Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Mimoza Bici

 Qenkam e lumtur

Qenkam e lumtur
pa ty zemra ime.
Brenda teje
e tjetër kund
nuk mund të jetoj!
Çdo trup
ka këmbët e veta të ec
e dy duar
të përkëdhel
të afroj
e të largoj.

Sa të rrëshqitur
ka në këtë jetë
Vuajnë për ikjet
thua se dashuria është send
jo frymë
E ulërijnë
dhimbjes që nuk është dhimbje
por një flakëz që djeg
për rilindje të mëdha….

Dhimbje është gjithcka
për atë që të lind
e atë që lind
Të tjerat
lëvizin
formohen, deformohen
Zbukurohen, zbehen
“Vdekje” pa kuptim …

Dhe Ti pa mua
je udhëkryq pa kthim
Por unë di kush jam
Kjo përbën ndryshim

Tani pyes veten
për veten time
Kush jam?

 

Dikush 

 

Dikush
po më bën të lumtur
E dija se ëndrrat kanë zgjim.
Tani që jam zgjuar
Ëndrra po më thotë: Fli!

 

Rrezja pranverore

Rrezja pranverore
zbërthen kopsat dimërore
një e nga një.
E unë
ekstazuar
pranoj lakuriqësinë
nga duart e panjohura
ku më zhveshin
të bëj dashuri me jetën.
Po bëj dashuri
apo dehem ëndrrës
drejt verës
ku nuk gjej shpëtim!

Nga ty i dashur
ndodh dhe të ik
Iki nga ty
dhe shkoj në tjetër ëndërrim.
Por pranverës së ngrohtë
nuk mundem t’i braktisem
më zhvesh tinëz.
Kopsat dimërore
shkatërron lehtesisht.
Si herën e parë
Çdo herë të parë
me Ty …

Please follow and like us: