Ilirian Zhupa: Një libër si një akt vetërrëfimi
Historia e rrëfimit përmes letrës së shkruar, pavarësisht nga koha, motivet apo forma, mbetet gjithmonë një histori e bukur. Por kur kjo histori shfaqet në formën poetike, më shumë sesa një rrëfenjë për botën dhe njerëzit rreth e qark, ajo shëndërrohet në një akt të ndjeshëm vetërrëfimi. Libri « Më mirë se asgjë», i autores Hava Muçollari, është një shembull tipik i pohimit të këtij kumti.
Kam patur rastin tridhjetë e pesë vjet të shkuara, të isha mësuesi i gjuhës dhe letërsisë, në shkollën e mesme bujqësore të Izvorit të largët. Bashkë me shumë pak nxënës të tjerë, Havaja ka qenë një nxënëse absolute, për të cilën po të mundja do rekomandoja të vijonte studimet për gjuhë-letërsi. Historia ka rrjedhur ndryshe. Po dëshirat e saj për letërsinë kanë ngelur të njëjtat.
U ripamë tre dekada më vonë. Dhe e vazhduam bisedën atje ku e kishim lënë. Te letërsia. Te pohimi i saj i nënvizuar në poezinë « Sikur jeta të ishte poezi », ku këmbëngul: «Vetëm vargjet s’do më braktisin kurrë….».
Ky libër që po merrni në dorë, është një apel për njeriun për t’u kthyer te pjesa më e vërtetë e botës njerëzore, vetvetja. « Unë iki ! / Shpesh nga vetvetja dal/ Për t’u kthyer sërish/ Më e hirshme se më parë… » (Poezia « Iki »). Udhëtimi në botën e njeriut të vërtetë ka ravgimiet, trishtimet ; arritjet, dështimet ; zdërhalljet, vetminë; mallin, brengën ; klithmën, shurdhërinë….Të gjitha këto janë të plazmuara përmes vargjeve të këtij libri. « Pse ëndërrat lozin vallë me mua ?/ Apo jeta e tillë na vjen/ Cdo grua prêt diçka të madhe/ Që veç në ëndërra ajo e gjen. ». Poetja jeton bashkë me kohën për të cilën konstaton me trishtim se edhe ajo nuk është e përjetshme « … atëherë koha do vdesë bashkë me mua… ».(Poezia « Eshtë koha »).
Ka një trishtim të shpërndarë gjithandej, një mospajtim kur konstaton me dhimbje : « Ka raste kur më mirë të kuptojnë/ qeniet pa gojë/ Sesa qeniet e gjalla që ecin, flasin, gjallojnë. ». Ose, « Eci, përherë eci mes njerëzish,/ Dhe jam vetëm… », (poezia « Vetëm »).
Që nga përballja e hershme në këndin e letrarëve të rinj në shkollën e mesme në Izvor, kjo është hera e parë që Hava Muçollari komunikon me publikun e gjerë. Jeta e saj ka rrjedhur në rrugë dhe shtigje të tjera, por ajo gjithmonë ka kërkuar poezinë në çdo gjë në familje, në punë, në dashuri, te një çift, te fëmijtë e saj, te e qeshura e një parlamentari, te një lypës, në sallën e leksioneve, etj. Dhe gjithmonë lajtmotivi i saj ka qenë dhe urojmë të jetë : « Ty po të kërkoja, poezia ime… ».