Albspirit

Media/News/Publishing

Anisa MARKARIAN: NA QOFTË KËMBËBARDHË!

Një tyl mjegullor shpërhapet valë-valë mbi çatitë portokallì. I bëhet jorgan peizazhit. Rrapëllimat zbuten; lëvizjet ëmbëlsohen. Ç’ishte me majucë, bëhet e përfushtë. Ç’ishte e tejdukshme, po kridhet në tym. Gjilpërat e acarit e qëndisin lëndishtën me fjolla pambuku; të dashuruarit mund të harbohen këmbëzbathur.
Majë horizontit vegullon një hënë qumështore e gozhduar në qiell që në vigjilje të Krishtlindjes. Të zënë me përgatitjet e festës së fundvitit, s’na bie ndërmend t’i afrojmë shkallën e zjarrfikësve.
Fësh-fësh, fësh-fësh, lazdrohet nata. Tund e përkund kindat e fëshfëshes blu. Ka zgjedhur të hedhë supeve një mantel mushamaje për të na mbrojtur nga lagështia e motit të pabesë dhe e lotëve që s’po na teren. Ajri duhet të jetë i thatë gjer në përsosuri. Përndryshe, nuk pëlcasin fishekzjarrët.
I mbledhur kutullaç, qyteti hijerëndë sodit kërthizën e vet – hojëza e fundit e tombolas. Sheshet, parqet dhe pistat e vallëzimit janë bosh. S’pipëtin frymë njeriu. Rrugëve patrullojnë forcat e rendit. Jemi në gjendje shtetrrethimi. Qofsh i dehur, i marrë a festar endacak, të gjobojnë e të kthejnë mbrapsht. Tifozët e stafetës së motmotit do ta ndjekin garën nga ekrani i televizorit.
Kuzhina erëmon kanellë e karafil. Në furrë po piqen ëmbëlsirat. Gotat me fron presin rresht mbi tryezë. Pikëzuar me kokrriza vese, shegët e kopshtit ngjajnë si të ngrira në sheqer. Mollët e pavjela janë faqekuqe.
* * *
– Erdhi çasti! – lajmëroj me ngut. – Hiqni maskat e mbushni kupat!
Të respektueshëm ndaj normave shëndetësore, festojmë vetë i gjashtë. Kujt ia mban të rrezikojë për ca flluska shampanjë më shumë?!
– Dhjetë, nëntë, tetë…
Sekondat përmbyllëse të një viti kosëtar. Vrau, preu e krasiti në 360 gradë. Na sfidoi e na shkundulloi. Na helmoi gjer në palcë. Përbrenda më vlon një zell hakmarrës: t’i fus një shkelm në bythë të kurorës e t’i përshpejtoj gremisjen! Ç’presim, o njerëz?! Ejani ta rrëzojmë mbretucin nga froni!
– … shtatë, gjashtë, pesë…
Balerina me brerore të arta, urimet tona i flasin një të ardhmeje me një milion pikëpyetje. E para mund të ishte: t’i kemi hedhur, vallë, stuhitë pas shpine?
– … katër, tre, dy…
– M’u shporr sysh! Mos ta dëgjofsha më numrin! – i këlthas. (Për një vit special, një «urim» origjinal.)
– Po bëhesh trimëreshë me një plakush në ikje, – më ngacmon ime bijë.
I piketuar me vargje dritash e flamurtha, kopshti ynë i ngjan një aerodromi në miniaturë. Jemi djersitur plot një javë për të ndërtuar dy trase paralele me kahe të kundërta, që vitet të shkëmbehen pa u takuar. I Riu do të marshojë drejt portikut «Hyrje – Mirësevjen!»; i Vjetri do të degëdiset nga deriçka «Dalje – Lamtumirë!». (Hajt, drejt e në humbëtirë!)
– … një, …
– Stoop! – dëgjoj zërin e tim biri.
Gotat ngrijnë në ajër. Fjala «gëzuar» ende s’është formësuar. Ora e murit turfullon.
– T’ia hapim portën vetëm po na tregoi këmbën e bardhë, – sugjeron. (Është rritur me përrallën e kecave.)
– Ah, tepër vonë…
– Jo, jo, jemi në kohë!
I hedh një sy kamares së orës. Shquaj 2 0 2 e më pas…, hiçgjë. Zero e dytë ka fluturuar por 1-shi s’ka mbërritur ende. Fushëza është e bardhë. E bardhë dhe e hapur. Ndodhemi në ujërat ndërplanetare të kalendarit. Rrotullimi i plotë i Tokës rreth Diellit ka pësuar një ngadalësim të lehtë – finishi do të preket me një sekondë vonesë. Në xhepthin e pakohë të Kohës, GJITHÇKA bëhet e mundur. Fashiten ankthet, sëmundjet shërohen. Dashuritë e humbura rikthehen si për magji. Ringjallen shpresat. Ëndrrat realizohen; dëshirat plotësohen. Falë vullnetit-kaleidoskop, jeta bëhet e ylbertë. Një harmoni formash, tingujsh, ngjyrash e zërash që, sa më shumë t’i tundësh, më magjishëm kombinohen. Gjer në ngazëllim! Tamam si dikur, kur isha fëmijë…
Ejj! Nuk jam Mëma Dhi. Jam një nga kecat e shtëpisë. Më dëgjuat?
* * *
Përjashta po resh një borë flokargjende. Shtrohet palë-palë e zë shtrat. Brus honet e i bën livadh. Ç’ishte e zezë po zbardhet; ç’ishte e thepët po rrumbullakohet. Hëna zbret shkallëzat këmbëzbathur. Në njërën dorë mban bishtin e fustanit, në tjetrën këpucët e kristalta. Diku pret një karrocë-kungulleshkë…
Tok, tok! …Tok, tok!
Mbi qilimin shkumak janë formuar ca gjurmë hapash. Kush kaloi këtejpari dhe nuk arrita ta pikas?!
– Shshttt… Mbani qetësi.
Tok, tok! …Tok, tok!
– Dikush po troket. Nuk e dëgjuat?
– …
– Është 1-shi, o ma!
Një këmbë e brishtë zgjatet nën prag. E bardhë kajmak…
– …
– T’ia hapim portën e ta ftojmë brenda!
– …
– Mam, thuaj një fjalë!
– Ju përgjërohem, mos ia shkundni dëborën.
©A.M. 01.01.2021 – Çasti zanafillor…
Please follow and like us: