Albspirit

Media/News/Publishing

“Udhëtimi im” – Avni Dervishi: “Jeta është një libër që shkruhet vazhdimisht, kemi ende shumë faqe të pashkruara”

Avni Dervishi është sot shqiptari i suksesshëm për rubrikën tonë “Udhëtim im”, vjen nga Suedia, lindur në Kosovë, ekspert dhe veprimtar i njohur ndërkombëtarisht. Aktualisht këshilltar ndërkombëtar dhe për integrimin evropian, i angazhuar në vatra të ndryshme krizash në botë, njëri ndër tre fituesit e çmimit “Ambasador i Kombit”, të ndarë nga ministri i diasporës i Shqipërisë në kuadrin e Samitit të Dytë të Diasporës që u mbajt në Tiranë. Z. Dervishi i ka të qarta rrugët dhe mundësitë për ecjen para të diasporës sonë, për të ndryshuar e zhvilluar bashkëpunimin. Sipas tij, “Mos ta urrejnë njëri-tjetrin se ka mendime të ndryshme politike, sepse demokracia është sikurse një restorant që ka ushqime të ndryshme, por ne zgjedhim atë ushqim që na pëlqen, e po ashtu herën tjetër marrim ushqim tjetër. Kemi parë e po shohim dhunë politike në mes shqiptarëve në Tiranë, Shkup, Prishtinë e Preshevë. Kush fiton e kush humb nga dhuna? Ku kanë shkuar shumica e vendeve ish komuniste sot, e ku kanë mbetur vendet me shqiptarë? Mëmëdheu duhet t’i pranoj të metat e veta, e t’i bashkoj forcat progresive edhe nga diaspora që të gjejmë mënyra për një të tashme e të ardhme më të sigurtë”.

1. Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?

Isha shtatë vjeçar kur shteti komunist jugosllav i asaj kohe erdhi në shtëpinë tonë dhe na tmerruan, duke thyer çdo gjë. Ma burgosën motrën e madhe pesëmbëdhjetë vjeçare, Afërditën, dhe babain. Arsyeja ishte sepse ishin shqiptarë dhe kishin kërkuar diçka që regjimi komunist antishqiptar në Jugosllavinë e atëhershme, i cilësonte tabu thirrjet: “Liri dhe Demokraci”. Shqiptarët e Kosovës, si popull josllav, diskriminoheshin në çdo mënyrë dhe pranvera 1981 e gjeti Kosovën me protesta popullore për ta shndërruar Kosovën në republikë. Fakti se gjyshi im, Ibish Dervishi, kishte qenë luftëtar për bashkimin e trojeve shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore e pastaj kishte vuajtur 10 vite në burgun komunist jugosllav, “Goli Otok” (burg ky ishull dhe më famëkeqi i asaj kohe) nuk ishte harruar nga regjimi. As fakti se babai i nënës time d.m.th gjyshi im, tjetri, Shaip Zullufi – Haxhiu, ishte vrarë nga forcat serbe gjatë përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, duke e lënë nënën time vetëm nëntë muaj të vogël, nuk ishte harruar nga regjimi. Njëkohësisht daja im i vetëm që ishte në Lëvizje, z.Ahmet Haxhiu – Baca ishte burgosur disa herë që nga protestat e 1968, kur kërkohej universitet shqip në Kosovë. ‘Njeriu është më i fortë se guri’ – gjithmonë më thotë nëna ime, e në fakt jo spontanteti, por përjetimet që i përmenda më kanë drejtuar tek profesioni që e kam sot: Promotor i bashkëpunimi Europian e Global e fuqizimit të urave të bashkëpunimit të Diasporës.

2. Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?

Unë isha fëmija më i vogël në familje. Të gjitha vizitat nëpër burgje dhe stacione policie në Mitrovicë, Serbi dhe Bosnjë, bashkë me nënën time, që t’i gjenim se ku ishin motra dhe babi në burg si dhe gjithë ai sistem aparteidi që i trajtonte shqiptarët si qytetarë të shkallës së tretë – kanë lënë shenja të thella në personalitetin tim. Të gjitha kërcënimet që regjimi komunist jugosllav i asaj kohe ia bënin nënës time, përjashtimet nga grupet e poezive, vallëzimeve, teatrove që unë me motrat e vëllanë përjetonim, diskriminimi i asaj kohe që gruan nuk e shihnin si njeri që e mban familjen. Të gjitha këto ndikuan që këto përjetime t’i ktheja në forcë paqeje e bashkëpunimi e KURRË në urrejtje. Kjo ishte arsyeja pse edhe studiova shkencat politike evropiane. Gjatë e pas studimeve iu kam ndihmuar vendeve të Evropës Qendrore e Lindore me rrugëtimin e tyre drejt integrimit në Unionin Europium – aty ku vendet nuk e luftojnë njëra-tjetrën me plumba, por bashkëpunojnë të lirë. Dëshira dhe vullneti im për ta përmirësuar realitetin e njerëzve dhe vazhdimësinë e planetit tonë. Sikurse çdo njeri tjetër, edhe unë jam akoma duke u zhvilluar individualisht e profesionalisht. Pa dallim mosha, gjinia, besimi, gjendja ekonomike, ne sa jetojmë – aq mësojmë.

3. Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?

Çdo veprim, sado i vogël, të jetë ai që shpëton jetët e njerëzve dhe i bind njerëzit të mendojnë ta ndihmojnë njëri-tjetrin duhet të numërohet si çelës suksesi. Jeta na sfidon në lloj-lloj mënyrash e edhe zgjedhjet duhet të jetë njësoj. Por, sinqeriteti im mbetet njësoj dhe mu ky sinqeritet më ka krijuar aleatë të shumtë në mbarë botën. Çelës unik për t’i hapur të gjitha dyert nuk ka, por ka mundësi bashkëpunimi që së bashku me të tjerë të hapin dyert e sukseseve. Unë besoj se vajzat/gratë, rinia dhe personat me aftësi të kufizuara duhet t’i bashkojnë forcat me grupimet moderne të diasporës, e t’i ndryshojnë gjërat për të mirë në shtetet me shqiptarë në Ballkan. Rrjetet e Bizneseve nga Diaspora janë më të se të mirëseradhura të na bashkohen po ashtu. Ai do ishte tamam çelës i një suksesi të vërtetë, nga i cili do kishim të gjithë beneficione.

4- Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?

Diskriminimin që asaj kohe i bënë nënës time edhe regjimi e edhe një pjesë e shoqërisë shqiptare në Kosovë, që nuk e trajtonin gruan me barazi e respektin që e meriton, diskriminimin që shoqëria ia bënin vëllait tim shurdhë-memec e mënyra si na shikonin kur përdornim gjuhën e shenjave që të komunikonim. Pastaj kuptohet se ka diskriminim edhe në vendet perëndimore ku jetojmë, e edhe atë e kam përjetuar. Angazhimi im për demokraci e liri, më ka kushtuar e po më kushton shumë. Shumë shpesh e kam harruar dhe harroj veten duke iu ndihmuar të tjerëve. Kam pasur e kam kërcënime edhe nga ekstremistë antishqiptarë e antidemokracisë, e edhe radikalistë trushpërlarë ekstremfetarë të ndryshëm që janë mendjeshkurtër e të asimiluar nga elemente njerëzore kombëtare e demokratike. Por nuk më kanë thyer. Vështirësitë na forcojnë e na mësojnë si të dalim fitimtarë nga sfida të ndryshme.

5-Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?Pasi që dhashë dorëheqje nga puna ime e përhershme në parlamentin e Suedisë me qëllim që në vend t’i ndihmoj trojet shqiptare, në dhjetor 2010 u ktheva të jetoj e ndihmoj në vend Kosovën. Punova në qeverinë e Kosovës një kohë me diplomaci dhe promovimin e investimeve të huaja. Ka pasur jo edhe pak çaste kur kërcënimet e shantazhet u bënë përditshmëri. Jam çuditur pse aq shumë injorohemi dhe na marrin si kërcënim neve profesionistëve nga diaspora! Jo të gjithë njerëzit nga diaspora janë milionerë qe të mund të paguajnë njerëz të punojnë rreth tyre. Pasuria profesioniste (jo valutore) nuk vlerësohet sa duhet dhe këtë e përjetova vetë dhe e di fare mirë se nuk jam i vetëm. Nganjëherë mendoj se ndoshta nuk do të ishte dashur të jipja dorëheqje nga jeta e sigurtë që e kisha në Suedi, pa marrë garanti/dëshmi me shkrim nga ata që më ftonin në Kosovë që të kthehesha. Sepse shumë lehtë është të kritikohen gjërat nga jashtë. Unë se fakto e sakrifikova jetën profesionale kur u ktheva në vendlindje të kontribuoj me eksperiencat e kontaktet e mija diplomatike globale. Xhelozinë kunddrejt profesionistëve të diasporës që e kam përjetuar atje, nuk do të doja që ta përjetoja prapë, e as nuk do dëshiroja që të tjerë ta përjetojnë. Por, bilaci qëndron. Realiteti është ai që është. Kam fituar eksperienca të reja dhe nuk jam  pishman për këtë. Nuk do dëshiroja kurrë ti largoj momentet as kur kam takuar diasporën tonë në Paris, Londër, Bruksel, Itali, Gjermani, Austri, Danimarkë, Amerikë, Izrael e edhe Afrikë, e bashkëpunimin me UNDP e IOM për forcimin e Diasporës tonë.

6- Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?

Fakti se kam qenë në 88 vende për të promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar, demokracinë, monitorimin e fushatave elektorale, mbajtjen e ligjëratave për qeveri të ndryshme e parlamente, fuqizimin e rinisë, njerëzve me aftësi të kufizuara e barazinë gjinore. Pa marrë parasysh ku kam shkuar jam munduar të gjej pjesë të diasporës tonë. T’i identifikoj e t’i ngrej ata dhe t’i promovoj. Arritja më e madhe besoj që është strategjia ime gjithëpërfshirëse. Ku janë e ku nuk janë personalitete të arritshme nga Diaspora, apo edhe të tjerë që e kanë pasur lehtë, i kontaktoj dhe iu jap, së paku, përkrahje morale. T’u tregoj se shembujt e suksesit duhet çmuar. Ne njerëzit nuk jemi robotë, por jemi specie me ndjenja dhe kemi nevojë ta promovojmë e respektojmë sukseset e të tjerëve. Prandaj, triumfi më i madh besoj që sot e kam është që kam miq nga diaspora jonë e bota diplomatike e biznesore si në Tokyo, Perth, Sydnej,Toronto, Amerikë Veriore e Jugore, gjithë Europën, Lindjen e Mesme, Afrikë e Azi.

7- Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe” ?

Fëmijëria pa dyshim e gjithë mundi, zemra e shpirti i nënave tona që nuk ndalen kurrë për forcimin e të gjithëve. Të sotme është se më dhemb zemra që shtetet me shumicë shqiptare kanë mbetur të fundit rreth integrimit në familjen demokratike europiane. P.sh, tash para se të mbahej Samiti i dytë i Diasporës, unë kisha kontakt me 70 personalitete të suksesshme në diasporën shqiptare në 38 vende të ndryshme e po ashtu ambasadat e Shqipërisë në shumë vende në botë. Secilin emër me kontakte detajuese e një përshkrim të shkurtër, ia dërgova ministrit Majko e kabinetit të tij edhe kryeministrit Edi Rama. Në Tiranë e ritakova ministrin Majko dhe i thashë: “Ju lutem, çdonjëri nga personat emrat e të cilëve ua kam propozuar janë ekspertë në fushat e tyre. Shfrytëzoni diturinë e tyre për forcimin e atdheut, pa iu kërkuar të futen nën ndonjë petk partiak, sepse ashtu kanë bërë vende të tjera si Kroacia etj. dhe kanë pasur sukses. Po ashtu i kërkova që ndërlidhja Integrimet Europiane & Diaspora të diskutohen enkas. Ai më tha, po, po do bëhet në shtator dhe do të jeni të ftuar. Por, sapo kemi hyrë në muajin qershor dhe asgjë nuk ka ndodhur?! D.m.th. përjetimi i sotëm është: Ku mbeti kredibiliteti?

8- Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?

Respekti që më ka mësuar nëna ime t’u tregoj motrave të mira, e kam marrë me vete dhe më ka ndihmuar shumë. Po ashtu edhe fakti se urrejtja nuk zgjedh gjë, por përkundrazi na ndalon zhvillimin pozitiv të jetës. Por, kjo nuk d.m.th. se duhet harruar. JO. Ajo çka harrohet edhe përsëritet. Respekti për njerëzit me mendime ndryshe gjithashtu e kam trashëgimi nga vendlindja po ashtu dhe çka sjell mosrespektimi i lirisë së mendimit në shoqëri që p.sh. kolektivizmi e avokon. Këto eksperienca më kanë ndihmuar të integrohem. Ka shumë e shumë e shumë e shumë personalitete në diasporë që kanë arritur suksese shumë më të mëdha se sa unë. Nëse sukses është Humanizmi, ndërmjetësimi në mes grupime të ndryshme të diasporës, pjesëmarrja aktive në krijimin e strategjisë se parë për diasporën shqiptare në histori, e përkrahja 110% e paqes në Europë e botë, atëherë po jam i suksesshëm. Por, nëse pasuria matet me euro/dollarë/funta etj., atë pyetje ju lus ia bëni ndokujt tjetër, jo mua.

9-Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në ekperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?

Në shtator 1992 u detyrova ta lëshoj vendin ku kisha lindur dhe ika për Suedi. Pas një viti e gjysëm e dhashë intervistën e parë për kanalin më të madh suedez TV4. Arsyja ishte mu aspekti “emigrant”. Emirantët shqiptarë nuk kishin edhe reputacion të mirë, prandaj desha ta dëshmoja se gjeneralizimet janë të gabuara dhe nuk duhet të gjithë ne të tjerët të vujamë, sepse disa emigrantë shqiptarë nuk i respektojnë ligjet. Diversiteti njerëzor është pasuri, vetëm nëse themelet demokratike respektohen nga të gjithë pa dallime gjinore, fetare, moshore etj. Ai/ajo që ka gjetur strehim në një vend demokratik, duhet ti përshtatet atij realiteti demokratik. Prandaj, unë besoj se çdo emigrant që ditën e parë të arritjes në një vend demokratik perëndimore, duhet t’i qartësohet çka e si jetohet në shoqëri të hapura pluraliste. Atyre që respektojnë lirinë e tjetrit duhet t’u thuhet mirësevini, e atyre të tjerëve, shkoni ne vende tjera. Por, të gjithë e dimë se si duket situata me emigrantë në Europën tonë demokratike perëndimore sot. Ka nevojë për ndryshime pozitive. Dituria është armë e fuqishme.

10- Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?

Në trojet shqiptare pa dyshim se rritja e bashkëpunimit regjional do të kishte efekt të mrekullueshëm demokratik, ekonomik, social e kulturor. P.sh. unë para disa viteve propozova të startohet një exchange program për shkollat e mesme/gjimnazet si dhe universitetet e kolegjet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Luginë të Preshevës. Edhe e mbajta një ligjëratë në Tirana International Hotel, edhe e shkruajta një artikull që mu publikua në mediat shqiptare në Ballkan. Kuptohet se u nisa jo nga teoria, por nga praktikat e suksesshme të bashkëpunimeve ndërrajonale p.sh. të Vendeve Nordike. Këtu bashkëpunojnë shumë më shumë vendet nordike edhepse nuk e flasin të njëjtën gjuhë dhe askush nuk i akuzon për ‘bashkim kombëtar’. Gjithashtu, askush nuk e përdor argumentin e bashkëpunimit regjional për populizëm politik, sikurse ndodh në Prishtinë, Tiranë e Shkup. Bizneset shqiptare apo jo shqiptare që operojnë në vendet ku jetojnë shqiptarët në Europën Juglindore do të fitonin shumëçka nëse i sponsorizojnë p.sh. programet e shkëmbimeve të nxënësve të gjimnazeve e studentëve Shqipëri-Kosovë-Maqedoni-Mal të Zi- Luginë të Preshevës. Edhe shkëmbimet e mësimdhënësve do ta forconin cilësinë e studimeve universitare në trojet shqiptare. Tri propozime konkrete: (1) Krijimi i një Erasmus-Shqiptar-Ballkanik, do të ishte vendim me vend.(2) Krijimi i instituteve për bashkëpunim ndërkufitar p.sh. në Gjakovë e Bajram Curri, Shkodër e Ulqin, Tërnoc e Gjilan, Tetovë etj. (3) Shoqëritë civile duhet të jenë më aktive në rritjen e bashkëpunimit të strukturuar ndërshqiptar, e jo vetëm të presin nga institucionet shtetërore çdo gjë. P.sh., para disa viteve nga profesor Jahja Kokaj, e mësova se për arsye të aktiviteve të mia për forcimin e Diasporës, më kishin bërë anëtar nderi në shoqatën e intelektualëve Jakova në Gjakovë. Dhe ishte mu në Gjakovë ku e shpalosa propozimin tim për rritje të bashkëpunimit regjional, pa frikë se do akuzoheshin nga ndokush për “bashkim kombëtar”. D.m.th. me vepra mund të zhduket domethënia e kufijve. Jo me fjalë në fushata zgjedhore, apo në takimet që disa politikanë nga vendlindja i kanë me ne në diasporë nganjëherë. Fjalët vijnë e shkojnë sikurse uji nëpër lumenjë, por veprimet mbesin e ndikojnë.

11- Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?

Çfarë jo? Shumëçka duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe. Sikurse e ceka edhe sipër, bashkëpunimi regjional në mes shteteve ku jetojnë shqiptarët duhet të lulëzojë. Përpos bizneseve edhe Brukseli (d.m.th. UE/BE) ka fonde për bashkëpunim regjional në shumë sfera. Pse mos t’i shfrytëzojnë shqiptarët ato mundësi? Po ashtu barazia gjinore nuk duhet të shihet vetëm në qeveri, por edhe në institucione, në bashki, komuna, regjione e shoqata. Shumë probleme do të gjenin zgjidhje edhe në nivel lokal. Partitë politike e edhe politikanët vijnë e shkojnë, por problemet e njerëzve qëndrojnë. Më shumë zgjidhje të problemeve në nivel lokal e edhe promovim të investimeve në nivel lokal, do ta ulin dëshirën e të rinjve për të ikur jashtë vendit. Ashtu do shtohej edhe nataliteti e do sigurohej klasa punëtore e gjeneratave të ardhshme e edhe pensionet e gjeneratave të tanishme. Po ashtu ngritja e vetëdijes se mbrojta e ambientit nuk duhet të shihet si term abstrakt që mund të kuptohet e shpresohet vetëm nga ne klasa intelektuale. Por, si diçka e domosdoshme që shpëton fshatrat e qytetet tona. P.sh. që nga kopshti, duhet mësuar fëmijëve që të mos hedhin plehra kudo, sepse sjellin sëmundje, e për ta siguruar këtë çdo javë ta kenë nga një kujdestar fëmijë që i monitorin se respektohen rregullat e pastërtisë. Mos të falen provimet nëpër shkolla e universitete, sepse sjellin mangësi kualitative e p.sh. për lloj-lloj sëmundjesh kërkohen shërbime jashtë, më pastaj. Mos ta urrejnë njëri-tjetrin se ka mendime të ndryshme politike, sepse demokracia është sikurse një restorant që ka ushqime të ndryshme, por ne zgjedhim atë ushqim që na pëlqen, e po ashtu herën tjetër marrim ushqim tjetër. Kemi parë e po shohim dhunë politike në mes shqiptarëve në Tiranë, Shkup, Prishtinë e Preshevë. Kush fiton e kush humb nga dhuna? Ku kanë shkuar shumica e vendeve ish komuniste sot, e ku kanë mbetur vendet me shqiptarë? Mëmëdheu duhet t’i pranoj të metat e veta, e t’i bashkoj forcat progresive edhe nga diaspora që të gjejmë mënyra për një të tashme e të ardhme më të sigurtë.

12- A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?

Gjatë kohës së studimeve në katër universitete e në tri vende anëtare të Unionit Europian e edhe gjatë punëve të ndryshme deri tash, kam qenë i angazhuar ta ndihmoj Estoninë, Poloninë, Çekinë, Hungarinë e Kroacinë në procesin e tyre integrues në familjen Europiane. E kam parë me sytë e mijë se si qeveritë, partitë politike (pozitë e opozitë), parlamentet e institucionet qendrore, regjionale e lokale të këtyre vendeve e shfrytëzonin maksimalisht kapacitetin intelektual të diasporës së tyre. Tek ne, xhepin e bizneset e diasporës shfrytëzohen maksimalisht edhe sot nga qeveritë në Tiranë e Prishtinë, por sa jetëgjata janë, kur dihet se jo pak largohen sepse iu është kërkuar para në xhep, korrupsioni, mito e çka jo? Nëse, forcat politike shqiptare në Ballkan (pozitë e opozitë – pa dallim) dëshirojnë ta rregullojnë situatën e sotme, ta ndalojnë largimin e dhjetëra mijërave të rinjve e ikjen e trurit, është koha që në vende kyçe në institucione t’i vendosin ekspertët nga Diaspora. Vini Re, vetëm dalja jashtë vendit për marrjen e një master apo Phd nuk e bën një personalitet ekspert të diasporës. Por përvoja dhe ballafaqimi me sfidat tona të përditshme.

13-Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?

Shtetet me shumicë shqiptare në Ballkan kanë mbetur të fundit rreth Integrimeve Europiane e fuqizimit diplomatik ndërkombëtar. Ka ardhur koha që kjo të ndryshojë e jam duke luftuar ta ndryshoj këtë gjë, por më duhet përkrahja e të gjithë juve. Strukturimi i bashkëpunimit ndërmjet neve diasporës profesioniste. Forcimi edhe më shumë i dy rrjeteve që i kam krijuar, duke kontaktuar shqiptarë të suksesshëm në vende të ndryshme. Një me ekspertë të ndryshëm në Integrime Europiane e tjetri për Barazi Gjinore. Përndryshe jeta është një libër që shkruhet vazhdimisht, e unë sikurse çdokush tjetër, kam akoma shumë faqe të pashkruara.

14-“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekes online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim)?

Rastet e mira duhet të shihen, dëgjohen e tregohen. Thuhet që lajmet e këqija shpërndahen shpejt. Por, unë besoj e jam më se i bindur se shembujt e mirë e të suksesit duhet shpërndarë edhe më shpejt. Pse? Sepse i motivojnë e japin vullnet edhe të tjerëve që të mendojnë e veprojnë mirë, e edhe të bashkëpunojnë.  Çdo ditë ne duhet t’ia kujtojmë vetes se: Bashkimi bën fuqi. Por, bashkëpunimi i sinqertë e profesional na bën të pathyeshëm, si individ, si diasporë e si komb. Prandaj, pse mos të fillojmë sot, e të bashkëpunojmë e njëri-tjetrin ta forcojmë?!

“The Albanian”

Please follow and like us: