Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël me poezi “Kronikë dashurie”

Image may contain: 1 person

JERIDA KULLA

 

Eja i dashur

Eja i dashur,

të xhelozojmë yjet me lojën tonë…

Lëre te lirë pëllumbin të fluturojë

në kuqëlimin e zjarrtë të diellit,

të shkrihet nga zjarri,

të jetësohet si feniksi…

Eja i dashur,

shuaja etjen trëndafilit,

të ndiejë në dejë lëngun magjik të jetës,

të harliset, të lulëzojë

e të të dehë me aromat e parajsës…

Eja i dashur,

të gjejmë njëri-tjetrin

në gjëegjëzën e dashurisë…

Unë fshihem pas figurës,

ti pas tingullit…

Eja i dashur,

të hedhim në pentagram Simfoninë e Dashurisë sonë,

sa edhe Bet’hoveni e Shuberti të mbeten gojëhapur!

Eja i dashur,

të ngjitemi lart te yjet…

Vullkan le të bëhen lumenjtë tanë…

 

Buzë, jeta dhe vdekja…

Të kujtohet i dashur
puthja jonë e parë?
Pikat e shiut ndezën zjarrin e buzëve…
Vezullimi i neoneve
fshinte padurimin e shijes së puthjes.
E lagësht buza,
e tultë si luleshtrydhe,
e nxehtë si shafrani…
Nën lëkurë, gjaku gati shpërthente…
Kërkonte binjaken e saj…
E lamë veten të lirë,
të na udhëzonin pikat e shiut.
Statuja përkarshi mbylli sytë,
që ne të ishim një…
Drithërimë e ëmbël…
Veriu e jugu
Lindja e perëndimi ishin aty,
në të mesmen e artë,
në zemrën e vullkanit.
Vrulli i murrlanit
u ngroh nga juga e bardhë…
Lindja e perëndimi sollën diellin dhe hënën.
Njëri në të majtë, tjetra në të djathtë…
Buzët tona rrufepritës,
ku gjunjëzoheshin erërat e Pandorës…
Buzë, jeta dhe vdekja…

 

Pritje e gaztë

Prita me gaz ardhjen tënde.
Jehonat nga thellësitë e zemrës
gëlonin nga pesha e mallit.
Era fishkëllente himnin tonë,
duke të numëruar hapat,
si një dirigjent fisnik.
Dielli, rrezet e tij,
pentagram i bëri
e kanarinat këngës ia morën,
duke na kujtuar mëngjeset e mbrëmjet tona,
të thjeshta, të ngrohta,
me lodra dashurie e fjalë kënaqësie.
Pritja mori krahët e ëndrrës…
drejt teje u nis.
Fanar në natën pa hënë u bë.
Syve të tu dritë t’u jepte,
të shihte përtej kohës…
Të puth sytë e shkruar
që në çdo hapjembyllje agimin sjell.

 

Të shëtisim qiejt e dashurisë

Zemër, mos më ler të mbytem në trishtimin tim…

Merrmë për dore,

të shëtisim qiejt e dashurisë!

Më lësho komardaren e shpëtimit,

qeshjen e syve…

Je ajri per mua!

Në hijen e puthjes të ulemi,

të nginjemi me aromën e njëri-tjetrit!

Zogjtë të këndojnë serenatën tonë të dashurisë!

 

Pranverën në shpirt do ta ul

Sa i largët përqafimi yt…

Sa e gjatë rruga për të ardhur te ty,

me një puthje në sytë e ty të qelqtë.

Sa e frikshme heshtja jote…

Sa e ëmbël fjala jote,

mjaltë për pijen e shpirtit të trazuar…

Ti luan tani, e gishtat lëvizin mbi tela…

Luan se do të largosh retë e shiut…

Luan se do të gjesh hapësirë aty ku lind tingulli,

në zemër…

Jam xheloze për përkëdheljen e telave.

Dua t’i këpus

e ta lidh zemrën që nuk duron as një minutë pa të parë,

pa ta ndier erën…

Dashuri e çmendur është dashuria ime…

nuk di si ta ndaloj, ta zbeh, ta largoj…

ta gris si një foto të vjetër,

ta djeg me zjarrin e Feniksit…

Më vjen të të rrok me krahë

e të qesh sërish me gjëegjëzat tona…

Të dalë ku të dalë…

Do ta heq inatin e prillit

E pranverën në shpirt do ta ul…

Le të dehemi me aromën e shpirtrave tanë…

Të dua deri në çmenduri…

 

 

Kronikë

Rruga mat hapat tanë,
hedhur ditëve të para të mesit stinor.
Me peshën e kujtimeve
Lana lan pluhurin e heshtjes.
Autobusët ndiejnë akoma frymëmarrjen e mesnatës…
Yjet zhurmojnë trishtueshëm
historinë e fillimvitit…
Krahëhapura erë
mbush gjirin me fjalët e pathëna,
peng i Afërditës…
Nga mali i Idës Zeusi kronikën shkruan,
Dhiatë nga Kroni…
Lanë, Egnatia, Zeus…

 

Të gjesh vetveten

Kapur pas imazhit të Narcistit,

lëkundur midis ëndrrës dhe zgjëndrrës,

endur midis të djeshmes dhe të ardhmes,

pritur në km e të tashmes,

në ekzistencë,

në formim të vetvetes.

Garim i vetes me unin,

mes asaj që është dhe asaj që duhet.

Jam apo s’jam?

Unë apo Uni?

Maja e aizbergut tretur

në thellësi të shpirtit.

Ngarkuar barka e Noes me gjallimin e jetesës…

Hapëruar në universin e dashurisë,

djegur e rilindur si Feniksi…

 

 

Please follow and like us: