Albspirit

Media/News/Publishing

XHEMIL ÇELA, USHTARAKU MADHOR I ZBULIMIT, BURRI I MENÇUR DHE VLERË E  ÇMUAR E LABËRISË

 

 

In Memoriam për njerëzorin, profesorin e mençur, modelin e labit, shkencëtarin ushtarak, krijuesin, birin e Gusmarit të Kurveleshit Xhemil Xhafo Çela, që u shua këtë më 20 shkurt të 2021-it, që ngeli i pashlyer në kujtesën e ushtarakëve, Shoqatës “Labëria”, miqve e shokëve, bashkëfshatarëve si model i mirësisë njerëzore, një emër i pashoq shoqëror, një familjar i përkushtuar për fëmijët Lizën dhe Arbenin, një gjysh i dashur dhe stërgjysh i dhimbsur, një shkrimtar mendjemprehtë me dritë në shpirt, një lis Labërie, që me trashëgiminë që la do të ndriçojë me pjekurinë e mendimit

 

 

Prof. Asoc. Zaho GOLEMI

 

 

 

Askush nuk do ta besonte lajmin e hidhur të 20 shkurtit, për ndarjen nga jeta të Xhemil Çelës. Për më tepër më 15 shkurt kishte bërë postimin e fundit në facebook. Dhe mos e beso shkurtin, që shkurtoi rrugët e shtegëtimit të jetës për burra me mend e me peshë që kishin lindur seriozë dhe që i shoqëroi korrektësia në jetë. Ky lajm i kobshëm, preku thellë shpirtërisht, çdo njeri që e ka njohur ish-ushtarakun madhor të zbulimit, pedagogun e talentuar, mësimdhënës i apasionuar, punonjësin e kërkuesin shkencor, redaktor e kryeredaktor i “Revistës ushtarake”, drejtuesin madhor të strukturave të zbulimit të Ushtrisë, që la gjurmë të thella në piramidën ushtarake shqiptare të drejtimit, veprimtarin shoqëror, shkrimtarin e fjalës së saktë të peshuar dhe kontrolluar me rigorozitet dhe me vend,  ish-sekretarin e përgjithshëm të Shoqatës “Labëria”, “Nderi i Kombit”. Tre dekada më parë rrugët na takuan në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm, në Tiranë, ku shefi i Katedrës së zbulimit ishte kryelektor në lëndët e veta, edhe pse rrethohej nga shtatë profesorë e doktorë me tituj. Por kur hynte Xhemil Çela në auditor, hynte mendimi i pushtetshëm. Fliste urtë dhe butë, por me mendim krejtësisht të gdhendur të pjekur dhe me logjikë të ftohtë, me mendim të thellë. Ishte komunikues me auditorin si ai, që rrallëkush e zotëronte këtë cilësi. Nëse dikush duhet të bëhej i zhurmshëm për të vendosur rregullin dhe qetësinë tek profesor Xhemil Çela nuk kishte nevojë fare për përgjegjësa grupesh mësimore. Fliste pesha e fjalës. Fjalën e kishte mençuria dhe duhet të kishe vëmendje sepse për thellësinë e mendimin nuk i kthehej sërish problemit. Kur hynte mbante një dosje të zezë dhe leksioni në fleta letre sa pëllëmba e dorës. Por ato hidheshin mbi tavolinë për korrektësi pedagogjike dhe askush nuk e kuptonte se si kalonin 90 minuta leksion (për arsye se ora akademike e asaj periudhe ishte 90-të minutëshe).

Pas impresioneve të para rrugët tona në tre dekada do të kryqëzoheshin shpesh dhe Xhemil Çela do të ngelej përherë një ushtarak dinjitoz, enciklopedist, pedagog, metodist i shkëlqyer, labi me rrënjë, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në monografitë e tij dhe që deri në këtë mes shkurti ishte pranë kompjutrit me librin e radhës në dorë duke shkruar e redaktuar, duke punuar me përkushtimin e një djali të ri që “arkivi lëvizës” të ngelet pronë intelektuale e ushtarakëve e ish-ushtarakëve, e vendlindjes së tij Gusmarit, Kurveleshit, e Labërisë që aq shumë e donte si dhe e mbarë elitës intelektuale shqiptare të fushës së sigurisë dhe të mbrojtjes. Kushdo që e ka njohur oficerin e zbulimit Xhemil Çelën ka vënë re karakteristika të veçanta si shembull korrektesie, njeri gjithmonë i veprimit dhe i angazhuar, kontribues i çmuar në rrugëtimin e gjatë të Shoqatës ‘Labëria’, një burrë vizionar, me eksperiencë drejtimi, që punonte me një disiplinë të hekurt, që në fakt buronte nga të qënit ushtarak me karrierë në hierarkinë e lartë ushtarake të zbulimit të Ushtrisë Popullore (sot Forcat e Armatosura). Xhemili kishte cilësi të rralla të labit të mirë, që mençurinë dhe sakrificën e vinte në punë, që humanizmin shoqëror e kishte më shumë se profesion. Xhemili nuk ishte vetëm një ushtarak i zoti, veprimtar i pa përtuar, por edhe kuadër me dije të thella akademike e teorike, studiues i thekur, skrupuloz me pretendime shumë të mëdha si petagog shembullor, sa që rrallë janë ata që arrijnë nivelin e “stekës” së tij akademike. Ai ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së tij një Personalitet i Shquar i Forcave të Armatosura dhe i Labërisë, një patriot i pa epur për çështjen kombëtare shqiptare në gjithë shtrirjen tonë kombëtare kudo ku flitej shqiptarçe, që rrezatonte me mendimet e tij plotësisht të thella si dhe të argumentuara për zhvillimet në Kosovë dhe për situatën e Çamërisë e deri për shqiptarët e Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore, përfshi edhe shqiptarët e nëpërkëmbur të Luginës së Preshevë, Metvegjë e Bujanoc. Xhemili ishte promotor i përkujtimit në vendlindje të tij tek Lisat e Kadhe, vendin historik ku vëllezërit e një gjaku kanë ndezuar atdhetarizmin dhe kanë ngritur flamurin shqiptar më 11 Maj 1911, ku flamuri dhe shqiponja dykrenare qëndroi si simbol i historisë në “Lajthiz–Gusmar–Kurvelesh”, që ai gjykonte se duhej festuar e kthyer në vend peligrinazhi patriotik, në vendin e zjarrit të atdhetarizmit, si një simbolikë mjaft e gjetur dhe e goditur.

Një jetë plot përkushtim me arritje e sfida, nëntoger në moshën 17 vjeçare

 

Xhemil Çela është lindur në Gusmar të Kurveleshit më 2.4.1937. Ka qenë ushtarak madhor i zbulimit, publicist, patriot, “Nderi i Qarkut Gjirokastër” (2006), “Personalitet i shquar i Labërisë” (2007). Shkollën shtatëvjeçare dhe tre klasë të shkollës së mesme i kreu në Tepelenë dhe në Tiranë në ShMP “Skënderbej” deri ne vitin 1953. Më pas, deri në vitin 1954, përfundoi studimet ushtarake dhe u specializua në zbulim, pranë shkollës së Bashkuar të Oficerëve. Prej rezultateve të shkëlqyera gradohet si nëntoger në moshën 17 vjeçare. Në vitin 1955 përfundon Kursin e Lartë Ushtarak një vjeçar po në fushën e zbulimit, pranë të njëjtës shkollë. Në vitet 1959 – 1961 vazhdoi fakultetin për zbulim agjenturor në Moskë, por për shkak të krizës shqiptaro-sovietike kthehet si shumë studentë të tjerë shqiptarë në Shqipëri. Sudimet gjitharmëshe i përfundon gjatë viteve (1968-1970) pranë Akademisë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë. Ka kryer detyra të ndryshme në shërbimin e zbulimit ushtarak duke arritur deri në detyrën e zëvendësdrejtorit (1971)-(1975), pedagog, punonjës shkencor dhe shef i katedrës së Zbulimit e Ushtrive të Huaja në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe anëtar i Këshillit shkencor të Akademisë (1981-1991), kryeredaktori i “Revista Ushtarake”,organ teoriko shkencor i Akademisë (1991)-(1992), duke nxjerrë numurat e parë të saj. Në prill (1992) del në pension pleqërie. Zotëron gjuhën italiane, ruse, greke, serbe, kroate, dhe franceze. Aktiviteti publicistik është shumë i pasur si bashkautor i katër librave me objekt Njohuri mbi Ushtritë e Huaja për përdorim të brendshëm në ushtri, botime të viteve ’80. Ka botuar gjithashtu monografinë “Familja dhe fisi Çela në shekuj” (1660-2000), “Jetuam paqen e kërcënuar”, “Historiku i shoqatës “Labëria” 2006; botim me bashkëautor “15 vjet Shoqatë “Labëria” (12 dhjetor 1991-12 dhjetor 2006), 2020, në gazetën e shoqatës si dhe artikuj e studime për probleme të mbrojtjes e të sigurisë kombëtare. Në 2015 publikoi librin interesant “Jetuam paken e kërcënuar”, Edlora, Tiranë 2015. Dy vjet më vonë më 2017 publikoi “Fenomeni fajde dhe revoltat popullore në Shqipëri 1997”, BOTIMET M&B, Tiranë, 2017. Në vitin 2018 publikon “Shkurt ’91 – ngjarjet në shkollat ushtarake dhe monumenti i Enverr Hoxhës (nën optkën e një pjesëmarrësi). Janë të shumta publikimet akademike si autor dhe bashkëautor i botimeve ushtarake (1982-1992), në grupin e punës për hartimin e “Rregullore e nënreparteve të zbulimit ushtarak në luftim”, Tiranë 1976; Album me skema i reparteve e njësive të Ushtrive të Huaja në llojet e ndryshme të luftimit e operacionit”, Tiranë 1986; “Veprimet e nënreparteve të UH në luftim”, Tiranë, 1990; “Veprimet luftarake të nënreparteve të desantit detar e ajëror në luftim”, Tiranë, 1990. Është gjithashtu bashkëautor i botimit shkencor “Enciklopedi e Kurveleshit” (2009). Pas daljes në pension, si veprimtar shoqëror, është zgjedhur sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” që nga kuvendi i parë themelues i saj ne vitin 1998 deri në Kuvendin e fundit më 2018-tën. Jeta dhe aktiviteti i tij përmblidhen në një libër “Zbuluesi ushtarak, njeriu i bukur Xhemil Cela, monografi me autor Prof. Assoc. Bernard Zotaj e Bashkim Qeli, në vitin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar më 2012. Ai ka qenë autor i dhjetra referateve e kumtesave, materialeve me vlerë shkencore etj si dhe një bashkëpuntor i përhershëm i shtypit. Mban 4 Urdhëra e dy Medalje, dhënë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RSH si dhe me meritë të plotë  është vlerësuar “Personalitet i shquar i Labërisë” dhe “Nderi i Qarkut Gjirokastër” nga Këshilli i Qarkut Gjirokastër.

 

Labi nga Gusmari që bëri emër në ushtri dhe shoqëri

 

Ai nuk besonte fort në botën e përtejme, por Xhemil Çela rrugëtoi për lart në parajsën e Labërisë në qiellin e Shqipërisë. Ai ishte dhe mbeti shpirtërisht i lidhur fort me vendlindjen me Gusmarin dhe bëri emër në ushtri, në shoqëri, duke u bërë gjithënjë dhe më i njohur me aktivitetin e tij vecanërisht me shoqatat, edhe pse në thelb ishte ndër bijtë më të shquar dhe më të respektuar të Labërisë, një mik për kokë, i këshillës së urtë dhe vlerë e madhe njerëzore, njeri me vyrtute të larta njerëzore dhe patriotike, një referencë historike si një kronikan që dokumentoi në mënyrë të qënësishme jetën shoqërore dhe shtetërore shqiptare në mënyrë të jashtëzakonshëm, sit a kishte detyrë shtetërore, si mision ushtarak që duhej kryer me të patjetër. Ai ishte dhe mbeti vertebra që mblidhte miq e dashamirës në organizatat shoqërore, vecanërisht vijueshmëria e ekzistencës së Shoqatës kombëtare “Labëria” ka të mbrujtur cdo document nga dora e tij, personaliteti i tij ishte premise e parë e suksesit, e vlerës, e seriozitetit, e llafit burrëror, që e njihte institucionin e minjënjohjes njerëzore dhe fjalën e tij nuk mund ta ktheje as ta neglizhojë. Një burrë me karakter fisnik, një oxhak me rrënjë labërishte, që punonte dhe vepronte me shokë dhe që të bënte për vete të impononte respect dhe fliste gjithmonë me mend në kokë, në kuvende dhe në tavolina, në takime dhe në rrugë, pot ë shkëmbeje ndonjë mendim. Ai ishte tërësisht i predispozuar, i përkushtuar dhe ofronte kudo shpirtbardhësi dhe punë e përkushtim, kërkonte zgjidhje dhe ofronte zgjidhje. Nëse ka burra që u ngjiste llafi “si me zamkë” ishte i dukuri, i njëhsuar dhe i trupëzuar me problemet, i hapur dhe i drejtpërdrejtë, këmëngulës deri në fund i papërtuar dhe nuk e pëlqente kurrë rehatinë dhe javashllëkun. Ishte njeri me kulturë të gjerë e të shumëanshme, ushtarak klasi me dije ekselente, që kudo ku punoi e jetoi ofroi nder, krenari, dinjitet dhe seriozitet të lartë, ku edhe miqtë, shokët e kolegët e prisnin, e donin dhe e respektonin mendjen plot arsyetim të mikut të tyre Xhemil Çela. U largua nga jeta një lis Labërie, në përjetësi, ushtarak plot vlera, njeri i lindur talent, familjar i përkushtuar, njerëzor dhe i papërtuar, shok me vlera të vecanta, personalitet i rrallë njerëzor, profesor që spikati në përgatitjen e vlerave të ardhme shkencore, duke ridimensionuar produktivitetin e veprimtarive shoqërore e duke e kanalizuar gjithcka në interesin kombëtar. Ai ishte njohës i thellë i botës akademike shqiptare dhe punoi që vlerat e shqiptarizmës të përjetësohen, të shkruhen në memoristikën duke kontribuar vetë në kulturën kombëtare të letrave. Ky kontribut ishte pjesë esenciale e kontributeve shkencore të ushtarakëve në përjetësimin e memories historike të Forcave të Armatosura shqiptare. Ai donte dhe kërkonte duke motivuar e stimuluar futjen e të rinjve veçanërisht nga Labëria në rrugën e kërkimit shkencor, në procesin e doktoraturave dhe në shkrime e publikime që i kishte shumë për zemër. Në vitet 2000, kujtoj kur Xhemili punonte për librin “Familja dhe fisi Çela në shekuj” (1660-2000), kur çdo mbasdite në prag të publikimit të librit të tij, vinte në ambjentet e Akademisë Ushtarake “Skënderbej”, kur në përgatitjen e tabelave të katërqind viteve të brezave të fisit të tij e mbështeste një student elitar, Arbër Zaimaj, njohës perfekt i programeve kompjuterike, kur punonin me orë të tëra bashkarisht për të përgatitur pemën gjenealogjike të fisit “Çela” të Gusmarit si rrallë libër në Labëri e më gjerë, duke i dhënë një dimension gjithë brezave e breznive duke zbuluar thellësinë e shekujve dhe duke rezatuar një kulturë që Labëria dhe gjithë shqiptarët e meritojnë. Prandaj librat që krijoi mendja e tij ishin në avangardë, të thellë dhe të gjerë në mendim dhe që mund të merren për referencë për të djeshmen të sotmen dhe të nesërmen shqiptare. Xhemil Çela ishte dhe mbeti një gur i rëndë i Labërisë, që lëshoi dritë dhe ndriçoi historinë e fisit, fshatit e krahinës si askush tjetër, ndriçoi me shkrimet e tij burra të shquar e të çmuar të shekujve, trima, e të mençur, që lartësoi simbolikën labe në dhjetra e qindra takime e kuvende, ku nderi e kërkonte fjalën e tij të mencur e plot arsyetim. Ai ishte identifikuar si institucion labërie, si shkollë mendimi dhe mësues e arsyetues që dinte të jepte drejtim e zgjidhje edhe çështjeve më të koklavitura dhe më të pështjelluara. Ai ishte një mal mendimi laberie sepse e kishte zgjuarsinë natyrale të marrë në vendlindje dhe të kultivuar rrugëve e shtigjeve të jetës. Shkrimet e librat e tij janë brilante janë mendim, gdhendje magjepsëse e shpirtit fisnik të labit, një dhuratë për brezat, një gurrë medimi i pjekur dhe i rrahur në kudhrën e jetës. Në plotronin fisnik të mençurisë është gjithmonë një vend i rezervuar për veprën publicistike të Xhemil Çelës që brezat sot dhe në të ardhmen do t’i referohen. Ai nuk bën kompromis me të vërtetën, por i hap asaj rrugë sepse edhe e zhurmshme edhe e heshtur e vërteta është e kristaltë, që edhe pse mund të bezdisë dhe mund të prishë edhe ndonjë qetësi përsëri është e dashur sepse është e vërtetë. Çdokush që e ka lexuar është tretur në mendimin mjeshtëror të tregimit, logjikës dhe arsyetimit të Xhemil Çelës. Ai nuk e përkëdhel dhe nuk i bie në qafë historisë, por e shpreh mendimin të pastër e të qelibartë, që të ketë shijë sot e mot e përgjithmonë. Ai që prej tre dekadash ka punuar sikurse ka qenë shtetar që duhet të shkonte në zyrë përditë, ka qenë udhërrëfyes për brezat e rinj, i ka orientuar e udhëhequr edhe në fushën e kërkimit shkencor, të punimit në arkiva, të kërkimit në libra, falë edhe horizontit tepër të gjerë e të spikatur, avantazh që ja jepte edhe njohja e gjuhëve të huaja. Ai ishte dhe ngeli frymëzim deri në fund të jetës. Xhemil Çela e sillte fjalën të qëruar, me ndjenjë, gjithmonë të argumentuar, plot finesë dhe mendim. Jetonte me ndjenjat, mendimet, gëzimet e hidhërimet e njerëzve, trupëzohej me to, shkruante e lexonte, nuk duronte padrejtësitë, dhe syntonte të përcillte tek bashkëbiseduesit besim dhe ëmbëlsi fjale, kthjelltësi shpirti jetësor. Dinte të kritikonte, të motivonte, të stimulonte, të jepte udhë problemeve. Njerëzit thoshin se rrallë kemi parë lab të qetë e të shtruar si Xhemili, por ai hovet e zemrës i kishte përbrenda si prush mendimi, që edhe digjte edhe ngrohte por gjithmonë me shpirtbardhësi, njeri që nuk rendtete kurrë pas dekoratave, sepse ishte mbrujtur i thjeshtë dhe i pazëshëm përpara zhurmave. Ai krijoi një thesar të pavdekshëm krijimtarie që brezat do t’i jenë mirënjohës përjetësisht. Profesor Xhemil Çela, ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së tij një shtetar i mirë, i cili ka menduar që gjeneratat e ardhshme të mësojnë të shkuarën sepse “pa të shkuar nuk ka të ardhme”. Nga ana tjetër Xhemil Çela gjithmonë e ka vërtetuar se ka qenë dhe ka ngelur deri në fund të jetës një ushtarak fisnik, një burrë shteti i talentuar, një lab me rrënjë me veti e cilësi të spikatura që e donte fort vendin e tij dhe që e shpaloste atdhedashurinë e përgjegjshmërinë e njeriut, shqiptarit, labit që e donte me zemër të ardhmen dhe mbron të drejtën në kufijtë e qënies kombëtare edhe si funksionari i shoqërisë, shtetit e kombit kërkonte që t’ju lërë brezave atë që shpesh ka munguar: “të vërtetën, të drejtën, të ndershmen, intelektualizmin ushtarak”. Xhemil Çela shpresonte shumë se do të kalonte kjo flamë virusale ndaj edhe u drejtohej bashkëfshatarëve të vet të Gusmarit natën e vitit të ri 2021: “Të dashur bashkëfshatarë gusmariotë kudo që ndodheni! Në këtë prag Viti të Ri 2021 lutem pranoni, pas një viti të vështirë e të dhimbshëm, urimet e mia më të përzemërta për vitin e Ri ta kaloni plotë shëndet, gëzime e lumturi familjarisht! Xhemil Çela”. Por nuk ishte e thënë, edhe pse ai një copëz të zemrës e kishte lënë atje në Guzmarin e tij të dashur, në Kurvelesh dhe në Labëri. Ai nuk kishte se si ta dinte që do të ishte urimi i fundit për dufet e zëmrës së tij, sepse parajsa e donte për në përjetësi, lart përmbi re në malet e Labërisë. Nderim dhe homazhi për Xhemil Çelën e Gusmarit dhe të mbarë Labërisë që shkoi në përjetësi!/albspirit.com

 

Please follow and like us: