Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: KËPUCA E TJETRIT

Tregim
Këpuca e tjetrit i shtrembëroi buzët ende pa i bërë flutur lidhëset. Menjëherë një teh lebetitës mospëlqimi ra mbi sytë që morën një të plasaritur mëdysh, si e çarë shege. Ai nuk ishte hije. Ishte burrë. Të gjithë kanë dikë apo diçka për të humbur kur vendosin të ikin. Rrathët bashkëqendrorë të gënjejnë duke të mbajtur në vend. Nëse shfaqet një mundësi e vetme, ai dëshiron ta përdorë. Ndërkëmbimi i shpejtë i vegimeve a ndoshta diçka tjetër që ende nuk e kuptonte, e yshtte përpara. Të mençurit dyshojnë për çdo gjë kurse naivët kanë besim të tepruar. Në fakt ai nuk jetonte aty, por në një vend tjetër të ëndërruar dhe kuptohet që këmbët e tij detyroheshin të bënin përditë rrugë të gjatë, sfilitëse, thuajse të pambërritshme. Zanafilla rrinte fshehur në zgafellën e shëlbimit, tek ngjarja e pandodhur apo zemërimi i saj: Kokëdem, gjuhëjashtë, me brirët një pëllëmbë. Guxo! Guxo të mos frikësohesh! Bëj diçka pavarësisht se ke frikë! – shpërthente si shatërvan uji me presion.
Atë lidhje midis tyre sikur e kishte krijuar mungesa. Ai besonte se dashuria ishte akti kur të vjedhin çdo ditë të qeshurën nga çanta e shpirtit si të jetë çokollatë dhe të nesërmen ti duhet ta lësh sërish aty, në vendin ku ta kanë vjedhur. Besonte gjithashtu se dashuri ishin të gjithë njerëzit që takonte në mëngjes. Kështu i pëshpëriste ajo në vesh.
Atë ditë që vendosi të vishte këpucën e tjetrit, varrosi gjithë kujtimet e tij. Ajo i kishte premtuar t’i gjente një shpirt të ri. Një shpirt të ri që të fliste me vetminë e tij. Ku ta dinte ai që gjithçka e tepërt është gjithnjë e rrezikshme? Drita e keqe këndjellëse e lakmisë, nën një ritëm ankthi, befas nisi t’i verbojë e çajë ndjesinë e alibisë së faktit, e pakundërshtueshme siç u shfaq, si të ishte padrone e hapësirës. Lëngu pluskues i mospranimit hera – herës i përvëlonte përfytyrimin naiv, por pafuqia nuk dinte ç’të bënte. I rrethuar prej fiskut të erës që shtillej si fuga – lodër e një fëmije, ndjente kurthe vështrimesh që e ndiqnin pas, plot ndjesi të pështira paduruese. Megjithëse i pasigurt, me duar që dridheshin, ai e mbathi këpucën e tjetrit dhe iku. Doli jashtë dere. Iku me të njëjtën lëndë fyese, si ai lëngu i të vjellave, që pas stomakut rastësisht ngec në fyt, pa u derdhur dot. Këpuca e tjetrit e shtrëngoi keqas. Rrinte ngushtë. E vrau. Kallot e vjetra iu çanë prej thikave të mosdurimit. Hollësira të vogla këto, bezdisëse, që nuk e kthyen dot mbrapsht. Këpuca e njërit dihet që s’i përshtatet tjetrit. Këpucë njësoj për të gjithë nuk mund të ketë në këtë botë, ngushëlloi veten. Dhimbja e këlthitëshme e shtrëngimit s’është asgjë tjetër përveçse një zënkë e pluhurosur egoizmi. Ai vazhdoi të ecë më shpejt, kuturu, pa e kthyer kokën, bef, sikur bënte blasfemë. Frika i jepte fuqi, një kauzë ndoshta mund t’i jepte shumëfishin, por ndonjëherë burri ka nevojë të dalë çakërrqejf në udhën e gjerë. Edhe pse nuk e di sa larg mund ta çojë këpuca e tjetrit. Apo sa kohë do të mund të durojë dhimbjen e këmbës. Kushedi. Asaj ore, mbi qiell, një bashkë resh zgjaste dorën si premtim mundësie a ndoshta si premtim dhurate…
Please follow and like us: