Albspirit

Media/News/Publishing

Negociatat: Kali i politikës, frerët e mazhorancës dhe patkonjtë e opozitës

 Dr. Astrit GJUNKSHI

Kërkojmë prej vitesh të realizojmë ëndrrën tonë europiane për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe, më në fund, na erdhi para dy ditësh një sinjal shprese për hapjen pas një viti të negociatave për bisedime për anëtarësim në BE. Dhe, siç ka ndodhur gjithnjë me politikën në vendin tonë, të dy krahët e saj nxituan të dalin me deklarata stampë që jemi mësuar t’i dëgjojmë, pa u përpjekur të moderojnë qoftë edhe diçka minimale në përmbajtjen dhe stilin e tyre. Duket se as që kanë marrë mundimin që të lexojnë rrjesht për rrjesht dhe çdo fjalë të Deklaratës së Përbashkët të Këshillit të Europës për Çështjet e Përgjithëshme dhe, aq më pak, nuk janë ulur ta analizojnë dhe të nxjerrin mësime për veten e tyre për periudhën një vjeçare. I vetmi kujdes i tyre është të ulin meritat e kundërshtarit për procesin dhe t’i shtojnë përgjegjësitë e tij.
Qëndrimi i mësipërm të shkurajon e të bën pesimist për progresin e shpejtë të përmbushjes së detyrave që BE ka përcaktuar në Deklaratën e Përbashkët dhe e vështirëson procesin e hapjes së negociatave pas një viti. Një mënyrë e tillë e leximit të deklaratës së BE-së reflekton edhe perceptimin e cekët të politikës që kujton se zyrtarët e BE-së kanë bërë thjesht një formulim burokratik të rradhës, pa u ndalur në marrjen e përgjegjësive që i takojnë secilës palë. Ndërkaq, në paragrafin 49 të saj, Deklarata përcakton qartë se dialogu i vazhdueshëm dhe konstruktiv midis qeverisë dhe opozitës është kyç për progresin e reformave dhe afrimin e Shqipërisë me BE-në. Por, siç po vërejmë, qeveria kërkon të marrë meritat pa nxjerrë përgjegjësitë konkrete të saj për gjendjen ku jemi, veçse me fjalë të përgjithshme. Ndërsa opozita nuk njeh asnjë kontribut dhe meritë të qeverisë, përveçse e bën përgjegjëse për çdo asepkt negativ që përmendet në Deklaratë.
Pra, tek ne, dy palët e politikës jo vetëm që nuk dialogojnë me synim përshpejtimin e procesit integrues në të mirë të popullit, por vetëm u përmbahen axhendave të tyre politike partiake. Një dialog nënkupton të përcaktosh drejtimet ku mund të bashkëpunojnë të dy palët për reformat. Opozita bën mirë që i nxjerr përgjegjësitë e qeverisë për gjendjen e krimit të organizuar e korrupsionit dhe nuk ka pse të mos akouzojë e luftojë me vendosmëri për ndëshkimin e përgjegjësve mbështetur në prova. Por ajo nuk duhet të nxijë çdo gjë a priori, pa patur argumentat e mjaftueshme. Ashtu siç duhet të bashkëpunojë për çuarjen përpara të reformave, pa i frenuar ato, pa patur frikë se ato do të ndëshkohen edhe eksponentë të saj.
Nga ana tjetër, qeveria duhet të lerë mënjanë propagandën e fryrë për arritjet e saj dhe larjen e duarve për gjithçka që ndodh me krimin e korrupsionin. Ajo duhet të tregojë me prova se i godit këto fenomene duke filluar nga zyrtarë të saj, por të rrëfehet edhe për gabimet e saj nëse është e pastër. Kështu do të bëhej më e besueshme para popullit dhe përballë opozitës. Kësaj të fundit, mazhoranca duhet t’i krijojë besimin dhe lehtësitë e nevojshme duke filluar me çështje ku mund të gjendet më lehtë emëruesi i përbashkët. Shenjat për gjetjen e pikave të përbashkëta për dialog duhet të jepen sa më shpejt por, siç theksuam më lart, dialogu nuk është futur akoma në axhendën e tyre.
Në mënyrë figurative, në rrugën për të tërhequr “karrocën” tonë që do të përshkojë rrugën për në BE, ne kemi vënë përpara dy “kuaj” të politikës, të vendosur njëri pas tjetrit. Kali i parë, ai i mazhorancës përcakton kursin dhe ritmin e ecjes, sepse mban frerët e qeverisjes në dorë. Ndërsa kali i dytë politik vendosur pas të parit, ai i opozitës, duhet të bashkërendojë ritmin me të parin dhe, sidomos, të mos përpiqet të ulë ritmin e ecjes përpara duke bërë frenato me nguljen kokëfortë të patkonjve mbi rrugë. Ajo që ka ndodhur deri tani me çiftin e kuajve tanë politik është se kalit të parë i janë tërhequr frerët duke e çuar jo në rrugën e drejtë, por edhe rrugë pa rrugë, që shpesh kanë kaluar në ara të mbjella me kanabis. Ndërsa, kali i dytë ka qenë vërtet vëzhgues i të parit dhe i ka parë këto devijime të tij. Por ama, nuk kanë munguar edhe prirjet e tij për të ngadalësuar ecjen e atij që prin përpara, me synim që të ndërrojnë vendet.
Punë kuajsh! Mbase duheshin ndërruar që të dy prej kohësh. Por, kur nuk ke të tjerë, duhet punuar aq sa mundemi edhe nga shoqëria civile për t’u korrigjuar huqet që kanë, në mënyrë që ata të na tërheqin ashtu siç duhet në rrugën që ka mbetur deri në qershorin e ardhshëm. Dhe Deklarata e Përbashkët e BE-së e ka përcaktuar qartë itenerarin.

Autori është Doktor i Shkencave për Siguri Globale, ish Ministër Këshilltar në Delegacionin e Shqipërisë në NATO.

Please follow and like us: