Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Legjenda e udhës

 

1.
Dhe symbyllur nisem.
Dhe të përplasem me shkëmb 
A të bje drejt në humnerë-
rrugët kështu qëlluan: me hone, në gryka fshehur,
makinat – nga ato me rrota në erë.

Ulem në ndënjëse drejt e fort,
pa çak, pa bam;
nuk ulem, veten e dorëzoj,
kokën time të prerë
e vë te timoni në xham.

Si ta vësh koburen plot
në tëmtha, nisem;
si t’i thuash vetes : tej, tretu në erë,
mollë e pjekur vjeshte,
këputu me gjithë degë.

Të blatohem ty, rrugë :
kalë dheu, mitër nëne
gur vatre, gjethërim shpuzë
mushkëri, rrënjë
shtrojë, mbulojë,
kupë uji në buzë.

2.
Nisem.
S’ jetoj dot pa miqtë:
re, yje, qiell i papërsëritur
shkëmb, hon, pyll, a një hënëz bar…
në çast shuheni, në tjetrin merrni formë
si hukatjet mbi xham.

Një hapje zemre si shi i ngrohtë;
bisedë e bekuar që më rrit eshtrat,
pjek e praron të korra maji,
në dheun tim të brendshëm
plugim i tejdukshëm ajri.

3.
Rrugë, je plaga jonë e hapur
buzë a shtat femre
përherë e ditur, a e shkallmuar
çuçuritëse, a e trungët
memece a e malluar.

…gropa andej, fushëtirë anash
lart gryka, poshtë humnerë
ulen male, ngrihen lugina
diku asgjë…
fill i ndërprerë.

4.
Na mbush, na rrit
ne njerëzit hon dhe tunel
hulli e udhëtimit, shpina e rrugës
mbushulli e hapësirës pa kulm e themel.

I lemë a na lënë miqtë bukuroshë,
Bota a shtrëngata na dalin kundër-
s’ ka gjë – janë lojë e fatit,
fati dhe preja,
përbindshi dhe deti që ndjekin një lundër.

5.
Marrim në sy këtë nisje drejt fatit
sikur nuk jemi prej mishi
sikur nuk vdesim ndonjëherë:
pasione të egra, dërrmuese
që i rritëm, i shprazëm, i tretëm në erë.

Zgjatëm kërthizën, tërkuzën e djepit tonë
E lidhëm në rrufe, në rreze dielli që ther,
e lamë pas si shtizë të tendosur
varur te një urë,
harkuar në ylber.

I shenjtë
vetëm çasti i nisjes,
vetëm udhëtimi
të tjerat:
udhë … rrokullisje, ngritje…erë.

6.
Zog mëngjesi në flur,
në skelet kockash nderë krahët e mëdhenj
flatra me grimca drite të lëngësht
të mpiksur
si avullimi mbi lumenj.

Fli i freskët,
mbi degë të holla kockash,
diell, erë dhe vesë veshur-
te koha e pastër,
te çerdhja kthehu prapë,
te gojët e burimeve
çurgojnë cakun ditë as natë.

Fli i fluturimit
çelik krahët mprehur
në cipëzën sipër lumit,
kalitur në diell,
kthehu në ciklin e madh,
nga rrethi i mbyllur-
ti fluturim zogu-
ti rrugën çaje, ti, tej e më tej del.

Truall rruge i qielltë,
trung i zi asfalti, ebanit, mermer
dhe fluturimi pa cak nëpër botë
në dhera, dete e qiej.

7.
Grykë drite pa diell,
kanistër pa formë buke sipër-
fytyrë e tuneltë-
në çurgim pakohësie
në pakufi e ngrirë
flu mbi malet kundra- dritës,
paksa zbardhëllirë,

Fytyrë e tuneltë, njeri,
eja nisemi.
E qeshura si gotë uji në verë
zbut me përkohësi
ëndrra qendrueshmërie
kur rrota puthet
buzë më buzë me humnerë.

8.
Ti, i tunelti, vëlla me mua
dhe ti i dehur a i marrë,
Ejani, sa rrojmë
tërkuzën e fatit ta tundim, ta shkundim fort
lart në një balonë ajo varet,
a në të tjerë litarë.

Njerëz koti, të krisur
a mbase nga rraca më e fort
besojmë zemrën
në përkohësi,
në pakohësi gatuar
pa shtëpi, pa kuotë.

9.
Rrugë, e gjatë sa një e shtënë plumbi
në tëmtha
barabar sa një jetë,
e shtënë në kufinj mishi, toke, ajri
nëntokë, mbi tokë a në det-

nisemi mik, nisemi herët,
një gjurmë, një hap, një vragë,
te një port …
te një hon… tunel… a dallgë…

2000

Bejko me Kadarene, maj 2018

Please follow and like us: