Mimoza Bici: Rrëfenjë shpirti
Dua të të bëj të lumtur
Po si?!
Para të mjaftueshëm nuk kam…
Zemrën po,
por është aq e madhe,
sa nuk të nxe!
Shpirtin e dua për vete
Kur të dhashë një pjesë
ti u dëfreve pas seksit
duke parë femra të tjera.
Bukuria ime nuk të mjaftoi
kjo pjesë shpirti nuk ekzistonte,
por moria e femrave të tjera
të tundonin mashkullitetin.
Dua të të bëj të lumtur
Po si?!
As vet nuk di çfarë është lumturia
Ëndërroj përsëri tjetër mashkull.
Zemra e tij është kaq e vogël
sa nuk di nëse ka hyrë dikur,
po hyn
apo do të hy tek unë?!
Jam kaq e madhe vërtet
sa kam pëllcitur
e më nuk po kuptoj!
A mos vallë të urrej
e ti më zmadhon sa pëllcas?!
Dua të të bëj të lumtur
Pa para
as bëhet fjalë
Se përralla nuk dëgjon më asnjë.
Teknologjia
ka futur në recetë
si lumturinë,
si dashurinë
fëmijët,
martesën,
vdekjen.
Të gjitha të programuara.
Jam pak me fat
Jam brez që nuk u hyj në punë
as teknologjisë,
as tradicionales
Gjërat programoj vet
Ekuilibroj emocionet
Shthurrem ndonjëherë.
tkurrem
ndizem
si xixellonja.
Qesh me veten shpesh
Po po qesh
Njerëzit kam nën kontroll
Po ty?!
Ty jo
Ti as do t’ia dish se ekzistoj
Pa më ler rehat…
Ti vetëm të vdekur
do t’më dashurosh
Vdekja ime të lumturon
Prodhon gjithçka
t’më joshësh,
trembësh
E prekem nga të gjitha këto
Ti e ke të ftohtë
botën tënde
Më kot ke dërguar djajtë
me tempuj qesharakë
se ndodhesh në parajsë.
Ti më puth
dashuron
pas vdekjes.
Por me trupin tim
vdesin të gjitha
E ti nuk shijon
dallgdisjet e epsheve.
Atëhere
kush m’i lindi në trup
e i vdes po aty?!
E ty të ka mallkuar në përjetësi
vetëm t’më dashurosh trupftohtë
Dua të të bëj të lumtur
Po si?!
Ta mbështetësh kokën
mbi gjoksin tim.
Të ndjesh arome femre
dhe pse të frikson
Mposhte burrërinë
siç e tretin meshkujt në k’të tokë
Ia vlen të vdesësh
nën mishin e ngrohtë.
Largo mërinë
duke dashuruar vdekjet,
po e mbulon këtë tokë
aq shumë me gjakra.
Pse ngren shkëlqim të rremë
tempjush mishngrënës?!
Të them betimin më të shenjtë njerëzor
betim shpirtëror
se kështu do të ndodh:
Tek njeriu i fundit
do mëkatosh,
dorëzohesh!
Do të jetë femër sigurisht
E ti do të bësh për së gjalli me të dashuri
Nga frika se nuk ke me çfarë argëtohesh
në tokën e shkretë
vdekjesh të tua
si mbretëri fillikat e jotja!
Do zbresësh tek e fundit femër
E ajo
nga zhgënjimi i parajsës tënde të paekzistuari
do të mbyt
gjakut të saj,
lëkurës së ngrohtë,
duke kënduar këngën e re,
të vjetër sa vet jeta:
Dua të të bëj të lumtur
Po si?!!!!
(M. Bici. Poezi nga cikli i poezive “Për të gjithë të pafajshmit”, Tiranë, korrik 2018)