të përhershme ushtarake, duke nënkuptuar përfshirje më të gjerë amerikane, tani që po ndodh një distancim nga Turqia dhe po fillon një Luftë e re e Ftohtë me Rusinë.

Atëherë, duke marrë në konsideratë kapacitetin tonë modest, do të ishte me vend që të paktën të luanim diplomaci simbolike

Please follow and like us: