Albspirit

Media/News/Publishing

Kliton Nesturi: Kolonja e papërsëritshme

Kolonja është e vendosur në jug-lindje të Shqipërisë, buzë kufirit me Greqinë. Për të shkuar në të duhet të kalosh ose nga Korça, e cila ndodhet në veri të saj, ose nga Përmeti, me të cilin kufizohet në jug dhe perëndim. Çdo vizitor që shkel për herë të parë këtu, do të ndeshet me natyrën e mrekullueshme, klimën e shëndetshme dhe bujarinë e banorëve të saj.

Kolonja ka një popullsi prej afro njëzet mijë banorësh, shumica të vendosur në fshatra. Qyteti i Ersekës, i cili është qendra e këtij rajoni ka një popullsi prej 7600 banorë. Kryesisht, i gjithë ky rajon mbahet kryesish me të ardhura prej emigracionit. Si pasojë e lëvizjes demografike, një numër i madhi popullsisë është shpërngulur drejt qyteteve kryesore të Shqipërisë, por edhe jashtë vendit.

Kolonja pati një zhvillim të madh në fund të shekullit të XIX. Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare ajo u bë një nga qendrat kryesore shqiptare ku u përqendrua kjo lëvizje. Janë dyzet e shtatë personalitete, kolonjarë që spikatën në këtë periudhë duke lënë gjurmët e tyre në historinë e Shqipërisë.

Por Kolonja nuk ka qenë vetëm një qendër e rëndësishme historike. Traditat e pasura kolonjare u trashëguan brez pas brezi, aq sa edhe sot vazhdojnë të kultivohen. Të gjitha këto dëshmojnë për një jetë të pasur, në të cilën një vend të veçantë ka edhe kënga kolonjare, e njohur jo vetëm në Shqipëri, e cila dallohet për karakteristkat e saj të veçanta, si në motivet orkestale e po ashtu edhe në frymën që karakterizon tekstet. Veçanërisht, ato u bënë të njohura në vitet ’80, kur u shënua edhe kulmi i grupit të këngës kolonjare, nën drejtimin e kompozitorit Bajram Lapi.

Në një godinë të thjeshtë dy katëshe, në qendër të qytetit të Ersekës, ndodhet muzeu. Në këtë godinë e cila bie në sy prej bazorelievit të vendosur në fasadën kryesore, ndodhen mjaft objekte që dëshmojnë historinë dhe traditën e gjithë trevës së Kolonjës: qysh nga gërmime dhe gjetje të ndryshme areologjike, e deri tek ateliere ku është vendosur tradita e ndërtimit kolonjar, arretimi i dhomave të gjumit dhe të ndenjes, që prej këmborave dhe objekteve të ndryshme të shtëpive, e deri tek veglat muzikore e makinat e shkrimit të sjella nga jashtë e të përdorura nga individë të ndryshëm, që nga qilimat e deri… Është një pjesë e Shqipërisë, e cila ia vlen të njihet prej të gjithëve.

Erseka është një qytet i vogël. Ka një shkollë nëntë vjeçare dhe gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Qendra e vjetër e qytetit thuajse nuk ka ruajtur asgjë nga arkitektura e vjetër. Hoteli i vjetër i turizmit, po në qendër të qytetit qëndron i mbyllur, ka vetëm tre-katër hotele të vogla, të vendosura kryesisht në periferi, çka dëshmon mosinteresimin e vizitorëve gjatë kësaj kohe. Erseka shfaqet kryesisht si një qytet i ri, ku spikasin ndërtimet e pallateve gjatë periudhës së socializmit.

Pavarësisht këtyre hendikapeve, në Ersekë ndeshesh me njerëz të mirë, bujarë dhe plot kulturë, Tradita e tyre, është një virtyt me të cilën ata krenohen me të drejtë.

Për vet specifikat e saj, si dhe shtrirjen gjeografike, zhvillimi i Kolonjës nuk është bazuar mbi industrinë. Planet e zhvillimit të saj deri më sot kanë në varësi të zhvillimit të politikave të përgjithshme. Kjo politikë ka bërë, që në emër të një jete më të mirë, njerëzit të largohen, duke braktisur jo vetëm shtëpitë, por edhe fshatra. Pesë prej tyre, sot janë braktisur tërësisht. Popullësia kolonjare, është e ndarë kryesisht është e ndarë në dy besime ftare, ortodokse dhe muslimane (bektashi). Si rrallë në Shqipëri dhe në çdo vend tjetër, Kolonja të befason edhe me një fakt: të gjithë fshatrat janë ndërthur duke u rreshtuar njëri pas tjetrit në një formë të çuditëshme, një fshat me popullësi muslimane ka në krah fshatra me popullësi ortodokse dhe anasjelltas. Kjo formë bashkëjetese ka prodhuar gjithnjë një frymë bashkëekzistence miqësore dhe kurrë nuk ka qenë burim konflikti.

Pavarësisht të gjitha këtyre, Kolonja në përgjithësi, nisur si nga pozita gjeografike ashtu edhe nga infrastuktura jo e mirë e rrugëve që të shpien atje, mbetet e paeksploruar, një vend i panjohur. Secili pej fshatrave ka karakteristikat e veta; atë që e gjen në Borovë, nuk e gjen në Shtikë, atë që e gjen në Psar, nuk e sheh në Luaras, atë që e sheh në Gërmenj, nuk e sheh në Vodicë, e kështu me rradhë.

Rehova

Rruge fshati – Rehove

Shumë pranë qytetit të Ersekës, në rrëzë të malit të Gramozit, ndodhet fshati Rehovë. Qysh në kontaktin e parë, vë re se fshati është i sistemuar me lagje dhe shtëpi banimi të vjetra. Këtu emigracioni është shumë i hershëm çka vihet re edhe në ndërtimin e shtëpive të vjetra, të cilat kanë ruajtur tiparet karakteristike. Ndërtimi i shtëpive në Rehovë, shquhet për forma të larmishme kompozicioni, aq sa rrallë sheh shtëpi që, të paktën nga fasada e jashtme, të ngjajnë me njëra-tjetrën. Ka mjaft shtëpi të vjetra, të cilat nisur edhe nga vendndodhja e tyre, janë të shënjuara si ndërtime tepër të veçanta,siç janë shtëpia e shkrimtarit Naum Prifti, apo e aktorit Agim Qirjaqi.

Rehova ka dy kisha, një në qendër të fshatit dhe një lart, e ku secila prej tyre spikat si me arkitekturën, po ashtu edhe me vlerat që ka. Me pozicionin e vendosjes, ndërtimin strukturor të fshatit, klimën dhe natyrën që e rrethon, Pavarësisht emigrimeve të dekadave të fundit, njerëzit që jetojnë këtu, të vetëdijëshëm edhe për traditat që kanë dhe përcjellin, vazhdojnë të mendojnë se këtu ata mund ta ndërtojnë edhe më bukur jetën e tyre. Rehova mbetet një fshat i bukur, i cili të grish vazhdimisht për ta viztuar. Këtë e tregon edhe numri i vizitorëve të ndryshëm, i cili vjen gjithnjë e në rritje.

Leskoviku

Leskoviku

Leskoviku shtrihet buzë malit të Melesinit. Sapo ndeshesh nga larg me këtë qytezë të vogël, ndjen një admirim për emrin e madh që ka. Dikur një qendër e veçantë, tashmë ajo bën pjesë në Bashkinë e Kolonjës. Qyteti është shumë i vogël, dhe njerëzit duke mos asur asnjë mundësi mbi punësimin, e kanë mbështetur jetën e tyre tek emigracioni. Mjaft banorë kanë ikur, dhe të tjerë mendojnë të ikin. Leskoviku është buzë kufirit me Greqinë, komunikon me fshatrat matanë edhe në menyrë vizuale. Varfëria është ulur skajshëm, megjithatë banorët e kësaj qyteze, të vendosur mes Ersekës dhe Përmetit, përpiqen të jetojnë me dinjitet, ashtu siç qëndron rrapi i vjetër historik në sheshin kryesor. Leskoviku është i rrethuar nga bukuri natyrore të rralla dhe çdo vizitor që vjen këtu, ndesh në një reliev shumë të thyer e të bukur, që rrallë mund ta gjesh në Shqipëri.

E gjithë Kolonja të mahnit me bukurinë dhe vlerat e saj. Kjo hapësirë, për cilindo vizitor kthehet nga aventurë në një dashuri të cilës ke dëshirë që t’i rikthehesh vazhdimisht.

Blogu: http://klitonnesturi.blogspot.al/

Please follow and like us: