Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Drama e një familje artistësh, që Shkodra i quante ‘Bitëllsat’ e Pogradecit

Bardhyl Berberi

 

 

 

 

 

 

Fama e një orkestre me emër në qytetin e Pogradecit, e njohur ndryshe në opinionin e gjerë si “Bitëllsat” e Pogradecit”, në vitet 1950 – 1960, e përbërë nga 5 vëllezërit Darova, jo vetëm që nuk do të ‘zbuste‘ njollën e persekutimit nga lidhja e djalit të vogël 15-vjeçar me Ballin Kombëtar në Luftën e Dytë Botërore, por do të kujtonte udhëheqjen e kohës për të urdhëruar ndëshkimin e tejskajshëm të kësaj familje, tregon vëllai i madh i kësaj familje Muhamet Darova, pak kohë përpara se të ndahej nga jeta.

Sapo kishte mbaruar lufta. Ishte viti 1946 e në kinema “Morava” të Korçës, në bankën e te akuzuarve, ngjitet një i ri 15-vjeçar. Është Ylber Darova. Akuzohet nga qeveria e re komuniste se gjatë luftës është bashkuar me rininë e Ballit Kombëtar, në kampin kundërshtar të partizanëve. Dënohet me 101 vjet burg. Edhe pse Muhamet Darova, vëllai i madh i tij kishte qenë partizan në Luftën Nacionalçlirimtare, masa e dënimit për 15-vjeçarin qe e rëndë; për të burgim i përjetshëm, ndërsa për familjen nisin internimet, vuajtjet e më pas burgosjet. I rikthyer këto ditë në Pogradec pas shumë vitesh Muhamet Darova në moshë të thyer rikujton ato ditë të vështira të 6 dekadave më parë.

Kishte vetëm pak kohë që Ylberi ishte dërguar në burgun famëkeq, kur shkon për vizitë Mehmet Shehu. Mes të dënuarve, Shehut i bie ne sy një djalë njomështak, trup imët, të cilin e pyet:

“Po ti, mor djalë, sa vjet je dënuar”?

“101 vjet”- i përgjigjet Ylberi, Mehmet Shehut.

“Pse kaq shumë”? – pyet kryeministri.

“E dinë ata që më kanë dënuar”!- i kthen përgjigje 15-vjeçari, duke e parë drejt në sy Mehmet Shehun.

Mehmet Shehu urdhëron ulje të dënimit për 15-vjeçarin, nga 101 vjet, në 25 vjet burg. Sapo mbaron 10 vjet burg, e lirojnë dhe Ylberi, në vitin 1956, vjen në Pogradec, pranë familjes. Martohet dhe lind tre fëmijë, ndërkohë që për shkak të biografisë, caktohet të punojë në Hotolisht të Librazhdit në një lokal buzë rrugës, si bufetier. Ylberi bën një lutje, që të vijë në Pogradec të kujdeset për fëmijët se i kishte të vegjël. E sjellin ne Pogradec, por përkohësisht. Sapo vjen në Pogradec, i japin dënimin tjetër me 10 vjet burg “Për agjitacion e propagandë”.

Ishin vitet ’70, kur Shqipëria gëzonte kulmin e miqësisë me Kinën. Ylberi gjen në tavolinën e tij në bibliotekë, ku shkonte shpesh, disa revista kineze. “Këto revista kineze m’i hiq se nuk i shoh dot me sy”, – i thotë ai punonjësit të bibliotekës. Aty e dëgjon rastësisht një mësues matematike që kishte qenë edhe bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe e spiunon. Ylberi rivihet përsëri ne pranga dhe rinis jetën e qelisë. Del përsëri para trupit gjykues, ku merr dënimin për 10 vjet të tjera.

Këtë radhë dënimi është “Për agjitacion dhe propagandë kundër vijës së partisë e pushtetit popullor”. ‘Seriali’ i vuajtjes së dënimit për muzikantin Darova nuk është burgu i Burrelit, por ai i Spaçit të Mirditës. E bën kohën e burgimit ditë me ditë në këtë ferr. Ditën që do të dilte nga burgu i Spaçit, sapo e përcjellin shokët e tek ndahet me ta, në afërsi të daljes së korridorit të qelive, pa prangat në duar, i afrohet një gardian dhe i thotë: “Të kërkojnë pak në zyrën e drejtorit të burgut për të firmosur diçka”. Përballet me një të papritur të dhimbshme. Sapo futet në zyrën e drejtorit pa, se  përveç titullarit, aty ishin dhe dy policë që kishin pranga të hapura në duar. Teksa dy policët i rivënë përsëri prangat Ylber Darovës drejtori, i ngritur në këmbë, i komunikon: “Do të bësh edhe 10 vjet të tjera dënim për agjitacion dhe propagandë në burg”!

 

Loja fatale e fatit

 

Këtë radhë dënimi ishte pa gjyq. Kështu Ylberi kreu në këtë burg edhe 7 vjet të tjera, duke mbushur plot 27 vjet burg të kaluara në Ballsh dhe në fshatrat e Lezhes, nga ku del 3 vjet më parë nga një amnisti e kryer në kohën kur udhëhiqte Ramiz Alia. Teksa tregon këtë moment të rëndë për vëllanë e familjen e tyre, Muhameti risjell bisedën e çastit që pati me të vëllanë për këtë moment.

“E pyeta vëllanë si e përballove shtesën tjetër prej 10 vjetësh burg, kur ishe përgatitur për të dalë nga ai ferr”, -pohon Muhameti.

Ndërsa fjalët e të vëllait ishin: “Nuk më bëri përshtypje, isha i përgatitur për gjithçka prej tyre, ndonëse nuk e prisja që në momentin e kalimit të pragut të ferrit të Ballshit, të më rivinin prangat e sapohequra e të më dënonin edhe me 10 vjet të tjera burgim”!

Por për muzikantin që u fut në burg në moshën 15 vjeç e doli andej i thinjur pas 27 vjetësh, edhe vitet e mëvonshme, përfshirë ato të fillimit të demokracisë në vend, nuk qenë të mbara. Atë, siç tregon mes lotëve Muhameti  e ndoqi fati tragjik. Ylberi, me vizë në xhep për të shkuar tek tre fëmijët e tij në Kanada, së bashku me bashkëshorten, vdes nga një sëmundje pa shpëtim.

 

Rikthimi i përmallshëm i të vetmit vëlla që jeton

 

Sapo makina del sipër, në Qafën e Thanës e shfaqet pamja e kaltër e liqenit, si në një ekran filmi, Muhamet Darova  zhytet i tëri në një meditim të thellë me syrin pranë xhamit të makinës. “Kam mall e brengë për qytetin tim të lindjes”, thotë. Sapo mbërrin në qendër të qytetit drejtohet me një hap të shpejtë drejt Turizmit të vjetër, vështron lulishten, te vendi ku ishte dikur podiumi i orkestrës me famë në vitet 50 – 60, orkestër që tronditi jo vetëm Pogradecin, e të gjithë Shqipërinë, por që bëri famë edhe jashtë kufijve. Me syrin e malluar ai vështron vendin ku ka qenë salla e vjetër e shfaqjeve, por ajo mungon, është prishur.

Edhe pse i ka kaluar të tetëdhjetat dhe ka vite që nuk duket në sken e as në ekran, imazhi i tij na vjen në kujtese si një formë dashurie për mjeshtrin e madh të fizamarmonikës , i cili ishte pjestar i asaj orkestre të madhe që ngriti vetë ai. Dikur Pogradeci mburrej me liqenin, me koranin e famshëm, por edhe me orkestrën e madhe të vellezërve Darova që i kaloi kufijtë e Shqipërisë. “Jeta jonë është një kalvar i mundimshëm çnjerëzor, burgje, internime e ndëshkime, por muzikën nuk e vunë në pranga, ajo na lidh e na mban të pandarë me njerëzit, qytetin”, -vazhdon tregimi i  Muhamet Darovës.

 

Drama e një familje artistësh

 

Drama e 5 vëllezërve Darova, djem të një familje të njohur intelektuale të një mësuesi të nderuar si Nevruz Darova, të cilët lufta nacionalçlirimtare i renditi në dy kampe të ndryshme, menjëherë pas çlirimit të vendit, i nënshtrohen një persekutimi të egër, me vite të gjata burgimi e internime të njëpasnjëshme. Fama, si muzikantë të talentuar, si krijues të orkestrës që bëri emër në Shqipëri e më gjerë, ku Darovajt cilësoheshin si “Bitellsat” e Pogradecit, i kujton Mehmet Shehut prejardhjen e tyre dhe urdhëron shtimin e kalvarit të persekutimit. I rikthyer në Pogradec pas viteve të gjata mungesë, tashmë në moshën e pleqërisë, Muhameti vazhdon të tregojë episodet e një drame të dhimbshme që kaloi familja e tyre në diktaturë. Ishte një nga dramat më të dhimbshme, dramë, e cila ka lënë gjurmë të pa riparueshme në jetën e Darovajve.

 

Peripecitë e një jete të vështirë

 

Pas dënimit të Ylberit me burg, familja Darova zhvendoset nga banesa ku ishte, në një kasolle me baltë në lagjen “Kulleiri” të Korçës. Vëllai i madh i familjes, Muhameti, shpërngulet për në Durrës, ku merr më pas edhe pjesëtarë të tjerë të familjes Darova; babanë, nënën, motrën e tyre të vetme, Lavdien, si dhe vëllezërit Agimin, Mentarin dhe Ilirjanin, më të voglin. Duke qenë orkestrantë cilësore, të tre vëllezërit punojnë te lokali ‘Vollga’, me shumë emër në atë kohë në Durrës.

“Ishim si në mrekulli. Kanë qenë tre vitet më të bukura të jetës sonë, ku ne arritëm majat e filloi të rritet reputacioni i orkestrës sonë”, – pohon Muhameti. Kështu, Muhameti që ishte drejtues i grupit, i binte fizarmonikës, Agimi në kitarë, Mentari në xhaz dhe Ilirjani në kontrabas.

Por krejt papritur një dite lajmërohen, se duhet të largohen, jo vetëm nga ‘Vollga’, por edhe nga qyteti i Durrësit, si persona te padëshiruar. Ishte një shefe kuadri nga Korça, kujton ai  që i ishte qepur “me gurë në trastë” familjes Darova.

Largohen për në Kavajë në një lokal të thjeshtë, si tip mejhane. Por vetëm 2 javë, se shefja e kuadrit nga Korça kishte dërguar relacion që të përziheshin edhe nga Kavaja. “Mbetëm me plaçka në kurriz, pa të ardhura për bukën e gojës, e ashtu si nomadët, shkuam, në Elbasan”, -tregon ai . Fillojnë punë në një lokal në qendër të pazarit. Lokali po frekuentohej dhe muzika pëlqehej shumë.

Në kohën kur krijohet turizmi i vjetër i Elbasanit, orkestra e vëllezërve Darova kaloi në sallën kryesore të turizmit. Ata vazhduan gati 5 vjet punë në turizëm, duke thyer një tabu. Filluan të kërcejnë çiftet elbasanase në sallë. Por këtë traditë, kujton i moshuari Darova, e nisi së pari një skuadër basketbolli nga Shkodra që kishte ardhur për të zhvilluar ndeshje në Elbasan. Shkodranët u ngritën në vallëzim dhe kjo bëri që të ngrihen edhe çifte elbasanase. “Vjen në Elbasan Drejtori i Përgjithshëm i Turizmit të Republikes, na thërret e na thotë, se duhet të shkoni në verë në Pogradec dhe në dimër në Elbasan”,- shton më tej muzikanti i moshuar. Pogradeci ishte qytet turistik dhe kishte shumë te huaj si specialistë çekë dhe rusë që punonin në gjeologji dhe miniera. Në Pogradec orkestra filloi shpejt të bëhet e dashur për të gjithë. Ndër frekuentuesit e parë e të rregullt, çdo natë, ishin të huajt e shumtë që ishin në Pogradec.

Dëgjonin me endje virtuozitetin e vëllezërve Darova, të cilët ekzekutonin mjeshtërisht edhe shumë pjesë të huaja nga më të njohurat. Pas dy vjetësh pune në Turizëm, me krijimin e estradës profesioniste të qytetit, vëllezërit Darova kalojnë edhe në orkestrën e estradës edhe ne orkestrën e turizmit. “Në sajë të vëllezërve Darova, estrada profesioniste e Pogradecit arrin majat dhe bëhet një nga estradat më të mira të vendit – tregon Muhameti –  se atë kohë, në orkestër bashkëngjitet edhe një klarinetist i talentuar, Jashar Nazifi dhe këngëtarja Elvira Daco. Klarinetisti u harmonizua plotësisht me vëllezërit Darova. Madje Mentar Darova, përveç që i binte xhazit, luante në skeçe me një humor të jashtëzakonshëm, duke i dhënë estradës një kolor tjetër. Në vitet ‘60 estrada me vëllezërit Darova arrin kulme të papara. Në një nga turnetë, në 20 dite shfaqje që dha në Tiranë në sallën e Teatrit Popullor, nuk gjeje dot biletë për të parë shfaqjen.

 

Shkodra u vuri emrin “Bitëllsat” e Pogradecit

 

Sukseset e njëpasnjëshme të orkestrës së Pogradecit në të gjitha rrethet e vendit, një muzikë që dilte disi nga ‘hulliri’ i kohës, pëlqehej e kërkohej masivisht nga rinia. Por vetë kjo muzike, e veçanërisht njolla biografike e prodhuesve e interpretuesve të saj, bënë që udhëheqja e kohës të ishte dyfish vigjilente për të frenuar “muzikën e shfaqjet e huaja”, si dhe për të dënuar muzikantët e talentuar Darova. Muhameti, por dhe shumë bashkëkohës, kujtojnë se në një nga turnetë e gjata të estradës së Pogradecit nëpër Shqipëri, pikërisht koncertet në Shkodër, do t’i pagëzonin këto artistë të talentuar “Bitëllsat” e Pogradecit”. “Ishte një vlerësim i spektatorëve për ne, ishte një emër i pazyrtarizuar, të cilin e dëgjonim kudo që shkonim, bënim gjithçka për muzikën e për të kënaqur dëgjuesit tanë, ndonëse e dinim se “dara” e ndëshkimit nga shteti i kohës po na torturonte keq e më keq”, – kujton sot artisti i moshuar.

 

Dënimi i dytë nga Mehmet Shehu, i vëllezërve Darova

 

Krahas vendasve, shtetasve te huaj qe punonin ne Pogradec, kujton muzikanti 81-vjeçar, fama e orkestrës kishte bërë që nga Tirana të udhëtonin shpesh drejt qytetit bri liqenit edhe përfaqësi të shumta diplomatike në Shqipëri, apo dhe delegacione që vizitonin vendin tonë. Në një vizitë të shkurtër në Shqipëri, kujton Muhameti, vijnë e qëndrojnë disa ditë në Pogradec e ndjekin orkestrën edhe kryeministri çek e ai bullgar. Shoqëroheshin nga Mehmet Shehu, kryeministër i asaj kohe. Dy kryeministrat miq, pas një koncerti të gjatë e duartrokitje, afrohen e përgëzojnë orkestrantët Darova për kënaqësinë që u falën. Aty kryeministri çek i thotë Mehmet Shehut: “Në Shqipërinë e vogël gjetëm një orkestër të madhe”! Ndërsa kryeministri bullgar i asaj kohe, në sy e prezencë të Mehmet Shehut, pasi u jep dorën muzikantëve, duke na përshëndetur, i thotë Muhametit: “Ke një orkestër të madhe internacionale, koleg!” Dhe në këto çaste, vazhdon tregimin ai , Mehmeti më thotë mua duke tundur kokën: “Ju jeni ata të Starovës (bejlerët)?!”.

“Jo, jemi nga Pogradeci”, – i përgjigjet vëllai i madh Muhameti . Nuk kaloi as një javë, vazhdon tregimin muzikanti i moshuar, kur filloi “tërmeti”. Kopi Kyçyku që shërbente si përkthyes i delegacioneve, i kishte rrëfyer Mehmet Shehut se vëllezërit Darova ju përkisnin fisit të bejlerëve të Starovës.  Urdhri i Partisë çohet menjëherë në vend; të katër vëllezërit dërgohen në prodhim në gjirin e klasës punëtore. Muhameti shkon në zyrë te Kryetari i Komitetit, Avni Vercuni dhe kërkon të largohet nga Pogradeci. Niset në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës të takojë ministrin Thoma Deliana, të cilin e njihte që kur kishte qenë në Elbasan, sekretar i parë i këtij rrethi. Ai  tregon se Deliana e pret mirë, por i thotë se në Pogradec nuk mund t’ju kthej, por shko në Rrëshen drejtues muzike. Aty, shkoi!

 

 

Vëllai i madh, Muhameti

 

“Pas dy vjetësh transferohem në Laç, aty e marr me vete edhe gruan”, -shton ai. Me tekst të Gjok Becit, Muhameti kompozon një këngë për vinçieren që bëhet këngë shumë popullore dhe transmetohej në radio çdo ditë. Pas dy vjetësh pune ne Laç, papritur e thërret ish – sekretari i Parë i Partisë së Krujes, Tahir Minxhozi, i cili e emëron si shef muzike në Shtëpinë e Kulturës. Më pas Muhameti tërheq edhe vëllanë tjetër, kitaristin Agim Darovën. Ndërkohë që unë thotë Mentari ika sa më larg në Gjirokastër. Vëllai tjetër, i vogli, Ilirjani, internohet në Tepelenë. Ndërkohë që nga Pogradeci, kujton Muhameti  vinin çdo ditë letra nga Komiteti i Partisë, ku thuhej se “ne i hoqëm dhe ju i mbani në orkestër ata të deklasuar”. Por duhet thënë se edhe atëherë kishte njerëz të mirë si Tahir Minxhozi, në atë kohë Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë, ne qëndruam në Krujë më qetë si të deklasuar që ishim, ku ruajmë respektin më të madh për Krujën e banorët e saj, që në një farë mënyre, na lehtësuan disi nga goditjet e diktaturës dhe lufta e pamëshirshme e klasave në vitet e egra të diktaturës”, -përfundon muzikanti i njohur 81-vjeçar, vëllai i madh Darova. Është një kalvar i stërmundimshëm i “Bitëllsave të Pogradecit”, ku me gjithë shkëlqimin e talentin e tyre të jashtëzakonshëm, vuajtën krahas burgimeve, internimeve, edhe rrënimin e tyre shpirtëror nga diktatura komuniste.

 

 

Please follow and like us: