Albspirit

Media/News/Publishing

Genci Çobani: Qëndrimi zyrtar i Athinës është parlamenti!

Kush janë grekët (natyrisht, jo të gjithë) e dimë. Ajo që më trishton, nuk është histeria e tyre për të sharë, përdhosur dhe poshtëruar çdo gjë shqiptare, por histeria që ka shpërthyer kohët e fundit në një pjesë të madhe të shtypit shqiptar, për të treguar se sa “shumë i kemi dashur”, “sa mirë kemi jetuar me ta gjithë jetën”, etj. Mbase gabohem, por më duket si një servilosje e poshtër, pa dinjitet. Sikur po i përkëdhelim dhe u themi: “Nuk ka gjë! Ndodhi një vrasje, por fundja ne ju duam, mos u mërzisni, se ju kemi në zemër, siç ju kemi pasur gjithë jetën”. A nuk është turp? Për mua që jam rritur me Maqon dhe Altinin; që kam bërë shkollën me Kiçon dhe Llambin; që kam bërë Ushtrinë me Vason dhe Llaqin; që kam luajtur futboll (aq sa dija unë të luaja) me Vasilin (që, në fakt, ishte nga më të talentuarit e brezit tim); që kam qenë shok dhe vazhdoj të jem edhe sot me Peçin dhe Janin; që me Vangjelin kam ndarë në dhomën e konviktit ushqimin e varfër (unë i jepja vezët, kurse ai më jepte vajin për t’i skuqur bashkë)… nuk ka nevojë qe t’i them të gjitha këto me ndjenjën e shfajësimit, sepse jam i bindur që asnjeri prej këtyre nuk mendon ndryshe nga unë. Asnjeri prej këtyre nuk është dakord që një kriminel (nuk kam asnjë arsye që ta kafshoj gjuhën në termat që përdor), të trajtohet si hero. Siç e di shumë mirë që, asnjëri prej tyre nuk është dakord që disa injorantë, të cilët kujtojnë se kulturimi njerëzor filloi ditën që ata emigruan në Greqi, të kërkojne vdekjen time (a nuk thirrën kështu në varrimin e turpshëm që u bë në Bularat, kur folën për sëpata e ku di unë çfarë). Ata kërkuan vdekjen e shqiptarëve dhe unë jam një i tillë.

Përse nuk i themi gjërat me emrin që kanë? Një ushtar grek hyn me armë greke, me uniformë të Ushtrisë Greke në tokën tonë dhe ne kemi frikë (ndoshta dhe turp) që ta quajmë pushtim. Pushtim është, asgjë më shumë. Hyn një ushtar i vetëm, apo një ushtri, pushtimi është pushtim. Nuk do të ishte i tillë, sikur akti i tij të ishte dënuar zyrtarisht nga zëdhënsia e Ushtrisë Greke, por kjo nuk u bë, që do të thotë se, në heshtje, Ushtria Greke e miratoi aktin e këtij terroristi. Atëherë, çfarë mund të quhen ata që mbrojtën tokën shqiptare nga ky pushtim. Për mua, të mirë, apo të ligj, janë çlirimtarë. Patetizmat servile, mund t’i shërbejnë politikës, pseudogazetarëve dhe militantëve të verbër që nuk shohin të vërtetën në sy; që kanë frikë të dënojnë veprimin e ndyrë të “deputetit të PD-së”, Vangjel Dule (nga lista e saj është në Parlament) dhe të LSI-stit, Vangjel Tavo, “nga që partia nuk i paska dënuar akoma”. Por nuk mund t’i shërbejnë të vërtetës, klimes së miqësisë për të cilën kaq shumë po rreken të na genjejnë se ekziston. Sa për parantezë, ata që më njohin, e dinë mirë se gjithmonë kam votuar për atë krah që – megjithese, jo gjithmone me të drejte – shumë njerëz e cilësojnë si të PD-së. Por, nëse edhe ata që kam votuar unë, po në atë listë, nuk e dënojnë moralisht, por edhe politikisht (natyrisht, në publik dhe jo nëpër tavolinat e klubeve të Tiranës) të paktën qëndrimin e Dules (votuesit e LSI-së, le te kenë guximin po të duan, që të bëjnë të njëjtën gjë me të votuarin e tyre), me vjen keq të them, por, edhe pse pa shumë dhimbje për ta, do të humbasin, të paktën një votues. (Ndoshta edhe më shumë.) Dhe, ju lutem, mos na çani shumë kokën me gjoja “qëndrimin zyrtar të Athinës”. Heshtja e mbajtur në Parlamentin grek, një minutë për një terrorist, tregoi se sa “miqësore” qenka politika e Athinës zyrtare ndaj Shqipërisë. Të paktën unë nuk njoh institucion më të lartë zyrtar në një shtet, se sa Parlamenti.