Albspirit

Media/News/Publishing

Av. Dorian Matlija: ‘Vigjilenca e përjetshme është çmimi që paguajmë për lirinë’

Av. Dorian Matlija

“Në mënyrë që të jemi të aftë të mendojmë, duhet të rrezikojmë të jemi fyes”, thotë Jordan B. Peterson.

Liria e mendimit konsiderohet si e pakufizueshme sepse përbën bazën e shumë lirive të tjera që lidhen me lirinë e shprehjes, lirinë e besimit fetar, lirinë e organizimit, etj. Pa një mendim të lirë, është e pamundur që një shoqëri të ndërtohet mbi baza të shëndosha të qendrueshme. Liritë e tjera, që e kanë si parakusht lirinë e mendimit, janë të kufizueshme sepse në thelb kanë të bëjnë me një veprim që shtyhet nga një mendim. Një njeri mund të mendojë të kryejë një vrasje, por njëkohësisht të mos ndërmarrë asnjë veprim konkret për ta materializuar atë mendim. Kështu mendimi mbetet në fantazinë e vetë personit. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me ndonjë veprim të jashtëligjshëm. Ky është dallimi mes lirisë së mendimit dhe ushtrimit të hapur të mendimeve duke i përkthyer ato në veprime. E para është e pakufizueshme, ndërsa të dytat, veprimet, janë të kufizueshëm dhe për rrjedhojë një pjesë e veprimeve dalin jashtë sferës së lirive, cenojnë të tjerët, dhe për pasojë janë të ndëshkueshme nga shoqëria dhe ligji.
Neni 18 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut e ka sanksionuar në këtë mënyrë lirinë e mendimit:

“Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe besimit; kjo e drejtë përfshin lirinë e ndryshimit të besimit ose bindjeve dhe lirinë që njeriu, qoftë vetë ose në bashkësi me të tjerët, të shfaqë publikisht ose privatisht, besimin ose bindjen e vet me anë të dhënies së mësimeve, kryerjes së kultit dhe ceremonive fetare”.

Neni 19 i të njëjtit dokument rithekson termin liri e mendimit.

Në një pasazh të rrallë, të një epoke përpara Luftës së Dytë Botërore, para zhvillimeve të vrullshme në fushën e të drejtave të njeriut, në çështjen Palko kundër Connecticut 169 (1937), shohim një përshkrim gati proverbial të lirisë së mendimit.

“Liria e mendimit… është matrica, kushti i domosdoshëm, i gati çdo forme tjetër të lirisë. Me shmangie të rralla, një njohje e përhapur e kësaj të vërtete mund të gjurmohet në historinë tonë politike dhe juridike”.

Në periudha më të hershme, liria e mendimit ka qenë shpesh herë në përplasje të fortë me dogmat që paraqiten si “të vërtetat e padiskutueshme”, që prodhoheshin me bekimin e autoriteteve morale të kohës. Kështu, një prej shembujve më emblematikë është rasti i Xhordano Brunos, i cili u dënua nga kisha, si autoriteti më i lartë moral i kohës, duke u djegur në turrën e druve sepse guxoi të mendojë jashtë kornizës dogmatike që “Toka ishte qendra e Universit”. Ai propozoi teorinë që yjet ishin diej të largët, që rrethoheshin nga planetët e tyre dhe hodhi hipotezën që këta planetë të mund të kishin kushte për të zhvilluar jetë, një pozicion filozofik ky i njohur si pluralizmi kozmik. Ai gjithashtu insistoi që universi është i pafund dhe nuk mund të ketë një “qendër”. Sot, këto fakte dhe hipoteza janë të pranueshme nga komuniteti shkencor, por në kohën e Brunos, këto mendime trondisnin themelet e dogmave mbi të cilin qendronin autoritetet morale dhe sipas tyre ato mund të buronin vetëm nga një mendim i korruptuar dhe i rrezikshëm, i cili duhej të luftohej deri në vdekje.

Njerëzit, kur marrin përsipër të diskutojnë me njëri-tjetrin, herë pas here vënë në punë mendimin dhe shprehin idetë e tyre mbi faktet, mbi “të vërtetat”, mbi besimet, etj. duke rrezikuar që këto mendime mund të perceptohen si ofenduese për palën tjetër në debat.
Disa njerëz kanë prirje të shohin, vlerësojnë dhe debatojnë për faktet në mënyrë objektive dhe të jenë në kërkim të së vërtetës, pavarësisht sa e hidhur apo sa e bukur është ajo, apo sa bie ndesh me besimet, apo sa i përforcon ato, pavarësisht se sa prek ndjeshmërinë e individëve apo grupimeve të caktuara ndaj fakteve tronditës për poziconin e tyre dhe për egon e tyre të investuar. Këta njerëz diskutojnë. Qëllimi i palëve në diskutim është që të mësojnë të vërtetat.

Disa të tjerë kanë prirje të besojnë pa nevojën e vërtetimit të fakteve. Për shembull, besimtarët në një sekt religjioz nuk kanë nevojë për prova të ekzistencës së hyjnisë tek e cila besojnë sepse në thelb besimi i tillë është. Nëse besimi mbështetet mbi fakte objektive, ai nuk quhet më besim, por quhet dije. Këta njerëz debatojnë. Qëllimi i palëve në debat është që të fitojnë pozicion.

Kategoria e atyre që vlerësojnë faktet tentojnë të diskutojnë me njëri- tjetrin për të zbuluar të vërtetat dhe mund të ndryshojnë qendrim nëse përballen me fakte të reja. Ndërsa kategoria e atyre që besojnë, nuk kanë për qëllim të vlerësojnë faktet, por të konsolidojnë pozicionin e tyre në shoqëri dhe qëllimi kryesor i debatit midis tyre është për të përcaktuar se kush do të ketë pozicionin më të lartë që të ketë mundësi më pas të diktojë rregullat e sjelljes ndaj tjetrit. Kjo kategori nuk vlerëson faktet (duke i relativizuar ato), por vetëm dogmat, të cilat janë të pakundërshtueshme, të pasulmueshme dhe të parelativizueshme dhe diskuton vetëm mbi pozicionin moral të diskutantit me qëllim për të fituar debatin dhe jo për të shkoqitur faktet e vërtetueshëm nga ata të pavërtetë apo të pavërtetueshëm.
Në këtë mënyrë, në një shoqëri e cila kontrollohet në shumicë nga njerëz të indoktrinuar nga dogmat, shfaqet nevoja të luftohet mendimi i lirë, pikërisht sepse ky është armiku kryesor i dogmës, sepse mendimi i lirë mund të shndërrohet lehtësisht në mendim kritik dhe më pas të verë në pikëpyetje vetë dogmën, duke sjellë fakte që e vënë në vështirësi të gjithë pozicionin e autoritetit moral. Përveç dogmës fetare të kohës kur dënohej Xhordano Bruno, ekzistojnë një mori dogmash politike në kohët moderne, të cilat njëlloj si besimi në kohën e Brunos, janë të pavërtetueshme, ose të rrëzueshëm nga faktet, por që merren si të vërteta të pakundërshtueshme. Shembull për këtë janë qendrimet ideologjike postmoderniste.
Në epokën tonë, të cilën mund të biem dakord ta quajmë epoka e informacionit, mundësia për t’u informuar rreth fakteve, mundësia për të zhvilluar analiza amorale dhe të bazuara mbi faktet shkencore, është më e madhe se kurrë ndonjëherë më parë. Sot, burimet e informacionit janë shumë herë më të mëdha në numër dhe më të pasur, mundësia për të eksploruar disiplina të ndryshme shkencore është me lehtësinë e një klikimi, mundësia për të verifikuar vërtetësinë e fakteve është rritur ndjeshëm dhe mundësia për të bashkuar informacionet me njëri-tjetrin është bërë më e madhe se kurrë. Sot, shumë zëra kanë mundësinë të flasin e të dëgjohen, pavarësisht se ata deri dje mund të mbaheshin larg medias tradicionale. Sot, mundësia e individëve për të parë faktet në sy, është bërë më e madhe. Ndërkohë, në të njëjtën epokë, ideologjitë gjithashtu po shfrytëzojnë mjetet e reja të informimit (kryesisht internetin), për të përhapur propagandën e tyre dhe për të arritur mendjen e atyre njerëzve që janë më pasivë dhe nuk përdorin mendimin kritik.

Mund të themi se sot, interneti është njëkohësisht mjeti më i mirë i propagandës për ideologët, si dhe mjeti më i aftë për të vënë në pikëpyetje ideologjitë dhe dogmat mbi të cilat ato mbështeten, duke i vënë përballë fakteve të vërtetuar shkencërisht, ose të verifikuar nga një mori njerëzish nën një sens logjik të përbashkët, të cilët janë ndërgjegjësuar për kushtëzimin e tyre nga mitet sociale të mbështetura mbi dogmat klasike apo ato moderne.

Pra, interneti është edhe ‘miku’ edhe ‘armiku’ i ideologjive. Për të vazhduar shfrytëzimin e këtij mjeti që i shërben ideologjive, por njëkohësisht për të zbehur mundësinë e përballjes me faktet empirike, ideologët, në mbrojtje të dogmave të tyre të pavërtetueshme dhe të pakundërshtueshme njëkohësisht, kanë nevojë që të zbatojnë censurën.
Censura dhe mungesa e lirisë së shprehjes janë bërë realitet në shoqëritë e sotme. Shprehja e lirë dhe e drejta e mendimit të lirë po shkelen vazhdimisht para syve të pjesës më të madhe të popullsisë që nuk vë në dyshim informacionin e marrë nga interneti dhe media tradicionale. Fakti është që informacioni i disponueshëm në internet është teknikisht i kufizueshëm. Gjithashtu, lajmet për të cilët njerëzit kanë akses, mund të shkojnë gradualisht drejt një unifikimi, drejt një versioni të vetëm kryesor (mainstream). Kjo mund të ndodhë sepse kompani të njohura si Google, Facebook apo Twitter, dyshohet se po kryejnë një aktivitet të shtuar dhe sistematik mbi rrjedhën e lirë të informacionit në internet. Kjo është e mundshme përmes censurimit të vazhdueshëm të temave specifike, faqeve specifike, lajmeve, fjalëve dhe frazave, në emër të “diskriminimit”, “lajmit të rremë” dhe “moskorrektesës politike”. Pushteti faktik për të kontrolluar atë që njerëzit mund të dëgjojnë, lexojnë dhe shikojnë është teknikisht në duart e disa ndërmarrjeve që dominojnë motorët e kërkimit, mediat dhe rrjetet kryesore sociale.

Për pasojë, reagimet, mendimet dhe vendimet e marra nga popullsia mund të reduktohen deri në pikën që të bazohen vetëm në burimet që kjo ka në dispozicion dhe se perceptimi i njerëzve për realitetin, mund të reduktohet në mënyrë të rrezikshme drejt një vizioni mainstream. Thelbësore për të gjithë këtë është ekzistenca e internetit, i cili kërkon domosdoshmërisht që informacioni të jetë në formatin digjital. Mbi këtë format mund të aplikosh algoritme që kanë potencial të censurojnë fjalët, temat dhe faqet specifike në internet. Sa më shumë informacion ndodhet në formatin digjital, aq më e lehtë është për ta censuruar dhe kontrolluar rrjedhën e informacionit që përfundon në aparatet kompiuterikë dhe telefonikë të njerëzve të zakonshëm.

Në vitet e fundit kompanitë e mëdha që dominojnë portat nga rrjedh informacioni, së bashku me mediat kryesore, kanë pasur mundësi të kontribuojnë në një ndryshim progresiv në perceptimin e realitetit të shoqërive, përfshirë ndryshimet në të kuptuarit e koncepteve të zakonshme. Një nga elementët vendimtarë që kontribuojnë në këtë ndryshim është gjuha që konsiderohet si politikisht korrekte, e cila mund të përshkruhet si “gjuha që synon të shkaktojë sasinë më të vogël të ofendimit, veçanërisht kur përshkruhen çështje që prekin interesa të grupeve të identifikuara nga markues ekstremë siç janë raca, gjinia, kultura ose orientimi seksual”. Kritikët e korrektesës politike argumentojnë se vihet re një tendencë për të ndikuar dhe bindur gjithmonë e më shumë njerëzit që u përkasin këtyre grupimeve që të ofendohen nga më shumë gjëra se më parë, në mënyrë që të vijojë të manifestohet një justifikim për të censuruar pikëpamjet e njerëzve. Këta kritikë theksojnë se standardet për vlerësimin nëse një fjalim është apo jo fyes për komunitete të caktuara përcaktohen nga të njëjtat kompani që diktojnë gjuhën ‘politikisht korrekte’.

Duket disi kurioze sesi mediat kryesore dhe rrjetet sociale po inkurajojnë njerëzit që të ndjehen më të ofenduar nga përdorimi i termave të caktuara që deri më tani kanë qenë terma gjenerikë dhe që nuk janë përdorur për të ofenduar askënd. Një shembull i qartë i kësaj është fakti që nëse dikush përdor termin “person me aftësi të kufizuara”, deri dje nuk është konsideruar si term ofendues, madje është konsideruar si term pozitiv nëse e krahason me termin “invalid” që përdorej dikur. Por sot, termi “person me aftësi të kufizuara” duket më ofendues dhe politikisht jokorrekt nëse e krahason me termin “me aftësi ndryshe”. Ky i fundit është term i preferuar sot.

Në fund, zbulojmë se si shoqëria po kërkon gjithnjë e më shumë përdorimin e termave të reja politikisht korrekte, në dëm të termave tradicionale, duke rezultuar në situatën kur nëse dikush nuk është politikisht korrekt, ai mund të etiketohet si i paedukatë, racist, seksist, misogjinist, homofob, etj.

Një nga nënproduktet e korrektesës politike është fshirja e mendimeve të çiltra, krijimi i standardeve të dyfishta dhe shkuarja graduale drejt heshtjes së popullsisë. Në shumicën e rasteve, përgjigja më e zakonshmë dhe e thjeshtë nga një shoqëri në dilemë është pikërisht heshtja. Por, të heshtësh do të thotë edhe të pajtohesh, dhe përfundimisht terreni shndërrohet në një kurth të lirisë së shprehjes. Shkaqet mund të vijnë nga frika e humbjes së punës, frika nga bojkotimi shoqëror apo frika nga gjobat dhe masat e tjera legjislative.

Në romanin “1984”, George Orwell sjell në mënyrë gjeniale një shoqëri, e cila përjeton distopinë e të ndërhyrit në lirinë e mendimit. Ndërmjet shumë metaforave, alegorive dhe një tufë mjetesh të tjerë letrarë, për t’u veçuar është Gjuha e Re (Newspeak), e cila ishte ideuar pikërisht për të ndërhyrë në mendimin e njeriut, sepse mendimi realizohet përmes një gjuhe (pavarësisht se fjalët mund të mos thuhen me zë). Sa më shumë njerëzit mësonin neologjizmat e Gjuhës së Re, aq më shumë ata nënshkruanin dënimin me burgim të mendimit të tyre në një burg që nuk e sheh dhe nuk e prek. Në këtë realitet distopik, ‘e vërtetë’ ishte vetëm ajo që aprovohej nga goja e autoritetit moral më të lartë (partia dhe Vëllai i Madh), të cilët thonin ‘të vërtetën’ edhe sikur ta kundërshtonin atë në të njëjtën kohë me një fakt tjetër, duke diktuar te njerëzit atë që quhej si “doublethink”– mendimi i dyfishtë, ku besohej se diçka e bardhë është edhe e zezë njëkohësisht, nëse partia e thotë këtë gjë dhe se duheshin besuar të dyja versionet e kësaj ‘të vërtete’.

Ideologjitë zënë vend më lehtë te personat që nuk kanë dëshirë apo aftësi për të zhvilluar një mendim kritik. Ky i fundit zakonisht bazohet mbi fakte objektive që përfshihen në një diskutim ku ndjeshmëritë personale konsideron pa vend. Për këtë arsye dogmat, besimet dhe çdo manifestim ideologjik, tentojnë fort të relativizojë faktet dhe t’i japin një qendrim më të fortë ‘moralit’, ‘aspiratës’, ndarjes midis ‘të drejtës dhe të gabuarës’, apo ‘të mirës dhe të keqes”, duke relavitizuar gjithmonë e më shumë debatin mes ‘të vërtetës dhe të pavërtetës’ dhe ‘të dobishmes dhe të padobishmes’, apo ‘të saktës dhe pasaktës’. Për këtë arsye dëgjohet gjithnjë e më shpesh se ‘e vërteta është thjesht çështje këndvështrimi’ dhe se nuk ka një ‘të vërtetë fikse’. Ky diskutim zhvillohet në paralel me deklaratat dogmatike se ekziston ‘një e drejtë universale fikse’ dhe një ‘sens moral universal fiks’.
Si pasojë e zhvendosjes së këtyre diskutimeve në debate, jo për të gjetur të vërtetat, por për të përcaktuar pozicionin më të lartë, korrektesa politike është një nga mjetet moderne që nuk ndërhyn thjesht te liria e shprehjes, por edhe më thellë, te liria e mendimit. Sepse askush nuk është në gjendje të mendojë nëse nuk aplikon mjetet gjuhësore që ka në dispozicion.

Korrektesa politike sot, jo vetëm është përfshirë në kodet e etikës dhe të sjelljes, por po përfshihet edhe në legjislacionin primar, duke imponuar neologjizmat e Gjuhës së Re, e cila nuk duhet të jetë ofenduese, sipas standardeve të ndryshueshme që imponohen prej pakicave të zhurmshme për shkak të fuqisë propagandistike apo pushtetit politik të fituar në kuadër të parimit të diskriminimit pozitiv, fillimisht duke e konsideruar si ofenduese dhe më pas duke bërë kalimin gradual nga gjuha jokorrekte te gjuha e urrejtjes. Ndër debatet që mori famë në internet ishte ai që shoqëroi ligjin Bill C-16, në vitin 2016, i cili detyronte shtetasit kanadezë të përdornin përemra të caktuar për personat transgjinorë. Përpjekje të ngjashme në stil dhe frymë po përfshihen në legjislacion kudo, duke ndryshuar përkufizimet e “gjuhës së urrejtjes”, e cila ndikon drejtpërdrejt në kufizimin e lirisë së shprehjes. Dhe kështu, vijmë te nënprodukti i dytë i korrektesës politike, që është përforcimi i kufizimeve, gjithnjë e më ambigue, të gjuhës së urrejtjes dhe për pasojë edhe sjelljes së palejuar, e cila bëhet “golden goli” i vërtetë i minutës së fundit kundër lirisë.

Ndërsa gjuha e urrejtjes, në kuptimin e saj klasik, nuk justifikohet, ndryshimi i kuptimit dhe përkufizimit të saj ndërhyn në lirinë e mendimit duke paralizuar mendimin kritik. Korrektesa politike po fiton terren në vazhdim. Në shumë raste, dëgjohen zëra advokues që mund të argumentojë se kjo është një gjë e mirë apo e drejtë. Por të paktë janë zërat që diskutojnë mbi dobishmërinë e këtij zhvillimi. Këta të fundit nuk lejohet më që të diskutojnë mbi një koncept të shpallur armik tashmë, siç është ‘dobishmëria’ nëse nuk përfshihet edhe morali si vlera kryesore e debatit. Ato pak zëra që relativizojnë moralin, rrezikojnë thelbin ideologjik që qendron pas dallimit midis “të drejtës apo të gabuarës” dhe për rrjedhojë rrezikojnë edhe pushtetin e atyre që mbështeten mbi dogma.
Mirëpo, njerëzimi është përballur më shpesh me diskutime midis “të drejtës kundër të drejtës”, “të gabuarës kundër të gabuarës”, apo “të mirës kundër të mirës dhe të keqes kundër të keqes”. Këto diskutime e kanë zhvilluar njeriun dhe civilizimin. Këto diskutime janë në thelb të çdo vendimi të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut sepse gjithmonë ka një përplasje midis dy të drejtash, që gjykata duhet të zgjedhë se cila prej tyre prevalon. Këto diskutime nuk zhvillohen dot pa një liri mendimi dhe pa një liri shprehje deri në kufijtë e ofendimit. Fundja, ofendim është çdo gjë që një grupi apo individi tjetër i duket e pafavorshme në një botë ku secili investon egon e tij për të përkufizuar ‘modelin’ që i ngjan fundja vetes së tij.

Një tjetër parim është po kaq i rëndësishëm. Diversiteti. Jemi po aq të ndryshëm sa jemi të ngjashëm, dhe nevojitet që të ndërgjegjësohemi për efektet e korrektesës politike në jetën tonë të përditshme, sidomos ndaj lirisë së mendimit, që merr shkas nga kufizimi i lirisë së shprehjes dhe sjell pasojën e kufizimit të lirive të tjera.

Nëse rregulli është që ju nuk mund të ofendoni askënd, në një shkallë të gjerë të komunikimit publik sjell pashmangshmërisht censurën ose vetëcensurën. Komunikimi mund të jetë i tillë që ju nuk i drejtoheni vetëm një personi, por qindra ose mijëra personave. Jordan Peterson ngre shqetësimin, “po sikur të ofendohet një në njëmijë, kur del në një podium dhe do të thuash diçka të rëndësishme rreth diçkaje jetike dhe nuk duhet të ofendosh as një në njëmijë? Kështu, ti kurrë nuk mund të thuash asgjë për asgjë të rëndësishme pa ofenduar dikë. Fjalimet e rëndësishme për çështje të rëndësishme, sidomos çështjet ku ka debat dhe jo dakordësi, janë ofensive aty për aty”.

Nëse korrektesa politike fiton më shumë terren, mund të përballemi me një rrezik të shtuar të një kundërrevanshi nga grupe ekstremiste që pritet të reagojnë, jo me argumenta por me një ideologji të kundërt, e cila mund të rezultojë në përplasje të dhunshme si ato të shfaqura gjatë shekullit XX, para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Nën ndikimin e korrektesës politike, shoqëria mund të mos bëhet “më e mirë”, por të bëhet më intolerante, si pasojë e rebelimit ndaj shtypjes së thelbit instinktiv të njeriut, nën tentativën për ta zbutur atë. Loja me instinktet bëhet më e rrezikshme kur ato pasi shtypen, injorohen.

Shqipëria është ende në fillesat e prekjes nga ky trend, por është e sigurt që nëse një trend është dukuri botërore, herët a vonë do hyjë edhe në shoqërinë tonë, si pasojë e globalizmit. E vetmja mbrojtje që kemi nga ky trend është të jemi vigjilent dhe të shohim dobishmërinë e mbrojtjes së diversitetit, pluralizmit dhe mendimit kritik, si dimension i nevojshëm lirie. Sipas Thomas Jefferson, ‘vigjilenca e përjetshme është çmimi që paguajmë për lirinë’.

Please follow and like us: