Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Beatriçe Balliçi

 

 

 

Përplasje

 

Ndjej nevojën të përplasem me dikë

Dhe do të përplasem me ty,

Jo si ajo reja që takon një tjetër

Dhe përqafohet e bëhet një pastaj.

Jam një masë e trazuar durimi, ankthi të vazhdueshëm

e pritjeje,

Jam një zambak i bardhë i të qeshurës

në ditë prilli,

Koka më zjen.

 

Duke të takuar ty në këtë qytet plot zhurmë

Ku iki e vij papushim në kërkim të asaj

Që më kërkon mua,

Ndjej nevojën të përplasem me dikë,

A do ti të përplasesh me mua?

 

Asgjë nuk do të thyhet, nuk do të ketë rrëmujë,

As unë, as ti nuk do të përdorim dhunën.

Do të jetë diçka tjetër,

Tufani e cikma do të bëjnë të tyren dhe do të ulen.

 

Le të përplasemi.

Na bën mirë.

Pastaj në pëllëmbw ashtu si mbi gjethe,

Mbështete kokën dhe fli.

 

Është cikël dashuria

 

Mos u ndje në faj
Me zemrwn e copëtuar në duar
Mos më bëj të qaj.
Është cikël dashuria
Dikur vdes dhe ajo
Si një trumcak në dëborë.
Mos qaj
Tani që po ikën rrugës ku
Veç vije.
Dhe mos u përpiq
Të gjesh njw shkak
Jo çdo përfundim e ka një përgjigje.
Është cikël dashuria
Si një zjarr i madh
Flakëron deri sa digjet.

 

Së paku për mua

 

Nuk duhet asnjëherë të trishtohesh,

Së paku për mua

Në mos për veten tënde.

Duhet të jetosh sa më shumë,

Së paku për mua,

Të jetosh deri në frymën e fundit

Tani që i mundëm barbarët.

 

Duhet të qëndrosh në këmbë

I dëlirë e i fortë si pelegrini që vështron

Veç faltoren e zotit.

 

Shpirtpastër të ndjehesh si fëmijë

Për fjalën e ashpër në revoltë

Për fjalën nganjëherë të pambrojtur,

Jo për fajin tënd

Por për frikën e të tjerëve

Që s’qëndruan dot

Dhe u përbaltën

Që kurrë s’të zgjatën një dorë miku

Në çaste vetmie e rreziku.

 

Sfidant ke qenë dhe je përsëri

Me gjithë luftërat që kurrë s’i deshe,

Goditjet pas shpine s’të lëkundën nga kodi yt i burrit e i burrërisë,

I mikut e i miqësisë.

 

Shpirt i pagjumë, i paqetë

Për të ikurit e tu shpirtplasur,

Për të vdekurit e tu pa varr,

Qetësohu, ka një gjyq hyjnor që s’fal!

 

Miku im, ti kurrë s’i tradhtove shokët

Edhe kur të tradhtuan,

S’i braktise ëndrrat

Bohem i lirisë e i dashurisë,

Aspiratë ishte gjer dhe frymëmarrja jote.

 

Në duart e tua fytyra ime

U rrethua me qiell, me pafundësi,

Të mrekullueshme kanë qenë ditët tona me diell,

Dhe perëndimet të ndritshme, gjithsesi!

 

Please follow and like us: