Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Homazh për martirin Karavaxhio

Tek shfletoja një album me pikturat e fundit të Hasan Nallbanit, u ndala për një çast në një tablo me titullin «Homazh Karavaxhios»… Një tablo që nuk është në tonet apo mënyrën e pikturimit të piktorit të madh italian, por që në origjinalitetin e Nallbanit, na dëshmonte jo vetëm për admirimin e tij për këtë piktor, çka e gjen tek pothuaj gjithë piktorët tanë, por që njëkohësisht na tregon nga larg një imazh tragjik të jetës apo vetë figurave të Karavaxhios, jetë që padyshim ka qënë një nga më tragjiket e piktorëve të botës. Dhe çuditërisht, në të njëjtën kohë, në Paris një ekspozitë është hapur me tablo të Karavaxhios (Caravaggio) gjatë periudhës së tij në Romë, kohë kur piktori i ri, që aq shumë afrohej me botën pikturale të Tizianos, ishte vënë në krye të piktorëve më të mirë në atë kohë. Ishte i habitshëm ky pikëtakim me tablonë e Nallbanit pasi në metro po shkruaja në një copë letër fundin e dhimbshëm të Karavaxhios. Në jetë gjithnë ka koinçidenca…

E mrekullueshme të shohësh torsin nudo të një gruaje në gjysmë dritë e gjysëm hije, aty ku drita luan me hiret në përdëllimin e shpirtit dhe ku dehja është më shumë se dehje, humbja më shumë se humbja e reales, aq sa për një çast të duket se ke thjesht vegimin e një tabloje të Karavaxhios. Ja pra pse mund të themi dhe në një gjëndje të tillë: «Ti je si një tablo e Karavaxhios!» Sepse tek Karavaxhio, ndoshta më shumë se cilido piktor i botës pikturale, erotika në gjysmë errësirë me elemente të dritës okrër apo të bardhë është në një perfeksion dhe origjinalitet të jashtëzakonshëm, aq sa thjesht me një vështrim, çdo kush midis qindra tablove të piktorëve të tjerë do ta kuptonte se kemi të bëjmë me penelin e Karavaxhios, me gjeninë e tij. Eshtë dritë-hija, ajo që zbulon hiret e trupit, duke vënë në plan të parë erotizmin «korporal», njeriun, apo atë çka shpreh dëshira e vetë trupit njerëzor. Dhe kështu, ballë një një skene të tillë, nuk je vetëm «ti» dhe «ajo», por se aty, në atë kërleshje, është dhe vetë piktori në gjendjen sensuale të tij. Përse nuk themi se kështu ndodh dhe me një Rembrandt, me një Rubens, Van Dyck, etj. Edhe pse afrohet me Rembrandt, kur pikturon trupin femëror, Karavaxhio është në një tjetër regjistër, në atë të dëshirës dhe ekstazës, dhe kjo jo vetëm tek Madalena por dhe tablo të tjera, ç’ka tregon dhe pse shpesh herë, në porositë për figura të ndryshme, klerikët e mëdhenj apo princat e principatave italiane ia kthenin ose i mbanin disi të fshehura që të mos tregonin erotikën e trupit. Kështu, kardinali Farneze nuk e kishte pranuar tablonë «Shën Mateu dhe ëngjëlli», ndërkohë që markezi Giustiniani e mbulonte me perde tablonë e tij «Amour vainquer». Para se të shkonte në Maltë në kështjellën e «Urdhërit e Maltës», në Gjenova kur u strehua për disa kohë, ai punoi një afresk të mrekullueshëm që e kishte shumë për zemër: «Martiri i Shën Ursulës», të cilën ia kërkoi princi Doria në kujtim të mbesës së tij që ishte futur në një kuvend. Dhe ai e pikturoi atë legjendë, fytyrën e asaj gruaje të re, Ursulës, që nuk kishte pranuar të martohej me shefin e Hunëve dhe që ai për tu hakmarrë e kishte qëlluar me shigjeta bashkë me 11 virgjëresha të tjera…

Në vitin 1519 kishte vdekur Leonardo, më 1520 Rafaelo, më 1564 Mikelanxhelo… Tiziano vdiq në vitin 1576 dhe kur ai ishte 24 vjeç vdiq dhe Tintoretto… Veroneze i madh ishte ende gjallë. Tashmë emri i Karavaxhios, birit të një muratori të thjeshtë (muratore) të lindur në Milano, renditej ndër pasuesit më të denjë të gjenive të shkollës italiane, kohë kur ai depërtonte gjithnjë e më shumë në ngjyrën e zezë, në intonacionet e saj, në mpleksjet gjithnjë e më origjinale me të kuqe, të verdhën, me okrën dhe blunë, ku ngjyra mbi telajo merr një dinamikë të çuditshme, lëviz. Që 17-18 vjeç nisi të spikasë  gjenia e tij. Por djaloshi nga Caravaggio, që u ndikua shumë nga shkolla e famshme e pikturës veneciane, dhe që u shfaq në Romë më 1592, ishte një njeri impulsiv dhe me temperament të fortë, tepër i ndjeshëm si ndaj dashurisë ashtu dhe ndaj shoqërisë, pasi atëherë ishte koha e betejave kalorsiake, koha e kondotierëve. Por një ngjarje e dhimbshme do ta ndalte për pak kohë krijimtarinë e tij. Më 29 maj të vitit 1606 , kur sapo kishte mbaruar tablonë «Vdekja e Virgjëreshës» për kapelën «Cherubini» të kishës Santa Maria della Scala, gjatë një zenke, një fisnik i qytetit, Ranuccio Tomasoni e plagosi dhe në përleshje e sipër Karavaxhio e vrau. Që nga ky çast do të fillojë kalvari i Karavaxhios, kohë kur ditën punonte fshehurazi në atelier dhe natën dilte me shpatën në brez gati për tu ndeshur me familjarët e Tomasonit që e kishin akuzuar për vrasje. Shpejt atë do ta burgosin, por ishte ndërhyrja e ambasadorit francez në Romë që do ta shpëtonte, duke gjetur strehë në familjen princore Sforza Colona.Më pas njihet kalvari i tij në Gjenova, Mesina, Maltë, ku u bë «Kalorës i urdhërit» (dhe më pas ky titull iu hoq), në Napoli, vite ku piktori jetoi me makthin e vdekjes, makth që shfaqet dhe në veprat e kësaj kohe. Kur Davidi priste kokën e Goliatit, padyshim ai shikonte kokën e tij të përgjakur…Por më së fundi një lajm i mirë i erdhi nga djali i princit të Mantovës se Papa kishte pranuar ta falte dhe ai mendonte se tashmë edhe pse mund të përballej ndoshta me armiqtë e tij që e ndiqnin, me vetë vdekjen duhej nxituar të shkonte në Romë. Hipur në një anije të thjeshtë, ku kishte ngarkuar dhe disa nga tablotë më të shtrenjta të tij, mbështjellë në rulo, ai ishte nisur.Por fati i keq do ta ndiqte pas. Kësaj rradhe nuk ishin armiqtë e familjes së…, as mercenarët e “Urdhërit të Maltës” që e kishin ndjekur ngado. Rastësisht e kishin kapur në Palo, një port jo larg Romës dhe e kishin futur në burgun e një garnizoni ushtarak. Meqë komandanti i garnizonit nuk e dinte urdhëresën e mëparshme të Papës ku duheshin lidhur të gjithë ata që kishin bërë krime e të dënoheshin, ata e liruan përmes një shume parash që Karavaxhio nuk hezitoi t’ua jepte. Por kur shkoi buzë detit, në port, anija e vogël kishte ikur bashkë me pikturat e tij. Ku vallë kishte shkuar? Vallë tek Constanza në Napoli, apo kishin humbur tashmë në thellësinë e atij deti të tërbuar dhe s’do ti shihte më? Atëherë, me një barkë të vogël, në kulmin e dëshpërimit u nis drejt Porto Ercole rreth njëqind kilometra larg. Det me dallgë, shpirt në dhimbje. Gjithë bota i vinte rrotull. Imazhe të çuditëshme, makthe, faltore, sikur do të nisej për në perandorinë e Hades, atë të vdekjes. Ndjente sytë ti mbylleshin, qepalla te rëndë. Buzë të thara, etje dhe një përhumbje forcash që kurrë nuk e kishte ndjerë dhe në përndjekjet më të mëdha. Ku shkonte kështu, në ç’udhë? Veten e shikonte hera-herës duke hedhur hapat në kalldrëmin e sheshit të Shën Pjetrit. Cudi, një heshtje e jashtëzakonshme mbizotëronte aty. Tashmë as stuhia e detit nuk dëgjohej më, as gjëmimet e qiellit, as ehot e erës së tërbuar.Ishte bota që donte të pushonte, të prehej, të flinte, duke pritur të nesërmen. Dhe drita e kësaj bote përhumbej kështu në terrin e madh të syve. Duhej patjetër të kishte marrë Madalenën, tablonë më të dashur të tij, ekstazën e dashurisë së mëkatares për Jezunë. Do t’ia dhuronte Papës për faljen e tij. Po Papa vallë a do ta pranonte, a do ta shihte vallë si një sakrilegj?…. Megjithatë ishte i bindur se vetëm atje mund të qëndronte tabloja e tij… Ishte mesi i muajit korrik dhe një diell i nxehtë e kishte lodhur gjate gjithë atij udhëtimi herë me barka e herë me këmbë gjatë bregdetit. Askush deri para disa vitesh nuk e dinte se si kishte vdekur piktori i madh, i cili siç thonë dokumentat, ishte shtruar në spitalin e Porto Ercole dhe më 18 korrik 1610 kishte vdekur si një njeri i rrugëve, pa mundur tu thoshte se ai ishte një piktor i madh dhe se duhej të shkonte tek Papa. Trupi i atij burri të panjohur 39 vjeçar u hodh në një gropë të njerëzve të varfër dhe të braktisur. Asnjë meshë për të, asnjë elozh funebër, as dhe një gur varri me emrin e tij. Që nga ajo kohë historianët e artit u interesuan për talotë e tij që hynë në historinë e madhe të artit botëror. Enigma e vdekjes së tij, pas supozimesh të ndryshme u zgjidh veçse pas vitit 2009 kur «Komiteti Caravagge» bëri kërkime në varrezat e vjetra të Porto Ercole dhe përmes analizave karbon të ADN-së, një vit më vonë njoftoi se në grupin 5 të kockave të mbledhura, disa eshtra korrespondojnë në masën 85% me ato të Karavaxhios të vdekur katër shekuj më parë. Dhe shkaku i vdekjes së tij kishte qenë thjeshtë sifilisi dhe lodhja e madhe nga dielli i fortë. Kështu u mbyll historia e një piktori që u përndoq aq shumë nga armiqtë e shumtë të tij dhe që krijoi një nga afresket me të fuqishme të pikturës botërore përmes tablove «Madalena në ekstazë», «Davidi dhe koka e Goliatit», «Madona e Loretos», «Shtatë veprat e mëshirës», «Triumfi i dashurisë», «Shën Zherom, «Shën Gjon Baptisti», etj. Por siç ka ndodhur me disa nga gjenitë e artit, jo rrallë veprat e tyre janë kopjuar për tu shitur në emër të veprave të tyre dhe kjo ka ndodhur me «Madalenën në ekstazë» të cilën e pikturoi më 1606, pas vrasjes së Tomasonit, kur gjeti strehë brenda mureve të shtëpisë Colona dhe ku historianët e artit kanë identifikuar 18 tablo të tilla, të cilat nëpër kohra janë mbajtur si variante të Karavaxhios. Por më 2014, një eksperte italiane dhe njohëse e Karavaxhios, Mina Gregori, gjeti në një koleksion privat një «Madalenë në ekstazë» (106.cmx91.cm) dhe pas studimeve të hollësishme të mënyrës së pikturimit, përbërjes së ngjyrës,, rrudhave në këmishën e saj që janë bërë gjatë kalimit të furçës, toneve të ndryshme të trupit, intensitetit të fytyrës, duart në tone të zbehta, hija gjysmë e errët e gishtërinjve,  dhe valëzimi i ngjyrave të dritës, çka janë spikatëse në veprën e Karavaxhios, arriti në konkluzionin se pikërisht kjo tablo ishte origjinalja e piktorit të madh.

Please follow and like us: